Published On: Mon, Feb 12th, 2018

Patrioti Papa Kristo Negovani

Më 12 shkurt, është përvjetori i vrasjes së meshtarit, shkrimtarit e patriotit shqiptar Papa Kristo Negovani. Lindur në fshatin Negovan, ai ishte një ndër klerikët veprimtarë më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në Follorinë të Greqisë. Mësimet fillore i kreu në shkollën greke të fshatit. Studimet e mëtejshme i vijoi në gjimnazin e Athinës, por pas tre vjetësh u shtrëngua t’i ndërpresë, sepse ndërkaq kusarët i kishin vrarë të atin. Në 1894 emigroi në Braila të Rumanisë, ku punoi tre vjet si marangoz. Gjatë kësaj kohe Papa Kristua zuri miqësi dhe u familjarizua me veprimtarë të Shoqërisë së Stambollit, Drita të Bukureshtit e të tjerë të cilët e frymëzuar që t’i dilte zot gjuhës shqipe e cila rrezikonte të zhdukej si pasojë e shovinizmit të fqinjëve. Prej tyre atdhetarëve shqiptar në Rumani mësoi edhe të shkruajë shqip me alfabetin e Stambollit. Fillimisht mësues i katundit të Negovanit, Papa Kristua u shugurua meshtar ortodoks. Qe një ndër frymëzuesit e Kishës ortodokse autoqefale shqiptare, e cila do të bëhej realitet vetëm me Fan Nolin. Kisha dhe shtëpia e tij u bënë çerdhe të shqiptarizmës. I nxiste të gjithë besimtarët, papushim që të mbronin gjuhën dhe zakonet shqiptare.

papa-kristo-negovani

Natën e 12 shkurtit të vitit 1905 një grup të panjohurish e morën me zor nga kisha ndërsa shpërndante naforën. E çuan në periferi të fshatit dhe e masakruan me thika dhe sopata duke thënë: “Shko tani të bësh propagandë për Shqipërinë dhe të thuash ungjillin shqip”. Bashkë me të vranë edhe të vëllain, Theodosin, edhe ky patriot. Vrasjen e Papa Kristos e vajtuan të gjithë shqiptarët si brenda ashtu edhe jashtë atdheut, ndër të cilët, Zef Skiroi, i kushtoi madje edhe një vjershë. Si përgjigje ndaj vrasjes së Papa Kristos, më 9 shtator 1906 çeta e Bajo Topullit vrau dhespot Fotin, mitropolitin e Korçës, i cili akuzohej se kishte qenë porositësi kryesor i vrasjes së vëllezërve Negovani.

Ndër veprat letrare të këtij martiri të gjuhës e të kishës ortodokse autoqefale shqiptare vlen të përmenden: “Istori e dhjatës vjetërë”, botuar në Bukuresht në 1899; “Bënjatë e shënjtorëvet dërgimtarë” që sot do të tingëllonte si “Bëmat e Apostujve”, në Sofje më 1903 etj. Ka shkruar e përkthyer në shqip edhe përralla e shumë vjersha me karakter didaktik për fëmijë. Papa Kristo Negovani mban titullin e lartë “Mësues i Popullit”.