Published On: Sat, Oct 21st, 2017

Kadare: Kurthi serb, turqizimi ynë dhe armiqësimi me Evropën

kadare

Për fat të keq, bota i sheh shqiptarët më keq se ç’janë, më pak të emancipuar dhe më shumë të pagdhendur. Për një vizion të pasaktë, vështruesi mund të ketë gabimin apo fajin e vet. “Në rastin tonë nuk mendoj se ka ndonjë dashakeqësi të programuar. Ka qenë më tepër ndërlikim fatkeq rrethanash”, kështu thotë në një intervistë ekskluzive për gazetën “Zëri”, shkrimtari Ismail Kadare. Në përvjetorin e çlirimit të Kosovës, Kadare rikujton se 15 vjet më parë në historinë e Evropës dhe të SHBA-ve ndodhi diçka tepër e rrallë, për të mos thënë e panjohur, një luftë e një lartësie morale të paparë, që kryente pjesa më e përparuar e botës, për mbrojtjen e një populli gjysmë të humbur e të braktisur.

“Me dhjetëra kanë qenë popujt që kanë ëndërruar një mbrojtje të tillë e që, për fat të keq, nuk e kanë pasur dot”, shton Kadare.
Kështu që, sipas tij, mirënjohja shqiptare duhet dhe do të jetë, pa dyshim, e pafundme. Por sa i përket rritjes së disa grupeve antiperëndimore mes shqiptarëve, të indoktrinuar nga ideologji ekstremiste fetare, Kadare thotë se ky akt është më shumë se mosmirënjohje. Sipas tij, ky është një projekt i hershëm serb. “Famëkeqi drafti i Cubriloviçit, i cili ka parashtruar rrugën për të tërhequr në kurth shqiptarët. Thelbi i kurthit ka qenë armiqësimi shqiptarë – Evropë.

Në këtë draft, një vend i veçantë i kushtohej rolit që do të luanin imamët dhe hoxhallarët e Kosovës për shpërnguljen e një pjese të kombit shqiptar jashtë Evropës. Dhe sidomos për turqizimin e tij”, shton gjatë intervistës Kadare. Ai flet edhe për politikën e Beogradit ndaj shqiptarëve.

Kosova gjashtë vjet shtet i pavarur, në anën tjetër kemi Shqipërinë mbi 100 vjet shtet. Çfarë drejtimi janë duke marrë shqiptarët?
Siç është thënë shpesh, shqiptarët pas një shkëputjeje të gjatë, po rikthehen më në fund në kontinentin e tyre. Kahu që janë duke marrë shqiptarët, përpara se të cilësohet i tillë, apo i atillë, mendoj se ka një cilësim: ai është kahu i vetëm. Çdo kah tjetër nuk do të ishte veçse një rrugë pa krye, një moskah, po të përdorim një fjalë të guximshme.

Shkëputja nga Evropa dhe rikthimi në të, është një histori sa e vjetër aq dhe e re. Ka nisur, siç dihet, me spanjollët, ka vazhduar me krejt ballkanasit, me europianoqendrorët, me balltikasit, për të arritur gjer në ditët tona, kur gjaku nisi të derdhet në Ukrainë, mu në sytë tanë.

Për secilin nga këta popuj, që fati e solli të kenë pasur ndërlikim me arabët, me osmanët ose me ish-hapësirën sovjetike, e cila pas rënies së nazizmit, zgjodhi përsëri kundërvënien ndaj Evropës, shkëputja dhe rikthimi kanë qenë një dramë e vërtetë. Me ne s’kishte pse të ndodhte ndryshe.

Në numrin e nesërm mund të lexoni: A po fryn erë e përçarjes në mes dialekteve? Si e sheh Kadare debatin mbi standardin e gjuhës shqipe, a duhet rishikuar njësimi i 1972-shit? Nga po shkon kombi shqiptar…Gjeografikisht jemi në Evropë, por cila është mendësia e shqiptarëve, sa afër Evropës realisht jemi?
Jo vetëm jemi, por kemi qenë gjithmonë gjeografikisht në Evropë. Për shqiptarët s’ka pasur një tjetër gjeografi nga e cila ata kanë dalë, për të zgjedhur një më të mirë, ose më përfituese.
Ashtu siç nuk kanë pasur tjetër histori, të cilën janë përpjekur ta mbulojnë për arsye të ngjashme. Lidhur me pyetjen nëse gjeografia dhe historia evropiane mund të të bëjnë vetvetiu pjesë të qytetërimit evropian, çështja ndërlikohet.

