london-2012

 

 

 

Tre vjet pas organizimit të Lojërave Olimpike “Londër 2012″, zbulohet një mallkim tragjik që lidhet me evenimentin e organizuar në kryeqytetin anglez. Me atleten bjellorusë Julia Balykina, e cila u gjet e pa jetë në një pyll pranë Minskut, rritet në 16 numri i sportistëve pjesëmarrës në Olimpiadë kanë humbur jetën për shkaqe të ndryshme nga vera e 2012-ës. Mes tyre 12 janë meshkuj dhe 4 femra.

31-vjeçarja Balykina iu shtua listës fatkeqe në fillim të kësaj jave. Ajo nuk garonte prej dy sezonesh për shkak të një pezullimi për doping, ndërsa i dyshuari kryesor për vrasjen sipas autoriteteve është i dashuri i atletes.

Nga jeta u nda Laurent Vidal, 31-vjeçari që konkurronte në garat e triathlonit. Francezi që u rendit i pesti në Olimpiadën e Londrës dhe mbylli karrierën si sportist përpara një viti, vdiq në gjumë më 10 Nëntor.

Garusi i velave, amerikani Trevor Moore u cilësua i vdekur më 25 Qershor 2015, pasi anija me të cilën po lundronte u përmbys në ujërat e Floridas. Trupi i 30-vjeçarit nuk u gjet.

Atleti kanadez me origjinë xhamajkane, 24-vjeçari Daundre Barnaby, i gjashti në garën e 400 metrave në Londër 2012, u mbyt gjatë një tubimi të ekipit kanadez në Karaibe gjatë muajit Mars.

Fat i keq edhe për notaren Camille Muffat. Francezja katër herë kampione e Europës dhe medalje ari në 400 metra stil i lirë në Londër, vdiq më 9 Mars 2015, në moshën 26 në një aksident me helikopter, gjatë versionit francez të programit “Survivor”.

Pjesë e atij aksidenti që tronditi botën e sportit ishte edhe boksieri 28-vjeçar Alexis Vastine. Edhe fituesi i bronzit në peshat e lehta në Pekin 2008 dhe çerekfinalist i Londër 2012 humbi jetën nga rrëzimi i helikopterit.

Mundësi rus, Besik Kudukhov, fitues i argjendit në Londër në peshën 55 kg vdiq në një aksident automobilistik më 29 Dhjetor 2014.

Tenistja britanike me origjinë ukrainase, Elena Baltacha u nda nga jeta në Maj të vitit të kaluar në moshën 31-vjeçare, pas kancerit në mëlçi.

Shtangisti nga Guatemala, Christian Lopez vdiq për shkak të pneumonisë. Sipas mediave lokale, 29-vjeçari refuzoi të mjekohej ndërsa ishte i sëmurë, prej frikës së mund të rezultonte pozitiv në Lojërat Bolivariane.

Qitësi tajlandez Jakkrit Panichpatikum u vra më 19 Tetor 2013, pak ditë pas lirimit me kusht, pas tentativës së vrasjes së bashkëshortes. Vjehrra e tij pranoi se kishte paguar vrasës profesionistë. Ai ishte 40 vjeç.

Abdelrahman El-Trabily, një mundës egjiptian dhe profesor në Universitet u vra më 16 Gusht 2013, ndërsa merrte pjesë në një demonstratë në mbështetje të ish-presidentit Mohammed Morsi. Ishte vetëm 24 vjeç.

Boksieri Billy Ward që përfaqësoi Australinë në kategorinë mizë të boksit kreu vetëvrasje më 4 Gusht 2013. 20-vjeçari vuante nga një formë e rëndë depresioni.

Fat i ngjashëm edhe për xhudokën ruse, Yelena Ivashchenko. Katër herë kampionia e Europës kreu vetëvrasje në moshën 28-vjeçare duke u hedhur nga dritarja e apartamentit të saj.

Britaniku Andrew Simpson, fitues i medaljes së argjendtë në garat e lundrimit në Londër vdiq më 9 Maj 2013 ndërsa po stërvitej me ekipin për Kupën e Amerikës në gjirin e San Francisco-s. 36-vjeçari mbeti i bllokuar nën barkë dhe askush nuk arriti ta ndihmonte.

Në stërvitje humbi jetën edhe çiklisti nga Afrika e Jugut, Burry Stander. I pesti në garat malore në Londër, më 3 Janar 2013 ai u godit nga një makinë ndërsa po përgatitej për konkurrimin e radhës.

I fundit në listën e zezë të Olimpiadës 2012 është mundësi nga Mikronezia, 32-vjeçari Keitani Graham. Më 6 Dhjetor 2012, ai u nda nga jeta pas një ataku në zemër.