Kur nazistët ishin në tërheqje nga territori i ish-Jugosllavisë, frontet u krijuan në Srem të Vojvodinës dhe në atë të Adriatikut në veriperëndim të Jugosllavisë. Shqiptarët u rekrutuan për tu dërguar në luftime në këto fronte ndërsa brigadat Serbe i forcuan pozitat e tyre në territorin e Kosovës. Gjithsejtë 44.523 shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera etnike u rekrutuan dhe u dërguan në luftime larg Kosovës, ne kete menyre edhe zvogëlohej rreziku i çfarëdo rezistence ndaj autoritetit serb-jugosllav që do të vendosej në Kosovë. Sipas kujtimeve të pleqëve që përjetuan, ky mobilizim ishte i dhunshëm. . . , të mobilizuarit shqiptarë, fillimisht janë tubuar nëpër qendrat e rretheve dhe ato komunale e pastaj, të organizuar në njësi ushtarake të komanduara nga oficerë shqiptar kanë udhëtuar në qendrën e përgjithshme mobilizuese (kazermën ushtarake)në Prizren. Deri në Prizren rekrutët shqiptarë u drejtuan nga oficerë shqiptarë. Në Prizren të gjithë ushtarët shqiptarët u çarmatosën me pretekstin se do të lodheshin nga rruga dhe se kur të mbërrinin në front do të pajiseshin me armë moderne angleze. Nga Prizreni shqiptarët u nisën fillimisht për në Mal të Zi të ndarë në tri grupe.

masakra-tivarit

Grupi i parë prej 3,700 vetësh u nis më 24 Mars 1945.
Grupi i dytë me 4,700 vetë u nis me 26 mars dhe marshoj për katër ditë në vijën Prizren-Zhur-Kukës-Pukë-Shkodër-Tivar. Ushtarët gjatë rrugës u rrahën apo në disa raste edhe u vranë kur dilnin nga kolona për ta shuar etjen. Kur kolona mbërriti në Tivar, ndodhi një konflikt në mes katër shqiptarëve dhe rojave, të cilët gjuajtën me armë dhe vranë dy shqiptarë. Masa e zënë në grackë mes maleve të larta dhe detit u shtri për tokë, ndërkohë që ajo hapësirë ishte vënë në shënjestër të pushkëve dhe mitralozave që ishin vendosur në çdo qoshe përreth. Më pas turma u urdhërua të ngitet dhe drejtohet drejt ndërtesës “Monopoli i duhanit” ku filluan të shtënat. Një raportim drejtuar Misionarit anglez Hadson më 1946 në atë kohë e caktonte numrin e të vrarëve në 1670.
Grupi i tretë me 2700 veta u nis më 27 Mars 1945 dhe pas arritjes në Dubrovnik u vendosën në një depo baroti, një grup prej 800 vetash u helmua nga një helm i panjohur që pati pasoja fatale për shumicën.
Të mbijetuesit e masakrës besojnë se numri i të vdekurve apo të vrarëve gjatë rrugëtimit për në Frontin e Adriatikut është gjithsej 4300 veta. Enver Hoxha më 1955 përmend 1,000 të vdekur “në territorin shqiptar”. Aleksandër Rankoviç, në Kongresin themelues të Partisë Komuniste të Serbisë më 8-12 maj 1945 ka deklaruar se “udhëheqesit tanë hapën zjarr dhe vranë 300 shqiptarë”.
Në Tivar në kohë ka qenë e vendosur Brigada e X malazeze, rreth 100 luftëtarë të Komandës vendore, një pjesë e Mbrojtjes popullore, një pjesë e Brigadës së Bokelit, dhe një numër i madh i të plagosurve të cilët ishin të armatosur, refugjatë dhe popullsi vendase. Një pjesë e divizionit të 46 të partizanëve serb, të përbërë nga ushtarë të Vranjës dhe Pirotit, në Tivar gjithashtu kanë marrë pjesë në vrasjen e shqiptarëve. Përveç partizanëve, në vrasjen e shqiptarëve kanë marrë pjesë edhe popullsia vendase malazeze. Në zhdukjen e shqiptarëve po ashtu kanë marrë pjesë edhe popullsia civile serbo-malazeze të cilët kishin qenë të larguar nga Kosova pas luftës së prillit. Por kishte dhe vendas të cilët të rinjët shqiptar i fshehnin nëpër shtëpitë e tyre ose në stogjet e sanës.

Varreza masive e Masakrës së Tivarit u zbulua vetëm pas 50 viteve më 17 shtator të vitit 1996 nga historiani shqiptar prof. dr. Zekeria Cana.