Lek Gjoka
Lek Gjoka

Nga Lek Gjoka
gazetavatra.com

Plot 103 vjet më parë më 28 Prill të vitit 1912 në qytetin e Bostonit  pas disa bisedimesh dhe debatesh të shumta  midis shumë shoqatave shqiptare të Amerikës mori jetë Federata Panshqiptare Vatra e cila u legalizua më 13 Qershor po të atij viti nga organet shtetërore të shtetit Massachusetts.
Propozimi i Faik Konicës ishte që të quhej “Parmenda” por ky emër nuk mori pëqimin e shumicës. Më pas u propozua emri “Vatra” vatër bashkimi për të gjithë shqiptaret pa dallim feje dhe ideje. Disa nga figurat kyqe që themeluan Federaten Panshqiptare Vatra janë: Fan S. Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Paskal Aleksi., Delegatët e shoqërive:, Elia Tromara,Llambi Cikozi , Kristo Kirka, Kosta Vasil, Kostë Kota etj.

vatra-fed
Në mbledhje u ra dakort që shoqata të ketë një gazetë që do të quhej “Dielli” dhe që do të botohej që në vitin 1909 nga shoqeria “Besa – Besën” ku redaktori dhe editori i saj i parë ishte Fan Noli .
Në historinë 102 vjeçare Vatra ka uljet dhe ngritjet e saja por pa u mposhtur asnjë çast nga vështirsitë. Në vitin e parë të krijimit dha një kontribut të çmuar në pavarsinë e shtetit shqiptar më 28 Nentor. Gjithashtu luftoi me përkushtim për realizimin e programit të saj për mos coptimin e Shqipërisë por që fatkeqësisht nuk u realizua për shkak të planeve që kishin  fuqitë e mëdha të Evropës në atë kohë. Shoqata Panshqiptare Vatra e ngriti problemin e coptimit të kombit shqiptar deri tek presidenti amerikan i cili iu tha:-“Një zë që e kam do ta përdor për të mbrojtur kombin shqiptar”, dhe ashtu bëri.
Fan Noli  ishte pjesmarrës edhe në Konferecen e Paqes kur kombi shqiptar po coptohej. Madje ai u çudit dhe u gëzua aq shumë nga ligjerimi brilant në mbrojten e kombit shqiptar nga prifti katolik monsinjor Luigj Bumçi, fjalimin e të cilit e kishte shkruar Homeri i kombit shqiptar At Gjergj Fishta ku pjesa më e rëndesishme e fjalës së tij ishte se Atdheu ishte mbi  fenë katolike që ato i përkisnin.
Gjatë kohës se mbretit Ahmet Zogu Vatra kishte uljet e ngritjet e saja, armiqësitë e pafundme pas revolucionit të Qershorit nga Noli. Por në pranveren e vitit 1925 Zogu dërgoi në Amerikë Fazlli Frashërin i cili bisedoi me Konicën dhe shkriu gjithë akullnajen që ishte midis Vatrës dhe Zogut.
Madje si Vatra ashtu edhe mbreti Zog pas luftës së dytë botërore kishin si qëllim përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri ku as Noli as Zogu e as Konica nuk e arritën ta shihnin dot atë ditë të shenjtë për kombin shqiptar.
Pasi Federata Panshqiptare Vatra lëvizi seline e saj nga Bostoni për në New York, filloi të zbehej veprimtaria e saj por duke arritur të mbijetonte. Në luftën për çlirim të Kosovës Vatra ka dhënë një kontribut të çmuar duke organizuar demostrata në mbrotje të sprastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës nga makineria serbe e diktatorit Millisheviq si dhe me lobimin e saj për sensibilizim duke treguar të vërtetën e gjendjes në Kosovë. Me ndikimin e Vatrës dhe të shoqatave të tjera shqiptare në Amerike, qeveria amerikane ndikoi fuqishem per te arritur qe Evropa gjithashtu të shihte se c’po ndodhte në gjirin e saj, gjë që coi ne nderhyrjen ushtarake e cila bëri atë që sot Kosova është një shtet i lirë në trojet e veta etnike.
Sot Federata Panshqiptare Vatra po mundohet të riorganizohet dhe të marrë një rol drejtues në bashkimin e diasporës shqiptare të Amerikës me sa mundësi ka por ky bashkim është ende shumë larg. Formimi i degëve në shumë shtete të Amerikës ka të mirat dhe të këqijat e veta sepse sot jetojmë në një shekull të ri dhe Noli e Konica nuk e kishin bërë kanunoren për kushtet në të cilat ndodhet sot kombi shqiptar ndaj duhet një ndërhyrje e shpejtë për ndryshime dhe shtesa të reja por pa prekur shtyllat kryesore të shkruar me germa të arta nga Noli e Konica në 1912.
Gjithashtu shoqata Panshqiptare Vatra duhet të jetë vetvetja dhe të mos bëhet “shërbëtore” e partive politike në Shqipëri gjë që ka ndodhur jo shumë kohë më parë (para zgjedhjeve te 23 Qershorit) nëpërmjet gazetës së tyre “Dielli” duke mbajtur qendrime partiake. Duhet lënë mënjanë nostalgjia sepse vetëm atëhere do ta vazhdoni me tej udhëtimin që nisi një shekull me parë Noli, Konica dhe patriotët e tjerë.

Jacksonville Florida
28 Prill 2015