…reformat, – të tilla si liberalizimi i tregtisë dhe liberalizimi financiar, për të cilat udhëheqësit politikë, pra edhe Barack Obama, patën premtuar se mund të siguronin mirëqenie për të gjithë – në fakt nuk dhanë efektin e premtuar. Përkundrazi. Tani ata që kanë parë standardin e tyre të jetesës në stanjacion apo në rënie kanë mbërritur në një konkluzion të thjeshtë: udhëheqësit politikë të Amerikës ose nuk e dinin se çfarë po bënin, ose po gënjenin, ose të dyja.
Opinion nga Xhevat MUSTAFA

 

xhevat-mustafa
Xhevat Mustafa

Ata që e votuan dhe e bënë president në nëntor 2008 dhe 2012 Barack Obamën patën shpresa të shumta e të mëdha tek ai. Por, tani analizat apo bilancet e punës së tij, më së shumti shprehin se edhe Obama, ashtu si shumica e paraardhësve të tij, demokratë apo republikanë, zhgënjeu jo vetëm vetveten, por edhe shumë nga tifozët e tij më të flaktë. Në mënyrë figurative, tani pas 8 vjetëve, Obama do të largohet nga kolltuku presidencial dhe nga Shtëpia e Bardhë duke lënë një gotë të mbushur jo saktësisht përgjysmë, me pasiguri dhe debate se cila gjysmë është më e lartë: ajo plot apo ajo bosh, ajo e sukseseve apo ajo e dështimeve.

Joseph Stiglitz, ekonomist i mirënjohur dhe profesor në Universitetin e Kolumbias të SHBA-së, në analizën e tij publikuar edhe në gazetën EXPRESS, më 17 Tetor 2016, me titullin “Si ndodhi që mbërritëm përballë Trump? thotë se tani, në mbyllje të presidencës Obama, shumë amerikanë janë ekonomikisht më keq se sa qenë një çerek shekulli më parë. Të ardhurat mesatare nga punësimi me kohë të plotë janë më të ulta se sa 42 vjet më parë dhe është gjithnjë e më e vështirë për njerëzit me arsim të paktë të gjejnë punë me kohë të plotë, që paguan rroga dinjitoze.

Po sipas Stiglitz, ekonomia e SHBA-së si e tërë ka ecur mirë përgjatë gjashtë dekadave të fundit: PBB është rritur me gati gjashtë herë. Por frytet e rritjes kanë shkuar tek relativisht pak njerëz në majë – njerëz si Trump, pjesërisht për shkak të reduktimeve masive të taksave. Në të njëjtën kohë, reformat, – të tilla si liberalizimi i tregtisë dhe liberalizimi financiar, për të cilat udhëheqësit politikë, pra edhe Barack Obama, patën premtuar se mund të siguronin mirëqenie për të gjithë – në fakt nuk dhanë efektin e premtuar. Përkundrazi. Tani ata që kanë parë standardin e tyre të jetesës në stanjacion apo në rënie kanë mbërritur në një konkluzion të thjeshtë: udhëheqësit politikë të Amerikës ose nuk e dinin se çfarë po bënin, ose po gënjenin, ose të dyja.

Kështu, sipas Stiglitz “vlerësimet, deklarimet apo supozimet afatgjata – se Amerika është toka e mundësive dhe se secila gjeneratë do të jetojë më mirë se sa gjenerata e shkuar – janë vënë në pikëpyetje.”

