Marrë nga Radio Kina /

Filmat që vinin nga Shqipëria ishin një dritare për botën për miliona kinezë, në kohën kur vendi ballkanik ishte një prej miqve të paktë të Kinës. Për ironi, ndërsa kinezët sot mund t’i shkojnë lirisht këta filma, Shqipëria po diskuton ndalin e shfaqjes së tyre. Kështu shkruan gazetari dhe kritiku kinez i kinematografisë Clarence Tsui, në gazetën e Hong Kong-ut, ‘South China Morning Post.’

Nostalgjia për Revolucionin Kulturor shfaqet në Kinë në mënyra të ndryshme, nëpërmjet relikteve të Maos, këndimin e “këngëve të kuqe” dhe shikimi i operave revolucionare. Por gjithashtu ka edhe disa nostalgjikë që shikojnë në internet filma shqiptarë.

Filmat shqiptarë
Faqja Online e Radios Kineze (seksioni i gjuhës shqipe)

Gjatë periudhës kur Kina e llogariste si një aleat besnik vendin stalinist të Europës Lindore, nën sfondin e kundërshtimit të imperialistëve perëndimorë dhe revizionistëve sovjetikë, filma të tillë si ‘Ngadhënjim mbi vdekjen’, ‘Horizonte të hapura dhe ‘Njësiti gueril’ ishin një dritare për botën.

Aktorja Joan Chen, për shembull, sjell në kujtesë “ndërgjegjësimin seksual” ndërsa shikonte si adoleshente filmin e vitit 1967, ‘Ngadhënjim mbi vdekjen’, pjesërisht për romancën e dëlirë të kohës së luftës midis dy protagonistëve dhe gjithashtu për rrobat që mbanin veshur.

Kujtimi i aktores Chen, rivjen në një film të vitit 2015, ‘Hijet elektrike’ mbi jetën fshatare të Kinës në vitet 1960, ku shfaqen skena të fshatarëve që ndjekin projektimin e filmit shqiptar ‘Ngadhënjim mbi vdekjen’.

Piro Milkani, një prej dy regjisorëve të filmit, i tregoi me krenari dy vjet në Shqipëri gazetarit Clarence Tsui, se si “miliona e miliona” veta i kanë parë filmat e tij në Kinë. Ndërkohë Tsui tregon se një i ri shqiptar ishte habitur për ndikimin e kinemasë shqiptare mbi popullsinë kineze, dhe faktin se arkivat kineze ruajnë kopje të këtyre filmave.

Habia shtohet më tej kur mësohet se këta filma shqiptarë me titra në kinezisht janë të përhapur gjerësisht në platformat e videove në internet, si për shembull në Youku. Gazetari Clarence Tsui, thotë me shaka se mbase këto platforma do të jenë të vetmet ku shqiptarët mund t’i shikojnë filmat në të ardhmen.

Së fundi, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, një institucion i financuar nga qeveria, deklaroi se planifikon të hartojë një kuadër ligjor për ndalimin e transmetimit të shumicës së filmave të prodhuar në kohën e komunizmit. Drejtori i institutit, Agron Tufa, i përshkroi filmit “si mjet i trushpëlarjes” dhe “një katastrofë etike dhe estetike” për brezin e ri.

Mendimet e zotit Tufa u kritikuan gjerësisht. Akademikët shkruan mbi rëndësinë e filmave si pjesë e trashëgimisë së Shqipërisë. Projekti i Kinemasë Shqiptare, një organizatë e formuar nga ekspertë vendorë dhe të huaj që punon për konservimin dhe restaurimin e filmave të vjetër të vendit, theksoi në një deklaratë se këta filma adresojnë “trashëgiminë e pasur dhe komplekse të filmit të prodhuar gjatë periudhës komuniste”, dhe janë jetikë për dy audienca, atë shqiptare dhe ndërkombëtare “për t’u përballur dhe pranuar të shkuarën”.

Më shumë sesa nxitin nostalgji në Shqipëri për diktaturën që ra në vitin 1992, këta filma kanë ndihmuar kineastët dhe akademikët për të kuptuar fuqinë e gjithëpushtetshme të regjimit autoritar.

Pamjeve të këtyre mijëra skenave që mbahen në arkivat e vendit, po u jepet një kontekst i ri dhe shpeshherë armiqësor në filma apo programe të posaçëm në festivale ndërkombëtarë të filmit.

Më shumë material nga vetë tiranët është duke u përdorur në filma dokumentarë për të paraqitur regjimet shtypëse.

Këta filma kanë treguar se rishikimi i së kaluarës nuk është domosdoshmërish një ushtrim nostalgjie, por në fakt mund të jetë çelësi për hartimin e një tregimtarie historike më me nuancë dhe reflektuese. (Leftion Peristeri)

Botuar në CRI Station i radios Kineze
https://albanian.cri.cn/1560/2017/03/29/382s160134.htm