Published On: Mon, Jul 24th, 2017

Genocid në Mirditë për vrasjen e Bardhok Bibës

Gjon-Mark-Ndoj-pas-lirimit-nga-burgu-1970

Gjon Mark Ndoji ne vitin 1970 pas lirimit nga burgu i diktatures komuniste

 

Sipas ditarit te Mandeles se Mirdites Gjon Mark Ndoji /

 

Ditari i Ndojit, si u bë gjenocid në Mirditë për vrasjen e Bardhok Bibës. Konsiderohet si “Mandela i Mirditës” për rezistencën në burgjet komuniste, por me fat se si arriti t’i shpëtonte listës së ekzekutimit masiv të Mehmet Shehut si hakmarrje për vrasjen e mikut të tij, deputetit Bardhok Biba. Quhej Gjon Mark Ndoj dhe dy dekada i kaloi në qelitë e diktaturës, për shkak të inskenimit të prokurorëve dhe hetuesve, të cilët “e vunë” atë në vendngjarje si vrasës. Themi “e vunë”, sepse Ndoj ishte arrestuar më 27 prill qershor 1949, katër muaj para ekzekutimit të Bibës, 17 gusht 1949. Në kohën kur ndodhi ngjarja, Ndoji, mësues me profesion, qëndronte i prangosur prej 4 muajsh në hetuesi, pasi gjatë kohës kur ndiqte Liceun Françeskan të Shkodrës, së bashku me disa shokë të tjerë, krijoi organizatën antikomuniste “Përpjekja Shqiptare”. Pas dy ditësh intensive me seanca pyetjesh dhe dhune fizike ekstreme, më në fund hetuesit binden që ai nuk kishte aspak lidhje me vrasjen e Bibës, por sërish e dënuan si “dorac” i eliminimit të deputetit, duke e plasur në burg në moshën 21-vjeçare. Ai u dënua me njëzet vjet, dhjetë prej të cilave i kaloi në burgun e Burrelit.

