Tonin Cobani GV
Tonin Çobani

Nga Tonin Çobani
“Pa mitin, çdo kulturë e humbet karakterin e saj të gjallë krijues, humbet forcën e vet të natyrshme”
Friedrich Nietzsche1

1.
Fishta, kur nisi aventurën letrare për të krijuar eposin artistik të popullit shqiptar, përcaktoi objektivin e saj, që ishte Marash Uci e të bijtë e Calëve; konfliktin e tyre me krajl Nikollën e Cetinës e carët e Moskovit, me sulltanin e Stambollit e regjët e Evropës. Ai zgjodhi tetërrokëshin dhe, për të kënduar së bashku me të në Lahutë të Malcis, thirri një Zanë, që ne e kemi quajtur konvencionalisht Zana e Frymëzimit. Do të kishte mjaftuar ajo figurë mitologjike, e pranishme në të gjithë episodet e veprës, për të dëshmuar ngjizjen mitologjike të Lahutës së Malcis. Por jo vetëm kaq. Figura e Zanës së Frymëzimit na sugjeron të dallojmë origjinalitetin epik të Fishtës, lirizmin në Lahutë të Malcis, ironinë dhe, veçanërisht, lehtësinë e rrëshqitjes së poetit nga realja tek jorealja e anasjelltas, gjëra që përbëjnë përgjithësisht magjinë e verbit fishtjan. Por Fishta nuk u mjaftua vetëm me krijimin e Zanës së Frymëzimit. Ai krijoi edhe personazhe të tjerë mitologjikë: Orën e Shqipërisë dhe Orë të tjera, Zanën e Madhe dhe Zana të tjera, Dragonjtë e Kuçedrën, Lugetërit, Shtrigat, Floçkën. Të gjitha këto figura përbëjnë shtratin mitologjik të Lahutës së Malcis: kënga e 11-të mban titullin “Lugati”, sikundër e 16-ta “Kuçedra” dhe e 24-ta “Zana e Vizitorit”. Edhe “Gjaku i marrun” e “Koha e re” (këngët 25, 26) e ndonjë tjetër u kushtohet krejtësisht ose pjesërisht Shtojzovalleve, të cilat janë të kudogjendura në vepër, shpesh herë së bashku me figura të tjera mitologjike.

2.
Në kapërcyell të shekujve XIX-XX apo, më saktë, në fillimshekullin e 20-të kur zë fill Lahuta e Malcis dhe Fishta këndon mitet e lashta, gjuha shqipe gjallonte e pamësuar nëpër shkolla, nocioni shqiptarizëm qarkullonte kryesisht ndër intelektualë atdhetarë të diasporës, të cilët deri atëherë kishin krijuar një letërsi të konsiderueshme në gjuhën amtare. Në mungesë të letërsisë së kultivuar, në popull gjallonte një letërsi e pasur gojore ku elementet fantastikë dhe figurat mitologjike bashkëjetonin besueshëm me figura historike të së kaluarës së largët e të afërme. Kështu, besohej se Skënderbeu dhe Lekë Dukagjini kishin lindur Dragonj, ashtu si konsiderohej Dragua edhe një hero i ditës si Mehmet Shpendi, që luftonte maleve për mbrojtjen e trojeve shqiptare prej shovinistëve sllavë. Kjo mendësi vinte deri në Shkodër, qyteti më i madh në Ballkan i Perandorisë Osmane, ku ishte krijuar një bërthamë intelektualësh me kulturë evropiano-perëndimore që inspironte Rilindjen Kombëtare. Duhet shtuar se, së bashku me besime popullore, bashkëjetonin edhe bestytni të importuara orientale. Në këtë realitet të përzier fantazish, Fishta këndon mitologjinë thjeshtë shqiptare, atë që rridhte prej bjeshkëve të larta ku historia ishte ende mit dhe miti përjetohej çdo ditë si realitet epik.

