Ju risjell lajme “të vjetra” të reja

Nga Adela Kolea

adela-kolea2
Po, lexuat qartë: me kënaqësi ju sjell disa “të vjetra” të reja.
“Pse, e si?” do të me pyesnit.
Ju them menjëherë se gjithçka që ka të bëjë me të kaluarën – me brezat e shkuar, ato të paraardhësve tanë, të prindërve e gjyshërve tanë, me të shkuarën edhe të personave publikë përse jo, të atyre që, jo vetëm nuk i kam njohur vetë personalisht për arsyen e thjeshte, “kohën”,  moshën, epokën – me tërheq dhe e vlerësoj veçanërisht. 
Një mikja ime me tha: “Prirja e re e këtij viti për modën e palltove, është ajo e stilit “vintage”, le të hapim baulet e gjysheve e do të gjejmë diçka në përputhje me modën e dimrit të 2016 -ës!”
 Kuptohet se jemi kthyer në sipërfaqësore, në materialiste. Mendojmë për aparencën, duke anashkaluar thelbin e gjërave.
Unë, asaj gjysheje në fjalë p.sh, nuk do t’i kujtoja vetëm gardërobën, që çuditërisht na u ktheka pas në kohë e në modë, por edhe aspekte të tjera.
Po kështu, mendoj se e njëjta linjë arsyetimi na përket edhe për të kujtuarit e të  vlerësuarit e artistëve tanë të vjetër.
 Arti shqiptar ka nxjerrë nga gjiri i tij personazhe që e gjithë bota do të na i lakmonte. E këtë e them me bindje e objektivitet, jo me një patos apo frymë mburrjeje kombëtare pa vend.
Hasa rastësisht thjesht në një fotografi të vjetër: me mahniti me bukurinë e personazheve të saj, me veshjet, me origjinalitetin, me cilësinë e saj si fotografi, edhe me skenografinë.
 Nuk ishte një fotografi e thjeshtë pra, ajo mbartte diçka speciale:
 paraqiste një fragment nga Opereta “Lejlaja”, në vitin 1957.

– Kompozitor: Tish Daija – Libreti: Lec Shllaku – Gjinia muzikore: Opera – Nëngjinia: Operetë – Premiera: 1957 – Qyteti: Shkodër.

Më pas, në një fotografi tjetër pashë të njëjtin personazh që merrte pjesë në një skenë tjetër operistike: te Opera e Parë Shqiptare, “Mrika”.

liza-gajtani-1

E realizuar në vitin 1958, plot 58  vjet më parë, në Shkodër, me muzikë të kompozitorit Prenk Jakova, libret të Llazar Siliqit, me regji të Andrea Skanjetit. Me subjekt veprën muzikore “Dritë mbi Shqipni”.
E interpretuar nga një trupë gjysmë profesioniste, me një formacion orkestral të plotë, opera Mrika, u destinua të kthehej në një kryevepër, – në përfitimin nëpërmjet saj të personazhit lirik të mirëfilltë për operën shqiptare – për realizimin e saj tejet cilësor e profesional, falë përkushtimit të të gjithë pjesëmarrësve, cilido të ishte roli që secili prej tyre mbulonte në atë vepër. Epra kushtet për të realizuar e kombinuar të gjithë këta elementë, nuk ishin aspak të lehta, duke pasur parasysh kontekstin kohor që përshkonte Shqipërinë.

liza-gajtani-2

Më mjaftoi një fotografi bardhezi, që paraqiste grupin e vajzave protagoniste të veprës, flokët me gërsheta, veshjet e tërësia e famës së veprës, që të më shtynin të kërkoja ndonjë informacion të ri në dukje, por të vjetër në vetvete mbi këtë kryevepër lirike shqiptare.
Por, a do të mundesha unë, në vitin 2016, në një distancë kohore kaq të largët nga realizimi i kësaj opere, në distancë përse jo, edhe gjeografike nga Shqipëria, pasi jetoj në emigracion prej shumë vitesh, të gjeja atë që kërkoja mbi këtë vepër?
Informacione të shkruara në letër apo internet, tashmë i kisha konsultuar dhe e kisha kapërcyer atë pengesë.
Mora shtysë, nga kureshtja, për ndonjë dëshmi reale, konkrete, nga ndonjë interpretues i veprës!
 Të ishte ambicie e tepruar kjo e imja? E parealizueshme? Pjesa më e madhe e atyre protagonisteve e bashkëpunëtoreve tashmë nuk jetojnë më fatkeqësisht. 
Ne zakonisht e kemi bërë të udhës të shkruajmë postume për persona të tillë, t’i kujtojmë ata pas vdekjes, gjë është për t’u lëvduar por që, sipas meje, kujtimi e vlerësimi i tyre duhet bërë në kohë, kur ata janë ende në jetë.
 Kjo është më e drejtë, madje, u detyrohemi për këtë gjë.
Kureshtia ime u shpagua, kur arrita të gjej njërën nga interpretueset e operës:
në rolin e Bardhoshes, shoqes së Mrikes, zonja shkodrane, Liza Gajtani (Luka).
 Kjo zonjë e nderuar sot është në moshën 79 vjeçare dhe jeton ne Firence, Itali.
 Pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë të shkëmbej dy fjalë me të:

