Published On: Sun, Nov 26th, 2017

Fundi i vëllazërim-bashkimit

 

Nga Gani Mehmetaj /

gani_mehmetaj

Fragment nga libri: Ëndrra e madhe – fletë të shkëputura ditari 1981-2006 me portretin e Rugovës në dritëhijen e ngjarjeve dramatike.

Ardhja e mareshalit Tito në Kosovë, më 1979, nuk qe aspak paqësore, megjithëse popullata e priti me brohori e lule. Në mbledhjen në hotel “Grand” të Prishtinës, thuhej se Tito iu hakërrye zyrtarëve të Kosovës, duke filluar nga Xhavit Nimani, që ishte nikoqir. Nëpër rrugët e qyteteve për ta pritur mareshalin jugosllav dolën i madh e i vogël, jo pse ua donte zemra, por sepse çdo organizatë punuese, shkollë a institucion i detyronte punëtorët, studentët e nxënësit të dilnin në rrugë, nëpër vendet e caktuara. Askush s’guxonte të mos e përfillte urdhëresën, sepse më e pakta për mosbindje do të përjashtohej nga puna, nga shkolla a fakulteti, më e shumta do të futej në burg, me pyetjet e torturat çnjerëzore: Kush të nxiti? Cili qëndron prapa teje? Dhe duhej ta thoshe një emër, ndryshe të mbysnin me dru.
Tito erdhi në Kosovë do të bartte mesazhin ogurzi. Thuhej që kreu i shtetit jugosllav u pendua për autonominë e vitit 1974, prandaj donte t’i frenonte shqiptarët. Nga ato që pëshpëriteshin në gazetën “Rilindja”, ku punoja, Tito në Prishtinë shprehu pakënaqësi me qëndrimin e shqiptarëve ndaj serbëve (“serbët po shpërngulen”, citohet t’u ketë thënë zyrtarëve të Kosovës.) Ata ishin bërë dhe, nuk ia prishën, ia tumirnin me kokë.
Në parakalim kolona e përcjelljes së Titos kalonte me shpejtësi si asnjëherë më parë. Pëshpëritej sikur qe përgatitur një atentat, ose i druheshin atentatit, prandaj parakaloi me shpejtësi e me xhama të errët para turmës. Me të ikur nisën arrestime me metoda brutale për t’ia bërë qejfin Titos, apo sipas listës së lënë, është vështirë të dihet.
Idili i shkurtër titist po e merrte rrokullimën, prapë pëshpëritej në “Rilindje”. Dikush e thoshte me ironi, dikush tjetër me frikë. Por të dyja palët e thoshin me zë të ulët. Muret kishin veshë!
Tre vjet më parë, në konviktin e studentëve, u gdhimë me parullat: “Tito, xhelat i popullit”. “Mjaftë e shfrytëzuat Trepçën!” etj. Në broshura ilegale shkruhej se më 1945 Tito urdhëroi vrasjen e mbi 50 mijë shqiptarëve. Këto gjëra i diskutonim shpesh nëpër grupe të ngushta studentësh. Mizoritë e ushtrisë jugosllave (kryesisht serbo-malazeze) t’i thoshte çdo burrë a grua që e kishte mbijetuar luftën. Për shkrimet nëpër mure milicia na rrethoi të gjithëve, duke na bastisur për faqe të zezë. Tërë ditën nuk na lanë të shkojmë në fakultet. Isha në vitin e dytë të studimeve.
Parulla të ngjashme me ato të para tre vjetësh e pritën mareshalin e Jugosllavisë gjatë vizitës në Kosovë. Arrestimet tinëzare e dëshmonin këtë gjë. Pas Prishtinës, ai shkoi në vizitë miqësore në Havanë te Fidel Kastro. Prapa la policinë e shërbimin e fshehtë që i shtrëngonin darët në Kosovë, po edhe në territoret etnike shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Së shpejti u identifikua një grup “armiqësor”, pëshpëritej kuluareve. Nga ta Jusuf Gërvalla, gazetar i “Rilindjes” e emër i njohur në publik, u arratis.
Tensionet e mbërthyen Kosovën. Përndjekjet e frika u bënë përditshmëri.
Disa muaj më vonë, mareshali jugosllav shkoi në spitalin e Lubjanës për shërim. Askush nuk e dinte me saktësi gjendjen e tij. Konsiliumi i mjekeve u bë proverbial me komunikatat e vakëta për shëndetin e tij. Njerëzit talleshin fshehurazi me këmbën e mareshalit: a la president.
Ato vjet erdhën ansamble të ndryshme nga Shqipëria, shfaqeshin filma të cilët i mbushin sallat e kinemasë, literatura shqipe apo e përkthyer në shqip e plotësoi lekturën e munguar. Erdhën artistë, shkrimtarë, po edhe personalitete tjera të njohura nga Tirana. Kadarenë, që vinte për herë të dytë, e takova në hollin e hotelit “Grand”. Disa ditë më parë pati një takim me gazetarët e “Rilindjes” dhe intelektualët në Pallatin e Shtypit. Ndërkohë kisha dëgjuar që romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” do të adaptohej në film nga francezët, konkretisht kisha një informacion të mjegullt se Mishel Pikoli ishte në krye të këtij produksioni të rëndësishëm. Kadare qe shkrimtari i parë shqiptar, veprat e të cilit bëheshin film jashtë shtetit. Kjo në mjedisin tonë bëri jehonë të madhe, sepse Mishel Pikoli, Marçelo Mastrojani, Anuk Eme etj., që përmendeshin në projekt, ishin emra të mëdhenj të kinematografisë franceze e italiane, madje me kohë kishin kaluar kufijtë e kontinentit. Kadareja me fjalë të kursyera ma dha informacionin, më tregoi se kishin bërë disa përçapje dhe pritej që filmi të xhirohej në Shqipëri.
Holli i “Grandit” pothuajse ishte i zbrazur, ndonjë punëtor te pulti i recepcionit, ndonjë kamerier që shërbente tutje mysafirët e restorantit dhe Helena që dëgjonte derisa ne bisedonim, kryesisht e dëgjoja unë, ndërsa shkrimtari i madh më jepte informacionet e nevojshme.

