Published On: Sun, Sep 10th, 2017

Gjuhëtari dhe akademiku Namik Resuli

Prof.namik_.Resuli

Prof. Namik_ Resuli

Namik Resuli u lind në qytetin e Beratit më 10 shtator të vitit 1912. Pasi kreu mësimet e shkollës fillore në Shqipëri, atë e dërguan të studionte në Itali, ku mbaroi Liceun dhe më pas studimet e larta, duke u laureuar në Glotologji,

pranë Universitetit të Torinos. Gjatë atyre viteve që Resuli studioi në atë universitet, ai ishte nën patronazhin e mjeshtrit të famshëm italian, profesor Bartoli, i cili merrej vetëm me studentët e shkëlqyer.

Teza që mbrojti Resuli në punën e diplomës ishte: “Studime rreth stratifikacioneve në gjuhën shqipe”. Pasi kreu studimet universitare në Torino, ai u kthye në atdhe, ku u emërua profesor në klasat e larta të Shkollës Normale të Elbasanit.

Por, një vit më vonë, ai u transferua në gjimnazin e Shkodrës. Pasi shërbeu për disa kohë në Shkodër, u transferua në gjimnazin e Tiranës dhe në prillin e vitit 1939 u dërgua në Itali, si asistent profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Romës.

Në këtë detyrë ai qëndroi plot dhjetë vjet dhe në të njëjtën kohë ishte emëruar inspektor superior në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, ku qëndroi për katër vjet, deri në vitin 1944. Në vitin 1955 Namik Resuli mori gradën shkencore (“libera docenza”)

në Gjuhën e Letërsinë Shqipe dhe u emërua si i ngarkuar i gjuhës shqipe në Institutin Universitar Oriental të Napolit. Në këtë institut ai u ngarkua edhe me studime të ndryshme në fushën e Filologjisë Ilirike.

Në vitin 1935, Resuli shkroi një studim mbi principet dhe metodat e neolinguistikës, i cili u botua në revistën “Leka” që dilte në Shkodër. Kur u kthye në Shqipëri, ai e kuptoi menjëherë se fusha linguistike dhe ajo historiko-letrare ishin krejt të pazhvilluara.

Mësuesit e shqipes ndeshnin vështirësi të mëdha dhe mbi të gjitha mungonte një gjuhë e njësuar. Shkrimtarët shqiptarë të asaj kohe shkruanin në dy dialekte të ndryshme, shpeshherë të përzier nga njëri-tjetri, pa një ortografi të caktuar.

Në fushën historiko-letrare, gjendja ishte gjithashtu e mjerë, aq sa mungonte një tekst i historisë së letërsisë shqipe. Përpara një gjendjeje të tillë, ai e përqendroi veprimtarinë e tij drejt dy objektivave të caktuara: në fushën linguistike dhe në atë letrare.

Në fushën linguistike, duke marrë parasysh se ende nuk ekzistonte një gjendje e pjekur për zgjedhjen e njërit nga dy dialektet si gjuhë kombëtare (atë kohë nuk mendonte kush se një problem i tillë mund të zgjidhej me një dekret qeveritar sikurse ngjau më vonë),

ai u përpoq që të afrojë sa më tepër toskërishten ndaj gegërishtes, sidomos atje ku këto dialekte bashkoheshin me njëri-tjetrin. Në atë periudhë, Resuli shkroi disa artikuj dhe studime, si: “Gegërishtja apo toskërishtja?”,

“Përpjekje të lashta dhe të reja për një gjuhë të përbashkët shqipe”, “Për një gjuhë të përbashkët”. Këto studime patën një farë jehone në atë kohë dhe shkaktuan reagime e polemika të shumta.

Ato lanë gjurmë që duken edhe në formulimin e gjuhës së tashme letrare, por sigurisht ato ia hapën atij derën e komisionit të ortografisë shqipe, që ishte krijuar pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Përveç studimeve në këto fusha, Namik Resuli nuk iu nda asnjëherë publicistikës, gjë të cilën ai e kishte filluar në një moshë mjaft të re, duke shkruar në gazeta dhe revista të ndryshme.