Mendësia, për të cilën juve pyesni, thënë ndryshe, qytetërimi, doket e tij, s’kanë qenë në asnjë rast të prera si me thikë. Gjermania e kohës së Hitlerit ose Italia e Musolinit, dy vende në qendër të Evropës, përpara se të nisnin marrëzitë, pushuan së qeni qytetërim evropian, në atë kuptim tradicional pozitiv që i jepet kësaj fjale. Dihet se si Evropa i dënoi ata. E njëjta gjë mund të thuhet më pas për Millosheviqin.

Pas bombave, ishte pikërisht Evropa ajo, (Evropa e artit, elegancës dhe e sqimës, siç na pëlqen ta përfytyrojmë), që gjeti ashpërsinë e duhur, për ta mbyllur pa mëshirë në një qeli të Hagës, ku dhe do të vdiste në vetmi, si një shkretan. Evropa megjithatë nuk mund të jetë çudibërëse. Ajo s’e rrëzoi dot në gjallje Stalinin, Hoxhën apo Causheskun. Ndërkaq ajo ushqeu, me aq sa mundte, ëndrrën për rrëzimin e tyre.

Si na sheh bota, të emancipuar apo të prapambetur?
Për fat të keq, bota na sheh më keq se ç’jemi. Pra, më pak të emancipuar dhe më shumë të pagdhendur. Për një vizion të pasaktë, vështruesi mund të ketë gabimin apo fajin e vet. Në rastin tonë nuk mendoj se ka ndonjë dashakeqësi të programuar. Ka qenë më tepër ndërlikim fatkeq rrethanash.

Në radhë të parë ka qenë modeli i komunizmit tonë, më i keqi në kontinent. Dihet se fajin për të e kemi vetë, ashtu siç vetë ne dhe askush tjetër, do të paguajmë kujtimin e tij.
E keqja s’mbaron me kaq. Prirja e mbrapshtë për të rendur pas së keqes ka dhënë shpesh frytet e saj. Për të dhënë një shembull pak të njohur, pak kohë përpara bombardimit të Serbisë, në Paris qarkulloi pëshpërima se gjenocidi armen i vitit 1915 ishte drejtuar nga gjeneralët shqiptarë.

Pëshpërima synonte armiqësimin e lobit të fuqishëm armen me shqiptarët, rrjedhimisht me Kosovën. Ajo u përhap aty-këtu në Tiranë, e shoqërua nga një tjetër pëshpërimë e rreme: mohimi i mbrojtjes së hebrenjve, e shpallur prej «çmitizuesve» vendas si «mit kombëtarist».

E vërteta ka qenë krejtësisht ndryshe, jo vetëm për hebrenjtë, që është vënë në vend, por edhe për armenët, me dosjen e të cilëve nuk është marrë askush në Shqipëri. Ndërkaq, Ismail Qemali, i cili, ndonëse i dorëhequr, ende pranohej si kryeministër historik i Shqipërisë, ishte i pari shef shteti në botë që, në tetor 1917 (pra vetëm pak kohë pas gjenocidit), dënoi publikisht në shtypin e Londrës, në një studim madhështor, të vërtetën e tmerrshme të masakrës. Ende sot historia jonë nuk e përmend këtë akt, që e nderon aq fort Shqipërinë.

Bombardimet e Serbisë, ngjarje e madhërishme

Evropa dhe SHBA-të 15 vjet më parë luftuan për Kosovën, përkundër kundërshtimeve të ashpra të shumë shteteve. Sot, një dekadë e gjysmë nga sulmet e NATO-s, si e vlerësoni situatën në Kosovë? Po luhet me kartën e Evropës apo të Lindjes?
Bombardimi i Serbisë si ndëshkim për Kosovën, është një ngjarje përmasat e së cilës ndërgjegjja jonë ende nuk i kap, veçse pjesërisht.