Sigurisht, Ndoji nuk ishte viktima e vetme e pafajshme e asaj hakmarrjeje masive komuniste mbi mirditorët. Për vrasjen e Bardhok Bibës u arrestuan më shume se 500 burra, u internuan gra e fëmijë nëpër kampet e përqendrimit në Tepelenë e Lushnjë, më tepër se 300 familje. Katërqind burra i nisën për në burgjet e Shkodrës. Njëqind të tjerë u dënuan me burgime të gjata. Dhe më tragjikja e tragjikes: Veç 24 orë pas vrasjes, më 18 gusht 1949, janë ekzekutuar pa gjyq 14 persona, fiks në vendin ku u vra Bardhok Biba: Llesh Mëlyshi, Nikoll Bardhok Bajraktari, Bardhok Dod Lleshaj, Gjergj Keq Beleshi, Dod Marka Biba nga Kthella. Ded Preng Gjomarkaj, Nikoll Llesh Nikolli, Preng Shkurti, Gjin Kaçi, Ndoc Gjet Palaj, Frrok Mata, Marka Ndrec Marku, Ded Paloka dhe Zef Vila. Prej këtyre 4 janë varur në konop dhe 10 të tjerët kanë qenë lidhur me këtë material kur janë pushkatuar. Si u “sharruan” në plumba, me urdhër të Mehmet Shehut u hodhën të gjithë në një gropë, ndërsa ende nuk u kish dalë shpirti dhe përpëliteshin për ndihmë. Masakrimi u ndoq drejtpërdrejt si një “shfaqje artistike” nga rreth 2000 persona nga zonat e Mirditës e Shkodrës, të cilët ishin thërritur me pahir nga Mehmet Shehu, i cili me rastin e gjenocidit, siç do ta quante Ndoji, kishte përgatitur një fjalim, ku ndër të tjera theksonte: Jam betuar mbi varrin e Bardhok Bibës, se pa i mbushur 101 të pushkatuar për hakmarrje, nuk do ta lëshoj Mirditën dhe Kthellën!. Në këtë shifër të vdekjes së paralajmëruar ishte edhe emri i Mark Gjon Ndojit, por katastrofa e Shehut ngeli në mes. Urgjenca e thërriste në Jug të Shqipërisë në krye të Divizionit të Parë, ku sapo kishin nisur provokacionet greke. Ngjarjet e asaj kohe Ndoji i hodhi në një ditar që mbajti në burg, ashtu si edhe pjesën e jetës së tij “pa qiell”. Shkrimi vjen me germa në miniaturë, shpesh me kode dhe i padeshifrueshëm. Një pjesë e shkurtër e këtij ditari të “Mandelës së Mirditës” që nuk jeton më, që ka të bëjë me situatën në burgje pas vrasjes së deputetit Bardhok Biba…
***
Pa mëdyshje, veprimet e dhunshme që kryen komunistët në Mirditë nuk ishin si u tha, hakmarrje për vrasjen e Bardhok Bibës, por ky qe shkaku që dojshin me justifikue veprimin. Këto masa ndëshkuese qenë të parametrave të nji gjenocidi të plotë. Pra ishte nji armiqësi e urrejtje e mahershme. Askurrë dhe asnjiherë nuk u zbut kjo sjellje. Edhe kur urrejtja u ba latent, inati ishte i dukshëm. Qenë ngjarjet në kufinin greko-shqiptar që reduktuan numrin e viktimave nga 101 që kishte planifikue Mehmet Shehu në 14 burra që u ekzekutuen në Valmer. Kishin marrë shumicën e të burgosunve që ishte vendos për t’u gjykue publikisht, kur vetë kryetari i Degës, Abedin Tajari, erdhi e më mori e urdhnoi nji civil që të daktilografojë. Pyetje afër ngjasimit që kërkohej. Letra u ba nji kopje (procesverbal) e me të në dorë më mori me vehte tue pyet për Çarçanin. Si duket qëllimi i tij ishte me më shmang prej gjyqit. Vija në përfundim të arsyetimit se isha i burgosun rreth dy muej para. Duket se nuk u muer parasysh spjegimi i kryetarit, se, pak kohë mrapa, mbasi më pyeti me u sigurue për emnin, më mori nji kapter e më nxori në korridor e me çiftoi me Mark Tucin, e mandej na çuen te shkolla ku u ba gjyqi. Shokët tanë i kishin ulun në disa stola të gjatë. I njeha, ishin 24 e ne të dy baheshim 26. Jashtë kishte mjaft njerëz e shumë ushtarë. Në xhade ishin do makina të ngarkueme me gra, fëmijë e pleq. Tashti e ma parë ndonji vaji fëmije, urdhna, kërcënime… në ballë kardhi nesh ishte tavolina e mbulueme me flamurin kombëtar. Ishte klasa ku kisha dhanë mësim dy klasave të mia. Aty ku kisha dhanë mësim unë, paraardhësit e paraardhësve të mij, do të rrinte trupi gjykues. Procedura qe e shpejtë. Seanca e parë, marrja në pyetje për gjeneralitetet, dëshmitarët, pretencë, vendimi i gjyqit në katër seanca për dy ditë me radhë. Kolegji i gjykatës së naltë ushtarake ishte i përbamë nga kryetari i saj Bilbil Klosi me dy kapitena anëtarë dhe prokurori, zv.prokurori i përgjithshëm ushtarak, major Misto Bllaca. Meqenëse u mungoshin kryekëput provat sadopak fajësuese, për të përligjë vendimin e tyne, u duhej që në sy të popullit të shpikshin faje, por prej popullit nuk pranuen me dalë dëshmitarë të rremë. Këtë e banë nëpunës e kuadro të rrethit. Dëshmitarë të tillë kanë qenë: M.D. kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, P.N.P. shef seksioni, L.T. kapter Sigurimi etj. Tue fillue prej arrestimit, ruejtjes, hetimit e mbikqyrjes, u ba vetëm prej M.P. tue lanë në anë policinë. Brigada e M.P. e stacionueme në Qaf-Shtamë, nën komandën e kolonel Zija Kambos, mbasi i hoqi prej radhëve të saj të gjithë ata mirditas të paktë që ishin të inkuadruem në këtë brigadë, hynë natën dhe u shpërndanë në të gjithë rrethin administrativ të Mirditës. Ata kryen rreth 500 arrestime, grumbulluen me forcë 300 familje në pika të ndryshme për t’i internue në Tepelenë. U ekzekutuen 14 burra, 4 me varje dhe 10 me pushkatim në sy të popullit. Ndonji ra i gjallë në gropën e vorrit. Mandej, mitrolozët grinë e coptuen kufomat tue terrorzue të madh e të vogël që ishin sjellë aty me detyrim për të pa këtë kasaphanë komuniste. Ndodhi konflikti kufitar me grekët, se nuk dihet si do të ndaleshin vrasjet…