Ines Pohl, një gazetare e njohur gjermane, deri më 2015 kryeredaktore në “Tageszeitung”, në një analizë të saj të publikuar në Deutsche Welle, më 01.02.2016 thekson se edhe ata, që nuk votuan për Obamën, megjithatë shpresonin se ky President i ri, i mbushur me energji dhe jo nga klasa politike tradicionale apo “gjenetike”, do të ishte në gjendje ta ngrinte vendin në një majë të re. Plot qytetarë amerikanë, sidomos nga masat e të varfërve dhe të shtresës së mesme, e pritën dhe e ndoqën me shpresën e madhe se ai do t’ua përmirësonte ndjeshëm dhe përfundimisht mirëqenien, se do shkatërronte strukturat e korruptuara të parasë së madhe dhe se do ta ribënte Amerikën përsëri vend me një demokraci të vërtetë, në të cilën po të punosh shumë mund të realizosh thuajse çdo ëndërr. Por, edhe këto, ashtu si disa premtime të tjera, përfshirë edhe reformën në shendetsi, tani mund të thuhet se përfunduan në koshin e iluzioneve apo të zhgënjimeve. Por, nuk janë të paktë qytetarët amerikanë që mendojnë ndryshe nga Joseph Stiglitz dhe Ines Pohl. Ata nuk e harrojnë vetë dhe bëjnë thirje që të mos e harrojnë edhe të tjerët se Obama e mori USA-n në kulmin e krizës e tani është ulur papunësia dhe janë rritur shanset dhe hapësirat për punësim. Pra, nuk mund të bëhen përcaktime kategorike apo përfundimtare as në favor të gjysmës plot e as në favor të gjysmës bosh të gotës. Falë mangësive dhe “mëkateve” të vjetra apo të fresktëta të kundërshtarit të saj, Donald Trump si dhe të fatit, që zgjedhësit amerikanë nuk kanë alternativë tjetër, veçse të votojnë, sic shprehen edhe plot prej tyre, “për të keqen më të vogël”, ka më shumë gjasa që Hillary Clinton, të mos i ndjejë më 8 nëntor firot nga vetvetja dhe nga trashëgimia e Obamës.

Sipas një strategjie deri tani të efektshme të ekipit demokrat dhe të mediave që e mbështesin, Trump po paraqitet si “gogol” dhe Hilari si “ëngjëll”. Ajo po ndihmohet ndjeshëm edhe nga kapja fort dhe zgjuarsisht tek bota dhe vota femërore dhe “harresa masive” se bashkëshorti i saj nuk është treguar më pak feminist se Trump..

Le ta vazhdojmë analizën në frontin e politikës së jashtme. Mund të thuhet se në këtë drejtim Barack Obama është viktimë e gjeostrategjisë së reklamuar si e tij dhe e Partisë Demokrate. Në kërkim të përgjigjes së pyetjes se pse u dëshmua kaq i tërhequr dhe i brishtë Presindenti i SHBA-së, Barack Obama në politikën e jashtme, sidomos në përballjet me Putinin dhe me ambiciet e Beniamin Netanjaut, nuk përjashtohet edhe mundësia që Obama të jetë viktimë edhe e detyrimit për mirënjohje ndaj njerit prej sponsorëve më të mëdhenj të fushatave të tij presidenciale, Xhorxh Soros. Ky, siç dihet, ka një jetë që dëshmohet me vepra dhe miliarda i pakursyer dhe i palodhur për t’i shërbyer interesave të kombit dhe vendit të tij të origjinës, Izraelit. Në këtë kuadër edhe synimit apo planit të tij për të pasur një ekuilibër sa më të madh dhe kohëgjatë mes SHBA-së dhe Rusisë, ekuilibër që ai e mendon si burim sigurie dhe paqeje të qëndrueshme globale. Kjo nënkupton, si procese paralele, uljen e supremacisë amerikane dhe rritjen e përshpejtuar të fuqisë ruse. Mesazhi se idetë e Sorosit mund të vazhdojnë të realizohen edhe gjatë presidencës shumë të mundshme Hilari Clinton merret edhe nga fakti publik se ajo ka komunikim të drejtpërdrejtë, ose me e-mail apo sms, me Xhorxh Soros dhe, ashtu si Obama 8 dhe 4 vjet më parë, po mbështetet prej tij edhe në garën presidenciale me Trump, në rreth 25 milionë dollarë. Në politikë dhe qeverisje jo rrallë herë faktet lexohen edhe pa qenë fare të shkruar, të firmosur dhe vulosur, por nëpërmjet zhvillimeve në terren apo rajon të veprimeve dhe të ngjarjeve.