Kjo ndodh në botë me ngjarjet e madhërishme. Unë jam shkrimtar dhe e njoh peshën e përgjegjësisë së fjalëve. Rrjedhimisht e di se ç’keqkuptim mund të krijojë përdorimi i fjalës «e madhërishme», për një bombardim. Megjithatë, po e përsëris: kjo ngjarje ishte e tillë: e madhërishme.
Në historinë e Evropës dhe të SHBA-ve ndodhi diçka tepër e rrallë, për të mos thënë e panjohur, një luftë e një lartësie morale të paparë, që kryente pjesa më e përparuar e botës, për mbrojtjen e një populli gjysmë të humbur e të braktisur. Me dhjetëra kanë qenë popujt që kanë ëndërruar një mbrojtje të tillë e që, për fat të keq, nuk e kanë pasur dot.

Mirënjohja shqiptare duhet dhe do të jetë, pa dyshim, e pafundme. Por kjo është e pamjaftueshme: ky akt duhet të bëhet pjesë e ndërgjegjes sonë, e përkryerjes së saj, e kthimit në një prirje gjeneruese, shpëtuese.
Bombardimi i një vendi është një gjë e pikëllueshme. Megjithatë, sado paradoksale të tingëllojë, kam bindjen se, në një farë mënyre, Serbia gjithashtu do të duhej të ishte mirënjohëse, ashtu siç ndodh në raste të rralla, kur një ndëshkim të shkëput nga një krim, nga një rrugë që të çon në greminë.

Në një të ardhme jo të largët, në një orë të mundshme të pajtimit shqiptaro-serb, jam pothuajse i sigurt se kuptimi i atij bombardimi do të jetë gjithmonë e më i kthjellët.
Ju më pyesni se çfarë karte po luhet sot në Kosovë, ajo e Evropës apo ajo e Lindjes? Kjo pyetje vetvetiu krijon një habi aq të madhe saqë e kapërcen vetë fjalën «habi». A mundet që Kosova të ketë një kartë tjetër? Është njëlloj si të thuash se Kosova u mërzit nga kjo botë, nga kjo jetë, nga ky planet… Për t’i rënë më shkurt, do të ishte njëlloj sikur Kosova të synonte të kthehej prapë nën Serbinë. Madje, nën Serbinë e mëparshme, atë të parabombardimit.

Ka shqetësime, si kurrë më parë, se mes shqiptarëve po rritet një frymë antiperëndimore, me propaganda kundër vlerave evropiane. Çfarë ka ndikuar që të zhvillohet kjo frymë dhe në interes të kujt çon ajo?
Në qoftë se kjo del të jetë e vërtetë, mendoj se është gjëja më e pakuptueshme dhe më e paarsyeshme që mund të ndodhë përpara syve tanë. Shpresoj ende se nuk është veç një lajthitje e çastit.
E shikuar më gjakftohtësisht, mund të ketë një shpjegim disi të ndërlikuar. Dihet se Gadishulli Ballkanik, duke qenë në zanafillë të qytetërimit evropian, përfundoi më pas, jo në qendër, por në rrethinë të tij. Të ndodhurit te portat, me kalimin e viteve krijon një vizion tjetër të gjërave.

Në gadishull, krahas nostalgjisë që erdhi pas shkëputjes, u krijua një traditë nervozizmi dhe kundëreuropianizimi me burime të ndryshme. Bizantine dhe osmane te grekët. Osmane dhe komuniste te shqiptarët. Sllave dhe osmane te serbët.
Këta popuj s’e kishin vështirë që për fatkeqësitë e tyre, që s’ishin të pakta, të fajësonin herë pas here Evropën. Ju kujtohet acarimi grek dy-tre vjet më parë? Ju kujtohet zemërimi serb gjatë bombardimeve? Atë që nuk arrij dot ta kap është kjo frymë e shqiptarëve për të cilën flisni ju. Është më shumë se mosmirënjohje.

Është një verbëri e pafalshme, për të cilën duhet të ndihemi fajtorë të gjithë. Në fund të fundit është një projekt i hershëm serb, famëkeqi drafti i Cubriloviçit, i cili ka parashtruar rrugën për të tërhequr në kurth shqiptarët. Thelbi i kurthit ka qenë armiqësimi shqiptarë – Evropë. Në këtë draft, një vend i veçantë i kushtohej rolit që do të luanin imamët dhe hoxhallarët e Kosovës për shpërnguljen e një pjese të kombit shqiptar jashtë Evropës, dhe sidomos për turqizimin e tij.

