Andrea Varfi u lind më 21 shkurt 1914 në Qeparo të Bregdetit – Vlorë. Vdiq me: 18 Shtator 1992 ne Tiranë.

Andrea vinte nga një familje e mesme fshatare, me tradita patriotike. Shkollën fillore e mbaroi në fshat, me mësuesin e së parës shkollë shqipe të fshatit, babanë e tij, Epaminonda Varfin. Më 1932 mbaroi shkollën e mesme Tregtare të Vlorës, ku dhe nisi të shkruajë shkrimet e para. Më 1935 mbaron degën klasike të gjimnazit në Tiranë. Më 1941 mbaroi Fakultetin e Shkencave Agrare në Universitetin e Peruxhias, Itali. Më 1941 kthehet në atdhe. Shërben si agronom në Zyrën e Bujqësisë së Tiranës dhe në Shkollën Bujqësore të Kavajës. Ka dhënë kontributin e tij me shumë detyra në Luftën Nacionalçlirimtare. Pas Çlirimit emërohet drejtor i Kulturës dhe Propagandës Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, ku drejton edhe revistën “Bujku i Ri”. Në vitin 1947, burgoset për dy vjet. Askurrë s’pranoi gjatë torturimit çnjerëzor që iu bë akuzën e rreme “spiun i anglezëve”. Pasi fitoi pafajësinë ka punuar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” e më pas në Lidhjen e Shkrimtarëve. Vdiq më 18 shtator 1992, në Tiranë. Ka fituar statusin e të përndjekurit politik, më 1993.

Andrea_Varfi
Andrea Varfi

Krijimtaria letrare e Andrea Varfit nis në vitet ’30, së bashku me shkrimtarë të tjerë të kohës, si: Nonda Bulka, Aleks Çaçi, Dhimitër Shuteriqi, Sterjo Spasse, Migjeni që i sollën një hop cilësor letërsisë së kohës. Vëllimet poetike, si dhe proza e shkruar para dhe pas Çlirimit u përmblodhën në dy vëllime letrare, më 1989.

Gjatë kohës së luftës mjaft poezi të A. Varfit nëpërmjet kompozimeve të kohes hynë në fondin e këngës partizane dhe qytetëse të kohës. Kështu që më 1934 – 35, Efthim Kovaçi do kompozonte mbi poezinë e Andrea Varfit “Kushtrimi i të shtypurve” që këndohej në rrethet revolucionare. Po kështu janë të mirënjohura dhe këngët “Himni i Ushtrisë”, “Dëshmori partizan”, “Kënga e dëshmores partizane”, “Dëshmorëve”. Në vitet 1952 – 60 ai boton dhe mjaft poezi dhe prozë satirike me pseudonimin “Ager” dhe “Bokërrima”.

Krahas krijimtarisë artistike, A. Varfi është marrë me përkthime e studime letrare, të cilat përbëjnë një ndihmesë të konsiderueshme në letrat shqipe. Ai përshtati në gjuhën e sotme veprat kryesore të De Radës: “Serafina Topia”, “Rrëfime të Arbërit”, “Këngë të Milosaut”, “Krutan i mërguar” dhe ndonjë të Santorit.

Përktheu nga letërsia e përbotshme letërsi nga Ugo Foskolo, Alfieri, Nazim Hikmet, Mauricio Kaprile etj.

A. Varfi u mor dhe me studime gjuhësore, themelin e të cilave e zë problemi i gjenezës së gjuhës sonë prej pellazgjishtes, të cilat kanë mbetur dorëshkrime.

Para se të vdiste, Andrea Varfi la të përgatitur për shtyp një vëllim me veprën letrare dhe muzikore të Neço Muko Himarjotit, me titullin “Zemra kërkon miqësinë”, i pajisur me një parathënie prej tij.

 

Titujt e veprave:
Këngë e ritme, 1930 (poezi)
Monografi “Ulliri i Shqipërisë dhe masat për shtimin e përmirësimin e kulturës së tij”, 1943
Artikuj shkencorë, 300 faqe të karakterit bujqësor e botanik, “Bujku i ri”, 1945-1947.
Në tingujt e revolucionit, 1951 (poezi)
Dielli i jetës sonë, 1957 (poezi)
Një histori e lashtë stërgjyshore, 1957 (poezi)
Në shpellën e kuqe, “ Nëntori”, 1960 (dramë)
Në zgjim, 1962 (poezi – prozë)
Blerim nëntori, 1966 (poezi)
Vepra letrare 1 (poezi; 332 faqe; janë përmbledhur një pjesë e poezisë që nga vitet’30 deri në vitet ‘74), 1989
Vepra letrare 2 ( prozë, 353 faqe, janë përmbledhur një pjesë e prozës që nga vitet’30 deri në vitet ‘74), 1989