Vizita e tij në Prishtinë, megjithëse ishte e ndarë nga vizitat e ansambleve e artistëve të tjerë, ishte në frymën e ardhjes së shpeshtë të artistëve shqiptarë që ndikonte për mirë. Ardhja e Kadaresë qe ngjarje e veçantë. Atë ditë e pashë edhe në rrugën kryesore me Helenën e bukur, sikurse e quanim ne gazetarët gruan e tij, ndërsa sa herë e përmendnim ma kujtonte Helenën e Trojës dhe luftën që u bë për të. I kisha shikuar dy versione të filmave për luftën e Trojës. Dikur e pata lexuar në vazhdime në një revistë novelën “Shuaje dritën, Vera”. Atëbotë nënshkruhej Elena, por ne të gjithë e quanim Helena, që të mos na e prishte imazhin.

Derisa në prill të vitit 1980 zhvillohej Festivali Ballkanik i Filmit në Lubjanë, ku mori pjesë edhe Shqipëria me filmin e Saimir Kumbaros “Koncert në vitin 1936”, Todi Bozo, regjisor nga Tirana, udhëheqës i delegacionit, më luti të përktheja në një takim me organizatorët e festivalit. Drejtori slloven i festivalit u kërkonte falje pjesëmarrësve që s’mund ta bënin manifestimin më madhështor, sepse presidenti i RSFJ-së ishte në gjendje të rëndë, në spital, këtu pranë nesh. Mua më shkoi mendja se Tito ka vdekur, ashtu mendonin edhe të tjerët. Por zyrtarët jugosllavë e mbanin të fshehtë vdekjen e tij, u druanin trazirave.
Pas disa javësh e shpallën në mënyrë dramatike vdekjen e Josip Broz Titos, kryetarit të Jugosllavisë. Për vdekjen e tij u shkruan mijëra shkrime vajtuese, si “biri më i madh i Jugosllavisë”, “gjeniu i kohës sonë”, “pishtari i socializmit” etj. Në mesin e atyre që u përgjëruan në gazetën “Rilindja” qe edhe një akademik yni (R. Q.) Nuk e kuptova pse e bëri një gjë të tillë, kur e dinte kush ishte Tito dhe sa rëndonte në boshtin kurrizor të shqiptarëve. Shumë intelektualë nuk ia falën përgjërimin titist akademikut të Institutit Albanologjik. Disa u gëzuan për vdekjen e diktatorit jugosllav, por emocionet e tyre i ndrydhnin. Ata nuk e patën privilegjin e të parëve, të shprehnin emocionet publikisht.
Shumëkush priste shpërbërjen e Jugosllavisë.
Në qytetin Bilbao (Spanjë), ku mbahej Festivali Ndërkombëtar i Filmi, thuhej se u shfaq një film dokumentar, i cili parashikonte shpërbërjen e Jugosllavisë, ndërsa do të niste me pakënaqësinë e shqiptarëve.
Në Kosovë, në dimrin e vitit 1980-81, pati shtrëngesa të shumta ekonomike, kontrolle policore e mungesa të mëdha të gjërave elementare. Për vështirësitë ekonomike, për skamjen, nuk shkruhej asnjë fjalë. Tek-tuk bëhej ndonjë takim në komitete nga dilte ndonjë fjali e mburrjeve shterpe: do ta luftojmë ngritjen e pakontrolluar të çmimeve. Socializmi jugosllav shënonte vetëm suksese, kështu shkruanin gazetat, kështu raportonin mediat elektronike.
Një lloj frike se mund të niste zia e gjërave ushqimore hetohej në sytë e secilit, si dikur zia e bukës. Baballarët tanë e mbanin në mend këtë fatkeqësi. Pakënaqësia ndaj Jugosllavisë shprehej edhe te kombet e tjera. Sllovenët konsideronin se po i shfrytëzojnë ekonomikisht, kroatët ankoheshin në mungesat e të drejtave kombëtare, arrogancën e serbëve e të pushtetit qendror të Beogradit. Po ua zinte frymën Jugosllavia, të thoshin nëpër ndeja të mbyllura. Por secili priste që t’ia niste tjetri turbullirave, që të mos binte mllefi i Jugosllavisë mbi të. Kroatët e kishin filluar më parë revoltën me “Maspokun”, sikurse e quanin lëvizjen e gjerë kundër pushtetit qendror, por i goditën ashpër policia e shërbimi i fshehtë, u bënë shkarkime në kreu e udhëheqjes republikane e federative. Shqiptarët kishin arsye më shumë se të gjithë të shprehnin pakënaqësinë. Krahasuar me republikat e tjera e me krahinën e Vojvodinës, shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë ishin në fund të pusit, kombe të dorës së dytë, me të drejta tejet të kufizuara.
Serbia ishte e pakënaqur me autonominë e Kosovës e të Vojvodinës, kërkonte qendërzim më të madh të pushtetit ekonomik e politik. Në Bosnjë e Hercegovinë fasada e vëllazërim-bashkimit mashtronte, brenda ziente mllefi e urrejtja.
Secili ishte i pakënaqur me secilin. Pritej shpërthimi, porse kush do t’ia linte këmbët e arushës tjetrit në dorë, duhej të pritej. Arusha ishte Serbia. Ajo ishte republika më e madhe në Jugosllavi, e pati armatën pas vetes.

