Nga Adela Kolea /

Si çdo vit, edhe këtë të tanishmin, si pjesë përmbyllëse e Javës së Kulturës Shqiptare, nën përkujdesjen e Shoqatës Scanderbeg Parma, – e gjallëruar me tingujt e muzikës popullore dhe folkloristike shqiptare, nga kostumet folkloristike popullore të krahinave te ndryshme shqiptare, të veshur nga pjesëtarë të shoqatës, me ndërthurjen e kuzhinës parmixhane – u realizua Darka Tradicionale e Pavarësisë për pjesëtarët dhe miqtë e dashamirësit e shoqatës Scanderbeg.
Lokaliteti që priti shqiptarët e Scanderbeg-un e Parmës për këtë rast, ishte ai i zakonshmi, Hotel San Marco në Ponte Taro.
 Mbrëmja pati si të ftuar miq e pjesëtarë të shoqatës, shqiptarë e italianë.

pavaresia-parma
Merita Asllanaj e Indrit Hila kryen prezantimin nëpërmjet përshëndetjeve dhe falënderimeve përkatëse e u përkujdesën për drejtimin e mbrëmjes edhe përgjatë gjithë vijimit të saj.
Fillimisht u projektua një fragment nga filmi “Nëntori i Dytë”, i cili trajton temën e shpalljes së Pavarësisë e ngritjes së flamurit shqiptar. 
Nga fëmijët e shoqatës u interpretuan himnet kombëtare të të dyja shteteve përkatëse. “Himni i Flamurit” për Shqipërinë dhe “Himni i Mamelit” për Italinë.
Kryen nisjen e vallëzimeve, Grupi i Valleve Scanderbeg, i cili interpreton një valle me domethënie patriotike për shqiptarët dhe përfshirëse nga pikëpamja emocionale, titulluar: ”Cili je ti more burrë?”, referuar Babait të Kombit Shqiptar dhe protagonistit të Aktit të Shpalljes së Pavarësisë në Shqipëri, Ismail Qemalit.
Në vijim, mjeshtri i klarinetës Bexhet Doraci, i ftuar nga shoqata, interpreton një kaba për klarinetë shumë të njohur në Shqipëri e që i emocionoi të pranishmit, atë “Gjeneral gramafoni”. Grupi i Valleve Scanderbeg interpreton në vijim një valle pogonishte.
Presidentja e Shoqatës Scanderbeg, Vojsava Tahiraj, merr fjalën në hyrje të mbrëmjes, duke përshëndetur të pranishmit dhe duke falënderuar të gjithë shoqatën për punën e palodhshme që ka kryer sidomos në realizimin e suksesshëm të kësaj Jave të Kulturës Shqiptare në Parma 2016 – dhe për punën e kryer përgjithësisht – javë kjo, shumë e dendur në evente e veprimtari, realizimi i suksesshëm i të cilëve kërkon punë serioze, përkushtim e përgjegjësi por, që në fund lodhja shpagohet nëpërmjet suksesit dhe arritjeve pozitive të Shoqatës në tërësinë e tyre.
E jo vetëm kaq: ajo shpreh të gjithë kënaqësinë e saj, duke parë që numri i pjesëtarëve të shoqatës po shtohet gjithnjë e më shumë me pjesëtarë të rinj ku, ndër këta të fundit, një pjesë e mirë janë në moshë të re e i përkasin brezave të rinj të shqiptarëve të Parmës. Do të jene pikërisht ata, vazhduesit e denjë të veprimtarisë së kësaj shoqate në vite.
Ndër të ftuarit, Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano, Znj. Anila Pojani – e emëruar prej pak kohësh – nënvizon faktin se për të është hera e parë që të jetë e ftuar në një event të tillë dhe shpreh gjithë admirimin e përgëzimet e saj mbi organizimin kaq të përkryer të mbrëmjes, duke konsideruar atë që bëhet fjalë për një shoqate që funksionon mbi baza vullnetare.
I pranishëm dhe zv. Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Mario Giro, mik i vjetër i Shqipërisë, i cili e ka vizituar Shqipërinë në kontekste e periudha të ndryshme kohore. Ai i fton shqiptarët që të ruajnë autenticitetin e tyre, duke theksuar:
 “Miq shqiptarë, qendroni kështu siç jeni, mos ndryshoni, ne pikërisht kështu ju duam!”
 Vijoi një ndërhyrje e Giorgio Pagliarit, senator në Parma, i cili shprehu ndër të tjera, emocionimin e tij duke dëgjuar që të interpretoheshin nga ana e shqiptarëve të pranishëm, himnet kombëtare të të dyja shteteve tona përkatëse, ai shqiptar dhe ai italian.
Kryetari i Bashkisë së Parmës, Federico Pizzarotti, ndërkohë që përshëndeste të pranishmit dhe falënderonte Shoqatën Scanderbeg për ftesën, përfitoi nga rasti për t’i drejtuar vëmendjen vlerësimit të punës së Marion Gajdës, Këshilltar i shtuar i Bashkisë së Parmës, për faktin e ngritjes së prestigjit të emrit të shqiptarëve, nëpërmjet punës së tij në Këshillin Komunal si përfaqësues i komuniteteve të huaja në Parma.
Në mbyllje të mbrëmjes, të gjithë të pranishmëve iu rezervua një befasi e këndshme: drejpërdrejt nga Tirana, në një video, Kryeministri Shqiptar Edi Rama, përshëndeti Shoqatën Scanderbeg, duke përcjellë urimet e tij për Festën e Pavarësisë ndaj gjithë komunitetit shqiptar të Parmës.