Published On: Fri, Nov 3rd, 2017

Lec Shllaku

Kolec (Lec) Shllaku u lind më 3 nëntor 1921 në qytetin e Shkodrës. Leci mbeti jetim nga babai që 4 vjeç në ato kushte ai bashkë me nënën dhe dy vëllezërit u rrit në shtëpinë e dajës, i cili ishte rrobaqepës e  kishte pasion teatrin, bejtet, karnavalet e sportet. Në shtëpinë e dajës do të takohej me shume njerëz të pasionuar që merrnin pjesë në lëvizjes së pasur artistike amatore të Shkodrës. Në kohë karnavalesh shtëpia kthehej në prapavijë teatri, bëheshin prova dhe 34 makina qepëse punonin kostumet. Daja e merrte me vehte në provat e shfaqjeve që bëheshin në kinemanë-teatër “Shkodra”. Leci kreu shkollën fillore në “Shkollën e Fretënve” dhe të mesmen në gjimnazin “Illyricum”. Klasën e fundit dhe maturën e merr në shkollën “28 Nëntori”. Më pas përfundon Institutin 2-vjeçar dhe studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi.

Lec_Shllaku-1

Lec Shllaku

Fillimet e tij artistike i përkasin teatrit amator, para dhe sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Nga viti 1945 – 1949 ai vë në skenë me amatorët, disa pjesë të suksesshme, ku angazhoi një sërë aktorësh amatorë, që më vonë u bënë bërthama e teatrit “Migjeni”, që u krijua në vitin 1949. Të kësaj kohe janë pjesët “Agimi”, “Kopraci”, “Jeta fillon përsëri”, “Shërbëtori i dy zotnive”, “Tirani i Padovës”, etj, pjesë që patën suksesin e vet, të vëna në skenë në harkun kohor 1945 – 1960. Për një vit, 1949-’50 punon në Teatrin Qendror të Ushtrisë. Prej vitit 1951 deri në 1960 punon pranë teatrit të Shkodrës, i cili deri në atë kohë udhëhiqej nga Andrea Skanjeti. Në Shkodër punon me aktorët e mirënjohun Zef Jubani, Tinka Kurti, Antonjeta Fishta, Lec Bushati, Vitore Nino, Preng Lkunda, Adem Kastrati. Fryt i këtij bashkëpunimi ishte edhe vënia në skenë e «Kopracit» me aktorin Zef Jubani në rolin kryesor. Së bashku me regjisorin tjetër të këtij teatri “Artistin e Popullit” Andrea Skanjeti, Lec Shllaku ka merita në konsolidimin e këtij teatri, duke i dhanë atij një fizionomi kombëtare dhe duke e bërë teatrin e dytë me rëndësi në Shqipëri, që për vite krijoi vlera të mëdha dhe që u ballafaqua me sukses edhe me Teatrin Popullor të Tiranës. Në vitin 1962 krijoi dhe më pas drejtoi teatrin profesionist “Skampa” të Elbasanit ku qëndroi për rreth 10 vjet. Leci vuri në skenën e Elbasanit si regjisor dramat : “Linda”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “I pesti u zu gjallë”, “Udha e gjatë”, “Udha e zavalinajve”, “Firmat e vogla”, “Skënderbeu”, “Shqetësimet e Sokratit”, “Rrethimi i Bardhë”, etj. Leci dha kontributin e tij edhe në fillimet e kinematografisë sonë të re, ai interpretoi në filmin e parë të bashkëpunimit shqiptaro-sovjetik “Skënderbeu” etj.

lec_shllaku

Lec Shllaku në rolin e Gjon Kastriotit në filmin Skënderbeu

Lec Shllaku u nda nga jeta në Shkodër më 5 gusht 2007 duke ka lënë mjaft vepra, dorëshkrime, punime artistike, romane, tregime, novela, monografi, kujtime.
Lec Shllaku mban titullin “Artist i Popullit” dhe “Qytetar Nderi” i Elbasanit

Botime:
Monografi “Zef Jubani” (e ripunuar në vitin 2004),
Dramë operistike “Hajria”,
Poemë “Norja e Nika” (rreth 2500 vargje),
Studim “Maska shkodrane” (mbi lindjen e rrugën e zhvillimit të komedisë shkodrane),
Monografi Artisti i Popullit, Loro Kovaçi,
Monografi Muzikanti Palok Kurti,
Studim “Shtegtimi i monumenteve”(studim për kontributin e ushtruesve të kulturës),
Mbresa “Dy hapa në perëndim” (përshtypje udhëtimesh, botuar në tri gjuhë: shqip, italisht, greqisht),
Roman “Plaka dhe harkoçi Miki” (romanth tragjik).

Filmografia:
Loin des barbares – (1994)
Rruga e lirisë – (1982)
Qortimet e vjeshtës – (1981)
Plumba perandorit – (1980)
Rrugicat që kërkonin diell – (1975)
Yjet e netëve të gjata – (1972)
Ngadhënjim mbi vdekjen – (1967)
Skënderbeu (film) – (1953)