Kur u fërfëlluan pjatat në Mensën e Studentëve

Shpërthimi i demonstratave të vitit 1981 nuk ishte krejtësisht i papritur. Pakënaqësitë ishin të vazhdueshme, ndërsa mungesat e gjërave për konsum, sidomos nga fundi i vitit 1980 ishin të dukshme. Debatet për shfrytëzimin e Kosovës nga Serbia, pakënaqësia që minierat tona shfrytëzoheshin për ta ndërtuar Beogradin, apo lënda e parë e xeheve i shitej Bashkimit Sovjetik me këmbim mallrash, në vend se të shitej në Perëndim me dollarë, bëheshin gati në të gjitha nivelet, herë zëshëm, herë nëpër ambiente të mbyllura.
Demonstratat filluan më 11 mars, u përshkallëzuan më 26 mars, kurse më 1 e 2 prill e arritën kulmin me shumë të vrarë e të plagosur.
Më 11 mars thanë se pati pakënaqësi me ushqimin në Mensën e Studentëve, ku u ushqeva disa vjet, derisa isha student. Nuk e kuptova pse duhej të ishin të pakënaqur me këtë mensë, sepse në kohën time pati standarde të pranueshme për kushtet tona. Qe ndërtuar para disa vjetësh dhe ende kishte pajime të mbajtura mirë me ushqimet që ishin më të mira sesa në restorantet e papastra të qytetit, tip kuzhine popullore. Pakënaqësia me ushqimin qe shkas, shkaku ishte më i thellë.
Askujt, nga ata që nuk merrnin pjesë në organizim, apo që e ndiqnin nga afër zhvillimin e ngjarjeve, nuk i shkonte nëpër mend se 11 marsi i vitit 1981 ishte vetëm fillimi i një shpërthimi të madh, zinxhir, që s’do të pushonte derisa nuk do të shpartallohej Jugosllavia, shtet mujshar, i padrejtë e mizor ndaj shqiptarëve. Nisi me pakënaqësinë e çastit, të paktën ashtu menduan pjesa më e madhe e qytetarëve, mbase edhe e studentëve, por ai ishte vetëm mashtrim, sepse hedhja e pjatave në Mensën e Studentëve ishte nisma për diçka që do ta trondiste Kosovën, do ta tërbonte Jugosllavinë, ndërsa gjithë tërbimin do ta zbrazte mbi shqiptarët e Kosovës. Mediet evropiane e në SHBA nisën të gumëzhinin për gjendjen në Jugosllavi, ku nuk po lulëzonte çdo gjë, siç dukej në pamjen e parë të të huajit, krahasuar me shtetet e tjera komuniste.
Më 26 mars si për sherr do të vinte stafeta e Titos, një simbol i Jugosllavisë, që bridhte nëpër gjithë territorin e shtetit për t’iu dorëzuar Titos. Mirëpo, meqë ai kishte vdekur, sivjet do ta merrte kryetari i Kryesisë së shtetit jugosllav. Një grup studentësh, shumë më i madh se herën e parë, u organizuan para konvikteve dhe në rrugën kryesore, me përpjekjen për të dalë në qendrën e qytetit, ku mbahej ceremonia e fjalimeve, ndërsa pritej ardhja e stafetës. Përleshja ishte e pashmangshme…
Demonstratat shpërthyen ditën që erdhi stafeta e Titos në Prishtinë, ndërsa duhej të bënte rrugëtimin nëpër gjithë Kosovën për disa ditë. Demonstruesit u përpoqën ta pengonin dorëzimin e stafetës, policia bëri kordon të fuqishëm, duke mos i lejuar studentët e të rinjtë e shkollave të mesme të dilnin në qendër të qytetit ku bëhej ceremonia.