 

Kontributi i Resulit në letërsi

Në fushën letrare, sikurse e thotë ai vetë në shkrimin “Katërqind vjet letërsi shqipe”, në periudhën e viteve ’30, në gjuhën shqipe ekzistonte vetëm një manual i françeskanit Justin Rrota,

kurse në gjuhën italiane kishim veprën monumentale të Gaetano Petrotës, “Popolo, lingua e letteratura albanese”. Kjo vepër e Petrotës përbënte një burim të pazëvendësueshëm njohurish të çmueshme dhe precize mbi popullin,

gjuhën dhe letërsinë shqiptare, por nuk mund të thuhet se ishte një histori e vërtetë e historisë letrare shqipe. Në atë kohë nevojitej një inkuadrim, një periodizim i gjithë prodhimit letrar shqiptar, nga fillimi deri në vitin 1940.

Kjo duhej bërë me një studim të çdo autori në bazë të rëndësisë së veprimtarisë së tij kulturore-letrare në kuadrin e përgjithshëm të zhvillimit letrar të kohës së tij dhe në bazë të rëndësisë së veprës si prodhim letrar, për t’i caktuar vendin e drejtë që i përkiste.

Duke pasur këto synime, Resuli botoi studimin “Zhvillimi kulturor e letrar në Shqipëri nga shekulli 15 në shekullin e 20”. Ky studim doli në një vëllim më vete, botuar nga Ministria e Arsimit me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë.

Mirëpo kjo temë u trajtua më vonë, në mënyrë më të plotë në studimin: “Për një ndarje metodike të prodhimit letrar shqiptar”, që doli në revistën “Shkolla Kombëtare” më 1937-ën.

Në të njëjtën kohë, Resuli i bëri të njohur publikut të gjerë mbarëshqiptar, disa nga shkrimtarët e vjetër shqiptarë, sidomos ata katolikë, duke vënë në dukje cilësitë e tyre të paçmueshme si autorë dhe patriotë, të cilët kishin mbetur deri atëherë krejt në harresë, për shkak të përmbajtjes fetare të veprave të tyre.

Në vitin 1939, Resuli botoi një përmbledhje të poezive më të bukura të “Milosaos” të De Radës. Atëherë të gjithë flisnin e bisedonin për poetin e madh arbëresh, por të paktë ishin ata që kishin mundur të lexonin qoftë edhe kryeveprën e tij,

sepse veprat e De Radës nuk gjendeshin jo vetëm në bibliotekat italiane, por as në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës. Në vitin 1940, Resuli u ngarkua nga Ministria e Arsimit të hartonte një vepër në formë historie letrare dhe antologjie,

të cilën ai e realizoi duke nxjerrë një vepër në dy vëllime (gjithsej 915 faqe), me titullin “Shkrimtarët shqiptarë”. Në këtë vepër ai ftoi të merrnin pjesë edhe studiuesit e letrarët më të mirë të kohës,

por introdukturat dhe ndarja e letërsisë shqipe në periudha të ndryshme, si dhe pjesa më e madhe e monografive të vëllimit të parë, ishin të Resulit.

Në vitin 1940, kur u themelua në Tiranë Instituti i Studimeve Shqiptare (në shkallën e Akademisë), Namik Resuli ishte një nga anëtarët e atij instituti, i cili u ngarkua që të përgatiste një botim të ri të “Mesharit” të Buzukut.

