Published On: Sat, Oct 22nd, 2016

Kallmeti fshati i “intrigave” kundër Ismail Qemalit, i verës dhe ullirit Kallmet

kallmeti-Pikture e Piktorit Pashk Pervathi pedorur si kopertine nga shkrimtari me origjine nga Kallmeti Lek Gjoka ne librin e tij me tregime Perroi i Djallit

Kallmeti-pikture e piktorit lezhjan Pashk Pervathi

 

Shumë kohë më parë, aty më shekullin e XVII në këtë vend te quajtur Kallmet ka ndodhur një nga intrigat më të mëdha të religjionit shqiptar. Frang Bardhi, bir i këtij fshati do të zinte vendin e Pjetër Budit, të mbytur në Drin pak kohë më parë.

Nga: Ben Andoni

Në Kallmet nuk ka më intriga, por përpjekje për t’u identifikuar. Kallmetorët i janë kthyer verës dhe ullirit dhe tash duan të identifikohen me resurset e tyre të mira natyrore. Toka të papunuara, por vullnet për të ndryshuar dhe shpresë se pak nga pak diçka do të ndryshojë. Është qendra historike e Ipeshknisë së Lezhës dhe vend i personazheve të mëdhenj historikë si Frang Bardhi e të tjerë. Gjithsesi, është ende emigracioni që rregullon jetesën e banorëve dhe historia që mban gjallë egon e tyre

“Mbledhës shqiptarë të ullirit”, titullohet një tablo e njërit prej piktorëve më të shquar amerikanë të të gjitha kohërave, John Singer Sargent

“Mbledhës shqiptarë të ullirit”, titullohet një tablo e njërit prej piktorëve më të shquar amerikanë të të gjitha kohërave, John Singer Sargent

Nëse rruga e re që përshkon fushën verilindore nuk do të ishte aty ku është, Kallmeti i Lezhës do të ishte bajagi larg. Në fakt, vetëm pak kilometra nga Lezha, djathtas, një tabelë të lajmëron vendin. Dhe, vërtetë po të kthehesh, për pak je në qendër të Komunës me të njëjtin emër. Në pak minutat që shkon deri në qendër dhe ku rruga e re ka marrë plasaritje të tëra të punës së parregullt, mbërrihet. Fusha të papunuara dhe tek-tuk ndonjë grua me veshjen e zonës së Kallmetit të shoqërojnë nga dy anët. Dikur, po të sjellim në kohë Teodor Ippen: “Nga vërshimet e Drinit dhe të degëve të tij, fusha bëhet e pakalueshme nga lluca e moçalet për një pjese të madhe të vitit dhe pse bie niveli i lumit. Nga kjo gjendje dhe fillimi i shpejtë i vapës e pësojnë shumë kushtet sanitare. Veçanërisht në muajt e verës këtu nuk këshillohet udhëtimi. Gjatë ditës mbi fushat pa jetë rëndon si plumb vapa dhe gjatë mbrëmjes dhe orëve të natës të kërcënojnë mushkonjat dhe malarja. Pjesë të mëdha toke qëndrojnë djerrë apo të mbuluara me shkurre të pakalueshme. Të mbjellat janë të pakta edhe këto me prodhim minimal”. Një burrë i vjetër ndanë udhës me një kokë epike, mundohet të më sqarojë diçka që nuk e kuptoj. Udha, apo ullinjtë?

veshe e nuses kallmetore

Nuse kallmetore – mozaik

kallmeti-veshje kallmetore 1

Kallmeti-veshje kallmetore

kallmet_kallmet.it88

Veshje e nenes kallmetore

 

 