Sipas publicistit të njohur amerikan, Gay Talese, në politikën e jashtme Presidenti Obama mund të jetë viktimë edhe e Hillary Clintonit, që në mandatin e tij të parë ishte Sekretare e Shtetit. Ky e vlerëson Hillary Clintonin si «Sekretaren e Shtetit më të keqe, për shkak të kaosit që ka krijuar në politikën e jashtme, sidomos në Lindjen e Mesme». Gjithsesi, sipas vizionit apo llogarive të stafit Obama apo të Obamës personalisht, justifikuar aryeshëm me dëshirën për të ulur numrin e ushtarëve amerikanë të vrarë dhe të gjymtuar rëndë si dhe shpenzimet ushtarake, u zvogëlua apo formalizua ndjeshëm prania ushtarake amerikane në Afganistan, Irak, përgjithësisht në Lindjen e Mesme e në Evropë. Por, presidenti Obama nuk llogariti se hapësirat që linte ai dhe ushtria e SHBA shpejtonin t’i kapnin apo mbushnin Putini dhe Rusia, si dhe ISIS dhe lëvizje të tjera nacionaliste dhe islamiste. Presidenca 8 vjeçare Obama përkon edhe me periudhën kur Beniamin Netanjau ka të drejtë të mburret, të festojë dhe të kërkojë hyrjen e tij në histori si kryeministri që pa ushtri izraelite dhe pa luftë të hapur e frontale, nëpërmjet mercenarëve dhe armëve të ISIS-it, arriti të përmbushte ëndrrën e moçme të Tel Avivit dhe të shumicës së izraelitëve në vendin e tyre dhe nëpër botë, për të dëmtuar rëndë apo shkatërruar sa më shumë dhe sa më gjatë Egjiptin, Sirinë, Libanin, Libinë, pra, shumicën e vendeve të Lindjes së Mesme…

Obama po ikën, por do të hyjë në histori edhe si presidenti i SHBA-së që bëri fare pak apo u tregua spektator kur masakroheshin kaq shumë e kaq gjatë popujt dhe ekonomitë e këtyre vendeve. Në një intervistë në “Corriere della Sera” më 22/08/2016, historiani dhe shkrimtari amerikan Paul Berman, prej kohësh kritik i dështimeve të presidentit Obama në Lindjen e Mesme dhe lavdërues i sukseseve të tij për rimëkëmbjen ekonomike të SHBA-së, thotë se “sukseset e tij më të mëdha ishin të brendshme, jo ndërkombëtare… Ka krijuar shpresa të mëdha në Lindjen e Mesme, por pa patur mënyrë për t’i zbatuar: kishte një vizion të pamend të problemeve…” Presidenti Barack Obama mund të vlerësohet i pasuksesshëm apo humbës në shumicën e përballjeve me Vladimir Putinin. Nëqoftëse Obama mund të ishte superior ndaj Putinit për fatin dhe faktin se ishte Presidenti i SHBA-së, si dhe për elokuencë dhe humor, Putini ia kalonte në terrenin e veprimeve konkrete dhe të vendosmërisë për të realizuar qëllimet, planet apo ambicjet e tij dhe të Rusisë. Duke u shprehur me terma sportivë, nëqoftëse Obama luajti gjatë 8 vjetëve përgjithësisht në tërheqje dhe mbrojtje, Putini luajti në të shumtën e kësaj kohe në sulm. Tani Putin ka të drejtë të mburret, festojë dhe të kërkojë të futet edhe më shumë në historinë e vendit të tij, sepse gjatë 8 viteve të presidencës së Barack Obamës, ai mundi të realizonte rikthimin e autoritetit dhe të zërit të shtetit rus, deri në nivelin që për krizën rreth 5 vjeçare të Sirisë, për aneksimin e Krimesë dhe pushtimin e një territori shumë të gjërë të Ukrainës Lindore, ai ka guximin t’u thotë “JO” si SHBA-së, ashtu edhe BE-së. Duhet të kujtojmë se dikur presidentët e SHBA-së nuk pyesnin shumë për miratimin apo kundërshtimin e Rusisë kur sulmonin Avganistanin, Serbinë, Irakun, Libinë, Jemenin, Sirinë…apo kur joshnin Gjeorgjinë e Gary Kasparovit dhe të Mikheil Saakashvilit, kur pavarësohej Kosova, etj..

