Nene Tereza dhe shqiptaret
Nënë Tereza shpallet shenjtore

Aprovimi i Papës ka ardhur në ditën e ditëlindjes së tij. Françesku ka miratuar këtë pasdite, të enjten me datë 17 dhjetor, njohjen e mrekullisë që i kushtohet Nënë Terezës së Kalkutës dhe ka dhënë dispozitat që të shpallet dekreti. Mbyllet kështu iter-i i procesit super miro për “apostullen e të varfërve” që do të shenjtërohet me shumë mundësi me datë 4 shtator, në Vitin e Shenjtë të Mëshirës.

Data do të bëhet publike në Koncistorin e ardhshëm. Pikërisht tre ditë më parë, rasti i shërimit të jashtëzakonshëm iu nënshtrua vlerësimit përfundimtar në mbledhjen e fundit të ipeshkvijve dhe kardinalëve të mbledhur në Kongregacion, të cilët pasi kanë dëgjuar parashtrimin e një “relatori”, kanë shprehur gjykimin e tyre plotësisht pozitiv për t’ia paraqitur më pas miratimit të Atit të Shenjtë. Pikërisht, kjo shkallë e fundit e procedurës së gjykimit, në fazën romane të procesit rreth mrekullisë, që ka nisur në qershor të këtij viti në dioqezën e Santos në Brazil, do të çojë Nënë Terezën në nderet e altarëve të Kishës Universale.

Shërimi i jashtëzakonshëm, që ka ndodhur me datë 9 dhjetor 2008, ka të bëjë me një njeri, sot 42 vjeç, i cili ishte në fund të jetës së tij nga ‘apsese multiple cerebrale me hidrocefali obstructive” që tashmë “i ishte nënshtruar transplantit të veshkave dhe një terapie me imunodepresorë” sikurse thotë diagnoza. Një rast klinik skajshmërisht kritik me një prognozë me pasoja të rrezikshme për jetën, që përballë një terapie të paefektshme dhe pa ndërhyrje kirurgjike, u zgjidh me shumë shpejtësi në mënyrë të plotë dhe të përhershme. Në shytimin kolegjial të Konsultës mjekësore, me datë 10 dhjetor të këtij viti, zgjidhja e sëmundjes ishte deklaruar njëzëri shkencërisht e pashpjegueshme me shtatë vota pro ndër shtatë ekspertë mjekësorë.

I njëzëshëm ka qenë edhe votimi i konsultorëve teologjikë, që sipas praktikës janë të thirrur të shprehin dhe të shtrijnë mendimin e tyre rreth lidhjes së fortë shkak – pasojë, ndërmjet lutjes drejtuar Nënë Terezës dhe shërimit të papritur.

Në kohën e fakteve i shëruari, me profesion inxhinier, ishte 35 vjeç dhe ishte martuar prej pak kohësh. Kishte filluar kalvarin e tij në muajt e parë të vitit 2008. Në fund të vitit iu diagnostikuan 8 apsese në tru. Kurat spitalore nuk dhanë asnjë efekt dhe kuadri klinik precipitoi edhe më shumë për shkak të lindjes së një hidrocefalie. Ndërhyrja kirurgjikale mund t’ia zgjaste pak jetën. Me 9 nëntor, tashmë në koma, pacienti hyri në sallën e operimit. Për shkak të disa problemeve teknike operimi u shty. U kthye në sallën e operimit, dhe vetëm pas vetëm një gjysmë ore mungese, kirurgu befasisht e gjeti pacientin të ulur, të zgjuar, dhe asintomatik, i cili tërësisht i vetëdijshëm e pyeti: “Çfarë po bëj unë këtu?” “Nuk kam parë kurrë një rast si ky – thotë mjeku në dëshminë e tij – e përveç kësaj, raste të ngjashme me këtë, në 17 vjet profesion kanë vdekur të gjithë. Nuk mund të jap një shpjegim shkencor-mjekësor”. Analizat e mëpasshme kanë ripohuar shërimin përfundimtar të sëmundjes cerebrale në një kohë të shkurtër, pa asnjë pasojë dhe i shëruari ka mundur të rifillojë punën e tij dhe aktivitetet e tija normale.

Dëshmitë referojnë që iu drejtuan shumë lutje Nënë Terezës, në mënyrë të veçantë përgjatë krizës së rëndë të datës 9 dhjetor. Nusja e këtij profesionist të ri, pasi e vlerësoi shumë të rëndë situatën, u kishte kërkuar të njohurve të saj, që të lusnin të Lumen Nënë Tereza ndaj të cilës ishte e devotshme: “Thojini Nënë Terezës që ta shërojë”. Pikërisht në atë gjysmë ore pritjeje për ndërhyrjen kirurgjikale gjendej me një meshtar dhe familjarë të tjerë duke iu lutur Nënë Terezës në kishëzën e Spitalit.

Ka mrekulli e mrekulli. Nuk janë të gjitha sigurisht të njëjta. E kjo është padyshim e jashtëzakonshme, i përket shkallës së pare, për sa i përket substancës, sipas përkufizimit dhe klasifikimit të mrekullive, që është vendosur prej Shën Tomë Akuinit. Çka do të thotë se një shërim i tillë tejkalon mundësitë e natyrës për sa i përket substancës, d.m.th. është e pamundur, nuk mund të verifikohet kurrë. Shkalla e parë e mrekullive është ajo që i përket ngjalljes së të vdekurve ose rikthimit tërësor, ku jo vetëm shihet shërimi i plotë, por edhe kthimi në funksionin integral i të gjitha organeve të shkatërruara nga sëmundja. Nuk janë të shumta rastet e njohura që i përkasin shkallës së parë. Pjesa më e madhe e fakteve të paraqitura në Kongregatën për Shenjtërit i përkasin shkallës së tretë, që ka të bëjë me mënyrën, kur d.m.th. shërimi i një sëmundjeje, që mjekësisë do t’i duhej ta realizonte në një kohë të gjatë, ndodh menjëherë.

E thirrur pra Nënë Tereza ka ndërhyrë menjëherë, duke u kujdesur edhe një herë për një person në gjendje ekstreme, sikurse kishte bërë edhe kur ishte në jetë, duke iu kushtuar atyre që ishin duke vdekur dhe përkujdesjes së atyre që ishin në kushte vuajtjesh ekstreme.

Apostullja e të varfërve

Gjatë udhëtimit të tij në shtator të vitit 2014 në Tiranë, Papa Françesku ka treguar për takimin e tij me Nënë Terezën e Kalkutës, në Sinodin e vitit 1994. Kjo murgeshë ishte një grua, që nuk e linte vetën të impresionohej fort dhe “e thoshte gjithmonë atë që donte të thoshte”, i ka thënë Papa Françesku meshtarit që ka qenë përkthyesi i tij gjatë udhëtimit në tokën shqiptare (Don David Gjugja, sh.p.), sikurse më pas e ka treguar edhe gjatë Konferencës së shtypit në Tiranë Drejtori i Sallës së shtypit të Vatikanit. Duke kujtuar rrethanat e atij takimi me “apostullen e të varfërve” Papa Bergoglio kishte thënë se “ishte e ulur pikërisht pas meje gjatë punimeve të Sinodit. Kam admiruar forcën e saj, vendosmërinë e ndërhyrjeve të saj pa u impresionuar nga asembleja e ipeshkvijve. Thoshte atë çka kishte ndër mend të thoshte”. Françesku më pas ka shtuar duke buzëqeshur një batutë: “Do ta kisha frikë, nëse do të ishte eprorja ime”.