Published On: Fri, Oct 20th, 2017

Fundi i “Golgotës” së kashnjetorëve

Nga Ndue Dedaj

 

Rruga e Kreshtës 
Nëse doje ta “dënoje” dikë nga Lezha, në kohën e monizmit, nuk kishte nevojë ta tresje nëntë male larg, por mjaftonte ta hidhje matanë Kreshtës, në Kashnjet. Kanë punuar atje plot mësues, mjekë, agronomë, veterinerë, ekonomistë, gjeologë nga rrethet e tjera, ku, për hir të së vërtetës, lezhjanët kur mbaronin shkollën lusnin fatin që veç në Kashnjet të mos i hidhnin. Jo se nuk donin t’i shërbenin atdheut atje ku ishte vështirë, po se nuk do të vinin për dy a tri javë në shtëpi. Lexuesi jo lezhjan që i lexon këto radhë dhe nuk e di gjeografinë me imtësi mund të thotë, e po, ky Kashnjeti qenka më larg se Dukagjini, ore! Jo, Kashnjeti është vetëm një mal përtej Lezhës, malin e Kreshtës, por, për ta ngjitur atë, ishte si të ngjiteshe “Golgotës”…

Rruga e Kreshtes Kallmet -Kashnjet

Rruga e Kreshtes Kallmet -Kashnjet 
Foto: Salvator Gjeçi

Nuk është gojëdhënë, por realitet i së shkuarës, i një shekulli më parë: burrë e grua, marrin rrugën e mundimshme nga Kashnjeti, zbresin tërthoreve të Kreshtës dhe mbërrijnë në Shëngjin, mbushin thasët me drithë dhe nisen prapë për në fshatin e tyre matanë malit që puthej me qiellin. Dy ditë që kishin dalë nga shtëpia e mezi prisnin të ktheheshin në votër. Por mali nuk po dinte të soste. Sa më shumë që ata i ngjiteshin tërmales shkëmbore gjithë lakadredha, maja e Kreshtës iu dukej e paarritshme. Mbrapa tyre Zadrima kredhej në tymnajë, e gjarpëruar nga Drini plak. Mbërrijnë ai burrë e ajo grua në majë të Kreshtës kah mesnata, por moti kishte qëlluar i pabesë dhe vendin befas e mbulon bora me lisa, gurë e shkurre, nuk kishte më rrugë, por vetëm suferinë, bornajë, ngricë. Ata të dy ngrinë si një shtatore e vetme në gji të njëri-tjetrit, me drithin që kurrë nuk mbërriti deri tek uria e vocërrakëve të tyre!…

E ky është vetëm njëri nga episodet tragjike të kësaj rruge në mote të hershme, nëpër të cilin sot ecim asfaltit me makinë dhe shkrepim aparatin fotografik. Është i njëjti mal, por një rrugë krejtësisht tjetër…

kulla-kultura

Kulla – monumet kulture

 

“Se nuk kishte rrugë, ndodhi braktisja e fshatrave!”

