Nga Ndoc Selimi

ndoc-selimi
Ndoc Selimi

Emri i piktorit shkodran Lin Delija qendron sot përkrah më të mëdhenjve të nëntëqindës europiane. “Gjithë jeta e tij ishte një diktoni ndërmjet lirisë artistike dhe robërisë kolektive të popullit tij, izolimit shqiptar dhe braktisjes nga ana e perëndimit, trinisë biblike dhe njeriut të zakonshëm” – thotë analisti Agron Gjekmarkaj në nje artikull kushtuar këtij personaliteti të pikturës.

lin_delija
Lin Delija

Lin Delija u lind në Shkodër më 1926. Ai kishte një lidhje breznie të largët nga Temali i Dukagjinit, me fisin e Kalise e vllaznisë Garraj, stërgjyshërit e të cilit ishin shpërngulur dy shekuj më parë për arësye ekonomike duke u vendosur në Shkodër (Sipas Ndoc Ndoja “Dushman – Temali në rrjedhje të kohëve” 2008, fq 253).

Ai u rrit dhe u edukua në Kolegjin Franceskan, ku mori hov edhe talenti i tij artistik. Pak vite më vonë do të shihte me sytë e tij burgimet, torturat, vrasjet dhe internimet e bashkëmoshatarëve së bashku me profesorët e priftërinjtë e pafajshëm. Këto lanë mbresa të pashlyeshme dhe më vonë u bënë tema e preferuar e tij e përjetësuar në telaio. 

Viti 1948 e gjen ushtar në Gjirokastër i survejuar dhe i ndjekur në çdo hap nga sigurimi. Nga ana tjetër lajmet e trishtueshme që vinin nga Shkodra e largët për arrestimet në masë të kolegëve dhe meshtarëve. I ndodhur midis dualizmit të burgut e vdekjes që nuk do të vononin të vinin, ai zgjedh një sakrificë supreme për të; rrugën e largimit nga atdheu. Vendoset në Zagreb, ku shkon në Akademinë e Pikturës, e më vonë vazhdon studimet në Romë i tërhequr nga Ernest Koliqi. Në Romë pati fatin të kishte profesorë me emër në artin italian si Mafei dhe Bartoli, të cilët më vonë do të ishin krenarë për arritjet e nxënësit të tyre. 

Pas mbarimit të studimeve i propozojnë drejtimin e Katedrës së pikturës në Akademinë e Firences, detyrë të cilen e refuzon për t’iu kushtuar pikturës.

Veprat e Delisë dalloheshin për individualitet të spikatur, veçantësi të ngjyrave të përdorura gjë që tërhoqi gjithnjë e më tepër vemëndjen e të mëdhenjve të pikturës italiane e më gjerë. 

lin-delia-1

Ai hapi ekspozita në metropole si Romë, New York, Paris, apo në shtete si Monako, Gjermani, Kanada etj. Në pikturat e Lin Delisë ndjehet shpirti shqiptar, edhe kur ai shprehet në modernizëm, shihen penelatat me frymën e vendit vet. Aty është prezent malsori, nusja, gruja shkodrane, vallja shqiptare, por edhe krimet e komunizmit. 

lin-delia-2

Në veprën “Martiri” që është konceptuar si biografia ose kujtesa e fundit që mori me vete kur iku, piktori, jep tabllonë e qartë të periudhës që përjetonte Shqipëria e tij nën komunizëm; dy njerëz të gjymtuar prej torturave e mbi paterica, një prift katolik i vrarë dhe shkrimi “Rrnoftë Shqipnia”. 

Tabllotë e Lin Delisë të lenë pa fjalë; diku një malsor me sy nga qielli para pushkatimit, diku vargu i te internuarve në lëvizje nën kërcënim të bajonetave e diku litari në qafën e të pafajshmit që na jepet me një qëndrim epik. 

Te “Krishti” është fytyra e malsorit, ku përreth ndodhen persekutorët e kohës sonë. 

Lin Delija ishte sinonim i atdheut vet; ai vuan bashkë me të dhe gjithmonë në ambjentet intelektuale ngrinte lart emrin shqiptar, krenohej për origjinën duke e hyjnizuar popullin e vet. 

lin-delia-3

Mbas 46 vjet mungese artisti i madh kthehet në Shqipëri më 1994, në Shkodrën e vet. Kjo vizitë kaloi në heshtje në Shqipëri, por në mediat italiane u fol shumë. Pas kthimit Lin Delija mbeti i disiluzionuar, pasi gjeti një realitet, të cilin as nuk e kishte përfytyruar dhe prej kësaj vizite e deri sa vdiq, nuk e zuri më në gojë Shqipërinë as bashkëkombësit e vet. Ai nuk pa ata trima, heronj, martirët që i kishte ruajtur në mendjen e tij nga dita e largimit, nuk pa ata njerëz si profesorët e tij të 46 viteve më parë në Fushë të Rremajt kur bërtisnin para grykës së mitralozit “Rrnoftë Shqipnia, rrnoftë Krisht mbret”. Realiteti tjetërsues i “njeriut te ri” e befasoi piktorin e madh…!

Pak muaj më vonë piktori Lin Delija vdes, por emri tij është i pavdekshëm; ai ndodhet sot kudo; gjendet në krah të Matis-it ne Muzeun e Vatikanit me portretin e Krishtit të Kryqëzuar, në Muzeun kushtuar atij në Antrodico, në “Associazione Culturale Lin Delija”, në ekspozitën në Tiranë (2014) me 70 vepra “Mes Sakrales dhe Profanes”. Lini i fali Galerisë së Arteve të Shqipërisë 27 tabllo të koleksionit privat, të cilat u sollën nga një mik i tij në vitin 2004.

Ne vitin 2015 më 7 gusht u prezantua katalogu “Lin Delija piktor i nëntëqindës” nga Profesor Vittorio Sgarbi. 

Lin Delija mban titullin më të lartë “Nderi i Kombit”.