shqiperi futbool
Historike! Shqipëria ka marrë fitoren e parë në Europianin e “Francë 2016”. Kuqezinjtë debutues mundën me rezultatin e ngushtë 1:0 ndeshjen vendimtare ndaj Rumanisë. Një paraqitje e shkëlqyer e lojtarëve të kombëtares shqiptare e cila u kurorëzua me një triumf spektakolar, duke kurorëzuar kështu më së miri paraqitjet dinjitoze në këtë Europian.

Ёshtë Armando Sadiku ai që ka ngritur në këmbë një komb të tërë, duke shënuar golin e parë për Shqipërinë në minutën e 44′ të takimit.

Sulmuesi shqiptar përfitoi nga një dalje e gabuar e portierit rumun Tatarusanu, duke çuar në rrjetë një gjuajtje me kokë pas një krosimi të marrë nga Memushaj.

Më herët, dy mundësi të shkëlqyera për gol për kombëtaren shqiptare u shpërdoruan. Lenjani në minutën e 23′ nuk shënoi në një rast flagrant me portën e boshatisur, por goditi fort mbi traun e katërkëndeshit.

Pak minuta më vonë, në të 36′-ën ishte Migjen Basha i cili nuk gjuan mirë, pas një skeme të servirur nga goditja e këndit.

Goli për kuqezinjtë do të vinte pas disa sulmeve radhazi në portën e rumunëve. Armando Sadiku do të përfitonte në minutën e 44′ nga një dalje e gabuar e portierit rumun Tatarusanu, duke goditur saktë me kokë. 1:0 për Shqipërinë dhe festa ka nisur!

Një komb i tërë është në këmbë për këtë fitore historike të kuqezinjve, e cila tashmë rrit shanset për një tjetër kualifikim, atë të fazës së 1/8-ave të Europianit.

Shqipëria ka 3 pikë në Grupin A, duke lënë të fundit Rumaninë me vetëm 1 pikë. Franca kryeson me 7 pikë, duke u kualifikuar direkt me Zvicrën e Shaqirit dhe Xhakës, të cilët siguruan 5 pikë në këtë Europian