Zadrima, që në relacionet e Frang Bardhit, ipeshkvit shkrimtar, cilësohet “si një republikë”, ishte ndër zonat pjellore të vendit. Por sapo kaloje matanë Kreshtës, pamja ishte tjetër në kullat e njerëzve të njohur për urtësi e trimëri. Kreshta ishte si një perde e rëndë që e pengonte malësorin të shihej me detin dhe t’i shëmbëllente fushës për nga burimet e jetesës. Binin herë pas here familje mirditore e malësore në Zadrimë e në Bregun e Matës, për një jetesë më të mirë, por prapë maleve të larta që qarkonin qytetet e fushat rronin banorët e malësive të epra. Ishin rrugët tradicionale të karvanëve që i lidhnin ata me pazarin, tregtinë e vogël, thesin e drithit, kafenë, sheqerin, orizin, vajin e gurit, basmet e sendet e tjera të nevojshme. Por falë njeriut, historia e atyre vendeve ndryshonte nga koha në kohë. Edhe pse në kushte të pafavorshme sociale dhe ekonomike, kashnjetori vital për nga natyra dhe karakteri, ishte i dhënë pas ndryshimit, aty në Dheun e Dibrrit, ku pas Kongresit të Lushnjës do të vendosej për disa kohë selia e Nënprefekturës së Mirditës. Ata bënë gjithçka për t’u shkolluar e për t’u integruar në jetën qytetare të komunitetit lezhjan e më gjerë, si mjekë, arsimtarë, ushtarakë, ekonomistë e drejtues të niveleve të ndryshme të pushtetit. Dy shkollat e mesme qenë kthyer në vatra të dijes. Kemi ardhur te shkolla e Kalivaçit, një godinë trekatëshe më e mirë se në qytete, dhe kalivaçsit rrëfejnë për historinë e afërme të arsimit këtu, kur shkolla kishte 900 nxënës, ndonëse tani numri është shumë më i vogël. Ata të thonë me krenari të ligjshme se nga fshati i tyre kanë mbaruar arsimin e lartë e të mesëm mbi 150 vetë. E nuk e shqiptojnë këtë thjesht për histori, porse janë të motivuar për zhvillimin e këtij vendi, në kontekst të ri. “Se nuk kishim rrugë, ikëm pas ’90-s! Se nuk kishte rrugë, ndodhi braktisja e fshatrave! Ikën mësuesit, mjekët, shërbimet, ndaj u detyruam të iknim dhe ne!” E dëgjon këtë nga të gjithë, ndaj rrugët e reja shihen si rikthim i banorëve atje, po kësaj here jo për të punuar tokën me parmendë si stërgjyshërit.

Zadrima, në këmbë të malit, i ka rrugët të asfaltuara gjithandej. Ky është qytetërimi i ri që po e nxjerr fshatin fushor nga pamja tradicionale, duke e bërë hapësirë urbane e duke lënë sërish fshat, në kuptimin e të mirave që ka jeta e banorëve mes gjelbërimit, prodhimit bujqësor e blegtoral, i cili ka filluar të mos jetë më spontan, por aty-këtu ka ferma, punishte e fabrika. Tani donatorët e kanë hedhur vështrimin nga fshatrat e thellë e duket se një projekt i ri infrastrukturor po i përshkon malet e Veriut. Rrugët e asfaltuara që lidhin komunat e largme janë jo të pakta, në Kukës, Peshkopi, Pukë, Mirditë, Tropojë etj., po lajmi mirëfilli nuk është një rrugë e re, por njeriu i ikur që e ka kthyer sërish fytyrën nga bjeshkët, jo thjesht për t’i soditur ato si perla ekzotike…

 

