ToninCobani
Frang Bardhi dhe relacionet e tij
Nga Tonin Çobani

Pasqyrimi i dhënë i tematikës, në shikim të parë, ndoshta, do ta çonte lexuesin në mendimin se, libri i Tonin Çobanit “Frang Bardhi dhe Relacionet e tij” paraqet njëfarë përshkrimi konservativ historik, e që në fakt, nuk është ashtu, përkundrazi: në ndërthurje të diskursit të vet në tematikën historizuese, autori me vetëdije, vende-vende me mjeshtri të rrallë dhe me distancë ndaj refleksionit të shumëfishtë, për tematikën e tij enorme arrin të bëjë një prezantim sa rrënjësisht historik, shumë të qartë, të pasuruar me të dhëna deri në përfeksionizëm, thellësisht i bindshëm deri në palcë, sovran deri në provokime, njëkohësisht, i aftë për të paraqitur tërë zhgoglitjen, mbulueshmërinë dhe pakapshmërinë e problematikës, me të cilin e tërheq lexuesin në një lexim të tendosur.

Gjatë leximit lehtazi vërehet pozita e autorit, si njohës i rrjedhave kohore, i cili e sjell Frang Bardhin në letra shqipe si gjymtyrë në trupin

kombëtar në prag të 400- vjetorit të lindjes së tij. Për ta shtjelluar leximin e shumësisë tekstuale të vëzhgimit, në mënyrë që ai të jetë sa më substancial, autorit i është dashur ta dimensionojë me kujdes fizionominë e kishës katolike ndër shqiptarë në vargvitet e tërbimeve të egra otomane në Shqipëri të asaj kohe, kur mungonte kleri vendor, në kohë kur ai i duhej më së shumti Shqipërisë, duke ia afruar lexuesit kohësisht “shumë afër” Frang Bardhin të kapshëm, i cili mezi shpëton nga pusia-prita, që i bëhet atij, por, njëkohësisht, duke e stërholluar atë në një person, i cili di t’ia vendosë drejtpeshimin civilizimit kristian, duke ia vënë atij për krah emancipimin e popullit shqiptar.

“Mosekzistenca e klerit vendor, ballafaqimi me klerikë të huaj, “të cilët nuk ia dinë hallet shqiptareve” e, që, me mosdashjen për ta mësuar gjuhën shqipe shkojnë deri në rrafsh të dukurisë së shtyrjes së besimtarit aq jars, sa që rrëfimin ta bëjë me përkthyes, duke e relativizuar deri në pakuptueshmëri besueshmërinë e individit (për t’u rrëfyer) para lotit nëpërmjet priftit. Vrulli i madh njerëzor, të cilin e hasim te Bardhi, për të mas braktisur rrënjët kristiane ndër shqiptarë, e që në Relacionet e tij do të shprehen si kërkesa të përsëritura për të shkolluar shqiptarë në kolegjet e huaja fetare; kërkesa për të emëruar në dioqezat e vendit ipeshkvij shqiptarë, që disa prej klerikëve të arsimuar të hapnin shkolla pranë rezidencave ipeshkvore etj”, shkruan në parathënin e këtij libri Don Ndue Ballabani.

frang-Bardhi-posta

Si çështje tejet jokonvencionale, por shumë pragmatike, në rend të parë njerëzore dhe deri në palcë kombëtare (edhe përkundër diskursit kristian që priftit nuk preferon të bëjë be), Frang Bardhi me vetëdije të plotë kapërcen lutjen dhe, duke bërë be nga thelbi i shpirtit. Autori e legjitimon tekstin duke e inkorporuar në strukturimin e tematikave të veta, të cilat i ka shpështjellë në mënyrë të jetë efikase: në vend të apologjisë së artikuluar, formulon logjikën tekstuale, që pozicionimin e vet në rrafshin e paraqitur kulturor e zhvesh plotësisht nga narracioni konvencional i njohur deri tani në letrat shqipe, duke u dhënë shkallën e normës njohurive të përgjithshme kulturore të kristianizmit ndër shqiptarë e, në anën tjetër, këto nocione të paraqitura në mënyrë sociale, të mbrojtura me fuqi, të mitizuara dhe vazhdimisht të politizuara, në mënyrë konsistente i ka ballafaqur në rrafshe konkrete: me metodologjinë e interpretimeve klasike të shkencave shoqërore, të cilat i zotëron në mënyrë sovrane, i ofron lexuesit si provokim, e pastaj e mbindërton rrjedhshmërinë në mënyrë plotësisht burimore, në rrafsh të barabarësisë strukturore. Siç analizon Ballbani “pasqyrëzimin e këtillë autori e fut natyrshëm në tekst pa ngarkesa të llojit belbëzues, sepse e ka të qartë qëllimin, duke i shtruar lexuesit linearizmin sociokulturor, duke ia afruar atij Frang Bardhin në kohën, në të cilën vepron, rrethanat që e stërngarkojnë dinamizmin e tij dhe ndërkamsat e njëpasnjëshme, që çojnë deri në humnerë apo deri në mbytje siç ishte rasti me Pjetër Budin. Me lehtësi, pa iu duk e e arsyeshme t’i shtjellojë ato, me një kthesë të befasishme tematike, të cilën e rrumbullakëson në Relacionet e veta, autori e lidh në vazhdueshmërinë skenike të shqyrtimit të tij: në kanunizimin njerëzor- juridik të shqiptarizmës, ku, si tema bartëse heton, në njërën anë, orientimet kulturore thelbësore të trashëgimisë kristiane mbi shqiptarizmin, që janë të ritualizuara deri në shkallë të kuptueshmërisë”. Kapitujt dhe rrjedhshmëria e tyre në tekst paraqiten si entitetete sociale duke ia shtrirë lexuesit hartën e prezencës kristiane në atë pjesë të shoqërisë shqiptare brenda suazave të ipeshkvisë. Instalimin e pasqyrave sekuenciale, autori kësaj radhe e zhvillon në mënyrë strikte: duke prekur definimin kristian tashmë të copëzuar shqiptar, duke shprishur perpetuimin e orientimeve të tilla kulturore nëpërmes kombëtares, fuqisë së kishës (edhe pse të varfër), duke e ngarkuar atë dukuri bindshëm me tematikë të përbashkët, aty-këtu të fshehur, por qartësisht të definuar. Libri i Tonin Çobanit “Frang Bardhi dhe Relacionet e tij” paraqet, së paku, katër cilësi të shkëlqyeshme, që mund t’i zbërthejmë. Së pari, siç u tha, është pozicionimi i tij i vetëdijshëm i legjitimitetit analitik të rrjedhës historike; së dyti, stili i tij i shkrimit që shpreh lehtësi sovrane të analizës e që nuk shkel asnjëherë normën e shpjegimit akademik, duke mos rënë në kurth të euforisë shterpë të “historicizmit”; së treti, rrëfimi krenar dhe vende-vende i prekshëm dhe sot në imagjinarin e begatshëm kulturor dhe, së fundmi, qëndrimi i tij, i cili reflektohet me vazhdimësi këmbëngulëse, qoftë nga pozita shkencore, e cila, njëkohësisht, e bën të dallueshëm autorin si analitik, qoftë nga aspekti që e bën veprën thellësisht shkencore.