Të gjitha këto i dëgjova të ripërsëritura nga një qytet tjetër, një herë të interpretuara nga një kineast serb në qendrën e festivalit, herën tjetër nga televizioni serb. Atë ditë isha në Beograd në një manifestim të filmit. Ajo që lajmëronte Televizioni i Beogradit dukej dramatike. Propaganda e tyre e intononte në atë mënyrë sikur të ishte fundi i botës, ndërsa një grup gazetarësh nga Kosova me disa aktorë filmi u mblodhëm një herë në restorantin e hotel “Moskva”, ku e bënim natën, pastaj nëpër dhoma hoteli, me cigaret që i digjnim njërën pas tjetrës, me ethet e debateve dhe me frikën e së panjohurës. Të gjithë ishim të tronditur e të frikësuar, sepse mediet serbe e dramatizonin, ne kishim vetëm dromca të kësaj ngjarjeje, të hiperbolizuara apo të minimizuara, nuk e dinim me saktësi. Veçmas druanim për numrin e të vrarëve, që nuk e jepte TV Beogradi. Telefonat ishin të ngarkuar, kështu që e patëm të vështirë të merrnim ndokënd në Prishtinë, largësia e bënte edhe më dramatike situatën. Në hotel na njihnin, në restorant nisën të na shihnin me dyshim, pa e fshehur urrejtjen karakteristike serbe ndaj shqiptarëve, që na kishte fshikulluar vazhdimisht, ndërsa fshihej prapa paraqitjes së dyzuar e pamjes së lëmuar të fjalëve të zgjedhura, ku gjithnjë kishte dozë dyshimi. Recepsionistët e hotelit nga mënyra e sjelljes dhe nga zelli, nuk ishte vështirë t’i hetoje se vinin nga policia e fshehët. Pa e fshehur shikimin bezdisës e vrojtonin secilin që hynte e dilte, meqë aty kishte edhe mysafirë ndërkombëtarë. Shqiptarët e Kosovës, kryesisht gazetarë, ekonomistë, drejtues organizatash ekonomike, apo zyrtarë të forumeve të ndryshme partiake e shtetërore, ishin objekt i mjaftueshëm për përcjellje 24-orëshe. Nuk e dinin se kanë informacion më shumë se ne për ngjarjet dhe, sidomos, sa ishte dramatike gjendja. Ndonjëri që kishte arritur të komunikonte me shtëpinë apo me ndonjë mik, i kishin thënë se ka shumë të lënduar e të arrestuar, se ishte rrëmujë e madhe në Prishtinë.
Elita e Komitetit Krahinor dhe udhëheqja e policisë me logjikën e xhandarit, llogaritën se me arrestime e rrahje do t’i frikësonin studentët, mbase kjo qe arsyeja që gjendja nuk u qetësua, përkundrazi u përshkallëzua. Mbase edhe sikur zyrtarët shqiptarë të Kosovës të tregoheshin më të logjikshëm e më të mençur, s’do të bënin gjë, sepse nuk e kishin situatën nën kontroll, ua plasi dikush bombën te dera dhe ata silleshin si pula pa kokë, duke gjuajtur me grushte majtas e djathtas.
Ndërkaq ne e shikonin tërë këtë nga dhomat e hotelit në Beograd. Prapë e shihnim njëri-tjetrin dhe s’dinim ç’të ndërmerrnim. Të niseshim menjëherë, druanim se nxitonim, të rrinim këtu na dukej se do të bëhej vonë pa praninë tonë, kështu që gati gjithë natën ndenjëm pa gjumë nëpër dhoma grupe-grupe, duke debatuar dhe duke pirë duhan pa pra si të droguar. Pa gjumë i lamë edhe punonjësit e sigurisë së hotelit, sepse dikush u kishte thënë me një urdhër të veçantë që të na kishin nën mbikëqyrje, kështu që tërë natën silleshin nëpër korridore.