Me aparat fotografik, rrugës së re Kallmet – Kashnjet

Salvatori, që e shkrep aparatin herë pas here, na thotë të shohim atje lart, në shpatin e malit, nga kalonte rruga e vjetër, sipër një shkëmbi të bardhë, ku rrëzohen dhe dhitë e egra. E, pra, atje kalonte rruga e makinës që lidhte në vitet ’70 lokalitetin e Kashnjetit me Lezhën. Kazmën e parë për ta ndryshuar atë rrugë e hodhi Gjovalin Gjoni, kryetari i komunës, para 7-8 vitesh, duke shkurtuar disa kthesa dhe duke ulur trasenë më poshtë. I hyri punës “partizançe”, me traktor e fadromë, me ato mundësi që kishte, por i lavdërueshëm ishte vullneti për ndryshim. Kjo e përmirësoi ndjeshëm qarkullimin, thonë banorët, ani se problemi nuk mund të quhej i zgjidhur përfundimisht. Por dihet, gur-gur bëhet mur. Kur është hedhur një hap, mund të hedhësh dhe dy e tre. Kjo është filozofia e progresit sot. Merita e drejtuesve rajonalë të Lezhës është se panë përtej zgjidhjeve të çastit me të cilat njerëzit ishin mësuar. Kryetari i Këshillit të Qarkut të Lezhës, zoti Pashk Gjoni, një mjek i njohur, përmendet si lobuesi kryesor për këtë rrugë. Janë të shumtë kashnjetorët që e përgëzojnë drejtpërdrejt dhe përmes rrjeteve sociale, ndër ta dhe jo pak emigrantë, të cilët shprehen se tani do të investojnë në vendlindjen e tyre. “Ka pasur shumë këmbëngulje për këtë rrugë, pasi ishte në terren tejet të thyer e të vështirë, – thonë ata, – por argumenti kryesor ishte se njerëzit nuk e kishin braktisur ‘vendin e gështenjave’ e tash do të kthehen dhe më shumë atje për punë. Janë jo pak, por dhjetë fshatra që përfitojnë prej rrugës së re”. Por doktor Pashku, nga ana e tij, falënderon posaçërisht Fondin Shqiptar të Zhvillimit që i dëgjoi ata njerëz dhe po e përmbyll projektin e rrugës së tyre, që është në fazën e fundit. Ai bashkë me drejtorin, Benet Beci, i ka inspektuar disa herë punimet, pasi kjo është një rrugë rajonale që kërkon të vendosë standard për sa i përket cilësisë së punimeve. Rikonstruksioni i aksit Kallmeti i Vogël – Ungrej bën pjesë në programin e Bashkimit Europian dhe qeverisë shqiptare për përmirësimin e Rrugëve Dytësore e Lokale. Punimet kanë nisur në korrik 2013 dhe do të zgjasnin 16 muaj. Ne shkuam mes punëtorëve, gjatë gjithë aksit prej 7.6 km që po asfaltohet, që është dhe loti i parë, dhe ata flisnin si mjeshtër të vërtetë, për profilin e rrugës, me lartësi të skarpatës, ku janë shmangur shembjet e dherave, gërryerjet etj. Gjini, një kallmetor, që punon me skuadrën e tij diku afër Fregnit, thotë se “rruga është tetë metra e gjerë, me plot vepra arti, ajo ka dhe një pamje piktoreske të admirueshme, prej larmisë së terrenit”. Kurse një tjetër po thoshte se nganjëherë, këto rrugët e reja, shoferët i marrin si me “turr” e kjo është një rrugë që nuk e duron aventurën. “Kësaj, o mik, i thonë: hall me rrugët e këqija, po hall dhe me të rejat”, duke lënë të kuptohet se mungon ajo që mund të quhet kultura e rrugës.

Do të ishin bërë me kohë rrugët, dëgjon në Ungrej, por gjatë tranzicionit shpesh paratë kanë shkuar në xhepat e korrupsionit… e rimojnë enkas si një parodi. Kurse ti shkon dhe më larg në arsyetimin tënd: dhe më parë do të ishin bërë rrugët nëse paratë e shqiptarëve, regjimi komunist nuk do t’i kishte betonuar në tunelet e nëndheshëm, nga pesë kate, dhe në bunkerët e pafundmë anembanë Shqipërisë, monstrat që tash po i kthejmë në “Bunk’art”.

 

Kashnjeti, rezervati i pashfrytëzuar i turizmit malor të Lezhës

Lezha ka fushën e detin, lagunën e plazhin, por malin e ka në Kashnjet. Turistët që do të vizitojnë Lezhën, do të shijojnë plazhet e saj, Shëngjinin, Ranën e Hedhun e Talen, po njëherësh do të kërkojnë dhe malin. Tashmë, falë rrugës së re, Kashnjeti është më pak se një orë larg me makinë. Ungrej, Kashnjeti, Kalivaçi, Kastri, Gjobardhaj, Rrasi, Fregna, Kalori, Gjazuj, Sukaxhia shtrihen në pllaja të valëzuara e kodra të buta dhe mund të kthehen masivisht në pemëtore, vreshta etj., ku investimet e para kanë nisur. Ashtu si turizmi i nesërm, këtu nuk është një fjalë goje.

