Published On: Fri, Nov 17th, 2017

Muner sjell një këndvështrim të ri për himnin shqiptar

Nga Jearta Caushi /

“Se Zoti vet e tha me gojë
Që kombet shuhen përmbi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne”…

Nis me një strofë të himnit tonë kombëtar libri më i ri i shkrimtarit nga Trieste, Paolo Muner.

paolo-muner

Paolo Muner

Studiuesi italian dhe kërkuesi i historisë shqiptare, Paolo Muner, i ka kushtuar së fundmi një libër himnit tonë kombëtar. Ai sjell një këndvështrim ndryshe të himnit, por edhe kuriozitet mbi himnet e tjera ndërkombëtare.

Pas një pune 2-vjeçare, Muner prezantoi pak kohë më parë para studiuesve, historianëve, përfaqësuesve të medias dhe qytetarëve të shumtë, librin e tij të ri. Mbas një pune kërkimore shkencore, hulumtimeve e intervistave të shumta, Muner u dhuroi shqiptarëve një libër tjetër me vlerë në fushën e muzikologjisë historike, që pasuron fondin e Albanologjisë shqiptare. Libri fillon me një strofë të himnit tonë kombëtar,

“Nuk është aspak rastësi që 28 nëntori, festa kombëtare, dita e Shpalljes së Pavarësisë, quhet dhe dita e Flamurit dhe Hymni Kombëtar. Hymni i Flamurit, është luajtur për herë të parë si i tillë, pikërisht më 1912”, shkruan Muner.

Nëpërmjet fakteve e dokumenteve, shumica e të cilave publikohen për herë të parë, autori përshkruan ekzekutimin për herë të parë të himnit aktual, autorin e tekstit dhe muzikës, reagimet dhe rolin e patriotëve jashtë territorit të Shqipërisë. Por e veçanta e këtij libri është sjellja në vëmendjen e studiuesve tanë dhe shqiptarëve kudo që janë e përpjekjeve shekullore të iliro-shqiptarëve për të pasur një himn, marsh ose fanfarë, para çdo beteje, lufte, tubimi ose përpjekje shtetformuese.