Published On: Tue, Feb 13th, 2018

Kush ishte Shën Jeronimi i Ilirisë

toni cobani Gazeta Vatra

TONIN ÇOBANI

Nga TONIN ÇOBANI

TIRANE- Urë lidhëse e Ciceronit me kulturën perëndimore të mëpastajme është Jeronimi (Eusebius Sophronius Hieronymus, 347- 420), i njohur si Shën Hieronymi, apo Shën Jemia, një figurë e përmasave botërore, por pak e konsideruar në Shqipëri, megjithëse shqiptarët mund të krenohen me të, thjesht për faktin se ai ishte nga Iliria. Anekdota thotë, se, në kohën kur kristianizmi kishte fituar epërsi, si e vetmja ideologji perandorake, Jeronimin e Ilirisë e përfolën si pagan, për shkak se promovonte kulturën klasike.

Por në të vërtetë, ai vetë ishte i ndërgjegjshëm për atë që bënte, duke pajtuar kristianizmin e hershëm me kulturën klasike greko-romake, prandaj shkroi një ese ku paraqet gjyqtarët, të cilët, kinse në një ëndërr, e dënuan duke e kamxhikuar me akuzën se ishte ciceronian e jo kristian. Është pikërisht kjo vetëdije e shprehur në veprat e tij diturore, që ne mund t’i trajtojmë si ese (ose që i paraprijnë gjinisë së esesë) për idetë origjinale të qëndrueshme dhe stilin vetjak polemizues…

Jeronimi ka dëshmuar se atdheu i tij është Iliria
Vetë Jeronimi e ka dëshmuar me të shkruar se atdheu i tij është Iliria (pra, jo me origjinë ilire) dhe se kishte lindur në qytetin Stridoni (Dalmaci), që gjendej diku pranë Panonisë, sot territor i Kroacisë. Ai u largua nga vendlindja në moshën 18-vjeçare për të mos u kthyer më kurrë. Në Romë studioi latinisht me mësuesit më të mirë të kohës, dhe greqisht. Pasi kreu në qendrën e Perandorisë Romake studimet e plota filologjike, teologjike e filozofike, u vendos për tre vjet në Lindje, ku mësoi hebraishten: zotëronte 7 gjuhë, përfshirë edhe ilirishten, për të cilën na ka lënë dëshmi interesante. Në vitin 382 papa Damas e thërret në Romë. Si këshilltar i kreut të Kishës Katolike, Jeronimi shpalos aftësitë e veta që e venë në krye të dijetarëve dhe shkrimtarëve të kohës, veçanërisht me letrat e tij të bëra publike, të cilat përshkohen nga një satirë e mprehtë për shoqërinë romake të atëhershme, duke mos kursyer edhe organizimin e ngurtësuar të Kishës.

Ndoshta, për këto arsye ai bëri shumë armiq, ashtu si kishte edhe shumë miq e pasues. Në Romë, Jeronimi i Ilirisë ishte ngarkuar të rishikonte përkthimin në latinisht të Testamentit të Ri. Por me vdekjen e Papë Damasit (385), ai detyrohet të largohet përgjithmonë nga Roma për t’iu kushtuar jetës së jeremitit në shpellat e Tokës së Shenjtë, në Betlehem, ku kaloi 34 vitet e fundit të jetës. Atje, në të parin manastir murgjish, që kishte ngritur vetë, përfundon Vulgatën, që është rishikimi i Testamentit të Ri, dhe përkthimi nga origjinali në latinisht i Testamentit të Vjetër. Me interes edhe në ditët e sotme janë komentet e tij për Biblën tek vepra “Kronikat”.

Studiuesi Buzhala ka vërejtur se “duke e krahasuar Psaltirin me kumbimin harmonik të poezisë së Pindarit e të Horacit, kurse te Libri mbi Jobin… (duke) veçuar harmoninë,… në kontekstin historiko-letrar dhe në rrafshin e teorive letrare, do të mund të flitej, me siguri të plotë, për një teori e poetikë të Shën Hieronimit.” Konkluzione të tilla vijnë kryesisht nga komentet e Vulgatës si dhe nga vepra të tjera të Jeronimit të Ilirisë, si: “Epistolari”, “Njerëz të shquar”, “Polemika”, etj., që konsiderohen themele teorike të mendësisë perëndimore. Studiuesit seriozë e kanë vendosur Shën Jeronimin e Ilirisë përkrah Shën Agustinit (354–430), si dy fytyrat më të rëndësishme të Kishës Latine… Shën Jeronimi, cilësohet filolog erudit e polemist me një stil të fuqishëm ciceronian, prandaj mori edhe nofkën “Ciceroni i Krishterë”. Jeronimi i Ilirisë konsiderohet si pararendës dhe hero frymëzues i Rilindjes Evropiane.

