Nga Kastriot Myftaraj /

kastriot_myftaraj
Kastriot Myftaraj

Të nesërmen e ndeshjes së ndërprerë Serbi-Shqipëri, duhet të kishte qenë Qeveria e Shqipërisë, ajo duhet t’ i dërgonte një notë të fortë proteste Serbisë, për atë që ndodhi në stadium, dhe si përgjigje për akuzat e shtetarëve më të lartë serbë ndaj shtetit shqiptar si organizator i një akti provokues terrorist me qëllim destabilizimin e Serbisë dhe të Ballkanit. Por atë që duhet ta kishte bërë Qeveria e Shqipërisë, e bëri Qeveria e Serbisë. Zyrat qeveritare serbe punuan për gjithë natën pas ndërprerjes së ndeshjes, dhe përgatitën një notë të gjatë proteste. Në mëngjes, ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë. Sigurisht se pas një thirrjeje në rrethana të tilla ambasadori duhet të ketë komunikuar me Tiranën për të marrë udhëzime. Ilir Boçka është dërguar në Beograd nga Edi Rama si “diplomat” me përvojë. Ai ka qenë ministri i fundit socialist i një qeverie të dekretuar nga Ramiz Alia në 1991. Në kohën që u thirr ambasadori shqiptar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushatit, tashmë i ishte refuzuar një telefonatë nga homologu i tij serb Daçiç. Pra, Daçiç nuk iu përgjigj një thirrjeje telefonike të Bushatit. Në këto rrethan Bushati, pasi të ishte këshilluar edhe me Kryeministrin Rama duhet ta udhëzonte ambasadorin shqiptar në Beograd që të mos paraqitej në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë. Marrëdhënien ndërshtetërore bazohen në parimet e reciprocitetit dhe të respektit të ndërsjelltë.

Por Bushati e udhëzoi Boçkën që megjithatë të paraqitej në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, sikur midis tij dhe Daçiç të mos kishte ndodhur asgjë. Vetë fakti që Boçka u paraqit te Daçiçi ishte poshtërues për Shqipërinë. Sipas pamjeve të takimit të shfaqura në kanalet televizive serbe, Daçiç nuk e ftoi ambasadorin shqiptar as që të ulet por e priti në këmbë për ta poshtëruar në maksimum, dhe i dorëzoi notën e protestës, të cilën Boçka e mori. Ky ishte kulmi i vetëposhtërimit që përfaqësuesi zyrtar i Shqipërisë i bënte vendit tonë. Se së paku kur Boçka pa që Daçiç nuk e ftoi të ulet, ai duhet të ishte larguar në moment. Sa për notën e protestës Boçka nuk duhet ta kishte pranuar në asnjë rrethanë. Në të njëjtën ditë Ministri Bushati, thirri në takim ambasadorin serb në Tiranë, Miroljub Zariç, por ky nuk u paraqit, kuptohet, duke vepruar sipas udhëzimeve që kishte nga Beogradi. Të nesërmen, në 16 tetor, Ministri Bushati bëri përsëri një deklaratë për “ngjarjet në Beograd”. Në fund të deklaratës është ky shënim: “Sot në 16 tetor 2014, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë thirri sërish në një takim Ambasadorin e Republikës së Serbisë në Tiranë, z. Miroljub Zariç, për t’i dorëzuar notën e protestës së qeverisë Shqiptare lidhur me ngjarjet në Beograd.”