Serbia ka problem me shqiptarët e evropianizuar

Ku e ka hallin Serbia me shqiptarët, që të mos na shohë të evropianizuar?
Dihet se gadishulli ynë ka qenë vend keqkuptimesh të mëdha. Një nga këto, ndoshta më tragjiku, është keqkuptimi shqiptaro-serb. Testamenti i Cubriloviçit, ende i padënuar nga Serbia, e shpall të qartë se Serbia s’mund të ketë jetë normale me kombin shqiptar përbri.

Rrjedhimisht doktrina e tij jep si zgjidhje zhbërjen, shpërnguljen ose shfytyrimin e plotë të këtij kombi rival. Vetëm kështu, sipas mendjes së sëmurë nga shovinizmi, Serbia, përbri Shqipërisë së përçudnuar, do të dukej më e qytetëruar në sytë e Evropës! Rrjedhimisht do të përfitonte favoret evropiane dhe, kryesorja, një skajim sundues në gadishull.
Qysh në lindjen e saj, doktrina, si çdo pjellë e urrejtjes, ka qenë e pamundur. Asnjëherë Serbia s’ka pasur asnjë shans të vetëm për zhbërjen e kombit fqinj.

E vetmja shpresë, edhe ajo gjysmë haluçinante, ka qenë shfytyrimi i botës shqiptare. E mbushur me xhami dhe tek-tuk ndonjë shkollë e vetmuar (shkollat janë për sllavët, për ju mjaftojnë xhamitë), hapësira shqiptare përherë e më tepër do t’i ngjante Anadollit.

Në draftin e tij, Cubriloviçi ka gjithmonë parasysh bashkëpunimin turko-osman. Qoftë marrëveshje të fshehta për shpërnguljen shqiptare, qoftë ndalimin e gjuhës shqipe. Për këtë të fundit, pavarësisht nga përgjërimet mallëngjyese për miqësi, ende nuk ka një kërkim ndjese.

Më pëlqen të besoj se herët a vonë Serbia ka gjasë të çlirohet nga xanxa të tilla. Këto ditë, një koleg yni tepër i njohur, Dobrica Qosiq, në prag të ikjes nga kjo botë, e çliroi ndërgjegjen e vet duke lënë, më në fund, një porosi të arsyeshme lidhur me keqkuptimin serb për Kosovën.

Lumturisht, shqiptarët, ndonëse nuk falin lehtë, nuk kanë krijuar kurrë asnjë doktrinë për zhbërje, shfytyrim a dëmtim të kombit fqinj serb. Në Ballkan, ku arsyet për krenari janë zakonisht të pakta, kjo do të ishte njëra prej tyre.

Lidhur me çështjet e mësipërme ka një debat në Kosovë, gjatë të cilit shtrohen pyetjet: a ishin osmanët ata që na shpëtuan nga sllavizmi? Dhe, a mund të krahasohet Perandoria Osmane me NATO-n e sotme?
Do të më pëlqente ta merrja një debat të tillë si një shaka zbavitëse, por, për fat të keq, pas formës së jashtme komike, ai fsheh një thelb tepër tinëzar.
Në të vërtetë është pjesë e ligjërimit të pastër kundërevropian. Është tepër e habitshme, për të mos thënë makabre, që disa vjet pas shpëtimit të Kosovës prej ndërhyrjes atlantike, bëhen përpjekje që mirënjohja t’i kalojë Turqisë! Kjo histori është e vjetër.

Gjatë viteve të robërisë osmane, me qindra herë duhet të jetë trajtuar çështja «e mirënjohjes» që shqiptarët duhej të kishin ndaj osmanëve, ngaqë këta të fundit i paskëshin shpëtuar nga Evropa! Debati i sotëm që përmendni ju, nuk është veçse përsëritje e këtij jermi. Tani për tani kundërshtarët e Evropës nuk dalin haptas, e maskojnë fjalën «evropianizëm» pas «sllavizmit», por nesër, kur të ndihen më të fortë, do ta hedhin maskën dhe haptas do të kthehen kundër Evropës dhe SHBA-së.