Natyra rebele e Shën Jeronimit
Ndoshta duhen shtuar edhe shumë fakte të tjera, për të cilat Jeronimi i Ilirisë edhe u sulmua ashpër nga krahu mediokër i kohës së tij. Jeronimi i Ilirisë, p.sh., s’pranonte asnjë kufizim në procesin e njohjes njerëzore, prandaj iu drejtua dhe citoi klasikët paganë greko-romakë, ashtu si do të bënin shekuj më vonë rilindësit. Ai ishte kundër çdo kufizimi denatyrues të gruas, ashtu si bënë të gjithë rilindësit evropianë, duke lartësuar kultin e bukurisë dhe të intelektit femërore. Madje, Jeronimi i Ilirisë ishte edhe njeri i veprimit të pacensurueshëm. Kur nisi rrugët e jeremitit, ai mori pas vetes edhe disa vajza aristokrate (madonat romane), nxënëse të tij. Për të tilla sjellje dhe të tjera qëndrime laike e humane të Jeronimit të Ilirisë, rilindësit e zgjodhën si figurë-simbol dhe e evokuan në veprat e tyre.

Disa studiues kanë hulumtuar edhe lidhjet e Jeronimit me kulturën ilire (para e paskristiane) dhe me ilirishten, elemente të së cilës latinistët pedantë i kanë quajtur “gjurmë barbare” në veprën e Jeronimit. “Gjurmë barbare”, por me krenari i cilëson edhe vetë Jeronimi, sepse “jeta dhe vepra e tij vijnë si një dëshmi me peshë për vetë qytetërimin ilir të kohës.” Studiuesi Gasper Gurakuqi dallon dy-tre shprehje të tilla “barbare” në latinishten e Jeronimit, si: “Dignum patella operculum” (Ka gjetë rrasa vekshin), “Donec exeat per nares vestras” (Deri t’u dalin për hundësh) dhe “Quantum jactus est lapidis” (Sa e hedh peshën), të cilat nuk gjenden tek asnjë autor tjetër latin.

Gurakuqi, madje, sjell në shqip prej Jeronimit (Letra 7) edhe një dëshmi të mendimit të tij kritik për vendlindjen e vet, që po e citoj në gegërishten e sotme: “Në atdheun tem, e ndjek, ku trashamania rrin me shpi, bahet zot barku, e jetohet tue e shkue ditën me mend të tretun, e ma në shenjë asht kush asht ma i pasun. Shto (si thotë fjala) se e ka gjetë rrasa vegshin, priftin Lupicit… timonier i ligshtë i një barke zhavelle, e i verbër që u prin të verbërve kah gropa: si drejtuesi, ashtu gjindja e drejtueme prej tij.”

Shën Jeronimi në studimet e Nolit dhe Mjedës
I pari që e quajti shqiptar njeriun që në historinë e kulturës botërore, laike dhe biblike, njihet me emrin Shën Jeronimi, ka qenë Fan S. Noli. Ndërsa i pari që skicoi një jetëshkrim për tekstet e shkollave dhe e riaktivizoi emrin e tij në trojet shqiptare ka qenë Ndre Mjeda. Ai, së bashku me të vëllanë, Lazër Mjedën, aso kohe kryeipeshkëv i Shkodrës, themeluan shoqërinë letrare Jeronime ose Shën Jeronimi, që merrej me botimin e teksteve të vjetra në gjuhën shqipe.

Deri atëherë, së paku, asnjë nuk e kishte vënë në dyshim, se babai i shkencës letrare mesjetare dhe i asaj biblike, Jeronim Euzebi i përket grupit të shkrimtarëve ilirë (“Scriptores Ilyriani”)… Jeronimin e Ilirisë e kanë quajtur: “Babai i kishës latine”, “Erudit dhe filozof më tepër se teolog”, “Themelues i shkencës letrare mesjetare dhe asaj biblike”, “Njeriu që realizoi një bashkëjetesë të pëlqyeshme midis formave klasike dhe doktrinës kristiane”, “Pajtor i bibliotekave, përkthyesve, satiristëve, polemistëve”, “Polemist i ashpër dhe shkrimtar model i artit të fjalës”, dhe “Secila kohë tek ai ka mundur të gjejë shëmbëlltyrën e saj”, prandaj shkrimet e tij origjinale janë modele pararendëse të eseistikës evropiane.

Njohja e veprës së këtij dijetari ilir dhe veçanërisht, studimet e pritshme për artin e tij të të shkruarit, domosdo që do ta kthjellonin më tej edhe ndër shqiptarë kontributin e Jeronimit të Ilirisë në kulturën evropiane. Nga ana tjetër, kurdo që të rishkruhet një histori e gjithëmbarshme e letërsisë së shqiptarëve, përfshirë edhe kontributin iliro-shqiptar në gjuhët e mëdha të qytetërimit evropian ku duam të integrohemi, kryevendi do t’i takojë Jeronim të Ilirisë (edhe si pararendës i esesë evropiane, ndoshta po aq sa mjeshtri i tij Ciceroni).

Nëse piktura e Renesancës Italiane (dhe jo vetëm ajo) u frymëzua prej Shën Jeronimit të Ilirisë, atëherë kjo figurë është një kontribut iliro-shqiptar edhe për Renesancën Evropiane, si dhe për qytetërimin e sotëm, ashtu si mbetet gur-themel i qytetërimit të sotëm vetë epoka e ndritur, e quajtur Rilindja Evropiane. Gjithsesi, pavarësisht ç’qëndrim do të mbahet në shkencat tona albanologjike, Jeronimi i Ilirisë “ishte studiuesi më i madh i antikitetit për perëndimin e krishterë”.
(Fragment nga libri “Eseistika”. Botuar me shkurtime. Mestitujt janë redaksional)