Nga Gani MEHMETAJ

Gani MEHMETAJ

“Kthehu në islam” ia përsëriti kërkesën hoxha i lagjes më të varfër dhe më të mjerë në kontinent, Papës, klerikut të fuqishëm të selisë më të pasur në botë. Të shqyhesh gazit me gazmore të këtilla, sikur të bëheshin nga mulla të Iranit a Irakut, por bëhet nga një sherr budalla, i cili po ta ndjente vetën shqiptar do ta kërkonte ndihmën e Papës për të na nxjerrë nga mjerimi e skamja ku jemi katandisur, ashtu sikurse na ndihmoi dikur Papa Gjon Pali i Dytë. Por atëbotë ne e kërkonim ndihmën e tij, ia kujtonim përkatësinë tonë evropiane, ia numëronim kontributet për qytetërimin evropian, i përgjëroheshim në tokë e në qiell.

Pesëmbëdhjetë vjet pasi ushtarët e qytetërimit perëndimor na çliruan, hoxha i mjerë i lagjes së varfër të Prishtinës që përngjan aq shumë me Kandaharin (vetëm Gazi Baba, lagje shqiptare e Shkupit mund ti konkurroj në varfëri) i kërkon Papës të kthehet në islam! Kërkesa prej sherr budallai nuk është e paqëllimtë, as e thënë kuturu. Ashtu i kanë thënë të bëjë dhe ky hoxhë si argatë i shejtanit nuk ia huq asnjëherë kur është puna të bëjë sherr. Asnjë shqiptar në Kosovë nuk po e shijon parajsën e hoxhës, përkundrazi po e përjetojnë ferrin. Të rinjtë po ikin në Perëndim, dhjetëra prej tyre lan kokat nëpër kufi.

Ne kërkojmë të futemi në Bashkimin Evropian në ethe, sepse po u zgjat puna e integrimit do të mbetemi pa të rinj. Ndërkohë betohemi se jemi evropian, betohemi se kemi tolerancë fetare shembullore, ndërsa hoxha e thotë të kundërtën se, ka mision ta shprish tolerancën fetare se ka mision të bëjë ftesa të tipit të mullave të Homeinit, në emër të atyre që e paguajnë! Çka do t’i lakmonin islamit të hoxhës Papa me të tjerët? Luftërave të pafundme fetare në mes të shitëve e sunitëve, ku fëmijët e gratë pësojnë më së shumti, varfërisë e mjerimit për të ardhur keq, krahas padijes e errësirës.

Për shqiptarët as që i bëhet vonë, ai përpiqet t’i dëmtoj shqiptarët, duke i lënë të izoluar nga bota, duke u përpjekur t’i kthejë në mesjetën otomane.

Ne e kemi bindur popullin se BE-ja, pra edhe Vatikani si pjesë e BE-së është e ardhmja jonë, hoxha e kërcënon Selinë e Shenjtë, ashtu sikurse bënin dikur sulltanë pekmezët. Ai një shërbëtor i humbur i Anadollit ia ha mendja të matet me Papën. Gazmore se jo mahi nga mullai i periferisë së Prishtinës.

Me budallain tallemi, sherr budallait duhet t’i druhemi. Po me shejtan budallain si të sillemi? I njëjti hoxhë ka vjet që e përsëritë një parullë fyese e të dhunshme, e cila me muaj ka qëndruar në disa pika kyçe të Prishtinës: “Bajramin e ardhshëm do ta falim në Katedrale!” Ky nuk është veprim prej budallai, as prej sherr budallai, ky është veprim prej shejtan budallai. Në këtë mënyrë ai ndërsen njerëzit me tru të shpërlarë apo të shiturit të mësyjnë e ta përdhosin Katedralen, si në vendet arabe ku i përdhosin dhe i djegin vendet e shenjta. Natyrisht shumica në Kosovë janë shqiptarë, prandaj sado të përgjumur të duken, nuk do ta lejojnë një përdhosje të tillë. Katedralja është e tyre, me emrin e Nënës Terezë. Ata s’duhet të lejojnë përdhosjen e asnjë faltore.