Kol Shtjefni, një shkodran i vjetër, nga studiuesit më të njohur të Mirditës, e ka vizituar atë qysh në fëmijërinë e tij. Ai shkruan në disa kujtime të pabotuara gjëra që do të vlenin dhe për sot në kuptimin e atraksioneve turistike dhe jo vetëm: “Për herë të parë kam njohur katundin Ungrej para 1920-s dhe kam jetue aty me disa të afërm të mi që kishin dyqan. Isha i befasuar nga natyra e atij vendi, krejt ndryshe nga ajo e qytetit. Shkoja me fëmijët e atjeshëm te stanet ku bjeshknonin bagëtia e flija me ta në fier të njomë, jashtë në natyrë, duke nuhatur aromën e këndshme të tij që më ‘drogonte’ e më vinte në gjumë. Pija me kallaqe qumësht (hirrë e fermentuar) e kjo ishte ‘ndera e stanit e birra e çobanit’ gjatë verës, me të cilën sajdisnin çdo njeri që u shkonte në stan në zhegun e ditës.”

Përpos leverdisë ekonomike që do të kishte mbarështimi i tufave të dhive, jo një e dy, pasi të tilla ka dhe sot, por me shumicë, është dhe ky rituali i rrallë i stanit, hirrës, kosit, bulmetit bio dhe i “Darkës së Djathit”, që për turistët e huaj nuk blihen me para. Natyra është po ajo dhe sërish mund ta “drogojë” njeriun me të mirat e saj, pasi njeriu i sotëm nuk kthehet më në malësi për mbijetesë, por për ta shijuar jetën. Ndaj ata i çmojnë fort këto rrugë, pasi ato e “ngjisin” qytetërimin në male, nxisin zhvillimin atje dhe frenojnë braktisjen e kreshtave. Nuk është e rastit që këtë më mirë se kushdo e kanë kuptuar mësuesit kashnjetorë, që dhe pse shumica banojnë në Lezhë, shkojnë përditë me mikrobus në Ungrej e Kalivaç te shkollat dhe fundjavat i kalojnë pranë kopshtnajeve në fshat. Por atje janë dhe mineralet dhe ata besojnë se Miniera e Gjazujve, që fsheh mademe të rralla, si arsenopiriti, një ditë do të zgjohet. Sa më shpejt të zgjatet rruga, aq më i mundshëm do të jetë dhe turizmi kulturor: kështjella e Kastrit, Fusha Papërdhok, Fusha e Mirë, janë vetëm disa nga objektet arkeologjike të vizitueshme.

 

Banorët zotohen për të kontribuar dhe vetë për zonën e tyre

Pak nga pak po ikën mendësia e të priturit të çdo gjëje nga lart. Kashnjetorët janë mirënjohës për atë që është bërë nga të tjerët për ta, por ata dhe premtojnë nga vetja. Paulini: “Më në fund u realizua dëshira e të gjithë banorëve të Kashnjetit për rrugën, këtë investim të paparë në zonat tona. Falënderojmë ata që investuan, Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe në veçanti doktor Pashk Gjonin që nxiti pafundësisht për këtë rrugë. Dhe tani e kemi radhën ne për të vepruar”. Vasili: “Pa diskutim, që kjo rrugë u krijon mundësi të reja, jo vetëm banorëve apo ish-banorëve të zonës sonë, por i shërben edhe cilitdo që dëshiron të sodisë bukuritë natyrore të zonës dhe të investojë në blegtori, bletari, pemëtari etj. Ky është një fillim i mbarë dhe në sajë të intelektualëve që zona jonë ka nxjerrë (duke shfrytëzuar ato pasuri që natyra u ka dhuruar këtyre vendeve) investimet do të vazhdojnë në shërbim të komunitetit, si nga ne që i përkasim kësaj ane, ashtu edhe nga shteti…”

Ishte kumti i intelektualëve dhe banorëve të Kashnjetit që u bë shkas për këto radhë, të cilët, si rrallëkund, janë të përkushtuar për zhvillimin e zonës së tyre, atje ku kullat e vjetra kanë nisur të shndërrohen në vila moderne.

Rruga e Kreshtes

                                        Rruga e re e Kreshtës, Lezhë                                                    Foto: Salvator Gjeçi