ambasada-beograd
Ambasada e Shqipërisë në Beograd

Nga ky shënim kuptohet se ambasadori serb nuk ka shkuar as këtë herë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, se në faqen zyrtare online të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë nuk ka një njoftim ku të thuhet se Ministri Bushati apo dikush tjetër në Ministrinë e Punëve të Jashtme u takua me ambasadorin serb dhe i dorëzoi atij notën shqiptare të protestës. Në notën zyrtare serbe të protestës është artikuluar zyrtarisht qëndrimi shtetëror serb mbi atë që ndodhi në stadiumin e Beogradit në mbrëmjen e 14 tetorit. Sipas faqes zyrtare elektronike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, bëhet fjalë për një “notë të fortë proteste” serbe, ku protestohet ndaj provokimeve dhe incidenteve të planizuarave, posaçërisht për dronin që bartte flamurin e “Shqipërisë së Madhe”. Por Ministria e Jashtme e Serbisë nuk e ka publikuar tekstin e notës së protestës që i është dërguar Tiranës zyrtare. Sigurisht që Serbia nuk e kishte problem ta publikonte tekstin e notës, se ajo tekefundit përmban ato gjëra që shtetarët më të lartë serbë, duke përfshirë edhe Ministrin e Punëve të Jashtme Daçiç, i patën thënë publikisht pas ndërprerjes së ndeshjes. Por Serbia priti që të shikonte nëse do të kishte guxim ta publikonte notën serbe Qeveria e Shqipërisë, duke e kundërshtuar atë. 

Sa për përmbajtjen e notës zyrtare shqiptare të protestës, ajo nuk është publikuar ende as sot, por përmbajtja e saj mund të kuptohet lehtë nga fakti se Ministri Bushati e nisi deklaratën e tij të 15 tetorit me fjalinë: “Përfitoj nga rasti për të informuar opinionin publik në lidhje me disa zhvillime të pakëndshme në prag, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërmjet kombëtareve të Shqipërisë dhe Serbisë, të zhvilluar dje në Beograd.”

“Zhvillime të pakëndshme” i quajti Ministri Bushati dhe me të edhe Qeveria e Shqipërisë, ato që ndodhën në Beograd në mbrëmjen e 14 tetorit, kur tashmë Qeveria e Serbisë kishte folur për akte provokuese shtetërore shqiptare me synim destabilizimin e Serbisë dhe të Ballkanit.

Gjithsesi, edhe e tillë, nota shqiptare e protestës mbeti në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, ajo nuk shkoi në Beograd.

Pas këtij incidenti të rëndë diplomatik Ministri Bushati duhet të kishte anuluar vizitën në Beograd ku do të shkonte në 23 tetor për të marrë pjesë në një takim regjional. Vetë Kryeministri Rama ishte i ftuar të merrte pjesë në këtë takim, në ditën e dytë të vizitës së tij në Serbi. Por Bushati nuk e bëri këtë gjë. Përderisa nuk shkoi Kryeministri Rama në Beograd në 22 tetor, nuk kishte pse të shkonte Bushati në 23 tetor, se kështu del që Bushati do të shkojë dy herë në Serbi brenda më pak se tre javëve në kohën që Serbia na ka dorëzuar një notë shumë të ashpër proteste, për të cilën ka refuzuar madje që të marrë përgjigjen zyrtare. Madje edhe Kryeministri Rama, nëse jo për të tjerat, duhet ta kishte anuluar vizitën në Beograd për faktin që Serbia dërgoi një notë proteste të mbushur me shpifje dhe refuzoi të marrë përgjigjen për të. Një vendi nuk mund t’ i bëhet një poshtërim më i madh diplomatik në marrëdhëniet ndërkombëtare, se ky që i bëri Serbia Shqipërisë.

Në notën serbe të protestës, përmbajtja e së cilës mbahet e fshehur nga Qeveria e Shqipërisë, kuptohet se janë artikuluar të gjitha akuzat që iu bënë personalisht Kryeministrit Rama se ai është organizatori i dërgimit në stadium të dronit me banner, për të cilin veprim vëllai i Edi Ramës akuzohet që të jetë ekzekutori. Sa kohë që kjo notë ka mbetur pa një përgjigje zyrtare, Shqipëria, sipas praktikës diplomatike ndërkombëtare, ka pranuar fajësinë për atë që ndodhi në Beograd.

Në këto rrethana, vizita e ardhshme e Edi Ramës në Serbi nuk mund të jetë veçse e ngjashme me atë të Esat Pashë Toptanit, 100 vite më parë, pra vizita e një kolaboracionisti proserb të Shqipërisë në Serbi.