liza_gajtani
Liza Gajtani Luka

Zonja Liza, përshëndetje.
 Ju uroj mirëseardhjen në  ALBANIA  NEWS.
– Ju, siç e përmendëm më lart, jeni njëra nga interpretueset në veprat operistike: “Lejlaja” (Operetë) e “Mrika”, (Opera e Parë Shqiptare).
Harku kohor: vitet  1957 – 1958.
 Ç’efekt ju bën sot të ktheheni mbrapsht  në kohë mbi ato evente aq të rëndësishme, jo vetëm muzikore por, që lanë një gjurmë të përhershme, për sa i përket rolit të muzikës e artit në shoqërinë shqiptare të asaj periudhe e më tej?
Nuk është efekt negativ…
 Ka lënë gjurmët e veta në mendje e në zemër. Ka qenë një periudhë ku nuk kishim interesa të tjera përveç pasionit për muzikën, artin. Kemi kënduar për të kënaqur veten e njerëzit që vinin të na shikonin. Ishin momente kur njerëzit trashëgonin ende vlerat shpirtërore dhe akoma bënin një jetë ku vlerat shpirtërore ishin dominuese.
– Shkodër. Ju, në moshë të re. 18 vjeçare në mos gaboj.
Po, rreth 20 vjeç.
– Përpara se të niste angazhimi juaj në këtë përvojë të re artistike, cila kishte qenë lidhja juaj me muzikën? Në ç’kontekst ju hasi Prenk Jakova apo dikush tjetër i ngarkuar prej tij me këtë qëllim?
Ishte pasioni. Ne të gjithë, si familje kishim pasion muzikën. Fillimisht kam marrë pjesë në Korin e kishës e pastaj në Shtëpinë e Pionierit. Prenka ka njohur motrat e mia Angjelina dhe Vitore Gajtani, në Shtëpinë e Kulturës, ku kanë kënduar si koriste në shfaqjen e njohur të asaj kohe “Dasma shkodrane”. Edhe motra tjetër Albina Gajtani (gruaja e kompozitorit Leonard Deda) ka qenë soliste dhe ka debutuar në shfaqje të ndryshme, kryesisht të muzikës së lehtë. Daja im Lec Bardheci ka qenë muzikant, ai përdorte fishkëllimën e tij si instrument muzikor dhe ka regjistruar disa disqe muzikore në Radio Shkodra. Unë kam qenë koriste dhe soliste, kam kënduar në shfaqjet e ndryshme të Ansamblit të qytetit. Më vonë, në Shtëpinë e Kulturës Prenka më zgjodhi për rolin e Bardhoshes, si mexo-soprano te “Opera Mrika”.

liza-gajtani-4
Opereta “Lejlaja”: 1. Vera Prela; 2. Klotilde Shantoja; 3. Liza Gajtani; 4. Vitore Barbullushi; 5. Franka Guraziu; 6. Roza Bushati