3.
Kur shkruhej Lahuta e Malcis, në të cilën fillesa mitologjike zë vend të rëndësishëm në strukturën e veprës2, komunikimi i intelektualëve me kombin nuk ishte i lehtë. Shqiptarët, pothuajse në masë, nuk dinin të shkruanin dhe të lexonin në gjuhën e tyre. Gjithçka që krijohej në shqip botohej thuajse e gjitha në diasporë. Edhe Fishta fillimet letrare i ka te revista “Albania” e Faik Konicës që botohej në Bruksel. Madje edhe bleni i parë i Lahutës së Malcis u shtyp me ndërmjetësinë e Faik Konicës në Kroaci me 1904-5. Fishta nënshkroi me pseudonimin “Kangë Popullore”, sepse orientimi i veprës së tij ishte vërtetë për popullin shqiptar, përfshirë edhe atë masë që nuk dinte shkrim e këndim, por jetonte estetikisht kohët mitike. Lahuta e Malcis do të “lexohej” pak a shumë si këngë folklorike, duke qarkulluar gojë më gojë. Ky fakt duhet konsideruar risi letrare e guxim artistik në letrat shqipe, një gjetje që përbën kyçin e suksesit të veprës Lahuta e Malcis, së cilës Fishta ia dha dorën përfundimtare më 1937. Të shprehemi qartë: jo folklorizmi përbën risinë dhe kyçin e suksesit të një vepre letrare, si janë shprehur shpesh herë edhe në mënyre spekulative për eposin fishtjan. Por komunikimi i fuqishëm ideo-emocional i një vepre letrare me të gjitha shtresat e shoqërisë, duke filluar nga intelektualë të shquar të kohës si Lasgush Poradeci3 e Eqrem Çabej4, që me gjuhën e Umberto Ekos do të cilësoheshin “Lexues model të nivelit të dytë”5, e deri tek ai bariu, “lexues” i nivelit të parë, që nuk dinte shkrim e këndim, por e ndjente bukurinë e fjalës shqipe që të ngazëllen e të shiton si pingërimë Zanash.

4.
Na duhet të theksojmë se edhe areali i figurave mitologjike në Lahutë të Malcis nuk është folklorizëm, sado që derisa Fishta i rikrijoi në veprën e tij, qeniet mitologjike ekzistonin vetëm në folklor e në besime popullore. Kulti i Zanave, psh, është ruajtur i gjallë, si mbijetojë e një Panteoni të hershëm mitologjik të bashkësisë fshatare ndër male “deri në shekullin XIX e në fillim të shekullit XX, aty-këtu edhe pas Luftës së Dytë Botërore”.6 Madje kulti i Zanave në Shqipëri është edhe shumë më i hershëm se sa është menduar prej atyre që e kanë përafruar me Dianën e romakëve, e cila kishte marrë atributet e Artemidës së grekëve. Çabej shkruante se te “kjo Diana kemi të bëjmë me një “interpretatio latina” të një hyjnie epikore (vendore) pararomake”7. Kështu mund të flitet edhe për Floçkën e Ranës së Hedhun që del në Lahutë të Malcis si një mit i etnogjenezës së stërlashtë të rodit të shqiptarit, si dhe për Dragonjtë, gjithashtu, dëshmi të prejardhjes mitologjike pellazgo-ilire, të cilët vijnë në veprën e Fishtës me përmbajtjen simbolike të ndryshme ose më të hershme se përmbajtja simbolike që ata demonë kishin marrë në epokën antike greko-romake e biblike.

5.
“Ndryshe” i ka sjellë në letërsinë e shkruar shqipe edhe Pjetër Bogdanin (1630-1689) të dhjetë Sibalat e ciklit të poezive kushtuar atyre në veprën madhore Cuneus Prophetarum (Çeta e Profetëve, 1685). Madje ai edhe i ka shqiptarizuar Sibilat, figurat parakristiane të mitologjisë mesdhetare, duke u vënë emra krahinash arbërore, si: Shkodranja, Zadrimorja, Kosovarja etj.8 Bogdani shkruante se kishte dashur t’i veshte Sibilat me kostume shqiptare “për të dhënë ngjyrën e atij populli të varfër dhe për t’i ngushëlluar sa kam pasur mundësinë”.9 Ndërsa Fishta këndon Zanat, Dragonjtë… si një pasuri të rrallë e deri atëherë të palançuar të kulturës shqiptare, pasi kishte bërë të vetin parimin e Niçes se “pa mitin, çdo kulturë e humbet karakterin e saj të gjallë krijues, humbet forcën e vet të natyrshme, sepse horizonti i artit hapet vetëm përmes mitit, është ai që e bën të jetë një, të jetë unik”.10 Nga ana tjetër, ai nuk kërkoi mite të njohura si Sibilat për të shqiptarizuar e as për të shartuar, ndoshta, nisur përsëri nga një parimi tjetër i Niçes që thoshte:”Nuk është e lehtë të shartosh një mit të huaj me tëndin, pa dëmtuar bimën amë, ndodh që druri të jetë aq i fortë dhe i shëndetshëm, saqë s’kalon shumë dhe e largon të huajën nga vetja, por si rregull, ajo vetë fishket e thahet, vdes.”11 Më në fund duhet thënë se Fishta u kundërvihet pseudointelektualëve të kohës e më përtej, pasi ka vënë re se “kulimllëku vagabond-modern (shqiptar) kërvesh buzët mbi thjeshtësinë e artë të mitologjisë sonë kombëtare”, si shkruan ai në vitin 1933 në parathënien e Kanunit të Lekë Dukagjinit.12