***
Unë pata tre dëshmitarë. M.D. tha se unë kam pasë bisedë shoqnore me kriminelin Mhill Kol Gjatën (që u vra në mal). Kam dhanë llogari në gjyq mapara dhe jam dënu me dy vjet burg. L.T. tha se e kam pa në Shkodër tu shëtit me vllanë e kriminelit… Ditën e dytë pasdite, prokurori mbajti pretencë. Për 20 vetë kërkoi dënimin me pushkatim në të njëjtin vend (në Valmer, aty ku u vra Bardhok Biba). Nji ndër këto të 20 që u dënuen me vdekje e pushkatim qe edhe emri em. M’u duk se mbrenda meje diçka u këput, kryet më bahej se pa da rreh, si vaje grashë, tingllimi kombonë-kishe që rrahin në nji anë për të dekun, nana e robtë. Nji ftohtësi e akullt si rrymë përshkoi jo vetëm mue. Por në ftyra zbe, asesi nga kobi i vdekjes, por nji zemrim që shkakton çudia për nji gja të çmueshme që na bjen nga duert e thehet e bahet copa-copa. Ishim njizet vetë me nji fat të përbashkët, shokë e miq dashamirës dhe mbi të gjitha na kërkohej prova burrnore e qëndresës për të qenë të dejë ashtu sin a cilësoi kundërshtari – armik jo me faj, por në përmbajtje. Ky përshkrim vlen pak për mue e të tjerët që na u kthye dënimi në burg. Por u përket atynë burrave që as u topitën, as u dobsuen derisa dhanë frymën e fundit në nji vdekje makabre. Thamë të vërtetën ne që pshtuem prej vdekjes, na u duk jo e hijshme ta pranojshim me u nda prej shokve. Ata gjetën forcën tu na urue ne që po pshtuem. Ndër ata që pshtuen qenë: Ndue Gjon Fusha, djalë i ri që u dënue me burgim të përjetshëm, Mark Kola me 20 vjet e Kol Ndue Gjoni me 10 vjet, por që të dy vdiqën në burg pas 2-3 vjetësh nga mungesa e ushqimit. Në burgje, kampe pune dhe internim vdiqën dhe të burgosunit e tjerë, pasi të dënu për atë rast ishin edhe fëmijë, pleq e gra…
***
Tek gjykatësit u vu re nji irritim kur Mrika, e shoqja e Bardhok Bibës, tregoi nji paknaqsi për 14 kaptina. Ajo u shpreh se për Bardhok Bibën duhen vra 100. E kemi marrë dhe mendimin tuej, tha nën za kryetari i trupit gjykues, por u ngjue. Ndërsa të afërmit e tjerë të Bardhok Bibës u munduen me pshtue njerëz. E motra e Bardhokut, nji grue e re dhe e hijshme kishte kërkue për tre me emën si në moshë të re që t’i falte gjykata. Prokurori ndër 20 vetë që kishte kërkue dënimin me vdekje e pushkatim isha unë, Ndue Fusha e Mark Tuci. Ma vonë do të merrshin vesht se kishte qenë Preg Kol Marku, kushrini i saj dhe B. dashamirës i yni që e kishte nxitë dhe msue.
Në fjalën e mbrame, mbas pretencës së prokurorit, unë thashë: Jam tash e tre muej e gjysëm i burgosun dhe organet e sigurimit kanë ba hetimet e veta. E deri më sot nuk ka asnji fakt as me qenë në bankën e akuzës e jo ma kërkesën e prokurorit për dënim kapital. Prandaj nuk kërkoj mshirë, veç drejtsi nëse ka. Kur u ula, një anëtar, kapiten i parë që nuk ia mbaj mend emrin, më pyeti: Kur je arrestue ti? Më 27 prill, iu përgjigja. Ai e shënoi. Ka gjasë se pat ndryshim në synimet e para në numrin që duhej të ekzekutoheshin si hakmarrje. Ngjarjet në kufinin greko-shqiptar për disa ditë që zgjatën qenë alarmuese për Tiranën. Kështu u detyruen me e mbyll problemin e Mirditës…
Mbas vendimit të gjykatës, gjatë natës dhe të nesërmen, thrritën shumë të dënuem me vdekje. Nëse ata do të flitshin e do të kallxojshin punën armiqsore të tyne e të shokve, do t’u falej jeta. Nji tallje kanibaleske… Ti the në gjyq se je i pafajshëm. Ashtu asht, u gjegja. Më afroi nji letër të bardhë e penën, deklaro këtu se je i pafajshëm e të përsërisim gjyqin. Donte i keqi me mbajtë ende aty nën hetim, e me më akuzue si donte e si dinte ai. E kuptova djallëzinë e tij. Vendimi i gjykatës asht i formës së prerë, u gjegja unë. Nuk e kisha kryer fjalën kur nji grusht i fortë më goditi në tamth. Ma hiq sysh, i tha rojes. Sjella ushtarake e rojeve ishte shtazarake kur i muerën të dënuemit. Duart ua shtrënguen me pinc deri në kocka. Jua kthyen prapë e i lidhën dy e nga dy cup më cup. Megjithëse ata kundërshtuen e nguelluen me hec ma tepër, i tërhoqën rrshqanë, motorrët e makinave zhurmoshin jashtë, kërcënime, urdhna, shamje. Ndigjuem që kishin fol ndër veti. Kishin dekën ata burra, por mundimi e rrahjet ishin ma tepër. Atë ditë që mbetëm gjallë, ishim vetëm kufoma të gjalla…
Bardhok Biba në moshën 28-vjeçare u lidh me komunistët e Tiranës. Gjatë pushtimit fashist ai propagandonte doktrinën komuniste. Kur Mehmet Shehu hyri në Mirditë me partizanët e tij, Biba u paraqit si njeriu më i madh i asaj krahine. Bardhoku kryesoi më pas nënprefekturën e Shën Palit të Mirditës dhe pati fuqi ushtarake të shumta në dispozicion, të cilat ia dha Mehmet Shehu. Ai u bë deputet i Kuvendit Popullor dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë. Bardhok Biba u vra rreth orës 14:00 të datës 17 gusht 1949, në përroin e Valmerit. Ekzekutimi i tij u organizua nga 53 persona, anëtarë të “Komitetit të Maleve”, që ishin kundër komunizmit. Pas aksionit, të gjithë këta u arratisën në Jugosllavi, ndërsa në Mirditë nisi reprezalja. Qeveria komuniste e Tiranës dërgoi reparte ushtarake, ku në operacion mori pjesë Divizioni i Parë që ishte në qendër (fushim) në Qafë Shtamë dhe që komandohej nga kolonel Rido Cako nga Korça, si dhe Brigada Speciale që ishte vendosur në Mirditë, e cila komandohej nga majori L. Bolena. Në krye të operacioni ishte vetë Mehmet Shehu bashkë me ministrin e Brendshëm Kadri Hazbiu. Në operacion kanë marrë pjesë gjithashtu edhe dy kolonelë sovjetikë: Sakolovaski dhe Faloskini.