Me të zbardhuar, secili paloste rrobat, paguante hotelin dhe me trenin e parë u nisëm. Rruga na u duk e gjatë, patëm ardhur me avion, por u kthyem me tren, sepse s’kishim rezervim bilete para kohës, festivali vazhdonte.
Kishte tension e qetësi në Prishtinë, por rrëmuja ishte shuar. Policët me helmeta dukeshin gjithandej. Një ditë pas dukej më e qetë, madje zhgënjyese për ankthim që e kaluam tërë natën, megjithëse prapë ishim të kënaqur që e kishim dramatizuar, sepse e dinim se vështirë do ta përballonim tërbimin e Serbisë e Jugosllavisë.
Një koleg imi që në lajmet për fillimin e demonstratave në Kosovë tha se hakmarrja serbe do të na kthente njëzet vjet prapa. Ai qe i sigurt se nuk do të fitonim asgjë, askush s’do të na mbështeste, “dreqi ka me na hëngër”, tha gati me buzën në vaj. “Nisëm diçka të mirë pas vitit 1974”, fliste ai, “ndërsa do të na lënë në gjysmë të rrugës”. Të tjerët e kundërshtuan ashpër, sepse prisnin mbështetjen e evropianëve e të amerikanëve. Mbaj në mend se aktori i njohur i teatrit e filmit I. Begolli, i shqetësuar tha: “Jugosllavia s’do të guxojë të bëjë masakra në Kosovë, ne nuk jemi në Amerikën Latine, jemi në Evropë!” Të gjithë donim ta mbështesnim, madje edhe ta besonim aktorin tonë të madh, që fliste i tronditur, sikur donte ta bindte edhe ai veten, por kishim shumë frikë për dhunën që do të ushtrohej jo vetëm kundër studentëve. Isha i sigurt se edhe ai kishte frikë nga masakra. Të gjithë shpresonim se Evropa s’do të lejonte masakra, mirëpo njëkohësisht të gjithë kishim frikë se do të bënte veshët e shurdhër, sikurse disa herë deri tash.
Çuditërisht në heshtjen para stuhisë, shpresonim se demonstrimi i 26 marsit, mbase do të kishte efekte pozitive, se federata do ta lëshonte ca lakun që ua kishte shtrënguar shqiptarëve, se politikanët tanë do të silleshin në mënyrë të arsyeshme, ndërsa në fakt ata u sollën si pula pa kokë, e ndërsyen aparatin e dhunshëm të Beogradit, por ku e ku e ndihmuan, me shpresën se në këtë mënyrë duke sakrifikuar të tjerët do ta shpëtonin veten.
Të nesërmen shkova në redaksi. Askush s’bënte verë me gojë, askush nuk besonte se pakënaqësia e 26 marsit, do të shpërblehej me të drejta më të mëdha, me liri më të madhe të fjalës e të veprimit, apo me barazi me kombet e tjera të Jugosllavisë.
Informacionet nga jashtë Kosovës vinin si vërshim lumi, duke i dënuar demonstratat e 26 marsit. Komitetet republikane e lokale, qendra e federatës me të gjitha organet e veta, tashmë mori qëndrim që të dënoheshin këto demonstrata dhe të ndëshkoheshin organizatorët. Por që në fillim pati paralajmërime për shkarkime në të gjitha strukturat shtetërore. Dhe këtu ishin më të shqetësuar zyrtarët tanë. Ata në pjesën më të madhe me vogëlsinë e tyre e projektonin postin dhe fatin e tyre, madje përpiqeshin në ethe të shkëputeshin nga fati i bashkëkombësve, të cilët donin t’i linin në duart e policisë, të shërbimit sekret e ushtrisë jugosllave.

