Pashk_Gjeci1
Pashk Gjeçi

Pashko Gjeçi u lind në Shkodër më 7 shtator të vitit 1918. Në qytetin e lindjes ndoqi shkollën e Jezuitëve si dhe gjimnazin Jezuit në qytetin e lindjes. Në shkollë mëson mirë italisht, më pas në gjimnaz, greqishten e vjetër dhe latinishten, gjuhë nga të cilat përktheu thesaret e letërsisë botërore. Që në moshë të re, aty nga viti 1934, përktheu disa poezi të poetit italian, Xhakomo Leopardi. Në vitin 1938 regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë me gjysëm burse nga qeverija e asaj kohe. Më 15 korrik të viti 1942 diplomohet me gradën Doktor Shkencash në Letërsi. Pjesëmarrja në leksionet e Ernest Koliqit do të ishin një arsye më tepër për ta dënuar me të kthyer në Shqipëri.

Pas kthimit në Shqipëri, më 4 shtator 1947 ndalohet me akuzën “Pjesëmarrje në grup kundër pushtetit” dhe dënohet me pesë vjet heqje lirie. Pas lirimit e transferojnë në Fushë-Krujë, ku punoi gjatë për përkthimin e
“Komedisë Hyjnore” të Dante Aligerit, Purgatorit dhe Parajsës.
Menjëherë pas botimit të “Komedisë Hyjnore” në vitet ’60 të kantikut të parë të Ferrit nisi të përkthente një tjetër vepër të madhe të letërsisë botërore, “Odisenë” e Homerit.

Shoqata italiane “Dante Alighieri” në vitet e 70-ta vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të “Komedisë Hyjnore”. Gjeçi u dekorua nga Presidenti Italian Çampi më 2004 me “Ordine della stella, della solidarietà italiana” për përkthimin e Dantes.
Po ashtu Pashko Gjeçi është laureat edhe i disa çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në 90-vjetorin e lindjes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë i akordon Çmimin Kombëtar të përkthimit “Fan Noli”, për përkthimin e veprës “Fausti” (Pjesa 1.) të Gëtes.
Pashko Gjeçi vdiq më 20 janar 2010 në Tiranë.