Kush ishte Gjon Mark Ndoji
Lindi në vitin 1928, në Orosh të Mirditës. Përfundoi liceun “Iliricum” Françeskan në Shkodër dhe nisi punë si mësues. Për shkak të veprimtarive antikomuniste, ai u arrestua në vitin 1946 dhe u burgos për dy vite. Pasi u lirua në vitin 1948, ai u riarrestua në prill të vitit 1949 për “miqësi me kriminelë” e dogma të tjera komuniste. Teksa 21-vjeçari qëndronte në hetuesi, ai lirohet nga akuzat e para dhe akuzohet direkt për vrasjen e deputetit Bardhok Biba, ngjarje që ndodhi më 17 gusht 1949. Pavarësisht paradoksit kohor, Ndoj u dënua me dy dekada burg, ndërkohë që i shpëtoi vdekje-pushkatimit. I shleu të gjitha vitet e burgut, periudhë gjatë së cilës u mor me letërsi e përkthime. Shkroi novela e tregime, si dhe tre drama dyaktëshe: Mujo Ulqinaku, Hasan Riza Pasha dhe Kordiani. Ka përkthyer nga frëngjishtja Historinë e Diplomacisë dhe Histori e Europës Moderne. Është bashkautor në librin “Mirdita” (1997) dhe Kontakt Poetik (1998). Ndërsa është autor i veprave: “Kardinal Ahuni”, “Ndëshkimi i pafajësisë”, “Davida e Kulakut”, “Luftëtarët e Mirditës”. Ndoji ka qenë kryetari më jetëgjatë i shoqatës të të persekutuarve politikë ndër rrethe, ku në Mirditë e drejtoi nga themelimi në vitin 1991 e deri në vitin 2002, kur dha dorëheqje për shkak të shëndetit të dobët. Ai ishte në prag të botimit të ditarit dhe të sistemimit të një dorëshkrimi për Kosovën, kur ndërroi jetë në vitin 2006. Ndoj la pas bashkëshorten Vitore dhe katër fëmijë: Tre djemtë Valentini, Alberti, Leonardi dhe vajzën e vetme, Vera.

(Marre nga gazeta Panorama)