Nga Kolec Traboini /

– Deputeti Koço Kokëdhima ma përmend emrin 5 herë në një polemikë për Kinostudion, por në nëntitull del Mero Baze?! – Gazeta SOT 22 gusht 2014 f. 4

Që në krye do ta them që mos pandehni se lakimi i emrit tim në shtyp më krijon komplekse emocionale, kjo nuk është një gjë e re as për mua por as për shtypin shqiptar. Jo. Kush i ka arkivat e gazetës “Bota Sot” në Zvicër, le të shfletojnë prillin e vitit 2001 dhe do të gjejnë 15 numura gazetës në të cilën emrin im anatemohet nga islamistët fanatikë që kërkonin ta bënin Shqipërinë çorbë arabe. Madje me gërma të mëdha sa gjithë faqja e gazetës i shkruar emri im, ndaj them nuk është ndonjë sadifaksion i madh kësaj here se këtyre zërave u shtohet edhe një emër tjetër. Përmëndëm 5 herë por në krye në nëtitull është vënë gazetari Mero Baze, i cili në shkrim është përmëndur vetem 2 herë. Problemi ështe se mos vallë më ka kursyer në nëntitull deputeti Koço Kokëdhima apo më kanë mbrojtur kolegët e mi të Gazetës “Sot”, mbrojtje që unë nuk e kam kërkuar. Kujt pra t’ ja di për nder që nuk më kanë vënë emrin në nëntitull sepse në të vërtetë i tërë shkrim-shpërthimi i deputetit të pushtetit është kundër meje. E drejta e tij.
Ju njoftoj se në të ardhmen përgjigja ime do të jetë më e plotë, e denjë për një deputet më pushtet të pakufizuar, por nuk do të hyj në hollësira sa fije bari ka prishur Koço Kokëdhima në Kinostudio por se Koço Kokëdhima është i pari, një meritë historike shkatërrimtare kjo, që pati idenë e mbrapsht e tinzare për ti kthyer anekset e Kinostudios në Stacion Televiziv. Kësisoj në gjurmët e Koço Kokëdhimës do të ecnin më pas të gjithë të tjerët me Klanin e stacionet e Ndroqit e tërë ajo masë lajmaxhinjësh që bëjnë politikë partish, duke e kthyer Kinostudion, atë oaz të blertë e pasuri kombëtare në një çerdhe intrigash për të shqyer pasurinë e popullit.
Sa për aperitiv, desha veç ta pyes deputetin në pushtet, Koço Kokëdhima, a di gjë prej gjëje pse u pushua drejtori i fundit i Alba Filmit që sapo ish emruar në atë detyrë?! Çfarë nuk pranoi të firmoste drejtori që e hoqën dhe a e firmosi drejtoresha e re Xhuljeta Vathi marrëveshjen që mbahet e fshehtë nga publiku? Kush ka shkuar me letra në dore? Çfarë në thelb ishte ajo marrëveshje?
Në të ardhmen kjo temë meriton një shkrim më të plotë për gjithçka që ka ndodhur më këtë shkatrrim të një mjedisi për të cilin as shoqata e mbrojtjes së mjedisit nuk pipëtin. Për ministrinë me këtë emër tashmë butaforik në Shqipëri Mjedis as që bëhet fjalë. Dua ti kujtoj Kryeministrit Rama se në këtë institucin, që ne e konsiderojmë një tempull arti ka punuar edhe dajua i tij, kolegu e miku ynë Niko Koleka i cili nëse do të qe gjallë sot do të protestonte po kështu si ne.

Kinostudio 1952
Kinostudio në vitin 1952

Personalisht si ish punonjës i Kinostudios për 16 vjet i shpall të gjithë këta një grupim që shkatërruan vlera kombëtare, dëmtues të pasurisë së popullit për të cilën duhet të përgjigjen. Nuk do të përkrah asnjë qeveri apo parti që e konsideron të ligjëshme këtë shkatrrim e nuk lufton për kthimin e Kinostudios në indentitet. Të shporrën të gjitha stacionet televizive politike nga Kinostudio. Të hapet një proces gjyqësor për grabitësit e pronave publike. Të kthehet Kinostudio në indentitet, megjithëse ullinjtë 500 vjeçarë që nga koha e Skënderbeut që ishin në Kinostudio është e pamundur të kthehen, sepse i shkatrruan ata që në vend të ullinjëve mbollën beton.

22 gusht 2014