Gjendja e jashtëzakonshme e paralizoi jetën

1, 2 prill 1981 – Brutaliteti i policisë-njësive federale ishte i paparë. Ata ndërhynë më 1 e 2 prill me mizorinë e hordhive të tërbuara. Vranë dhjetëra studentë e qytetarë, gjymtuan shumë të tjerë dhe arrestuan qindra demonstrues. Flitej se njësitë federale të policisë askush nuk i ftoi, por ato erdhën, ndërkohë përgënjeshtrohej se ato erdhën të paftuara, por thuhej se i ftoi kreu i policisë krahinore. Askush nuk merrte vesh asgjë, sepse u bë rrëmujë e lojë e fortë propagandiste. Ndërkohë zyrtarëve lokalë ua morën kompetencat mbi policinë, sigurinë dhe institucionet e tjera.

Në kufi me Serbinë flitej se dolën grupe shqiptarësh të armatosur, por nuk u bënë ballë tankeve e njësive të blinduara. U vranë dhjetëra burra, pëshpëritej në redaksi. Një shkulmë mllefi e pafuqie e përshkoi Pallatin e Shtypit nga kati i parë deri në të 18-in. Por askush nuk fliste zëshëm.

Më 1 e 2 prill demonstratat shpërthyen në mënyrë të pakontrolluar, nëpër të gjitha rrugët, nëpër rrugicat me tërë mllefin. Krahas studenteve dolën edhe shtresat tjera sociale, punëtorë, qytetarë, por edhe sehirxhinj. Flitej se nga 26 marsi policia e fshehtë e Kosovës kishte arrestuar shumë studentë, tërë natën kontrollonte me ashpërsi nëpër konviktet e studentëve, ku silleshin ashpër, nëpër burgje ndaj të arrestuarve përdornin metoda brutale. Me logjikën e policëve besnikë të pushtetit, ata mendonin se duke i frikësuar të rinjtë do t’i qetësonin. Në anën tjetër këto roja besnike të pushtetit qenë mllefosur pse të rinjtë ua prishën qetësinë e komoditetin. Kështu me shkurtpamësinë e ndërhyrjeve budallaqe, nxitën mllefin e qytetarëve, sepse studentët kishin familje, farefis, kishin fqinjë e bashkëqytetarë.

Në qytet u krijua rrëmujë, tym i ndërhyrjes, krisma pushkësh, që të tmerronin. Grupet e qytetarëve e të studentëve u shpërndanë nëpër rrugë e rrugica, u izoluan nga njëri-tjetri. Një pjesë u dëbuan përtej kompleksit të klinikave universitare, nëpër livadhet e atjeshme. Në muzg e natën flitej se policët federalë vranë dhjetëra studentë. Qytetin e goditi një paralizë si ta kishte goditur damllaja. Heshtje dhe pritje.

