Nga Pjerin Logoreci /

Dritëro Agolli u lind më 13 tetor 1931 në Menkulas të Devollit ku mori dhe mësimet e para. Më pas ndoqi shkollën e mesme “Asim Zeneli” në Gjirokastër. Në vitet 1952 – 1957 ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë të Universitetit të Leningradit (St Peterburg). Pasi u kthye në Shqiperi, filloi punë si redaktor e gazetar në të përditshmen “Zëri i Popullit”, ku punoi nga viti 1957 deri në vitin1972. Në vitin 1973 u zgjodh Kryetar e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqiperisë, detyrë që e kreu deri në vitin 1992.Dritëro Agolli, shkrimtar, publicist, veprimtar shoqëror, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

dritero_agolli

 

Dritëro Agolli është një nga figurat qendrore të poezisë shqipe dhe një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të “brezit të viteve 1960”. Ai solli një poezi të re në ndjeshmëri e figuracion, duke e përtërirë sistemin e vjershërimit shqip.
Mbeten në kujtesën e lexuesit poemat “Devoll – Devoll” e “Poemë për babanë dhe për vehten”, ku poezia e tij nuk e ndan të përgjithshmen nga vetjakja, bën sintezën e kolektives me individualen e shkrirë në frymën popullore. Tek “Baballarët” (1969), “Nënë Shqipëri” (1974), etj, Dritëro Agolli shfaqi madhështinë poetike nëpërmjet përjetimeve të subjektit të zakonshëm duke krijuar një poezi që të gjithë e ndjenin brenda vehtes e që përmbante të vërtetën e pasqyrimin realist të ngjarjeve, e ndjenjat e njeriut të kohës.
Krijimtaria e Dritëro Agolli është liriko-epike, ndryshe nga ajo tradicionale, që ishte kryesisht epike. Ai pruri në poezinë shqipe shqetësimet e individit, duke shprehur e ngritur kultin e vendlindjes, familjes e prindit. Ajo sundohet nga bota e gjallë, shpirtëzimi i mjedisit, shenjtërimi i natyrës, i arës dhe bagëtisë.Një pjesë e madhe e veprave të tij janë botuar në shumë gjuhë të huaj.
Dritëro Agolli ka dhene kontributin e tij edhe si personalitet shoqëror, ai ka qenë deputet në Kuvendin Popullor dhe në Kuvendin e Shqipërisë për disa legjislatura (1974 – 2005).
Dritëro Agolli mban Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë, titullin Doktor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës dhe është dekoruar me Urdhërin “Nderi i Kombit”, si dhe është nderuar së fundmi në Itali me Çmimin Kombëtar për Letërsinë “Carlo Levi”.

Kolosi i letrave shqipe, Dritëro Agolli u shua në moshën 85-vjeçare  sot rreth orës 16:00 (Dt. 3 shkurt 2017) në sanatoriumin e Tiranës.

 

Vepra:

Në rrugë dolla, (poezi)1958 (hequr nga qarkullimi, disa tregime u botuan me vone tek “Njerëz të krisur”)
Hapat e mia në asfalt, (poezi)1961
Zhurma e erërave të dikurshme, (proze)1964
Shtigje malesh dhe trotuare, (poezi) 1965
Mesditë, (Poezi) 1968
Komisari Memo, (roman) 1969
Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, (roman) 1973
Nënë Shqipëri, (poemë) 1974
Njeriu me top, (roman) 1975
Fjala gdhend gurin, (Poezi) 1977
Trëndafili në gotë, (roman), 1980
Fytyra e dytë, (dramë)
Mosha e bardhë, (dramë)
Udhëtoj i menduar, (poezi) 1985
Njerëz të krisur (tregime)
Njeriu i mirë, (tregime)
Kalorësi lakuriq, (roman)
Dështaku (roman)
Arka e Djallit (roman)