Nga Tonin Çobani /

“Mbledhës shqiptarë të ullirit”, titullohet një tablo e njërit prej piktorëve më të shquar amerikanë të të gjitha kohërave, John Singer Sargent (1856-1925), i cilësuar piktor “briland”, “splended”, “great”. Ajo tablo me përmasa 96 x 115.1 cm është një peizazh me figura (vaj në kanavacë), realizuar direkt nga natyra (has painted it directly from nature) me 1909 dhe ruhet në Galerinë e Artit të Mançesterit (Manchester Art Gallery) në Angli. Këtë informacion, së bashku me tablonë e riprodhuar në bardhë e zi, na e jep studiuesi Ferit Hudhri në librin e tij “Albania and Albanians in World Art), Athina 1990, f.244 dhe 286.

“Mbledhës shqiptarë të ullirit”, titullohet një tablo e njërit prej piktorëve më të shquar amerikanë të të gjitha kohërave, John Singer Sargent
“Mbledhës shqiptarë të ullirit” nga John Singer Sargent

Por ne u interesuam edhe më tepër dhe e gjetën në internet riprodhimin me ngjyra të tablosë “Mbledhës shqiptarë të ullirit” (Albanian Olive Gatherers) të Sargentit, së bashku me përshkrimin përmbajtësor të saj, të cilin po e japim të përkthyer në gjuhën shqipe: “Peizazh mesdhetar me mbledhës shqiptarë të ullinjve gjatë punës. Në të majtë, pemë të mëdha ullinjsh të vjetër, poshtë të cilave figura me veshje muslimane që janë përkulur duke mbledhur ullinj për tokë. Në sfond djathtas, një figurë qëndron në këmbë me një shkop të gjatë që arrin deri lart te degët e ullirit, ndërsa të tjerët janë të përkulur mbi tokë. Dielli përndrit qiellin mbi ta dhe drita e tij bie përmes kurorës së dendur të pemëve”. Në këtë përshkrim nuk thuhet se në ç’vend të Shqipërisë u fiksua ky peizazh. As biografët e Sargentit nuk e përmendin Shqipërinë si një nga vendet ku të jetë ndalë piktori.

Njihet vetëm fakti se Sargenti si peizazhist (përveç se si peizazhist dhe akuarelist, Sargenti është shumë i njohur për portretet e tij dhe kompozimet murale), shetiste shumë dhe se njëri prej udhëtimeve të tij, ai i vitit 1909 ishte në Evropën juglindore, gjë që dëshmohet edhe me disa tablo tepër të njohura nga Korfuzi. Deri më sot asnjeri nuk është ndalë në faktin se Sargenti ka kaluar edhe nëpër Shqipëri gjatë rrugëtimit të tij për në vendet ekzotike. Pas këtij udhëtimi, më 1910 Sargenti 53-vjeçar hap një ekspozitë në Londër ku tabloja “Mbledhës shqiptarë të ullirit” do të mbetet si pjesë e koleksionit te Galerisë së Artit të Mançesterit. Por tani që ajo galeri e ka shpërndarë këtë tablo përmes internetit, të gjithë kanë mundësi ta shqyrtojnë më në hollësi dhe të thonë diçka më tepër për të. Dhe ajo që mund të thuhet me siguri janë veshjet e mbledhësve shqiptarë të ullinjve.

Është e vërtetë se figura në këmbë është me veshjen muslimane të kohës, por figurat e përkulura të planit të parë janë me veshjen karakteristike kallmetore, e cila është një veshje unikale në të gjithë Veriun. Prandaj mund të arrihet lehtë në konkluzionin se Sargenti në udhëtimin e tij të vitit 1909 është ndalë në Shqipërinë e veriut, në fshatin Kallmet ku ka realizuar tablonë tanimë të njohur me ullinj të mëdhenj e të vjetër dhe me mbledhës kallmetorë.Kallmeti është një fshat në Zadrimë, në rrugën që lidh Lezhën me Vaun e Dejës dhe Shkodrën. Ai ka mbetur si një oaz etnografik, qoftë përsa i përket kostumit të gruas, që ndryshon krejtësisht nga kostumi i gruas zadrimore (dhe mirditore e malësore), qoftë për zakone dhe tradita të tjera. Ky fakt, deri tani i pashpjeguar historikisht, lidhet me pozicionin e favorshëm gjeografik të fshatit: Kallmeti është i vendosur në një kodër të pasur me burime ujore, pemë frutore, ullishta e vreshta; ndërsa tokat i ka përkarshi, në fushën pjellore të Zadrimës. Dëshmi e zhvillimit ekonomik të fshatit Kallmet, sipas etnografit Zef Toma, janë: 13 mullinjtë e ujit; mullijntë shtëpiakë të ullinjve; varianti “Kallmet” i ullirit kokërrmadh që prodhohet aty; rrushi dhe vera e famshme “Kallmet”, si dhe fasulja laramane kokërrmadhe, që njihet me emrin “Grosha e Kallmetit”.

Në fillim të shek. XVII, pikërisht, për shkak të resurseve ekonomike të Kallmetit, famullia e Sh’Misë (kisha katolike e shen Eufemisë në Kallmet të Madh) dhe ajo e Sh’Nnjinit (kisha e shen Gjon Pagëzorit në Kallmet të Vogël) u bënë mollë sherri në mes të dy dioqezave fqinje, të asaj të Sapës(Zadrimës) dhe të Lezhës. Me këtë rast, nga Relacionet e Frang Bardhit mësohet edhe për traditat e hershme kulturore të Kallmetit, prej nga ishte vetë imzot Frang Bardhi, autor i “Fjalorit” të parë latinisht-shqip (Romë, 1635) dhe i “Apologjisë së Skënderbeut” (Venecia, 1636). Nga ato Relacione njoftohemi për një plejadë të tërë ipeshkvijsh nga fisi Bardhaj që kishin drejtuar ipeshkëvinë e Sapës duke filluar nga shek. XV-XVI, si dhe për marrëdhëniet në vazhdimësi me Venedikun, qytet ku Sargenti ndalej gjatë sa herë kthehej në Itali (Sargent ka lindur në Firence nga prindër amerikanë). E bëmë këtë retrospektivë për të treguar se në vitin 1909, kur në Kallmet qëndroi piktori amerikan John Singer Sergant, Kallmeti vazhdonte të ishte një fshat i zhvilluar ekonomikisht dhe me tradita të spikatura kulturore. Shtojmë këtu se në Kallmet, pranë kishës katolike, ishte ngritur edhe Kuvendi i Murgeshave Sileziane (që nga viti 1896) ku mesonin shkrim e këndim edhe vajza kallmetore. Jo rastësisht piktori John Singer Sergant qëndroi në këtë fshat dhe pikturoi, pikërisht, mbledhësit kallmetorë të ullinjve, titulluar “Mledhës shqiptarë të ullirit”.