Gjithë natë e kaluam të zgjuar në banesë, duke dëgjuar inserte nga rrëfimet e motrës e vëllait që erdhën nga demonstratat në konviktin e studenteve, ku gati i ngulfatën me tym lotues. Por kur i mbërthyen policët, duke i nxjerrë në oborr, ku i kishin renditur qindra të tjerë, një milic shqiptarë ua bëri të mundshme t’ia mbathnin.

Mendoja se me kaq përfundoi, por ditën e dytë pakënaqësia e mijëra të rinjve, por edhe strukturave të tjera sociale u derdh në rrugë, nisi nga Qendra e Studentëve e vazhdoi nëpër tërë qytetin. Njësitë speciale serbe, por edhe kroate, sllovene e maqedonase ndërhynin me brutalitet. Ishte vështirë të veçoje cilët ishin më brutalë, megjithëse flitej se serbët u bënë si ngaherë tepër të zellshëm me shkopinj e tortura, por edhe më të gatshëm në shkrepje armësh. Ndërkaq, njësitë nga Kroacia e Bosnjë e Hercegovina, sikurse u mor vesh më vonë, pjesën më të madhe të policëve i kishin serbë.

Flitej për masakër, sidomos natën, përtej klinikave të kryeqytetit.

Askush asnjëherë nuk e mori vesh sa njerëz u vranë, sa u plagosën, por nuk dihej as sa ishte numri i të arrestuarve, i të arratisurve, sepse me qindra pastaj ia mbathën në Perëndim. Burgjet u mbushën, flitej se të burgosurit i dërguan edhe në Serbi e republikat e tjera jugosllave deri në Slloveni. Asnjë gazetë nuk shkruante për të vrarët e të plagosurit, për të burgosurit e ata që ndiqeshin. Policia shqiptare e Kosovës nisi të sillet më butë, sepse me sjelljet e policëve serbë panë që zelli i tyre i fillimit qe punë djalli.

Kompetencat e sigurisë i mori Beogradi, duke i suprimuar shumë institucione. U shpall gjendja e jashtëzakonshme, ndërsa sulmet medieve serbe, kroate, sllovene, maqedonase e boshnjake kundër nesh, vërshuan si lumë i rrëmbyeshëm.

Ndërkohë propaganda jugosllave s’la gjë pa thënë kundër shqiptarëve, duke i quajtur me cilësimet nga më të ndryshmet: armiq, të dhunshëm, të tërbuar, egërsira etj. Mediet serbe prinin. Megjithatë ishte mirë se demonstruesit nuk e vranë asnjë polic apo pjesëtar të policisë së fshehtë, megjithëse e kërkonin nga një plumb.

Me pëshpërime thuhet se u vranë qindra të rinj e qytetarë që morën pjesë në demonstrata apo që ishin sehirxhinj. Vriteshin edhe njerëz natën, qëllonin në kohën e gabuar e në vendin e gabuar. Dikur nisën të lëviznim nëpër rrugica më pak të rrahura nga policët, duke kërcyer shpesh edhe mbi mure të ulëta nëpër qytetin e vjetër.

Është vështirë të përshkruhet gjendja e nderë dhe e jashtëzakonshme që e mbërtheu jo vetëm Prishtinën, por të gjitha qytetet e Kosovës, sepse ndodhi diçka që nuk ishim mësuar ta shihnim, ndërkaq na kujtoheshin fjalët e prindërve tanë, kur na rrëfenin për kohën e ndërhyrjes së partizanëve serbë e malazezë në Kosovë që mbillnin terror e vdekje.

Kjo gjendje na ndoqi muaj e vite me radhë, me shpresën e vazhdueshme se gjendja do të zbutej, se tërbimi i jugosllavëve do të binte. Ata na i shtrëngonin darët, e intensifikonin dhunën, arrestonin e burgosnin, duke shpifur grupe armiqësore dhe duke dënuar në mënyrë të pashembullt. Në ndëshkimin e “nacionalistëve e irredentistëve”, sikurse i quanin të gjithë ata që i shpallnin armiq, morën pjesë hetues, polici e fshehtë, prokurorë e gjyqtarë shqiptarë, sa nga frika, aq edhe nga shpresa se me këtë gjë do të bënin karrierë apo do të ruanin vendet e punës. Kështu gjymtuan qindra të rinj, dënuan shumë të tjerë, mijëra pastaj ikën në Perëndim që të shpëtonin nga torturat, kurdisjet, sepse grupet armiqësore sajoheshin aty për aty, që t’u jepnin shembull të tjerëve.

