Mati Logoreci lindi më 10 shkurt 1867 në Shkodër, ku mori edhe mësimet e para. Në moshën 10 vjeçare, më 1877 vazhdoi shkollën tregtare në Shkodër. Në këtë kohë shkollat ishin në turqisht kështuqë Logoreci mësoi në shtëpi për të shkruar e për të lexuar gjuhën shqipe si dhe italishten, frëngjishten e më vonë edhe gjermanishten. Me pas ai vazhdoi për katër vjet në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër, duke fituar njohuri për ekonominë e për tregëtinë. Fillimisht punoi çirak në shoqërinë tregtare italiane Parruca, e cila e dërgoi si llogaritar në Monfalkone afër Triestes. Atje Logoreci, ra në kontakt me arbëreshët, me shkrimet e me veprat e Jeronim de Radës, të Dora d’Istrias, të Zef Serembes, të Stratigoit, të Santorit etj. Matia ndoqi dhe studioi revistat dhe gazetat që botoheshin në Sofje, në Bukuresht, e Stamboll.
Pasi punoi në Itali, shkoi për studime në Francë.

mati_logoreci
Mati Logoreci

 

Pas kthimit në Shqipëri, Arqipeshkvi i Shkupit Imzot Andre Logoreci, (xhaxhai i Matisë) e shtyn të përhapë gjuhën shqipe, kështu Matia hapi një shkollë në Prizren më 1 maj 1889, që ishte shkolla e parë shqipe në Kosovë. Më vonë Imzot Andre Logoreci, duke parë mungesën e mësuesve të gjuhës në atë zonë, dërgoi edhe nipin e tij Pashkon në Prizren për ta bërë mësues të gjuhës shqipe. Matia u emërua në Prizren, më 1 maj 1889, kurse  Pashko në Gjakovë. Kështu Matia kaloi disa nga vitet e jetës së tij aktive në Prizren, në atë qendër të rëndësishme atdhetare. Në Prizren krijoi edhe familjen më 1894 me një vajzë nga ky qytet, Paulina. Për shkak të mosmarrëveshjeve me bazë politiko-etniko fetare Matia u detyrua të japë dorëheqjen dhe më 1899. Më pas Logoreci ngriti një shkollë tjetër private shqiptare e cila gëzoi mbështetje të gjerë. Të dyja shkollat u shkrinë më 1900. Matia shërbeu si mësues në Prizren deri më 1903, kur u transferua në shkollën françeskane në Shkodër.
Nuk mund të bëhet fjalë për zhvillimin historik të arsimit e të shkollës në Veri e Kosovë, pa u ndalur në mënyrë të veçantë te Mati Logoreci, një nga zbatuesit më të parë të synimeve arsimore të Rilindjes sonë Kombëtare për një shkollë kombëtare. Matia themeloi shkollën shqipe të Prizrenit, hartoi tekste mësimore për shkollën fillore e për të mesmet dhe manuale në ndihmë të mësuesve.
Logoreci shkoi në Vjenë e u takua me Gustav Majer, albanologun e njohur austriak.
Veprat e studimet e Majerit, që ishin botuar në këtë periudhë, shërbyen për njohjen e shqipes në qarqet shkencore evropiane.
Logoreci, filloi të botojë tekste shkollore e librave për fëmijë, duke i shoqëruar me fjalorth të bashkëngjitur.
Më 14 nëntor 1907 nisi të botojë gazetën e përdyjavshme “Dashamiri”, që e shtypte në Trieste me alfabetin e Shoqerisë “Agimi” e cila doli vetëm në katërmbëdhjetë numra deri sa u mbyll më 6 gusht 1908.
Në nëntor 1908 Logoreci përfaqësoi shoqërinë “Agimi” të Shkodrës në Kongresin e Manastirit, së bashku me poetin Ndre Mjeda, (të cilin e kishte djalë halle), por edhe shok e bashkëpunëtor – me At Fishtën, Hilë Mosin dhe Luigj Gurakuqin. Po më 1908, me Lazër Mjedën, të vëllanë e poetit, organizoi një shkollë nate shqipe në Shkodër. Nën kujdesin e këtij klubi ai botoi një tekst shkolle prej 201 faqesh për historinë e lashtë me titull “Ndollina historijet t’motshme”, Shkodër 1911.
Ai u lidh me studiues të shquar të gjuhës e të historisë sonë në trevat shqiptare e jashtë, duke këmbyer mendime e materiale për probleme të gjuhës shqipe. Përveçse me Mjedën, ai kishte lidhje e miqësi edhe me prof. dr. Aleksandër Xhuvanin, Norbert Joklin, Nikolla Ivanajn, Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, etj. Ky kontakt i drejtpërdrejtë me personalitete të shquara politike, shkencore e shoqërore, ndikuan në formimin e botëkuptimit e tij.
Pas pavarësisë Logoreci shërbeu si mësues në Tiranë, kurse nga 1916 deri 1918 si funksionar për arsimin në Shkodër. Më 1916 ishte edhe anëtar i “Komisisë Letrare Shqype” të ngritur në qytetin e tij të lindjes nga autoritetet austro-hungareze. Më 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si delegat i Shkodrës. Nga 1922 deri 1923 qe sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit dhe iu kushtua arsimit derisa doli në pension më 1930.
Gjatë jetës së tij shkroi shumë artikuj me tematike shoqërore, gjuhësore, historike etj.
Në vitet e fundit të jetës Mati Logoreci iu kthye botimit të një gazete të re, “Drita”, numri i parë i së cilës doli më 28 nëntor 1936 dhe zgjati të paktën deri më 1939. “Drita” kishte një tirazh prej 4000 kopjesh, pra qe gazeta më e madhe shqiptare në vitet para Luftës së Dytë Botërore. Mati Logoreci vetë i redaktoi nëntëdhjetë e tre numrat e parë deri më 23 mars 1937.

Mati Logoreci vdiq më 7 shkurt 1941 në Tiranë në moshën 74 vjeç.

Vepra:
Ndollina historijet t’motshme” 1911 Shkodër
“Historija e përgjithshëme”, Shkodër 1924
“Fjalorth i librit të leximit për moshën e njome” 1934
“Abetare”
“Plotësor i Abetarit”
“Libri i mësuesit”

Mati Logoreci mban Titujt:
Komandar i Urdhërit të Skënderbeut
Cavaliere dell’Ordine della Corona d’Italia
Mësues i Popullit

Për jetën dhe veprën e Mati Logorecit është shkruar libri Mati Logoreci, në vitin 1987
dhe ribotuar Mati Logoreci (jeta dhe veprat) më 2001 nga Prof. Dr. Musa Kraja.