Palok Traboini ka lindur në prill të vitit 1888 në Traboin të Hotit, në trojet shqiptare që ndodhen në shtetin e Malit të Zi, në një familje që i takon fisit Gojçaj. Pasi mbeti jetim që në moshë të vogël e ëma Nora, në gjendje të varfër, deshi ta çonte në Shkrel tek gjinia e vet, i pari i Traboinit Dedë Gjo Luli, që kishte mendimin për të shkolluar një njeri nga Hoti, ku të gjithë ishin analfabetë veç priftit, ndërmjetëson dhe e dërgon në Shkodër, në ShkollënTregtare Italiane, Traboini do të jetonte në shtëpinë e profesorit Andrea Skanjeti ( i vjetri), italian ky i martuar me një vajzë shqiptare, atë bukuri qytetare shkodrane që tashmë të gjithë e njohin si Xhokonda shqiptare, Motra Tone e Kolë Arsen Idromenos.

Me të mbaruar shkollën në vitin 1908, në pamundësi për të vazhduar studimet e larta për gjuhësi, siç aspironte, kish arritur të mësonte 5 gjuhë, me ndërmjetësimin e Kolë Idromenos emrohet mësues në shkollën e fretënve. Po këtë vit martohet me vajzën e profesorit të vet, Katrinën, çfarë e afroi familjarisht me rrethin e elitës aristokrate shkodrane.
Traboini punoi si mësues në Prizren në vitet 1910-11 ku zëvendësoi Mati Logorecin i cili kishte hapur shkollën e Prizrenit. Me pas Traboini u gjend në mes të luftëtarëve në Hot kur nisi kryengritja e Malësisë së Madhe më 24 mars 1911.

PALOK TRABOINI 1888-1951
Palok Traboini – foto Marubi

Dedë Gjo Luli, të cilit i shërbente si sekretar (sipas Gjush Sheldisë 1959), duke qënë se ishte i vetmi hotjan i shkolluar, njohës i shumë gjuhëve dhe i pari mësues i Malësisë së Madhe, e ngarkon me detyrë të sjellë flamurin kombëtar të porositur muaj më parë nga Kolë Ded Gjo Luli gjatë një vizite që kishte bërë në kancelaritë e oborrit perandorak në Vjenë.
Flamuri që solli Palok Traboini është pikërisht ai që njihet si “Flamuri i Dedë Gjo Lulit “ dhe është fiksuar në fotografi nga Kel Marubi me shënimin “Flamuri që u ngrit në Deçiq”. Ai flamur është shpalosur së pari tek Kisha e Traboinit në Hot, dhe luftëtarët e ngritën disa herë në Majën e Bratilës, duke i paraprirë kështu shpalljes së pavarësisë e ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar në Vlorë me 1912”. (Prof.dr. Gjovalin Shkurtaj, 2002).
Traboini i ri u bë një prej bashkëpunëtorëve të gazetës “Koha – Bashkimi“, Shkodër 1910, ku gjenden koleksionet e shkrimeve, të cilat bashkë me poemën epike “Lufta e maleve“ për kryengritjen e vitit 1911, përbën krijimtarinë e tij të zbuluar deri më tash, si autor i para pavarësisë.

Shpirti, idetë e atdhedashuria e zjarrtë i kanë mbetur derdhur në esè e vargje, ndërsa trupi i luftëtarit që kish marrë edhe plagë, më 14 korrik 1951 pushoi, në varrezën katolike të Shkodrës, ku tashmë ndodhet bashkë me të shoqen Katrina Skanjeti-Traboini.

I biri i Palok Traboinit është shkrimtari dhe publicisti Kolec Traboini