Kastriot Myftaraj /

kastriot_myftaraj
Kastriot Myftaraj

Katërminutëshi “Shpirti Shqiptar” i Shkëlzen Dolit në Filarmoninë e Vienës nisi me një kaba, çka dëgjuesve nga e gjithë bota nuk mund të mos iu krijojë përshtypjen se kabaja është kategoria dominuese në muzikën shqiptare, çka nuk është e vërtetë. Kjo përshtypje e gabuar theksohej më tepër për shkak se edhe pjesët e tjera muzikore të cilat qenë përzgjedhur kishin nota të theksuara orientale.

orkestra e vjenes
Salla e Orkestrës së Filarmonise së Vjenës

Kabaja është vetëm një kategori muzikore që ka një përhapje shumë të kufizuar në hapësirën shqiptare, në Shqipërinë e Jugut, madje edhe këtu vetëm në disa zona të ngushta. Shkëlzen Doli ka përpunuar një kaba korçare, të cilën e ka shumë për zemër. Unë që kam lindur dhe jam rritur në Korçë po i them se asnjë dasmë korçare nuk niste me një kaba, përveç dasmave të romëve dhe të magjypëve, të cilët në Korçë i quanin evgjitë. Shkëlzen Doli i cili ka lindur në Elbasan dhe më pas është rritur në Gjakovë, e di mirë këtë gjë. Unë nuk kam asgjë kundër muzikës rome dhe magjype, por nuk ka përse ajo të paraqitet si muzikë që shpreh shpirtin shqiptar. Ky është një perversion artistik.
Sipas Fjalorit të Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, të Tahir Dizdarit, fjala “kabah”(kaba) e ka prejardhjen nga turqishtja dhe ka kuptimin e diçkaje që është punuar trashë, pa mjeshtëri.(f. 462) Sipas të njëjtit fjalor, në muzikë fjala “kaba” përdoret me kuptimin e një performance të kryer trashë, pa mjeshtëri, në mënyrë amatore. Dizdari na thotë se në Shqipërinë e Jugut, fraza “Bjeri kërnetës (klarinetës) kaba” ka kuptimin “Bjeri rëndë, trashë”.(f. 462) Si ilustrim të përdorimit të kësaj fjale, Dizdari na sjell dy vargje të një kënge popullore të Shqipërisë së Jugut “O Nazif o budalla,/bjeri fyellit kaba”.(f. 462) Merret vesh, ai që përformonte “kaba” me një instrument muzikor quhej budalla, idiot.
Në këtë kuptim e përdor edhe Fan Noli te “Marshi i Barabait” ku thotë: “Lehni laro kaba: Hosana Baraba”.
Sipas Dizdarit, nga fjala “kaba” e ka origjinën fjala “kaballëk”/kaballik që ka kuptimin e sjelljes vulgare.
Kabaja nuk ka qenë kurrë pjesë e muzikës shqiptare, atë e luanin romët dhe ciganët, të quajtur “jevgj”, “evgjitë”, “magjypë”. Nëpër qytetet shqiptare, shteti osman përdori një metodë dinake për të ndërprerë zhvillimin e muzikës qytetare shqiptare, e cila kur erdhën osmanët, kishte tashmë një traditë të përpunuar me ndikime perëndimore, të sjella nga sundimi francez, venecian, norman etj. Shteti osman, djallëzisht i bëri veglat muzikore monopol të romëve dhe magjypëve, duke e shpallur si turp publik përdorimin e tyre nga ana e muslimanëve, madje duke vendosur edhe një taksë për mbajtjen dhe përdorimin e këtyre instrumenteve deri edhe në festime të gjera familjare nga ana e njerëzve të cilët e kishin një profesion tjetër. Kështu që qytetarët hoqën dorë në masë nga ushtrimi me instrumente muzikore dhe performimi muzikor u kthye në monopol të romëve dhe magjypëve, të cilët luanin kaba, pra trashë, në mënyrë më tepër se profesionale, luanin si amatorë të këqinj.
Pas kësaj, muzika e pastër shqiptare mbeti muzika fshatare, e luajtur me instrumente tradicionale shqiptare, ku ndikimet orientale pakësoheshin sa më në thellë në malësi jetonin ushtruesit e kësaj muzike, si në Jug, ashtu edhe në Veri të vendit. Për disa shekuj pati një luftë për shpirtin shqiptar në muzikë, dhe qartësisht kultura orientale osmane e humbi këtë luftë. Për këtë mjafton si argument fakti që kabaja, si kategori muzikore, njihet në Shqipërinë e Jugut dhe jo në atë të Veriut, e praktikisht nuk njihet në Kosovë, apo në pjesën shqiptare të Maqedonisë. Arsyeja? Popullsia qytetare ka qenë më e vogël gjatë shekujve otomanë në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë, se në Shqipërinë e Jugut.
Kabaja, duke qenë perversion muzikor, nuk mund të jetë aspak shprehje e shpirtit shqiptar në muzikë. Kabaja është thjesht një perversion muzikor. Për këtë arsye është një gabim i madh ai i Shkëlzen Dolit që e paraqiti shpirtin shqiptar në Koncertin e Vienës, në një spot muzikor katërminutësh, që niste me një kaba emblematike, dhe vazhdonte me një muzikë me motive të theksuara orientale, turko-arabe. Nuk është kjo muzika tradicionale shqiptare, e cila mund të sillet si emblemë e shpirtit shqiptar. Duke parafrazuar dy vargjet e këngës popullore që sjell Dizdari në fjalorin e tij, mund t’ i thuhet mjeshtrit të Filarmonisë të Vienës: “O Shkëlzen o budalla,/pse i bie violinës kaba?”
Është për të ardhur keq që bota, e cila e njeh muzikën shqiptare me anë të këtij katërminutëshi muzikor që iu ngjit Koncertit të Vienës, do të mendojë se muzika shqiptare është e shenjuar nga kabaja, pra se muzika shqiptare është në thelbin e saj orientale, turko-arabe, çka nuk është e vërtetë. Me këtë Shkëlzen Doli, me apo pa vetëdije, i ka bërë një dëm të madh kulturës shqiptare. Nuk është rastësi që performanca e Shkëlzen Dolit iu ka pëlqyer veçanërisht atyre të cilët prej shumë viteve punojnë për shpërbërjen e kulturës nacionale shqiptare.