Intermexo 1

Mbase nga kjo udhë, më 1913-n, një emisar i Esat Pashës po rendte drejt Preng Pashës, që qëndronte në Kallmet. Sipas fjalës që ai ka nxjerrë, në letër kërkon mbështetje për Princ Vidin, që është shënuar si mbret. Katër letra të tilla do të përcillen në Shkodër drejt Myfti Adem Efendisë, Alush Lohjën, Sulçe Begut dhe Muharrem Kazazit. Esati si Esati. E vërteta është ndryshe. Sekretari i Preng Pashës Ibrahim Kumanova, kur hap letrën, shikon të shkruar krejt ndryshe: “Si Ministër i Mbrendshëm erdha të punoj në Durrës, se me Ismail Qemalin nuk punohet. Pra, të vini e të bisedojmë për një princ turk”.
Mbase kur e ka hapur letrën Preng Pasha duhet të jetë tronditur, por ky kujtim i Sejfi Vllamasit është i largët në kohë. Në këtë ditë të parë të pranverës, një erë e fortë dhe një ditë e mugët nuk të bën të merresh shumë me përsiatje. Fatmirësisht, bash aty, pranë një mjedisi shërbimi, qëllojmë me njeriun, që do të na ndihmojë në të gjithë reportazhin. Quhet Lorenc Coli.

Në Kallmetin e sotëm

kallmet

Pamje nga Kallmeti dhe mali i Veles

Pak minuta mjaftojnë për 50-vjeçarin e edukuar, që të kuptojë gjithçka dhe të na orientojë në të gjitha vendet, ku jemi të interesuar të shkojmë. Qëllon, që është edhe sekretari i komunës. Nuk ngutet. Ndërkohë bën lidhjen me kryetarin. Dy gra me veshjen tradicionale të Kallmetit, pak më të modifikuar, e tërheqin veç Lorencin. Burri duhet të jetë vërtetë i rëndësishëm. Veshja e tyre i ngjan pak asaj të Zadrimës, kurse antropologjikisht banorët kanë një kokë interesante, si ajo e plakut të para-takuar, që ruan një shprehje krejt muzeale në fytyrë. Nuk ia kam kuptuar aq mirë shqipen. Lorenci do të jetë i pari që më flet për fshatin. Ka qenë në emigracion, por si të gjithë kallmetorët është rikthyer. Ëndrra e tij shkonte deri te një biznes i thjeshtë në fshatin e tij. Bëri një klub dhe pak nga pak e shndërroi në një dyqan fshati. “Kursej më shumë këtu sesa kur isha atje”, na sqaron në një klub të thjeshtë. Në një farë mënyrë kjo duhet të jetë dhe dëshira e fshehtë e banorëve. Emigracionin e ka parë në të gjithë anët dhe jo pak herë me vuajtjet e kalimit në mal në fillim të viteve ’90. Sot, agronomi, bën një jetë të qetë dhe i gëzohet vendit të tij. Dhe, duket i kënaqur. Çuditërisht, pak minuta më parë një fshatar, që nuk do të më rrëfejë emrin, ma ka bërë situatën shumë zi. “Keç. Keç. Nuk kena kurr nji send…”. “Po toka”, e pyes. “Ah…”. Në përroin e fshatit, dy të vjetër vazhdojnë të patrazuar të bëjnë një mbrojtëse guri. Nga sipër i këqyrin dy të rinj me duar në xhepa, që me sa duket presin furgonin 50 lekësh për në Lezhë. Të rinjtë tentojnë të ikin në masë dhe me këtë sy i shikoj të gjithë të rinjtë këtu. Është e rrallë të shikosh shqiptar të ri që punon. Të vjetërit e mbetur, kujdesen për shtëpitë, por edhe që emri i Kallmetit të mos humbasë në këtë kohë të frikshme globalizmi. Nga statistikat janë 900 familje dhe 3900 banorë në Kallmet, nga të cilët 1050 banorë me 862 krahët e punës jetojnë me emigracionin. Kryetari i Komunës, një burrë i qetë dhe shumë i edukuar, por që kur i afrohet komunës, vihet disi në alarm, ma konfirmon. Petrit Marku është në mandatin e parë dhe puna e tij po duket në infrastrukturë. E pranon se është emigracioni, burimi kryesor i jetës këtu, dhe në një intervistë të shkurtër do më pohojë problemin e pronësisë mbi tokën. Është i hapur dhe sillet thjeshtë. Kërkon t’i flasim qartë…

