Nga libri i studjuesit Ndoc Selimi “Kultura e Komanit dhe komanasit” /
Në kohën e bronxit, në fund të shek. XIV para Krishtit, u duk në Europën qëndrore një kulturë e karakterizuar ndryshe nga popujt e tjerë nga mënyra se si përdorej varrosja e të vdekurve dhe se si vendosej dekoracioni i armëve, objekteve personale, vazove etj, që deri atëhere ishte i panjohur. Këto varre mbuloheshin me shumë dhè sipër dhe ndërtoheshin në mënyrë rrethore me dy deri tre rrjeshta gurë. Kjo u quajt Kultura tumuli dhe u përkiste keltëve. (Një i tillë është gjetur në Shtoj, Shkodër). Në shekujt e mëvonshëm shfaqet një tjetër lloj kulture përsëri te keltët, sipas së cilës trupi digjet dhe hiri vendosej në vazo të quajtura nga specialistet “urna” (djegie) të cilat futeshin në varr sëbashku me objektet e të ndjerit. Shtrirja e këtyre tip varresh morën emrin në arkeologji fushat me urna (campi di urna). Pra fushat me djegie. Fushat me urna i takojnë periudhës antike të hekurit ose siç njihet ndryshe si kultura Hallstat që i bie rreth 800 – 450 vjet para Krishtit. (Hallstat është një lokalitet austriak, ku u bënë këto gjetje). E fundit periudhë i takon rreth 450 vjet para Krishtit e mbaron në kohën e fushatave të Çezarit dhe u quajt në arkeologji La Tene, sipas vendgjetjes në Zvicër. Në vëndin tonë është gjetur vetëm një varr i tillë deri tani dhe kjo gjetje ben pjesë në objektet e humbura, e cila dikur ndodhej në pallatin e Vilhem Vidit. Arkëza brenda kishte një unazë, një byzylyk dore dhe enë të ndryshme. (Sipas Leon Rey, “Albania 4, fq 104)
Le të shpjegojmë një mjet ndezës, që mund të ketë rrënjët e emërtimit mijëra vjet më parë dhe që quhet unur ose uror . Një i tillë është gjetur në nekropulin e Komanit dhe nuk ka ndryshuar as formë as funksion që nga krijimi deri në ditët e sotme. Ky mjet duke u fërkuar me një gur stralli jep shkëndi dhe po ti shtojmë edhe eshkën bën ndezje, krijon zjarrin.
Emërtimi i këtij objekti “unur, urur” ka marrë pikërisht emrin e djegies që do të thotë ndezës. E përafërt në krahasim vjen fjala urë zjarri (unë zjarmi), por në një vështrim shumë më të largët rikthehemi te fushat me urna (campi di urne), që u fol më lart dhe përfaqësojnë djegie, kështu që kemi “urna” e barabartë me “urë” (unë), e barabartë me mjetin fillestar të shkëndisë që është “unur”, që kanë të gjithë në themel djegie, ndezje. Kështu ky emërtim na vjen i përbashkët iliro – kelt qysh në periudhen e hekurit, e cila i bie rreth 800 vjet para Krishtit, kur njihet për herë të parë djegia e kufomës.
Në “Kulturën e Komànit” mbizotëron përbërësi iliro-shqiptar dhe në mes objekteve më karakteristikë që ka tërhequr vëmëndjen e të gjithë studiuesve është fibula me këmbë të përthyer me një prejardhje shumë të largët në kohë. Fibula e gjetur në varrezat e kalasë së Dalmaces mbi Komàn së bashku me disa byzylykë me prerje të rrumbullakët që mbyllen me dy sytha tip spirale, janë prodhime artizanale vendase dhe i përkasin si kohë e varrimit, shekullit të parë pas Krishtit. Edhe shumë objekte të tjera kanë vulën iliro-shqiptare siç janë disa lloje vathësh, thikat, sëpatat, por edhe të tjerë objekte, që shumëkush i ka marrë për kulturë të importuar nga të tjerët. Kështu vijnë prezent braçalet (byzylykë) me kokë gjarpëri, një tip zbukurimi te gratë që quhet pektoral (pettoral), por mendoj edhe për rrethin e qafës torque aq shumë i debatuar si prejardhje kelte, mbasi përfaqëson diellin dhe dielli është simbol ilir.
Në varrezat e “Kulturës së Komànit” gjëndet me shumicë rrethi i qafës prej bronxi apo metali tjetër që quhet në gjuhën shkencore “torque”. Ky rreth qafe është i njëjtë edhe si ndërtim, edhe si funksion me torque kelte që përfaqëson diellin dhe është i ritit pagan.
Pothuajse në të gjithë Evropën është përdorë nga luftëtarët që nga mijëvjeçari II dhe I para Krishtit e deri në vitin 300 pas Krishtit.
Literatura e përcakton me disa emra si: torq, torque, torquiso, torq dhe është një qafore ose rreth qafe prej bronxi o ari trajtuar kryesisht si bajtje kelte, por edhe shite.
