Published On: Thu, Nov 30th, 2017

Oso Kuka – trimëria që sfidoi legjendat

oso kuka

Nga Kolec TRABOINI 

 

Shprehja “Je mbyllur si Oso Kuka” përdoret në zhargonin e bisedave të përditshme kur komunikon me një njeri, që ke kohë që nuk e ke parë, a që rri brenda në shtëpi për të studiuar dhe del disi rrallë në shoqëri. Në fakt shprehja nuk është krejt e saktë, sepse kujtdo që i thuhet nuk është as në kushtet, as në qëllimin e “mbylljes” si Oso Kuka. Për ta kuptuar se jo çdo mbyllje në shtëpi, në zyrë, konvikt a sallë studimi, është e ngjashme me mbylljen në Kullë të Vraninës të Oso Kukës me djemtë e tjerë shkodranë, le t’ju sjellim në kujtesë ngjarjen:

Ishte koha e perandorisë otomane e shtrire ne tre kontinente. Malazezët që kishin shtetin dhe mbretërinë e tyre të dalë pas traktatit të Shën Stefanit në mbarim të luftës ruso-turke, kërkonin pushtimin e territoreve nën Perandorinë Otomane, të cilat në të vërtetë ishin toka shqiptare. Siç thonë kronikat e kohës, në maj të vitit 1862, forcat malazeze nisën sulmet në Malësi të Shkodrës por u thyen nga malësorët e Hotit dhe të Grudës. Një muaj më vonë, forca të shumta ushtarake të Malit te Zi, sulmuan ishullin e Vraninës. Për të mbrojtur pikën kufitare të Vraninës, që është në anën veriore të Liqenit të Shkodrës, dolën vullnetarë nga rinia shkodrane. Ndër këto ishte dhe i riu nga qyteti i Shkodrës Oso Kuka.

Detyra e grupit të tij prej 24 vetash ishte të mbronin Kullën e Vraninës, që ishte dhe postë kufitare, që ndante shtetin malazez me perandorinë otomane. U zhvilluan luftime të shumta, në mes grupit të djelmoshave shkodranë të komanduar nga Oso Kuka dhe ushtarëve të shumtë malazezë. Oso Kuka me shokët e vet rezistoi gjatë, mirëpo sulmuesit malazezë ishin të shumtë, dhe vendosën ta marrin me çdo kusht Vraninën.

Oso Kukës po i vriteshin bashkëluftëtarët e vet një e nga një dhe ndihma nga qyteti i Shkodrës po vononin të vinin. Në momentet e fundit, kur malazezët mendonin se kulla do të dorëzohej, sepse ishin vrarë pothuaj të gjithë mbrojtësit, Oso Kuka me dy-tre shokët e mbetur gjallë ne mes te cileve edhe një djalë i ri shkodran i quajtur Salë Behri, megjithëse me trupin plagë, vendosin të mos dorëzohen të gjallë në duart e armikut.

Mbledhin të gjitha fuçitë e barotit në një vend të kullës dhe ndenjën në pritje të sulmit vendimtar të armiqve. Kur ushtaret malazezë menduan se shqiptaret ishin vrarë të gjithë dhe i u afruan kullës me dëshirën kush më parë të hynte brenda për të vendosur flamurin malazez në majë të kullës, Oso Kuka i gatshëm me pishtar në dorë, i vuri flakën fuçive të barotit. Bëri atë që nuk e bëri dot Ali Pasha në Janinë ku mbeti kryeprerë. U dëgjua një shpërthim i tmerrshëm. Kulla e Vraninës u hodh në erë bashkë me rrethuesit dhe mbrojtësit.

Jehona e kësaj ngjarjeje shumë shpejt u përcoll në Shkodër e në Cetinë – kryeqyteti i Malit te Zi. Ishin vrarë të 24 djelmoshat shkodranë në kohën më të bukur të jetës së tyre, por e kishin shpaguar veten, duke vrarë me qindra armiq që u dogjën e u përvëluan në ekstazën e fitores, cfarë u kthye në një tragjedi aq pikëlluese e humbëse, sa edhe sot e kësaj dite kujtohet me hidhërim në Mal të Zi nëpër këngët popullore elegjiake.

Nenat shkodrane e rapsodët e Malësisë së Shkodrës, trimërinë e Oso Kukës e kënduan në këngë trimërie, që edhe sot e kësaj dite dëgjohen me admirim nga i gjithë populli shqiptar. Oso Kuka shumë shpejt u kthye në simbol trimërie e vetëmohimi për mbrojtjen e trojeve shqiptare, që mizorisht u pushtuan nga fqinjët tanë ballkanikë, dhe shëmbëllesa e tij ishte e gjallë e frymëzuese edhe në zjarrin e luftës për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe me pas. Ai u kthye në simbol mbarëkombëtar.

Ndër shkrimtarët që është frymëzuar më shumë nga akti vetëmohues i Oso Kukës është Atë Gjergj Fishta, i cili në kryeveprën e tij “Lahuta e Malcis” i kushtoi katër prej tridhjetë këngëve të librit: Oso Kuka, Preja, Vranina, dhe Deka.