Published On: Sat, Dec 2nd, 2017

Përvjetori i lindjes së Dr. Ibrahim Rugova

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istog, në Kosovë.
Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë i pushkatuan babain e tij dhe gjyshin, që kishin luftëtuar kundër çetave çetnike gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës.
Pasi mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967, u diplomua në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971.

ibrahim_rugova

Dr. Ibrahim Rugova

Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqëndrim në teorinë letrare. Ai mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984.
Më 1996,  u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës. Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.

Dr. Ibrahim Rugova ishte filloi si redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada,  punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike”, që e nxirrte ky Institut.
Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.

Si intelektual i njohur, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.
Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.
Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës, e me pas u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.
Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar 2006.

 

Veprat:

– Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë, 1971,
– Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978,
– Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën),
– Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin),
– Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980
– Vepra e Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prishtinë, 1982,
– Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986
– Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987,
– Pavarësia dhe demokracia, Fjala, Prishtinë, 1991,
– Çështja e Kosovës, Dukagjini, Pejë, 1994,
– Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Sh.B. Faik Konica, Prishtinë, 2005

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë:

– Më 1995, Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.
– Më 1996, Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.
– Më 1998, Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
– Në vitin 1999, Çmimi për Paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias (Brecscia).
– Në vitin 2000, Çmimi për Paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera”, në Barcelonë, Spanjë.
– Në vitin 2004, Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi i dha Çmimin e Evropës për vitin 2004.
– Në vitin 2004, në qytetin e Belgjikës Atverpen (Anvers), është shpallur Senator Nderi i Evropës nga Senati i Evropës.
– Më 9 shtator 2004, u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.
– Më 20 nëntor 2005, Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut e ka nderuar presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me një mirënjohje të veçantë për përkushtimin e tij në afirmimin e parimeve të demokracisë dhe për udhëheqjen e tij politike frymëzuese.