6.
E gjithë lënda mitologjike, me të cilën u mbrujt Lahuta e Malcis është vetëm shqiptare dhe krejtësisht pagane. Ajo mitologji ka ekzistuar paralel me mitologjinë greko-romake e biblike, ashtu si gjuha shqipe është zhvilluar paralel me gjuhën greke, romake e latino-kishtare. Mitologjia shqiptare ka mbijetuar përgjithësisht e pandikuar nga mitologjia greko-romake e biblike ashtu si rodi i shqiptarit kishte mbijetuar strukur thellësive të maleve, së paku, deri në kohën kur shkruhej Lahuta e Malcis gjatë viteve 1902-1937. Në qoftë se do të përdornim formulimin e studiuesit Krist Maloki, që përfaqëson këndvështrimin psikanalist në kritikën letrare shqiptare, do të gjenim te Fishta poetin që “ka hulumtue e gërmue ner minat e shpirtit të kombit Shqiptar… ka zdypë fellë e ma fellë kah gurrat e fshehta të shpirtsisë natyrore arbërore… kah shpella e magjishme t’Orëve, Zanave dhe Shtojzovalleve të një mystike të përvëlueshme”13.

7.
Sado që Fishta e fillon Lahutën e Malcis me vargun “Ndihmo Zot si m’ke ndihmue…” dhe e mbyll me dyvargëshin “Si premtue kish Perëndia, prapë zonjë n’veti duel Shqipnia”; sado që në atë vepër togfjalëshi “për Atme e Fe”, që ishte programi ideologjik i klerit françeskan në Shqipëri, përsëritet herë pas here, Lahuta e Malcis është cilësuar pak a shumë si vepër laike. Në këtë përfundim nuk kanë arritur studiuesit ateistë, çfarë mund të merrej si një konkluzion tendencioz. Një formulim të tillë e ka bërë kolegu i tij, jezuit at Zef Valentini, studiues i vëmendshëm i Lahutës së Malcis dhe një ndër njohësit më të mirë të historisë, kulturës dhe letërsisë së gropës së Shkodrës e më gjerë. Ai shkruan më 1973 te revista Shejzat se “Fishta ka qenë midis misionarëve më të lartë katolikë që shërbyen aso kohe në Shqipëri, por – shton Valentini – sot ka ardhur koha të flitet qartë edhe për një lloj afetarizmi të kryeveprës së tij Lahuta e Malcis”.14 Valentini nuk e argumenton mendimin e shprehur, por ne mendojmë se argument i mjaftueshëm për të arritur në një përfundim të tillë është fakti se mitologjia e Lahutës së Malcis nuk ka marrë thuajse asgjë nga mitologjia biblike, çfarë do t’i shkonte një vepre të shkruar nga një klerik, ajo nuk ka marrë as nga mitologjia greko-romake, çfarë do t’i shkonte një autori që kishte studiuar me themel në gjuhët origjinale letërsinë e vjetër greke dhe atë latine.

