Published On: Tue, Aug 22nd, 2017

Mrekullia alpine e Valbonës

Nga Gjon Neçaj /
Për të shkuar në “Fushën e Gjësë”, në Valbonë, duhet të udhëtosh deri në 6 orë nga kryeqyteti, në çfarëdo drejtimi që të nisesh. Nga Bajram Curri për në “Fushën e Gjësë” janë 25 kilometra përgjatë luginës së lumit Valbonë. Në aksin Tiranë-Bajram Curri, turistët kanë mundësinë të shijojë një udhëtim me traget nëpër liqenin e Komanit. Pamjet fantastike të shpateve malore që bien thikë mbi ujin kristal të liqenit të Komanit, janë të paharrueshme. Në ditët e dimrit, bardhësia e dëborës mbi majat përngjatë liqenit, një peisazh të rrallë dekorit natyror.
Udhëtimi i vështirë
Fshatrat në të dy anët e liqenit dhe kullat e vetmuara prej guri, banorët e të cilave lidhen me njëri-tjetrin vetëm nëpërmjet varkave të vogla, janë një tjetër dekor interesant i udhëtimit. Përrenjtë që gjarpërojnë dhe luginat e vogla që lidhin liqenin me pellgun e Drinit, krijojnë fjorde të vegjël që futen në brendësi të masiveve malore. Gjatë udhëtimit me traget shikon dhe dy digat gjigante të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit. Udhëtimi me traget zgjat dy orë dhe kushton 350 lekë, ndërsa udhëtimi nga Tirana në Bajram Curri me furgonët e linjës, kushton 1000 lekë. Mes pamjeve befasuese arrin në Dushaj, vendi ku Valbona përzien ujërat e saj me ato të Drinit. Gjatë Luftës së Parë Botërore, një ushtarak i lartë austriak ka shkruar në kujtimet e tij se, “nëse Zoti do të kishte shtëpi në tokë, patjetër do ta kishte ndërtuar aty ku bashkohet Drini me Valbonën, pra në Dushaj”. Por fatkeqësisht udhëtimi nëpër liqenin e Komanit ka kohë që nuk funksionon dhe dy tragetet janë të ankoruar prej kohësh në Dushaj. Asnjë masë për të rinisur funksionimin e linjës me traget Koman-Fierzë, ndërsa kërkesat e turistëve vendas dhe të huaj janë të vazhdueshme.

Rrugët e tjera
Për në Tropojë, tashmë udhëtohet edhe nga qafa e Malit, natyrisht kur nuk ka dëborë, duke soditur natyrën e bukur të bjeshkëve të Pukës. Udhëtimi tjetër kryhet nëpërmjet autostradës nëpër Kosovë, duke udhëtuar nëpër tunelin e Kalimashit, nga ku soditet peisazhi i bukur alpin nëpër bjeshkët e Mirditës dhe kullat karakteristike të atyre anëve. Nga Bajram Curri në drejtim të Valbonës shkohet me mjete fuoristrada, por dhe me furgonë të linjës, bileta e të cilëve kushton 200 lekë. Këto zona kanë një gjuhë karakteristike mes gegnishtes së vjetër dhe shqipes standarde.

valbona2

 

Nusja amerikane
Veçojmë se bujaria nuk e braktisi kurrë Tropojën. Në Valbonë ka dy-tre vjet që banorët e atyshëm kanë ndërtuar hanet e tyre ku strehojnë gjatë stinës së verës turistët e shumtë të huaj që vërshojnë atje, por edhe vendas nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe nga Kosova. Arbeni, njëri nga pronarët e suksesshëm të turizmit dimëror, thotë për “Dita” se dy-tre vitet e fundit në Valbonë kanë vërshuar vizitorët edhe në stinën e dimrit. Kurse nusja amerikane e martuar në Valbonë, Catherine Bohne, shprehet se këtu, mes këtyre bjeshkëve mahnitëse, sidomos gjatë dimrit, turistët mahniten jo vetëm me peisazhin alpin, por edhe me kafshët e egra që rriten në këtë zonë, ku pothuajse janë bërë të buta, si ketri, lepuri, ariu, etj. “Unë,-thotë ajo,-disa prej tyre do mundohem që t’i zbus”. Infrastruktura rrugore është shumë e dobët. Ka mbi tre vjet që ka filluar riskonstruksioni i rrugës automobilistike, zgjerimi dhe asfaltimi i saj, por prej muajsh janë pezulluar punimet. “Vështirësitë e udhëtimit ua lehtësojnë turistëve mikpritja dhe bukuritë natyrore të këtyre anëve”, thotë Kola, banor i fshatit Gjelaj. Fshati turistik  në Fushë të Gjësë ka thithur turistë të shumtë, ndonëse akoma shërbimi, akomodimi dhe hoteleria janë në hapat e para për këta biznesmenë të turizmit, sidomos për turizmin dimëror.

valbona1

 

Çmimet dhe ushqimet
Mirashi disponon bar-restorant me 200 vende dhe 3-4 vileta prej druri me 30 dhoma. Aty gatuhet ushqimi tradicional i zonës, si mishi i kecit, i qingjit (ferlig), pastërma, fli (lloj byreku), pite me maze, maza, leqeniku, kaçimaku, qulli me tamël, petullat, trofta e freskët, kafe turke, raki rrushi, etj. Çmimet, krahasuar me stinën e verës nuk kanë ndryshuar. Një pjatancë me mish keci kushton 750 lekë, me mish qingji 800 lekë, një racion maze kushton 400 lekë, kurse sallatrat deri në 300 lekë për një person. Po ashtu edhe pastërma dhe ferligu kanë çmime të arsyeshme. Mishi i bagëtive të kësaj zone, është ndër më të mirët në Tropojë. Aty serviret mish i freskët i peshkut (troftë dhe kushton 700 lekë një pjatancë). Kurse dhomat me dy shtretër janë 20-25 euro, dhoma shtrat çift e një tek 30 euro, kurse ujë e energji elektrike ka 24 orë. Parkimi është i siguruar dhe këtë vit ka fushë volejbolli dhe kënd lojërash për fëmijë.

 

Hanet
Në Valbonë ka mbi 12 hane që u shërbejnë turistëve në çdo stinë të vitit. Dy vitet e fundit, thotë njëri nga pronarët e haneve, Lazri, ne po akomodojmë gjatë periudhës së dimrit vizitorë të shumtë nga brenda e jashtë vendit. Gjatë ditës organizohen piknik bjeshkëve, duke soditur majat e mbuluara me borë dhe duke shijuar ushqimet karakteristike të zonës në periudhën e dimrit, si pastërma, gështenja të ziera ose të pjekura (porogaça), e deri te turshitë karakteristike, domate, tranguj, speca, lakra e salcë kosi,duke mos harruar pijen tradicionale, rakinë e rrushit dhe të kumbullës (shlivën). Në këtë stinë mund të shijojmë kënaqësinë që jep zierja e rakisë, një mënyrë tradicionale me kazanin prej bakri në vendin e caktuar me dru lisi, qarri ose frashëri.