Vera

Vreshta Rrush Kallmet

Vreshte rrushi Kallmet

Mundohem t’i flas qartë. Ai vetë ka meritën se veç të tjerave ka ideuar dhe i bën upgrade sitit të komunës së vet, ku ka të gjithë njoftimin e duhur. Mbi bustin e tij gjendet, një pikturë e Pashk Përvathit, ku jepet në stilin e zakonshëm të tij Kallmeti. Nga aty, një e gjelbër e lehtë pikturon fshatrat e sotme në këmbët e malit të Velës. Pasuria e natyrës vendase në vetëdije duhet t’i turpërojë për vitet e emigracionit. Nga ana tjetër është e vlefshme për krejt kultivimin e vreshtave dhe ullinjve. Për hir të historisë, Kallmeti ka mbetur më shumë i njohur për një kultivar të jashtëzakonshëm vreshte, me të njëjtin emër, që kërkon vetëm specifikat e klimës mesdhetare fushore me dimrin e butë e të lagësht të reshjeve të këtij vendi. Një historian i njohur në Tiranë e lidh këtë kulturë me mbetjet e kryqtarëve në vendin tonë dhe traditat që ata përcollën. Gjok Gjini, 42-vjeçar ka meritën që e kapi menjëherë idenë. Ai ngriti më 2003-shin së bashku me vëllezërit e tij kantinën “Arbëria” që po shfrytëzon direkt kultivarin vendas, por edhe që po ndihmon që banorët e tjerë t’i kthehen edhe ullirit. E veçanta e prodhimit është varieteti i rrushit autokton shqiptar Kallmet, që ka marrë jetë në vreshtat e Bukmirës në një sipërfaqe prej 100 ha. Vëllezërit kanë bërë një fabrikë model, e cila dalëngadalë po merr tregun e vet. Nga 500 litrat e fillimit tashmë kanë arritur të prodhojnë 22.000 litra. Projekti, që u nis nga Agjencia për Kooperim dhe Zhvillim, u la në mes më 1997 dhe prishi gjithçka për t’iu rikthyer sërish. E motra e Gjokës më shpjegon funksionimin e impiantit tani, por edhe sesi pak nga pak po marrin tregun. Gjoka është larguar pak më parë.

vere Kallmet

Vere Kallmet

 

Retro-religjion

skulptura e Shenn Eufomise-kallmet

Skulptura e Shën Eufomise-Kallmet punin i skulptorin kallmetor Tonin Prendi në një shkemb që ndodhet në mbrëndesi të kishes së Shën Eufomise

 

kallmet_kallmet.it3

Kisha “Zemra e Krishtit” ne Kallmet te madh

 