 

Studimet për Naimin, Fishtën e Nolin

Ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos ato të pasluftës ia ndërprenë Namik Resulit, qoftë edhe përkohësisht, veprimtarinë e tij shkencore dhe letrare. Por, në vitin 1948, me themelimin e Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare pranë Fakultetit të Letërsisë në Universitetin e Palermos,

ai u ftua të bëjë pjesë si anëtar efektiv i tij dhe aty paraqiti një studim mbi atdheun e origjinës së Buzukut. Pas kësaj, Resuli paraqiti edhe studime të tjera, si: “Rëndësia e dialekteve italo-shqiptare për studimin e historisë linguistike shqipe”,

“Herezira në Mesharin e Buzukut”, “Zef Skiroi midis dy letërsive”, “Fytyra e Skënderbeut në poemën deradiane Scanderbeccu i pafaan”, “Kontributi i Misionarëve italianë për zhvillimin e kulturës shqiptare” etj. Në vitin 1954 Resuli filloi të botojë në Torino revistën “Shpirti shqiptar”.

Më pas ai botoi dy vëllime të vogla “I piu antichi testi albanesi” dhe “Vocabolarietto di Arnold von Harff”, si dhe një studim në gjuhën shqipe me titullin “Naim Frashëri, poeti i mirësisë”. Në vitin 1958 Namik Resuli botoi integralisht “Mesharin” e Gjon Buzukut,

me një parathënie dhe me një pjesë kritike. Në tetor të vitit 1966, ai mori pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Shoqërisë Akademike Rumune, që u mbajt në Salamanca, me relacionin “Kronologjia e dialekteve shqiptare në lidhje me simbiozën shqiptaro-rumune”.

Pas kësaj, në vitin 1959, ai u ftua në Nju Jork në Seminarin Ndërkombëtar të Federatës Panshqiptare të Amerikës, që e organizonte shoqata “Vatra”. Aty Resuli paraqiti relacionin “Aktualiteti i Naimit”,

në të cilën sqaroi një këndvështrim deri atëherë të lënë pas dore, atë të anës religjioze të Naimit. Në vitin 1971 u ftua të përkujtonte poetin e madh françeskan, Gjergj Fishtën, në Ateneun Antonian të Romës, me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së poetit. Lokucioni i gjatë i Namikut,

i mbajtur në gjuhën italiane, u botua pjesërisht i përkthyer në shqip në gazetën “Flamuri” dhe integralisht, në versionin shqip dhe anglisht, në gazetën “Dielli” në Boston. Mbi Fishtën ai ka pas mbajtur edhe një relacion,

“Strutture nella poesia di Fishta”, në mbledhjen VII të Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Palermo. Në vitin 1963, Namik Resuli botoi (në serinë “Letteratura Universale”) veprën “Storia della Lestteratura albanese” dhe “Antologia della letteratura albanese”.

Në 1976-ën, Resuli u ftua përsëri në Nju Jork nga shoqëria “Vatra”, ku mbajti kumtesën “Faik Konica në njëqindvjetorin e lindjes”. Pas kësaj, në vitin 1982 ai u ftua përsëri nga “Vatra” në përkujtimet e Fan Stilian Nolit.

Studimi i tij me titullin “Fan S. Noli sot”, që mbajti me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së Nolit, sikurse edhe ai mbi Faik Konicën, u botuan nga “Vatra” dhe përbëjnë një kontribut shumë të çmueshëm të Namik Resulit për njohjen e këtyre dy fytyrave të kombit shqiptar.

Në vitet e fundit të jetës, Namik Resuli kishte në shtyp një gramatikë shqipe, më e gjera dhe më e plota vepër e këtij lloji (gjithsej 620 faqe), të cilën ai u mundua ta nxirrte në qarkullim që me gjalljen e tij.

Për këto shkrime, Namik Resuli përmendet në të gjitha historitë e letërsisë shqipe, sikurse në atë të Gaetano Petrottës, të M. Malbertzit, të Stuart Mann, si dhe në mes të shkrimtarëve shqiptarë që përmend revista “Arena” e P.E.N. Club.

Me vdekjen e Namik Resulit, më 12 shtator të vitit 1984, historia e letërsisë shqipe, e sidomos shkenca e gjuhësisë shqiptare, humbi një nga elementët më të vyer, që është vështirë të zëvendësohet.