Në kuadrin e 100 vjetorit të jetimores së parë shqiptare 1917-2017 dhe javës së ndërgjegjësimit për të shtuar kujdesin për fëmijët jetimë, Presidenti i Republikës z. Ilir Meta bëri edhe disa dekorime e dhënie titujsh. Me nr. dekreti 10653, datë 15 nëntor 2017, Presidenti i Republikës i akordoi titullin “Mjeshtër i Madh” shkrimtarit dhe publicistit Kolec Traboini  me këtë motivacion:

“Për merita të shquara si personalitet i artit, publicistikës dhe kulturës shqiptare, duke u bërë shembull frymëzimi, në veçanti, për gjeneratat e fëmijëve jetimë, të cilëve ai u përket”.

Presidenti_jep_Kolec_Traboinit Titullin_Mjeshter_i_Madh

Kolec Traboini:

Me këtë rast falenderoj Presidentin e Republikës z. Ilir Meta dhe Institutin Kombëtar për Integrimin e Jetimëve Shqiptarë me drejtor të përgjithshëm Ilir Çumani. Si dhe kujtoj me veneracion të gjitha ata që në fëmininë e rininë time mu gjendën pranë e sot nuk jetojnë më, duke filluar nga mësuesi im i klasës së parë Lin Mushkalla, në vazhdimësi Njac Nenshati, Pjetër Pali e Kol Alimhilli, drejtoreshën e Shtëpisë së Fëmijës Shkodër Persa Grabova, mësuesin tim të paharruar të gjuhës shqipe Pjetër Elezi, mësuesin i letërsisë Lec Shllaku e të tjerë. Një kujtesë mirënjohje e veçantë shkon për atin tim të munguar Palok Traboini, mësues e luftëtar, publicist i pavarësisë dhe sekretar i Ded Gjo Luli, Dadën time Katrina Traboini, vajzën e Motrës Tone, që më nxiti në fushën e artit që kur linda, duke më venë emrin e dajës së vet, të paharruarit Kol Idromeno. E ndaj këtë kënaqësi me të afërmit, me të gjithë bashkmalësorët e mi në Traboin e mbarë Malësinë e Hotit, me bashkshkodranët e mi, me bashkëmigrantët në Greqi dhe Amerikë, si dhe me miqtë dhe dashamirësit e letërsisë. E në fund (për nga rendi, por e parë për nga rëndësia) një mesazh për të gjithë ata që rrethanat i sjellin të jenë në fatin tim të fëminisë; ju pëllumba me krah të plagosur kurrë mos harroni se në një shtet social dhe në një shoqëri humane mund të fluturohet edhe me një krah!