Published On: Tue, May 9th, 2017

Shkurtaj: Administrata, në provim për gjuhën shqipe, me notën mbi 8 qëndrojnë në punë

gjovalin_shkurtaj

Profesor Gjovalin Shkurtaj boton “Urgjenca gjuhësore”. Në këtë libër profesori trajton disa nga dukuritë dhe rrjedhat e sotme të kulturës së gjuhës shqipe. Profesori mendon se detyra kryesore për përmirësimin e kësaj situate i bie shkollës. Për fat të keq, ka më se njëzet vjet që, kujdesi i shtetit dhe i institucioneve shtetërore ndaj botimeve e kumtimeve zyrtare ka rënë në mënyrë të pafalshme

Nga Valeria Dedaj

Profesor Gjovalin Shkurtaj shqetësimin e tij për vërshimin e shumë fjalë të huaja të panevojshme në gjuhën shqipe të ditëve tona e ngre edhe në librin që sapo ka botuar “Urgjenca gjuhësore”. Shkurtaj në një intervistë për gazetën “Shekulli” rrëfen se si përballë kësaj gjendjeje vihet re një qëndrim i mefshtë e indiferent pikërisht nga ato institucione apo njerëz që e kanë për detyrë ta mbrojnë gjuhën, që u takon me ligj të mos heshtin kur ajo nëpërkëmbet e prishet padrejtësisht. Gjuha shqipe ka sot një numër problemesh, që duhen njohur dhe sidomos shumë gabime e shtrembërime ligjërimore, që duhen shmangur e përmirësuar. Për këtë profesori shprehet se detyra e parë i bie shkollës, qysh nga klasa e parë e deri në marrjen e dëftesës së pjekurisë, ku lënda e gjuhës duhet të ketë vendin e vet shumë të rëndësishëm e të shoqërohet me kujdesin dhe vëmendjen më të madhe nga ata që hartojnë programet e librat përkatës. Por, ai mendon se ka pasur shthurje e mungesë të disiplinës gjuhësore të shtetit, prej nga ka ardhur edhe kjo gjendje pakujdesie gati masive ndaj gjuhës së shkruar e të folur në zyra, në botime, në gazeta, në radio e në televizione.

Profesor Shkurtaj, për pastërtinë e gjuhës shqipe, ju sapo keni botuar librin e radhës. Por, përse e keni titulluar “Urgjenca gjuhësore”? Sa urgjent është trajtimi i gjuhës shqipe me seriozitet?

Në gjuhën shqipe të ditëve tona janë duke vërshuar shumë fjalë të huaja të panevojshme dhe përballë kësaj gjendjeje vihet re një qëndrim i mefshtë e indiferent pikërisht nga ato institucione apo njerëz që e kanë për detyrë ta mbrojnë gjuhën, që u takon me ligj të mos heshtin kur ajo nëpërkëmbet e prishet padrejtësisht. Në librin tonë, si dhe në radion on-line me të njëjtin emër, flasim pikërisht për dukuri të tilla që kërkojnë edhe qëndrim e përmirësim të situatës, me urgjencë, pa humbur kohë, pa lejuar që format e gabuara të rrënjosen. “Të gabosh është njerëzore, por të vazhdosh të bësh gabime me vetëdije, është jonjerëzore”.

Njerëzit e veçantë dhe bashkësia shoqërore në tërësi, ditë për ditë, ndeshen edhe me dukuri që kanë nevojë për t’u ndrequr, njësoj si sëmundjet që duhen mjekuar për t’i shëruar; pra, kanë nevojë për “urgjencën gjuhësore”.

Së pari, duhet të punojmë për mënjanimin e fjalëve të huaja të panevojshme, të tilla si: rurale, observoj, final, definoj, indipendent, prononcohem, sanim i gjendjes, konsensus etj., të cilat, përveçse e përçudnojnë gjuhën, e të huajësojnë atë për dëgjuesin apo lexuesin e thjeshtë, sepse janë edhe të pakuptueshme.

Me librin tonë, synojmë jo për t’i ironizuar e lënduar ata që gabojnë, por thjesht për t’u dhënë atyre (dhe të gjithë dashamirëve të shqipes e të shqiptarisë) një mundësi më shumë për t’i njohur e mënjanuar format e gabuara, si dhe barbarizmat e huazimet e panevojshme që mund të zëvendësohen me fjalë shqipe ekzistuese ose të krijuara me brumin e shqipes e sipas rregullave fjalëformuese të saj.