Një pjesë e intelektualëve i përballuan stuhisë, të tjerët u ligështuan e cicëruan ashtu sikurse u thoshin organet shtetërore e Komiteti. Zyrtarët shqiptarë të Kosovës nuk treguan në pjesën më të madhe burrni, përkundrazi nxituan të jenë sa më të ashpër ndaj të rinjve e intelektualëve, duke i fyer, duke shpifur e duke i gjykuar në mënyrën më të rreptë, sepse ashtu i urdhëronin të bënin, ndonjëherë këta të shkretë bënin më shumë sesa që u thoshin. Kjo nuk u ndihmoi shumë, pavarësisht se i mbajti në pushtet edhe disa vjet. Beogradi, me ndihmën e madhe të republikave të tjera, i shkarkoi pjesën më të madhe të funksionarëve nga të gjitha instancat. Ata donin të vazhdonin zellin e shërbimit, por vinin të tjerë që ishin edhe më të zellshëm sesa pararendësit e tyre.

Gjatë këtyre vjetëve u ndryshua pjesa më e madhe e strukturës shtetërore e partiake të Kosovës, erdhën të tjerë, shërbyen edhe më me zell, u përjargën kundër bashkëkombësve të vet. Megjithatë i dëbuan për faqe të zezë. Urdhërdhënësit kërkonin edhe më.

Gati nuk mbeti askush nga përbërja e vjetër. Nuk mund të veçohet asnjëri prej tyre.

Gazeta “Rilindja” i heshti manifestimet e pakënaqësisë disa ditë me radhë. Shkruante për sukseset, shkruante për dorëzimin e stafetës, politikanët betoheshin në besnikëri ndaj rrugës së Titos e Jugosllavisë, ndërsa jeta sipas gazetave vazhdonte si të mos kishte ndodhur asgjë. Natyrisht dyert e banesave të pjesëmarrësve më të shquar të demonstratave kërcisnin natën, duke u thyer, policët me njerëzit e shërbimit të fshehtë arrestonin individë e grupe, duke i mbushur burgjet.

Kundër demonstratave doli i pari Xhavit Nimani, kryetari i Kryesisë së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, të cilit dy vjet më parë iu hakërrye mareshali Tito në hotel “Grand”. Pas tij nisën të pështyjnë publikisht njëri pas tjetrit: Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli etj. Secili sikur bënte garë kush do të fyente më shumë demonstruesit, simpatizuesit e tyre dhe gjithë ata që i mbështesnin kërkesat e gjakimet e tyre.

Disa ditë heshtën edhe në Shqipëri sikur t’ua kishte ngrënë macja gjuhën, ndërsa reagonin për trazirat sociale në fund të botës, apo viheshin në mbrojtje të grupeve marksiste-leniniste në Amerikën Latine.

Në planin ndërkombëtar, Jugosllavia e thellonte bashkëpunimin me shtetet e painkuadruara (paangazhuara), ku bënin pjesë shumica e shteteve arabe. Ato shtete të parat i dënuan demonstratat, i mbështetën masat që u morën kundër shqiptarëve. Diktatori psikopat Gadafi erdhi në Beograd. Thonë se mori me vete edhe gamilen, sepse mu si beduinët, prej nga vinte edhe ai, e pëlqente qumështin e kësaj kafshe shkretinore. Në Beograd e duartrokitën, ndërsa kuluareve talleshin me primitivizmin e tij. Por zyrtarisht ai ishte njëri ndër aleatët më të fortë të Jugosllavisë. Serbia e Kroacia përfitonin shumë ekonomikisht nga vendet arabe, madje sikur të mos ishte bashkëpunimi me këto vende islamike, jugosllavët do ta ndienin veten ngushtë, ndërkaq, në Kosovë disa shqiptarë nisën t’i pagëzonin fëmijët me emrat e diktatorëve arabë: Sadat, Asad, Gadaf, Naser, ose me emrat e qyteteve Rijad, Medina etj. Ishte një anomali që s’ta kapte mendja: arabët e donin Serbinë e Jugosllavinë, ndërsa një pjesë e vockël e shqiptarëve i donin arabët.