Humbje për Obamën dhe fitore për Putinin mund të llogariten edhe dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja dhe mbërthimi i saj nga një krizë e zgjatur dhe e paparashikueshme ekzistencialiste; kthesa e Erdoganit dhe e Turqisë si dhe e Rodrigo Dutertes dhe e Filipineve gjatë 10 muajve të vitit 2016 me fytyrë e mendje nga Rusia dhe Kina; rritja dhe shtrirja e ndikimit politik dhe ekonomik rus në Serbi, Malin e Zi, Bosnje-Herzegovinë, Greqi, Hungari, etj.. Por, kjo e keqe ka edhe një të mirë: na evidentoi ne shqiptarët si më proamerikanët në Ballkan e më gjërë. Prandaj, në Shqipëri dhe Kosovë fushata presidenciale në SHBA po ndiqet masivisht me interes, duke anuar më shumë nga Hilari Clinton, në shenjë mirënjohje për kontributin e ish Presidentit Bill Clinton për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës dhe si shprehje e afeksionit me bindje dhe votë majtas të një kontigjenti tejet masiv shqiptarësh.

Edhe suksesi me të cilin Obama mburret në politikën e jashtme – marrëveshja me Iranin për programin e tij bërthamor – nga shumëkush në kanceleritë evroperendimore dhe arabe vlerësohet më shumë si fitore e Teheranit se sa e Uashingtonit, duke u dhënë fund sanksioneve të perëndimit ndaj Iranit, sidomos mbi naftën. Barack Obama mund të llogaritet si i pasuksesshëm apo si humbës përballë Putinit edhe në frontin e kibernetikës. Depërtimi i hakerave rusë në serverat, faqet, adresat dhe dosjet kompjuterike të Hillary Klintonit dhe të Barack Obamës, të Partisë Demokrate apo asaj Republikane, e tj., intensifikuar sidomos në periudhën e vazhdimit të sanksioneve të SHBA-së dhe të BE-së ndaj Rusisë si dhe gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale në SHBA, nuk mund të interpretohen dhe justifikohen thjeshtë si pasione apo lojëra individuale rinore të disa gjenive në këtë fushë. apo apriori si përkim kohor i rastit. Edhe nisja dhe vazhdimi i gjatë i “tsunamit” njerëzor, i valëve të refugjatëve drejt vendeve të Evropës Qendrore dhe Perendimore, nuk mund të shpjegohet dhe justifikohet thjeshtë si alternativa e vetme e shpëtimit e qindra mijëra njerëzve të kërcënuar nga avionët, armët, flakët dhe uria apo të nxitur nga disa trafikantë të qenieve njerëzore në brigjet e Libisë, Turqisë, Greqisë, Italisë…Skenarët nuk realizohen pa autorë dhe pa aktorë… Gjatë dy mandateve presidenciale të Obamas bota është bërë gjithnjë e më e paparashikueshme, gjithnjë më e pasigurtë dhe gjithnjë e më e frikshme. Fatkeqësisht në botën e sotme, SHBA nuk luajnë më rol të qartë, të përcaktuar dhe, kur duhet, imponues, biles as në disa nga angazhimet e tyre historike dhe as me disa nga aleatët e tyre historikë. Në anën tjetër, Rusia dhe Putini, si dhe disa liderë me tendenca të qarta nacionaliste dhe populiste, shpejtojnë ta shfrytëzojnë sa më shumë këtë brishtësi apo marramendje si në gjendje nokdauni të SHBA-së dhe të BE-së.

Së fundmi, nën Obamën, sidomos gjatë vitit 2016, SHBA ka humbur edhe qetësinë apo sigurinë sociale. Po duket pa fund seriali i vrasjeve të qytetarëve afrikano-amerikanë nga policë të bardhë dhe i akteve kundërpërgjigjëse apo hakmarrëse të tyre, thjeshtë në formë abuzimi me detyrën apo vetëgjyqësie. 532 viktima nga zjarri i forcave të ndryshme policore në gjashtë muajt e parë të këtij viti, gjysma e tyre me ngjyrë apo 76 policët e vdekur në detyrë, në pritat e hakmarrësve afrikano-amerikanë, në Dallas, Baton Rouge, Luiziana…, nuk janë as pak, as për t’u ndjerë i vetëkënaqur e për t’u mburrur. Atëherë, si po ikën Barack Obama? Si fitimtar apo si humbës? Këtë e dinë më mirë vetë shumica e qytetarëve të SHBA-së.

Botuar në Gazeta Shqiptare, BalkanWeb, 25.10.2016