– Ju ishit një grup shoqesh pra, që frekuentonit Shtëpinë e Kulturës në Shkodër.
Nuk ishit këngëtare apo interpretuese lirike të mirëfillta.
Sa punë, sakrifica dhe sa kohë përgatitjeje ju kërkuan provat? Në ç’shkallë ishte motivacioni juaj për të arritur realizimin e kësaj vepre që kishit marrë përsipër?
Unë punoja, kam qenë nëpunëse. Të gjithë kemi punuar në profesione të ndryshme: teknikë, punëtorë, nëpunës, arsimtarë etj. Ne shkonim për të bërë prova në Shtëpinë e Kulturës çdo ditë nga e hëna deri të premten, rreth orës 19-20,00  deri në orën 21,00- 22,00 bile edhe deri në orën 23,00. Jemi lodhur por e kemi bërë me kënaqësi sepse ishte pasioni ynë. Por edhe kemi përfituar diçka. Në atë kohë e merrnim bukën me triska: kishim një racion prej 500 gr. në ditë për njeri. Ne na jepnin një triskë për 900 gr. bukë në ditë.
– E kishit imagjinuar atë sukses, sidomos famën që mori në Shqipëri e jashtë saj, Opera e Parë Shqiptare, “Mrika”?
Unë e kam ndjerë këtë sepse Prenka, Tonin Harapi, Tish Daija e shumë muzikantë të tjerë ishin me të vërtetë talente të rralla. Për Prenkën unë mund them se ishte një gjeni. Prenka p.sh. ishte në gjendje të luante të gjitha instrumentet muzikore, pa përjashtim.
– Pas kësaj përvojë artistike, i vazhduat studimet për kanto me tej? Po shoqet tuajat?
Jo, as unë as shoqet e mia. Me sa di unë të gjitha kemi vazhduar punën. Por fillimisht nuk ka ekzistuar as mundësia që të studioje në Konservator(Akademia e Arteve u themelua në vitin 1966). Para vitit 1945, kanë ekzistuar shkollat fetare ku është studiuar muzikë. Në kemi vazhduar edhe disa kohë të këndonim dhe të merrnim pjesë në shfaqje të ndryshme. Fillimisht pra nuk ka pasur Akademi, kur është themeluar Akademia për ne ka qenë e pamundur të vazhdonim karrierën sepse kemi qenë të kufizuara edhe për shkak të moshës…
– Në fotografitë që pashë, më pëlqyen dy detaje: veshjet tuaja origjinale dhe flokët me gërsheta.
Kishit kostumiste të mirëfillta atëherë, apo ju duhej të mendonit vetë edhe për veshjet?
Flokët me gërsheta i mbanit ashtu edhe në të përditshmen tuaj?
Po, në operetën “Lejlaja” gërsheta natyrale kam pasur vetëm unë ndërsa veshjet i kemi përgatitur vetë: pra kemi blerë copën dhe pastaj e kemi qepur tek rrobaqepësi, ashtu siç kemi bërë normalisht. Në atë kohë nuk ekzistonin rroba të gatshme. Tek Opereta “Lejlaja” kemi përdorur rrobat tona, nuk kishte kostumist; ndërsa tek Opera “Mrika” rrobat janë përgatitur nën kujdesin e kostumistes (ka qenë femër, Marije Curani). 


– Prenk Jakova:
 Meritat profesionale të tij janë të padiskutueshme.
Po si temperament, si ishte? Si raportohej ai me të gjitha ju vajzat e grupit e me koleget në përgjithësi?
Përveç vetive të tjera, Prenka ishte një person sanguin; këtë e shprehte kryesisht gjatë punës, p.sh. në qoftë se orari i provave fillonte në orën 20,00 dhe t’i shkoje me 5 min. vonesë, Prenka të përjashtonte atë ditë nga provat. Ndërsa në qoftë se mungoje disa herë, të përjashtonte përfundimisht. Kishte aftësi të mëdha drejtuese dhe ishte një punëtor i palodhur…
Prenka ishte një person shumë rigoroz për sa i përket punës, ndërsa në kohën e lirë ai ishte i shoqërisë dhe me shumë humor. Shpeshherë mblidheshim, të shtunën ose të dielën për të ndenjur bashkë me njëri-tjetrin, ai i njihte mundësitë tona të vogla ekonomike, prandaj na ofronte me shpenzimet e tija: birrë, ëmbëlsira etj.

liza-gajtani-3

– Sot, ju kujtohet ende ndonjë fragment nga këto opera?
Ju qëllon t’i këndoni, qoftë edhe nën zë nëpër shtëpi?
Sigurisht, bile më pëlqejnë shumë. Më pëlqen “Rapsodia e gjyshit”, “Aria e Mrikës”… edhe këngët e korit. Nuk mund të them se ndonjëra nuk më pëlqen, më pëlqejnë të gjitha. 
Ju jetoni në Itali, në Firence.
Ju mungon Shkodra? A keni gjetur ndonjë ngjashmëri të vogël ndërmjet Firences e Shkodrës, për të përmbushur sadopak nostalgjinë e vendlindjes?
Po, nganjëherë, më mungon Shkodra. Kam gjetur ngjashmëri ndërmjet humorit dhe batutave të shkodranëve dhe atyre të fiorentinëve. Njësoj kemi edhe lulet, që dikur janë rritur në oborret e shtëpiave shkodrane, p.sh. lule vile (jargavan), karafila, trëndafila, etj.
– Ju falënderoj në emër të redaksisë së ALBANIA NEWS për praninë tuaj me këtë intervistë dhe për shembullin pozitiv që keni lënë në origjinalitetin e seriozitetin e artit shqiptar edhe në një distancë të konsiderueshme kohore.

 

Marrë nga Albania News