kisha e Shen Oufemise

Kisha së Shën Eufomise qe daton qe nga shekulli XII

Shumë kohë më parë, aty më shekullin e XVII në këtë vend ka ndodhur një nga intrigat më të mëdha të religjionit shqiptar. Frang Bardhi, bir i këtij fshati do të zinte vendin e Pjetër Budit, të mbytur në Drin pak kohë më parë. “Më 1671, do më kujtojë, mësuesi i vjetër Zef Toma, në një dokument të shkruar Kallmeti përshkruhet si një fshat ku ekziston një lagje me emrin Bardhaj me 250 banorë, të gjithë katolikë. Duhet të ketë pasur dhe myslimanë”, shton si nën zë. Në historinë tonë, Frang Bardhi, atëherë 30-vjeçar, bir i kësaj lagje, emërohet peshkop i Sapës dhe Sardës dhe merrte në drejtim të gjithë kishat e zonës. Të kujtosh se anë atë kohë, ky post përkthehej pasuri dhe jetë të qetë. Ai s’iu dha kësaj jete. I ungji i tij Gjergj Bardhi, peshkop i Tivarit dhe me shumë aktivitet, u bë sebep, me sa duket për drejtimin e nipit të tij. Deri më atëherë, ai kish formimin më të mirë të kohës. Arriti të mbarojë seminarin e Vatikanit “Propaganda Fide” dhe ishte Doktor në Filozofi dhe në Teologji dhe me një kualifikim të rrallë. Këtë e vendos që të punojë për lartësimin e shpirtrave dhe zbutjen e problemeve shpirtërore. Patrioti dhe teologu do të jenë një. Ai do ketë privacione, por edhe gëzimet e kësaj jete. Autori i dy veprave të paharrueshme për kulturën tonë, Fjalorit “Latinisht- Shqip” dhe “Apologjisë së Skënderbeut”, do të hedhë dritë për vrasjen e Budit. Gjyqi drejtohet nga Orsini, hierarki i lartë fetar i kohës, që mundohet dhe e hedh poshtë akuzën. Vrasësi, abat i një abacie afër, mbetet i lirë. Frang Bardhi i pezmatuar tërhiqet. Por, pas kësaj, do mbahet mend për një masë të madhe relacionesh drejt Vatikanit, ku përshkruan skamjen e bashkëfshatarëve të tij, e do mbyllë jetën shumë i ri, 37 vjeç. Kallmeti do të ringjallet sërish, kur shekuj më vonë në fronin e tij do ulet një nga klerikët më të ditur shqiptar At Luigj Bumçi. Ky i fundit do jetë delegat në Konferencën e Paqes dhe një nga mbrojtësit e Korçës dhe Gjirokastrës, prej aneksimit grek. Në ditët tona është shtëpia e rrënuar e tij, por askund një tabelë përkujtimore. Për fat, banorët ruajtën besimin dhe objektet e kultit. Në kreshtën sipër fshatit qëndron Kisha “Shën Eufemia”, nga më të vjetrat në vend, që daton në shekullin e XIII dhe një sërë kishash të tjera, më poshtë. Dy kisha të tjera janë ajo e Shën Kollit dhe e Zonjës Ruzare. Kisha e Shën Kollit në varreza u prish dhe Imzot Bumçi duke parë që u shtuan banorët, nxori leje për një kishën të re. “Ishte dhe një kishë tjetër e madhe e paprishur, të cilës iu prish vetëm gjysma e majës së kombajnerit me regjimin e komunistëve. Sot është bërë një kishë fenomenale nga zbukurimi. E ka bërë një skulptor vendas, që quhet Tonin Prendi, që ka bërë një skulpturë në shkëmb pas ’90”, shton Zef Toma, një burrë i qetë dhe i paqëm.

Luigj bumci

Imzot LUIGJ BUMÇI

Frang-Bardhi

Intemexo

Dan Hasani, një figurë e njohur e kohës, dërgohet te Esat Pasha që i thotë mesazhin direkt të Preng Pashës “Nuk e shoh të arsyeshme të ngrihet një qeveri e re, pse bën përshtypje të keqe në botën e jashtme në dëm të Shqipnisë, ashtu si me dasht të ngreh dhe unë një qeveri në Mirditë, sikur Gjeto Coku në Lesh që na diskrediton jashtë”. Hajde flasim unë si kryeministër dhe si ti ministër, nëse Ismail Beu ka të meta e rrëzojmë legalisht.