Kam lexuar në shtypin tuaj se këto grupime radikale drejtohen nga shërbimet e fshehta serbe dhe pse jo, ruse. E besoj këtë. Është e logjikshme. Ka mbi gjysmë shekulli që Rusia nuk po i ndahet Ballkanit. Pas ngjarjeve të Ukrainës, pesha gjeostrategjike e gadishullit është duke u rritur. E gadishulli pa faktorin shqiptar s’mund të kuptohet.
Kur Millosheviqi nisi aventurën e tij antishqiptare gjithë strategjinë e bazonte mbi shpresën se Evropa me SHBA-në, në çastin e fundit do të bëheshin me të kundër shqiptarëve. Pas thyerjes së kësaj shprese, nisi një fazë e dytë: shpresa se Evropa dhe SHBA do të pendoheshin.

Vrasja e dy aviatorëve amerikanë prej një shqiptari të Kosovës në Frankfurt, ashtu siç u bë e njohur, shpaloste një simbolikë të keqe. E para, sepse sipas një tradite emocionale, aviatorët përftohen si pjesa më e zgjedhur dhe heroike e një ushtrie, e dyta, sepse kishin qenë pikërisht aviatorët amerikanë që kishin rënë në sy në bombardimin e Beogradit.

Rrjedhimisht vrasja e dy të tillëve mund të merrej si një hakmarrje dyfish poshtëruese për shqiptarin: burracake, si çdo vrasje pas shpine, poshtëruese në kulm, ngaqë kryhej për hir të Serbisë kundër Kosovës.
Ishte, me sa dukej, kjo arsye që opinioni amerikan u trondit aq shumë. Opinioni shqiptar duhej të trandej edhe më fort. Në vend që të nxirreshin mësime ndaj akteve të tilla kundërevropiane, që ishin në të vërtetë kundër shqiptarëve, vazhduan lëshimet. E bashkë me to provokimet meskine kundër Perëndimit, për të përfunduar te xhihadistët shqiptarë në Siri, që i vunë kapakun gjithçkaje.

Edhe pas 600 vjetësh Skënderbeu mbetet personazhi numër një

Mendoni se figura e Skënderbeut, i cili gjithashtu është marrë nëpër këmbë kohën e fundit, ka lidhje me çështjet e mësipërme?

Skënderbeu, siç ndodh me personazhet e mëdhenj, mbështjell rreth vetes gjithçka thelbësore që ka të bëjë me kombin shqiptar.
Sot, pas 600 vjetësh, ai mbetet personazhi numër një, më aktual se kurrë, i lidhur drejtpërdrejt me problemin themelor të kohës: rikthimin e Shqipërisë në Evropë. Ai është programuesi i parë i këtij projekti. Ka 600 vjet që himnizohet për këtë projekt dhe po aq vite që sulmohet pikërisht për të. Në këtë pikë ai është i pamposhtur dhe do të dilte i pamposhtur, qoftë edhe kundër vetë Shqipërisë, në rast se ajo do ta humbte përkohësisht orientimin, siç i ndodhi gjatë komunizmit.

Duke e pranuar Skënderbeun si një personazh të madh të saj, Evropa ka pranuar në të vërtetë thelbin shqiptar, atë që rastis të jetë më i fortë se Shqipëria fizike.
Nuk ishte as pjellë e ndonjë miti, e as e ndonjë besimi fetar. U gjend në qendër të historisë dhe kjo s’është aspak një metaforë. Ideja e mbrojtjes së Evropës nga mësymja osmane ishte ideja e parë e kohës. Shumë popuj u rreshtuan për mbrojtjen e saj: ballkanasit, hungarezët, polonezët, austriakët, por Kastriotit i qëlloi të gjendej pikërisht në rrugën e mësymjes së parë, asaj më të tmerrshmes.

Arbëreshët e cilësojnë si «të pafat», ngaqë nuk arriti dot të tërhiqte plotësisht Evropën, për të luftuar në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë ai bëri të pabesueshmen: bashkoi aq sa mundi ushtrinë dhe kështjellat e tij me evropianët, sidomos me afrimin e fundit të jetës. Do të mjaftonte vetëm ky akt, në të vërtetë kjo ide, për ta bërë të pavdekshëm.