8.
Studimet e deritanishme e kanë shpërfillur shpesh herë “subjektin mitologjik” të Lahutës së Malcis ose e kanë trajtuar si një fillesë artistike të dorës së dytë a të tretë, duke i kushtuar vëmendje të merituar vlerave të tjera përmbajtësore dhe artistike që nuk janë të pakta në vepër. Madje, ndonjë studiues i sotëm arrin në konkluzione jo të qëndrueshme duke e quajtur Lahutën e Malcisë “të shpallur ep religjioz”15, përkundrejt klasifikimeve të derisotme si epos klasik apo heroiko-pastoral, poemë epike apo edhe epiko-lirike. Kjo ka ndodhur pikërisht se është shpërfillur lënda mitologjike e veprës, e cila jo vetëm shtrihet dukshëm në një të pestën e veprës (tërësisht në këngët “Lugati”, “Kuçedra”, “Zana e Vizitorit”, “Gjaku i marrun”, “Koha e Re” dhe pjesërisht në shumë këngë të tjera), por edhe sepse ajo lëndë përbën indin kompozicional të të gjithë veprës, pasi siguron vijimësinë e episodeve dhe unitetin e tyre. Nëse do të studiohet Lahuta e Malcis thjeshtë si një ngjizje epike e periudhës së romantizmit të vonë në Ballkan, atëherë do të arsyetohej më bindshëm edhe lënda historike në të, ashtu e përzier me figurat mitologjike dhe e mbrujtur me një gjuhë të gjallë dhe të pasur popullore; do të konkludohet më saktë për llojin e epikës fishtjane të shpallur apo të pashpallur; do të arriheshin edhe shumë konkluzione të qëndrueshme për individualitetin krijues të autorit të saj që tashmë është kthyer në model klasik të letrave shqipe.