Gabime gjuhësore e fjalë të huaja të kota ndeshim deri në fjalimet e atyre që janë funksionarë të zyrave të shtetit a të institucioneve publike e private me rëndësi. Jo rrallë ndeshim asish, që ngatërrojnë demagogun me pedagogun, apo që në vend të infarkti thonë infrakti; që në vend të gjeti zgjidhje thonë gjeti zgjedhje (ose anasjelltas). Tingëllon e rëndë, por është e vërtetë se deri në Kuvendin e Shqipërisë, kemi dëgjuar të ngatërrojnë jo vetëm reçesionin me recensionin, po edhe objektivin me objeksionin. Gati masivisht shkruhet (e thuhet) gabim afrimitet, si ndikim i fjalës së huaj afinitet, kurse mund ta thoshim më mirë në shqipen: afri, lidhje afrie, afri shpirtërore. Nuk mungojnë edhe gabime drejtshkrimore trashanike, si p.sh.: shkruhet nënpunës në vend të nëpunës; me patjetër në vend të pa tjetër, pa mëdyshje, apo që shkruajnë vrasje e dyfishtë, e trefishtë, e katërfishtë, në vend të vrasje e dy vetave, përkatësisht e tre vetave apo e katër vetave.

Cilat janë ato institucione që duhet t’i japin përparësi kujdesit ndaj gjuhës shqipe?

Gjuha shqipe ka sot një numër problemesh, që duhen njohur dhe sidomos shumë gabime e shtrembërime ligjërimore, që duhen shmangur e përmirësuar. Natyrisht, detyra e parë i bie shkollës, qysh nga klasa e parë e deri në marrjen e dëftesës së pjekurisë, ku lënda e gjuhës duhet të ketë vendin e vet shumë të rëndësishëm e të shoqërohet me kujdesin dhe vëmendjen më të madhe nga ata që hartojnë programet e librat përkatës. Me librat e gjuhës shqipe për shkollat duhet punë e kujdesshme dhe nuk duhet të lejohen “eksperimente”. Ka qenë punë e keqe, e dëmshme dhe me pasoja të dukshme qëndrimi ndaj lëndës së gjuhës shqipe në shkollat e mesme. Herë është hequr, duke menduar se mjaftonte ajo që mësohej në shkollën tetëvjeçare, herë është rikthyer, por si lëndë e përzier me letërsinë gjë që ka pasur pasoja të pamira në formimin gjuhësor të brezave të tërë shkollarësh.

Në dëm të dashurisë e të kujdesit për gjuhën shqipe, ka peshuar edhe mbivlerësimi i gjuhëve të huaja dhe sidomos i anglishtes. Domosdoshmëria për të nxënë gjuhët e huaja është e ligjshme, është edhe dëshira e arsimtarëve dhe e gjuhëtarëve, por kjo nuk duhet të shkojë kurrsesi në dëm të njohjes sa më të thelluar të gjuhës sonë amtare. Ne sot kemi shumë të rinj, që punojnë në zyrat e shtetit e të institucioneve të ndryshme publike ose private, të cilët e dinë anglishten shumë mirë, porse kur shkruajnë shqip bëjnë gabime të rënda, sepse nuk i kanë nxënë e ushtruar si duhet drejtshkrimin dhe normat gramatikore e sintaksore të shqipes. Dhe, kjo, sikundër po e shohim përditë, sjell edhe mënyra të thëni joshqiptare, që dalin si “klyzime” nga përkthimi jo i saktë prej anglishtes, si p.sh. kur thuhet se ky ose ai “ndau mendimin me”, në vend që të thuhet shqip: u bashkua, mbështeti, pranoi etj.

Si ju duket gjuha e politikanëve apo e atyre që na përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë, më konkretisht gjuha e zyrave dhe e botimeve të shtetit?