Përdorim shumë të gjërë ka marrë në vitin 800 para Krishtit prej të gjitha fiseve kelte, por edhe popujve të tjere si iberikët, ligurët, ilirët, gjermanët etj. Shkrimet historike tregojnë se për keltët ky rreth ishte objekt mistik dhe se brenda tij ndodhej fati hyjnor, por edhe si hajmeli që garanton mbrojtjen. Në disa statuja romake paraqiten luftëtarët vetëm me këtë hajmeli që cilësohej si i vetmi që të mbron nga vdekja.
Ka vazhduar deri vonë ky rreth fatsjellës te ilirët e më tej te shqiptarët e tregon edhe një gjetje krejt e veçantë në nekropulin e Komànit. Te ky objekt është shtuar kryqi, gjë që të bën të mendosh e të pranosh vazhdimësinë duke i modernizuar paisjet zbukuruese sipas etapave në rritje që paraqiste koha.
Rituali i varrimit në Kalanë e Dalmaces mbi Komàn (ndryshe nga keltët), bëhej me vendosjen e trupit të plotë brenda së bashku me të gjitha armët e luftëtarit, apo objektet personale dhe para se të vendosej rrasa e gurit për mbyllje, thyhej një enë prej balte e copat hidheshin mbi të vdekurin. Ky zakon na vjen deri në ditët e sotme. Në një pjesë të madhe te malësisë është në traditë që kur i vdekuri nxirret nga porta e shtëpisë për në prehjen e fundit thyejnë një enë prej balte duke e përplasur në derën kryesore, por pa i vendosur copëzat e enës në varr.
Në thelb ena prej balte që bëhet flijim është tërësorja, e plota, delikatesa, është vetë jeta. Por edhe si mbajtëse e mallit, pasi brenda saj vendoseshin ushqimet e kjo lloj ene i përngjan të vdekurit që punoi gjithë jetën e pastaj u thye. Duke e analizuar edhe në një kahje tjetër, mund të pohojmë se thyerja e enës përfaqëson edhe të keqen, fundin e vdekjeve, që mund të jetë edhe më e besueshmja, sa shpesh te brezi i sotëm kur ndodh që thyhet ndonjë enë apo gotë dëgjohet shprehja “na e mori t’keqen”.
Në varrezat e kulturës kelte në Golasecca Itali është gjetur një zbukurim femre prej bronxi që në gjuhën vendase quhet pettorale dhe i përket shekullit VI para Krishtit dhe ka një ngjashmeri absolute me pektoralin e përdorur prej grave ilire .
Edhe John Wilkes te studimi “Ilirët”, Tiranë, 2005, Bacchus, fq 246 e paraqet këtë objekt si gjetje e bajtje ilire (një e tillë është gjetur në Zoton afër Ninit), por edhe Stipçeviq thotë se ky pektoral është plotësisht ilir. Nga ana tjetër i gjetur edhe në teritorin e vendbanimit kelt të dikurshëm, bashkëautorët De Marinis, Massa, Pizzo në librin “Alle origini di Varese e del suo teritorio”, Roma 2009, fq 232 e përshkruajnë këtë objekt si e tipit kelt.
Ky pektoral vendosej në të majtë apo të djathtë të brezit mesit nga gratë dhe varej poshtë në formën e një tufëze. Kjo trashëgimi na vjen e ruajtur plotësisht prej femrave malësore deri në shekullin e kaluar duke arritë kështu në konkluzionin se një rit i huaj nuk mund të bëhet pjesë e trashëgimisë së një populli tjetër për kaq shekuj.
E njejtë është edhe byzylyku (braçale) prej ari me fundore në trajta kafshësh, sidomos me kokë gjarpëri që mbanin ilirët. Ky objekt i gjetur në teritorin ilir Mramorac afër Beogradit i përket shekullit V-IV para Krishtit dhe është i njëjtë me byzylykun prej ari me kokë gjarpëri i ruajtur në muzeun Sesto Calende Itali që i përket shekullit III para Krishtit si dhe të braçaleve të gjetura në nekropulin e Komànit.
Në shekujt për të cilët flasim, keltët dhe ilirët kishin një kulturë të zhvilluar dhe zinin një hapësirë të madhe teritoriale duke ndarë Europën gati në dy pjesë. Keltët shtriheshin nga lindja në perëndim të kontinentit duke krijuar një gjysëm rrethi në shpinën e ilirëve, pa mundur të kalojnë Danubin dhe për këtë themi se është e pamundur që kulturat të mos jenë ndeshur, komunikuar e ndikuar te njëra-tjetra.
Në fund i referohemi historianit A.Stipçeviq i cili thotë: “Ilirët i ruajnë besimet e tyre të vjetra edhe në fazën e mëvonëshme të jetës së përbashkët, madje, edhe ndikuan në simbolizimin fetar të vetë keltëve p.sh. fibulat e shumta me këmbën e thyer, në të cilat në vend të shpendëve të liqenit të rëndomtë, në disa treva kelte, ndeshet gjarpëri, pra simboli autokton ilir”. (A.Stipçeviq “Ilirët, historia, jeta, kultura, simbolet e kultit” . Toena, Tirane, 2002, fq 442)
Varese Itali