9.
Fakti që figurat mitologjike shqiptare vijnë fuqishëm në letërsinë e shkruar shqiptare kaq vonë, në fillimshekullin XX, nuk duhet paragjykuar si “një fenomen i vonuar në letërsi”, krahasuar me letërsinë e vendeve të zhvilluara, përfshirë, psh, letërsinë dhe kulturën gjermane me Richard Wagnerin (1813-1883), shkrimtar dhe kompozitor i shquar i romantazmit evropian, veprat e të cilit ishin rikrijim i subjekteve dhe figurave mitologjike gjermanike, veçanërisht, të eposit të Nibelungëve. Ndikimi i Wagnerit te Fishta, po të studiohej me atë qëllim, do të dilte shumë më i dukshëm se sa përafërsitë e Lahutës së Malcis me eposin homerik (apo virgjilian), gjë që është rrekur të argumentojë albanologu austriak Maksimilian Lambertz16 e të tjerë pas tij. Aq më pak, do t’i shkonte kujt ndër mend të penalizonte Fishtën dhe letërsinë shqiptare të përfaqësuar prej tij, si një letërsi folklorizante, gati-gati duke pëshpëritur nën zë për Lahutën e Malcis: më mirë të mos ishte shkruar fare, se na ka veçuar prej rrjedhave bashkëkohore të letërsisë evropiano-perëndimore. Për ndryshe, duke e pranuar Lahutën e Malcis si një vepër të fundit të romantizmit evropian dhe, me këtë këndvështrim, duke arsyetuar edhe mitologjizmin e saj dhe mbështetjen aktive në folklor, si një vlerë të mirëfilltë artistike, gjykimet tona do të mbeteshin më realiste, qoftë porsa i përket vendit që zë ajo vepër në hapësirat e letërsisë shqiptare, qoftë në rrafshin krahasues me zhvillimet e letrave evropiane. Mund të kujtojmë këtu se në vitin 1906, kur Fishta niste botimin e Lahutës së Malcis (më 1904-5 botohet cikli i këngëve të Marash Ucit dhe më 1907 cikli i këngëve të Oso Kukës, që i bie afërsisht një e treta e veprës) në Evropë vlerësohej me Çmimin Nobel italiani Karduçi (1835-1907), që në vendin e tij konsiderohej poeti i fundit romantik.17 Në një këndvështrim më të guximshëm, për shfrytëzimin e miteve nga Fishta dhe rikrijimin e tyre, sipas modeleve të letërsisë gojore, mund të shtonim se ai ishte në të njëjtën paralele me zhvillimet estetike evropiane të kohës së tij. Autori i Lahutës së Malcis ishte në vazhdën e atyre shkrimtarëve romantikë, për të cilët është thënë se “në krijimtarinë e tyre pati gjallërim edhe një lloj mitologjizmi i ri, i cili i parapriu mitologjizmit modernist”.18
Shënime
1 Friedrich Nietzsche, “Lindja e tragjedisë”, përkthyer nga Jorgji Doksani, Eugen, Tiranë, 2001,f.183.
2 “Në strukturën e poemës “Lahuta e Malcis” futet, si një nga përbërësit më të rëndësishëm, edhe fillesa mitologjike“, Alfred Uçi, “Pesë të mëdhenjtë e letërsisë shqipe: N.Frashëri, Gj.Fishta, F.Konica, M.Kuteli, Migjeni”, Vatra, Shkup 2003, f.59.
3 Në artikullin “Gjergj Fishta, shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar”, shkruar më 1941, Lasgushi e cilëson veprën Lahuta e Malci si një vepër “shkëlqimërisht realiste” dhe autorin e saj “frymëtar i fjalës” (Lasgush Poradeci, “Vepra 2”, Onufri, Tiranë 1999, f.72).
4 “Lahuta e Malcis është… vepër arti e plotë, e përsosur dhe e përkryer në vetveti”, shkruan Eqrem Çabej në artikullin “Epika e Gjergj Fishtës”, botuar në “Gjergj Fishta”, përmbledhje studimesh, botim i revistës “Shkëndija”, Tiranë, 1941, f.40.
5 Umberto Eco, “Për letërsinë”, përkthyer nga Donika Omari, Dituria, Tiranë 2007, f. 214.
6 Mark Tirta, Mitologjia ndër shqiptarë, Tiranë 2004, f.112.
7 Eqrem Çabej, “Studime gjuhësore V”, Rilindja, Prishtinë 1975, f.160.
8 Pjetër Bogdani, “Këngët e Sibilave”, përgatitur me shënime nga Engjëll Sedaj, Albas, Tiranë 2002, f.17, si dhe Ibrahim Rugova “Vepra e Bogdanit”, Tiranë 1990, f. 148, i cili nuk përdor shprehjen “shqiptarizim i Sibilave”, por konstaton se “në këto vjersha Bogdani inkuadron një topografi të vendit”. Mitologjinë biblike e sjell në letërsinë e shkruar shqiptare edhe Pjetër Zarishi (1806-1866), shih Tonin Çobani “Pjestër Zarishi dhe krijimi i rruzullimit”, Toena, Tiranë 2007. Pas tij edhe Mjeda i drejtohet “mitologjisë kombëtare” kur shkruan “o Shkodër, o mori e dragojve”, shih Mentor Quku, Mjeda 2 Ilar, Tiranë 2006, f. 552-553.
9 Pjetër Bogdani, “Letra dhe dokumente”, përgatitur nga Odette Marquet, Shkodër 1997, f.462.
10 Friedrich Nietzsche, vepër e cituar, f.183-184.
11 Friedrich Nietzsche, vepër e cituar, f.187.
12 Fishta flet për disa shqiptarë që kishin kaluar nëpër shkolla, “por që shkolla, nëpër të cilën paten qenë përshkue, nuk mbërriti me ua qeruae shpirtin krejt prej zdramit të do parimeve sterilizuese e shkatërrimitare e as me ua heqë atë lëmashk pedantizmi e kulimllëku vagabond-modern, që ata e quajnë “kulturë”, përbuzin njomësinë e valleve popullore, bajnë në asgja bukurinë gjithmonë të njethtë e të kerthnestë të rapsodive kreshnike, kërveshin buzët mbi randësinë e vendimeve të kanunit dokësor – droit coutumier – mbi thjeshtësinë e artë të mitologjisë, të përrallave e mbi mbarë folklorin tonë kombëtar”, Gjergj Fishta, Vepra 10, Publicistika, EB “Gjergj Fishta”, Lezhë 2004, f.443.
13 Krist Maloki, “Refleksione – kritikë (letrare), analiza dhe mendime”, përgatitur prej Albert Ramës, Faik Konica, Prishtinë 2005, f.97.
14 At Giuseppe (Zef) Valentini, “Vepra I (Publicistikë, studime dhe tekste)”, Plejad, Tiranë 2005, 358.
15 Kujtim M. Shala, “Shekulli i letërsisë shqipe”, Buzuku, Prishtinë 2006, f.180.
16 Maksimilian Lambertz në fakt ka qenë një nga studiuesit më serioz të Lahutës së Malcis. Në artikullin “Homeri dhe epopeja e shqiptarëve”, sipas përkthimit të dr.Rexhep Krasniqit (revista “Shejëzat”, Romë 1973, f.332-336), ka vënë në dukje edhe dallimet esencale të veprës së Fishtës me atë të Homerit. Ai shkruan: “Me shquemjen e këtyre përgjasimevet, nuk pretendoj se Fishta ka imitue Homer-in në tanësi. Shumë pjesë me randësi të Lahutës janë tipike shqiptare dhe nuk kanë të bajnë fare me Homerin” (f.335).
17 “L’Universale letteratura, volume II, La grande Enciclopedio tematika 5″, Milano 2003, f.1210.
18 Alfred Uçi, “Mitologjia, folklori, letërsia”, Tiranë 1982, f.135.