Për fat të keq, ka më se njëzet vjet që, kujdesi i shtetit dhe i institucioneve shtetërore ndaj botimeve e kumtimeve zyrtare ka rënë në mënyrë të pafalshme. Ka pasur shthurje e mungesë të disiplinës gjuhësore të shtetit, prej nga ka ardhur edhe kjo gjendje pakujdesie gati masive ndaj gjuhës së shkruar e të folur në zyra, në botime, në gazeta, në radio e në televizione. Shkruhet e flitet dosido, me gabime e shkelje të rënda të normave drejtshkrimore, me fjalor të varfër dhe shpesh edhe të pakrehur nga fjalët e rënda e të papërshtatshme për burokracinë zyrtare, qoftë shtetërore, qoftë private. Ka ardhur koha të zgjohemi nga përgjumja dhe ta mërgojmë këtë situatë pakujdesie e shthurjeje të qëndrimit ndaj shqipes. Fjala publike, që nga mjediset e thjeshta, në zyrat e shtetit e deri në Kuvendin e Shqipërisë, ka dhënë shenja të qëndrimeve krejtësisht të papranueshme për kulturën e një vendi që mëton të jetë demokratik e të hyjë në Evropë. Fjalët e huaja të panevojshme, terminologjia e pasaktë dhe deri fjalët e pista e ligjërimet krejt të pagdhendura, kanë pasur vend aq shpesh, sa ua kanë neveritur shqiptarëve edhe politikën, edhe funksionet zyrtare të shtetit. Gabimet janë të rënda e ndonjëherë trashanike dhe tregojnë se niveli i formimit gjuhësor të punonjësve e zyrtarëve të Shtetit Shqiptar lë për të dëshiruar dhe nuk mund të vazhdohet më kështu.

E gjithë bota e qytetëruar, të gjitha shtetet e organizuara e me emër të mirë në botë, që nga SHBA, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Italia etj., kanë edhe kode të caktuara të formulave dhe mënyrave të shprehjes shtetërore, zyrtare, të cilave duhet t’u përmbahen me rreptësi të gjithë funksionarët e shtetit. Pra, është pikërisht koha ta jetësojmë këtë ide dhe duhet të ketë edhe një kod për shkrimin dhe komunikimin zyrtar në Republikën e Shqipërisë. Ky ligj, natyrisht, mund të mbështetet edhe në modelet ekzistuese të SHBA-së a vendeve të tjera, por rëndësi ka që të jetë i miratuar dhe të zbatohet nga të gjithë dhe, mbi atë bazë, edhe redaktorët e korrektorët që do të caktohen në zyrat e shtetit, do ta kenë të qartë dhe më të lehtë kryerjen e detyrës së tyre.

Po media çfarë roli luan në këtë drejtim?

Botimet e shkruara në gazeta e revista, si dhe fjala e folur në mediat elektronike luajnë rol shumë të rëndësishëm në përhapjen e normave të gjuhës shqipe dhe zakonisht njerëzit e thjeshtë i kanë edhe si model të shkruari e të foluri. Prandaj, edhe gabimet e tyre, sado të vogla të jenë, ashtu si fjalët e huaja të panevojshme, ndikojnë në masën e ndjekësve të partive e lexuesve a shikuesve.

Do të kishim dashur që për problemet e sotme të gjuhës shqipe, sidomos për këtë shqetësim të madh qytetar e kombëtar, që përbën rreziku i fjalëve të huaja të panevojshme dhe moszbatimi i rregullave të drejtshkrimit etj., të ishte shprehur edhe ndonjë nga shtetarët tanë me rëndësi. Populli ka dëgjuar e parë se sa pa kujdes po e përdorin gjuhën shqipe disa gazetarë e punonjës të administratave shtetërore e private, del rrugëve e shesheve të Tiranës e të qyteteve të tjera të vendit dhe sheh të shkruar gjithfarë emrash të huaj e me drejtshkrim të gjuhëve të huaja, a thua se nuk ka as bashki, as ministri kulture, as shtet, që e kanë për detyrë të mbrojnë gjuhën dhe rregullat e drejtshkrimit të saj. Ka një vendim kryeministror të vitit 1974 “Për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar në të gjithë praktikën shkrimore, botuese dhe në të gjitha mediat shtetërore”, i cili ngarkon me përgjegjësi të gjitha dikasteret e institucionet arsimore, kulturore etj. Ky vendim nuk është shfuqizuar, prandaj ai, si i tillë, duhet të zbatohet pa asnjë mëdyshje dhe nga të gjithë. Aq më tepër kur, edhe në Kushtetutën më të re të Republikës së Shqipërisë ka një nen që thotë shprehimisht se shteti shqiptar merr në mbrojtje gjuhën shqipe.

