Published On: Fri, Feb 12th, 2016

Emigrantëve që s’deklarojnë banesat u refuzohet shërbimi

ligjet

Komisioni i ligjeve ne Parlamentin shqiptar

Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje vetëm me votat e maxhorancës projektligjin “Për regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë në emigracion”. Ligji i propozuar nga Ministria e Brendshme ka hasur kundërshtinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, përfaqësuesit e së cilës janë shprehur kundër sanksioneve të qeverisë për emigrantët që nuk deklarojnë banesën në shtetet ku jetojnë. Në projektligjin e ri të qeverisë parashikohet një afat prej 90 ditësh për emigrantët kudo që janë, që të deklarojnë banesat ku jetojnë jashtë vendit, në të kundërt do t’u ndërpriten shërbimet në ambasada, apo konsullatat shqiptare. Por deputetët e LSI­së në Komisionin e Ligjeve e kanë quajtur si ekstreme këtë pikë të ligjit. Kreu i Grupit të LSI-­së, Petrit Vasili, kërkoi që të gjendet një zgjidhje për këtë çështje sepse nuk mund t’u refuzohen shërbimet qytetarëve. “Nuk duhet të jemi kaq kategorikë, si fjala “refuzohet” një shërbim. Kjo është një fjalë e rëndë për dikë që jeton me vite jashtë Shqipërisë, mund të ketë jetuar gati 20 vjet dhe i ka sjellë Shqipërisë para për shtetasit këtu, që ne s’ia kemi mbajtur dot. Dhe ne këtu, për një vetëdeklarim që s’e ka bërë në kohë, t’i refuzojmë një shërbim?! Mund të gjenden dhe përcaktime të tjera më lejuese”, tha Petrit Vasili. Por gjatë diskutimit, relatori i ligjit, Bashkim Fino, propozoi zbutjen e masës nga ndërprerje shërbimi, në pezullim të ofrimit të shërbimeve. Por për deputeten e LSI­së, Silva Caka, shqiptarët kanë ikur në emigracion për të shpëtuar nga ky shtet dhe sipas saj, nuk mund të vazhdohet t’u nxihet jeta edhe në emigracion. “Refuzimi dhe pezullimi bëjnë të njëjtën gjë. Ne nuk jemi askush. Sepse ata pikërisht për këtë arsye kanë ikur nga ky shtet, që t’u shmangen këtyre pezullimeve dhe refuzimeve. T’ua nximë jetën dhe tani atje ku jetojnë me pezullime dhe me refuzime është e tepërt. Pikërisht kjo është arsyeja që ata janë larguar nga ky shtet. Nuk i detyrojmë dot”, tha Caka, e cila abstenoi gjatë votimit. Por kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, u shpreh se për këtë çështje do të shprehet Komisioni i Sigurisë, i cili drejtohet nga deputeti i LSI­-së, Spartak Braho.

DEBATI NË KOMISION

Petrit Vasili: Nuk duhet të jemi kaq kategorikë, si fjala “refuzohet” një shërbim. Kjo është një fjalë e rëndë për dikë që jeton me vite jashtë Shqipërisë, mund të ketë jetuar gati 20 vjet dhe i ka sjellë Shqipërisë para për shtetasit këtu, që ne s’ia kemi mbajtur dot. Dhe ne këtu, për një vetëdeklarim që s’e ka bërë në kohë, t’i refuzojmë një shërbim?! Mund të gjenden dhe përcaktime të tjera më lejuese.

Eduard Halimi: Duhet të hiqen sanksionet në mënyrë të padiskutueshme.

Bashkim Fino: Ju jeni kundër në parim dhe bëni vërejtje nen për nen…

Oerd Bylykbashi: Po ligji është i mbushur plot me budallallëqe…

Bashkim Fino: Ju votoni kundër në parim dhe nen për nen, po për kë i bëni vërejtjet? Në nenin 11, ku thuhet “i refuzojnë atij shërbimin e kërkuar”, të zëvendësohet me “pezullohet shërbimi i kërkuar”…

Oerd Bylykbashi: Qytetari ka hall, ju ia pezulloni!

Eduard Halimi: Sot qytetarët shqiptarë që banojnë jashtë e marrin këtë shërbim dhe ju thoni që, në qoftë se ata nuk përmbushin një sërë dokumentesh, që duhen bërë… deklarimi kërkon kontratën e qirasë etj. Por po nuk i bëri këto dokumente, ju ia pezulloni! Qoftë pezullimi, qoftë refuzimi, kjo do të ishte idiotësi. Por pezullimi nuk e zgjidh problemin antikushtetues. Qytetarët, derisa procesi është me iniciativë të qytetarëve, atëherë s’mund të ketë sanksione. Mos i bëni këto ndaj qytetarëve shqiptarë… Të hiqet sanksioni! Kjo është çmenduri!

Bashkim Fino: Pikërisht për këtë, që askujt nuk mund t’i refuzohen shërbimet, ne bëjmë rregullimin që nga refuzim i shërbimeve, themi i pezullohet shërbimi. Në moment që ne bëjmë këtë ndërhyrje ne nuk ia refuzojmë shërbimet. Por i themi që të behet e ndërgjegjshme, të thotë ku banon dhe të regjistrohet.

Oerd Bylykbashi: Ju i gënjeni shqiptarët emigrantë dhe u thoni që e keni me vetëdeklarim, me vullnetin tuaj. Kurse në nenin 9 u thoni që e kanë detyrim, që brenda 90 ditësh, të regjistrohen. Pra ligji nuk është vullnetar, por i detyrueshëm. Dhe pezullimi është i barabartë me mohimin e shërbimit. Ju po i regjistruat në këtë mënyrë, ua hiqni të drejtat, ose i taksoni më pas. Ne, do thuash ti zotëri, merr pagë 2 mijë euro në muaj, 15% do të ma paguash mua.

Silva Caka: Refuzimi dhe pezullimi bëjnë të njëjtën gjë. Unë nuk kam ndonjë propozim konkret, por mendoj se duhet të rregullohet në mënyrë absolute. Ne nuk jemi askush. Sepse ata pikërisht për këtë arsye kanë ikur nga ky shtet, që t’u shmangen këtyre pezullimeve dhe refuzimeve. T’ua nximë jetën dhe tani atje ku jetojnë me pezullime dhe me refuzime është e tepërt. Pikërisht kjo është arsyeja që ata janë larguar nga ky shtet. Nuk i detyrojmë dot.

Fatmir Xhafaj: Ju keni mendimin që të rregullohet, pra abstenoni. Komisioni i Sigurisë është komision përgjegjës, do ta shqyrtojnë ata…

Leave a comment

You must be Logged in to post comment.