Kur Greqia tolerohet në NATO, me statusin zyrtar të “kolonës së pestë” ruse, madje privilegjohet financiarisht si askush, NATO humb besueshmërinë minimale

Nga Kastriot Myftaraj

kastriot_myftaraj
Mastriot Myftaraj

Greqia, vendi anëtar i NATO-s, më i privilegjuar financiarisht që nga koha e krijimit të aleancës atlantike, e sfidoi NATO-n pikërisht në ditën kur Asambleja NATO-s u mblodh në Tiranë, duke i krijuar skenën Presidentit rus Putin që, nga Athina, ku gjendet në një vizitë zyrtare, në krah të Kryeministrit grek, të kërcënonte NATO-n me goditje me armë bërthamore. Vetë Kryeministri grek Tsipras kërkoi heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Nuk është hera e parë që Greqia vepron kështu. E çuditshme është që Greqia, sa më shumë që rebelohet kundër NATO-s, aq më shumë shpërblehet financiarisht. Ish-Sekretari amerikan i Thesarit Timothy Geithner, në librin e tij me kujtime thotë se Merkel në 2010 donte ta largonte Greqinë nga Eurozona, por ishte ndërhyrja amerikane që e ndaloi ta bënte këtë gjë dhe që i detyroi vendet e Eurozonës t’ i jepnin Greqisë disa pako me ndihma financiare njërën-pas tjetrës, me qindra miliardë dollarë.
Të njëjtin presion për favore financiare ndaj Greqisë, e kanë ushtruar SHBA edhe nëpërmjet IMF (Fondi Monetar Ndërkombëtar), ku SHBA, që kontrollohet nga Washingtoni. Edhe tani Sekretari amerikan i Thesarit Jack Lew po bën thirrje për lehtësimin e borxhit ndaj Greqisë, pasi Greqisë i janë bërë favore të panumërta në gjashtë vitet e fundit sa i përket borxhit të saj. E thënë qartë, SHBA po bën presion ndaj Bashkimit Europian që Greqisë t’ i falet borxhi i saj, nga i cili deri më sot nuk ka paguar asgjë.
Dhe Greqia si shpërblim bëhet “kolonë e pestë” e Rusisë në NATO! Madje shpërblehet për këtë, si kurrkush tjetër nga vendet anëtare.
Një aleancë bazohet mbi besimin e ndërsjelltë të anëtarëve, ku ai që sakrifikon më shumë shpërblehet, dhe ai që tradhëton ndëshkohet varësisht sa e rëndë është tradhëtia. Greqia tradhëton hapur dhe zyrtarisht NATO-n dhe për këtë jo vetëm që nuk ndëshkohet, por shpërblehet sikur t’ i ketë bërë shërbime të mëdha aleancës. Asnjë aleancë në historinë e njerëzimit nuk ka funksionuar kështu dhe nuk mund të funksionojë as NATO.