Dhe, gjëja më e shëmtuar, është prirja për të krijuar folje me prapashtesa të shqipes, prej fjalëve të huaja, si dakordësoj, dakordësohem, implementoj, afeksionoj, afeksionohem, sanoj e sanim, madje, një farë gazetari e ka për zemër të thotë edhe spikeroj e spikerim (!?), kur edhe vetë fjala spiker duhet zëvendësuar me fjalën shqipe folës-i, folësja.

Përveç moszbatimit në mënyrë të saktë të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, sa shqetësues është përdorimi i fjalëve të huaja në medie? A është ky një realitet vetëm shqiptar?

Po i bie shkurt përgjigjes, duke cituar një shembull, që ma kujtoi një mik i imi, i cili nuk është gjuhëtar, por dashamirë i shqipes. Shembulli është ky:“Performanca life sjell suspancë”. Këtë fragment të një bisede të një gazetari me një këngëtar (e), nuk di se kush mund ta marrë vesh në mjediset shqiptare. Për fat të keq, nuk mungojnë edhe zëra të ndokujt që merret me gjuhësi, që rast e pa rast, edhe ata përpiqen ta “shenjtërojnë” këtë plojë barbarizmash të panevojshme ndaj shqipes. Jemi të detyruar ta ritheksojmë pohimin tonë të palëkundur e të palëkundshëm: nuk kemi qenë dhe nuk jemi as për hermetizimin, as për përjashtimin e prurjeve nga përvoja ndërkombëtare, por jemi dhe do të jemi deri sa të marrim frymë për ta mbrojtur gjuhën shqipe dhe për të mbjellë, ushqyer e shtuar pa u lodhur dashurinë për hiret e vlerat e saj.

Dhe së fundmi, çfarë masash duhet marrë për përmirësimin e kësaj situate?

Gjuha shqipe, për shqiptarët ka qenë dhe duhet të mbetet gjithmonë gjuha më e dashur, e para mbi të gjitha të tjerat, e para, jo vetëm në të shpallur, me deklarime e pohime, por edhe realisht në kujdesin ndaj saj, e para në synimin dhe në përpjekjet që t’ia njohim e t’ia nxjerrim në pah hiret e saj, begatinë dhe hijeshinë e saj. Vitet e fundit janë krijuar mangësi e mosdije të gjuhës, nga heqja për shumë kohë e lëndës së gjuhës shqipe nga shkollat e mesme, si dhe nga mbivlerësimi i gjuhëve të huaja në dëm të shqipes. Kjo e bën të nevojshme dhënien e provimit të gjuhës shqipe në nivelin universitar (e me notë 8 e sipër) për të gjithë ata që do të pranohen si punonjës të administratës shtetërore e publike. Ky provim do të ndihmonte personelin e administratës shtetërore të çdo niveli për plotësimin e dijenive rreth drejtshkrimit e normave të tjera të shqipes. Të gjithë jemi dëshmitarë se sot shkollarët dhe pasuniversitarët janë të interesuar dhe, madje, të drithëruar për dhënien provim e pajisjen me dëshminë e njohjes së anglishtes, pra për “Toeflin”, por askush nuk shqetësohet për gjendjen jashtëzakonisht të pamirë të shqipes së shkruar e të folur në zyrat e shtetit, në universitetet publike e private dhe kudo. Dhe kjo situatë do të vazhdojë nëse nuk do të kemi edhe ne zyrtarisht kërkesën e provimit dhe njohjes së gjuhës shqipe si kusht për të pasur një vend të caktuar në administratë (vendore apo qendrore).

Shpresojmë që libri ynë, në mos tjetër, të shërbejë sa për t’ua kujtuar shtetarëve detyrën e tyre që kanë ndaj gjuhës shqipe, si tipari thelbësor i njësisë dhe përbashkësisë shpirtërore e kulturore të kombit tonë.

Leave a comment

You must be Logged in to post comment.