Kërcënimi ndaj shqiptarëve!

Nuk është më pak nxitës i mos durimit fetar as kryetari i BIK-ut, i cili me dhjetëra herë e ka përsëritur sloganin kërcënues: “Jemi 94 për qind myslimanë!” Po shqiptarët ku janë? Ai i shpërfill shqiptarët, të gjithë i bën myslimanë sipas dëshirës së tij. Kujt i kërcënohet i pari i myslimanëve të Kosovës? Shqiptarëve katolikë e protestantë, shqiptarëve gnostikë dhe ateistë, shqiptarëve për të cilët feja e tyre është shqiptaria, pra të gjithë atyre që nuk mendojnë si ai-anadollçe e me mendësi mesjetare të pushtuesit osman. Ai u kërcënohet shumicës shqiptare, sepse as shqiptarët besimtarë myslimanë nuk luftuan asnjëherë kundër bashkëkombësve të tyre për mjekrën e hoxhallarëve të shitur, megjithëse i kanë nxitur edhe më parë.

Që të jetë ironia më e madhe, kreu i hoxhallarëve të Kosovës e merr një slogan të cilin më dhjetëvjetëshe e kemi përsëritur: “jemi 96 për qind shqiptarë” jo për të kërcënuar komunitetet, por që ta informojmë bashkësinë ndërkombëtare se nuk është demokratike që pakica serbe të sundojë e ta terrorizoj shumicën shqiptare në Kosovë. Ndonjëherë e kemi përsëritur edhe në këtë kohë, kur shihnim se si pakica serbe po favorizohej duke shkelur të drejtat e shumicës shqiptare. Se kjo gjë do të keqpërdorej nga kreu i BIK-ut askujt nuk i shkonte ndër mend atëbotë, sepse atëherë kur kërciste kërbaçi e pushka e ushtarëve serb, zëri i tyre nuk dëgjohej fare, nuk dëgjohej as zëri i shteteve arabe që s’na mbështesnin në kohën kur ne vuanim nën pushtim.
Keni dëgjuar të parin e myslimanëve të Kosovës të dënoj krimet serbe, apo kriminelët serb që vranë shqiptarë? Asnjëherë. Ata vajtojnë tullat e djegura e ngrehinat, por nuk i vajtojnë njëzetë mijë shqiptarë të vrarë, dhjetëra mijëra të plagosur e të dëbuar. Për ta njerëzit nuk bëjnë as sa tullat.
Keni dëgjuar ndonjë hoxhë të falënderoj ShBA-në dhe Evropën Perëndimore që na çliroi e na shpëtoi nga gjenocidi? Shumica nuk dinë çka është mirënjohja, ata dinë të falënderojnë vetëm ata që ua mbushin sqepin atyre me bakllava e hurma.

Në vend të shëndetit kërkona shami grash

Një ministër dështakë që e la shëndetësinë në gjendje të mjerë si në vendet arabe, ku bëhet luftë, në vend që të jepte përgjegjësi për rrënimin e shëndetit të popullatës, nis e përjargët për shamitë në shkolla, thua se i kemi rregulluar të gjitha punët tjera, por na mbeti keq shamia e femrave që duan të mbulohen “vullnetarisht”. Në duhet të kërkojmë përgjegjësinë e këtij ministri të papërgjegjshëm, e jo të merremi në media e në forume me broçkullat e tij. Popullin e ka kapluar varfëria, të rinjtë dëshpërimi, ndërsa tipat si Agani sharlatan me disa mercenarë të tjerë përpiqen t’i çorientojnë shqiptarët nga problemet fondamentale: ekonominë e rrënuar, standardin më të ultë në Evropë, kulturën në gjendje të mjerë etj.

Ata nuk vuajnë nga këto mungesa, (për kulturë nuk kanë nevojë), marrin para nga taksapaguesit dhe nga fondet e dyshimta që veprojnë për të zezën tonë.

Marrë nga /standardi.eu