Historia

I paqmi, si askush tjetër, është vetëm ai. Zef Toma është jo vetëm mik i vjetër i gazetarëve, por dhe një njeri shumë i mirë. Ka të birin në Irlandë dhe kjo duket se e ka qetësuar disi prehjen e tij në pension. Ka vetëdijen e lartë të shtetit. Vishet kur do të flasë, ndërsa atë që s’e bëjnë burokratët e vendit tim, ai e bën në çdo hap. Skrupuloz. E adhuron Kallmetin. Më tregon lidhjen historike dhe dokumentimet dhe ato që ruan në shtëpi. Ka të ruajtura monedha të kohëve të ndryshme, çekiç hekuri, qeramikë, maja shtizash etj. Më tregon përshkrimin etimologjik të Çabejt për Kallmetin si vendi që vjen prej kallamit, që i ka dhënë jetës legjendës rurale, sipas të cilës këtu dikur ka pasur shumë kallamishte, por që kuptohet se në kohë prehistorike fusha u mbath nga aluvionet dhe ndryshimet e plota të natyrës. “Vendi ku janë sot kallmetorët është kodrinor. Duke qenë një vend kodrinor dhe ashtë shtrirë dhe drejt fushës,që nga ana e saj është krijim i prurjeve të përrenjve malorë. Ai është i vendosur mbi këtë vend. Vendi prej pjellorisë së tokës është i përshtatshëm për kultura bujqësore. Për fat, Kallmeti asnjëherë s’është përmbytur, por fusha po”. Më bën krahasimin e gjetjeve dhe është i bindur për datimet. Me iniciativën e tij, dikur, një skelet i gjetur është përcjellë direkt e në muzeun arkeologjik. Më tregon sesi afër fshatit, kalonte e ashtuquajtura Rruga e Malësorëve, sesi ikej në Orosh, që këtu për 5-6 orë, apo sesi mirditorët kur vinin duhet të mbanin pushkën me grykë poshtë apo sesi në një segment të fshatit ka kaluar Via Publica, që pastaj përcillej deri në Pukë. Burri është një historian i pasionuar dhe është tepër i kultivuar. Vetëm se aspak panegjirik për Kallmetin. Më tregon sesi kallmetorët mbajnë anën e opozitës kundër Zogut më 1924-n, ndërsa iu bëjnë rezistencë të plotë komunistëve. Këta të fundit s’mund t’ua falin edhe pse Kallmeti jep 84 luftëtarë. Të 12 shtëpitë e para të Kallmetit, ajo e Kolecit, e Mark Nok Jakut, e Mark Ndocit, e Hil Prengës, e Blushëve, e Kol Pjetrit, e Kol Pepës, e Kol Simonit… etj., e dinë mirë. Kanë qenë për shekuj qendër ipeshkvnie dhe komunistët nuk të falin. Nuk duan t’ia dinë edhe se këtu shkolla shqipe është që nga viti 1902, edhe se këtu është luftuar në gjithë shekujt për lirinë e Shqipërisë. Pak dëshmi, që sot janë Mulliri, kishat, e materializojnë kohën, që tashmë është e plazmuar në ADN-në e banorëve…Burri më pozon. E fotografoj. Ndahemi.

 



Jam sërish me Lorencin, që së fundi më përcjell te karakatina e mbetur e Imzot Bumçit. Si për ironi, objektet e kishës, në fshat janë të gjitha të rregulluara bajagi. I gjori Imzot, sikur ta pyesnin, me atë humorin e tij do t’u thoshte s’ka sepse-të paktën ju shpëtova Gjirokastrën dhe Korçën, nuk mjafton vallë? Lorenci është shumë modest dhe mundohet të mos më flas shumë për veten. Ndahemi dhe me të. Ndërrojmë numrat. Plakun e vjetër e gjej sërish, te ulliri, që banorët pretendojnë se është qindravjeçar. Quhet Nue Lleshi dhe është 78 vjeç. Ia shikoj më qartë tiparet. “Aj djelt e mi, boll jena keq. Boll kushte t’vështina e jeta është duke u maru…”. Largohemi në këtë ditë të vrenjtur.

”Djemtë e mij, Shqipëria me gjak humbet. Prandaj gjakun duhet ta evitojmë”, i përgjigjet Ismail Qemali, burrave që i vinë nga Kallmeti dhe i tregojnë intrigat…

Këtu është fundi në këtë ditë të vrenjtur marsi të vitit 2011. (Mapo)

Leave a comment

You must be Logged in to post comment.