Nga Abaz Hoxha, Studjues dhe Historian i kinemasë. /

Z. Abaz! Sot është ditëlindja e Elena Qiricit, cfarë ju kujton kjo nga shkrimet e shumta që keni shkruar për të?

Unë kam botuar një numur të madh shkrimesh nga viti 1986 për Elena Qiricin dhe kam një kapitull të vecantë “Elena Qirici, Shqiptarja e parë në Hollivud”, në librin tim “Shqiptarët në Kinematografinë Botërore”. “The little Helena”, kështu u quajt në qarqet artistike botërore dhjetëvjeçarja Elena Qirici, e cila shkëlqeu në Shqipëri e kudo në botë që në moshën 7-8 vjeçare si këngëtare,kërcimtare,akrobate dhe aktore e madhe e ekranit që bëri jehonë që në hapat e para të karierës së saj artistike në gjysmën e parë të viteve 30’të.
Elena Qirici lindi në një familje artistësh. Familja Qirici me origjinë nga Orgocka e Kolonjës ishte vendosur në Korçë më 1900. Si shumë shqiptarë të tjerë edhe Nikolla Qirici me dy djemtë e tij, Vasilin dhe Dhimitrin, emigruan në Sh.B.A. Vasili, lindur në Korçë më 1901 në atë kohë ishte rreth 14 vjeç. Aty me mundime arrijtën të çelnin një dyqan ku u punësua e gjithë familja. Djali i tij, Vasili kishte prirje artistike e veçanërisht për muzikë prandaj në kërkim të mundësive të reja riemigroi në Havanë të Kubës, ku qëndroi rreth 20 vjet. Atje u lidh me një grup instrumentistësh dhe mësoi përdorimin e kitarës havajane.
Pasioni i tij i veçantë tërhoqi vemëndjen e instrumentistëve të njohur dhe ata e ndihmuan që ai regjistrohej në një shkollë muzike. Mbasi mbaroi shkollën u nis nga Kuba, për në kontinentin e largët, në Melburn, Australi, ku çeli vetë një kurs muzike për kitarë, mandolinë, violinë dhe krijoi një formacion të rregullt orkestral. Mes këtyre instrumentistëve njohu edhe bashkëshorten e tij të ardhëshme, Rubin.
Në vitin 1925(1928!) në Melburn lind vajza e tyre, Elena. Që kur ishte dy vjeçe atë e prunë në Korçë dhe jetoi deri në vitin 1936 pranë ungjit të saj. Aty i ati e futi para kohe në shkollë për të mësuar shkrim e këndim në gjuhën shqipe.
Trioja, Vasil, bashkëshortja e tij, Rubin me origjinë australiane si dhe i vëllai Taqo (Dhimitër) Qirici, mbasi kishin bërë një turne nëpër botë me këngë dhe kitara havajane, u kthyen në Korçë në vitin 1935. Vajza e Vasil Qiricit, Elena, atë vit porsa kishte mbaruar dy klasë të shkollës fillore. Ajo vërtet kish treguar talent që në fëmijëri, por prindërit as që mund ta mendonin se do të bëhesh një artiste e njohur.
Megjithatë ata iu vunë punës për stërvitjen e saj dhe pas disa javëve u çuditën edhe vetë nga përparimet e Elenës. Prindërit tashmë organizuan një koncert në skenën e kinemasë së Korçës, por këtë herë në programin e tyre bënte pjesë edhe Elena e vogël. Interpretimi i saj pati sukses përpara një publiku vërtet artdashës e me tradita por edhe kritik i rreptë. Kjo bëri që ata të bënin një turne nëpër gjithë Shqipërinë që në vitin 1935. Këto koncerte u mirëpritën, u duartrokitën, publiku dhe kritika dalluan tek Elena e vogël një të ardhme të madhe.

eleni qirici
Elena Qirici, ne qender.

Nga skenat e thjeshta të kinemave shqiptare të asaj kohe filloi kariera artistike e saj që jepte shënja të qarta të një artisteje të lindur. Ky sukses bëri që prindërit ta merrnin me vehte dhe e shpunë në Vienë ku u regjistrua në një shkollë dansi. Nuk kaluan as tre muaj kur ajo kish grumbulluar një mjeshtëri, aftësi dhe besim aqë të madh sa që menjëherë shkëlqeu në skenat e Vienës. Suksesi i saj u bë objekt i menjëherëshëm i qarqeve artistike,i kritikës dhe i shtypit vienez. Drejt Elenës u vërsulën përfaqësuesit e shoqërive teatrore të varietesë. Tek Elena e vogël ata panë një burim të madh fitimesh.
Një natë,kur po jepte shfaqje,në dhomën e saj të makiazhit,u paraqit përfaqësuesi i një shoqërie italiane shumë të njohur për kohën,”Fratelli Schwarz” të cilët përfunduan një marrëveshje gjashtëmujore me teatrin revistë “Bartoldissimo”. Në këtë ansambël varieteje bënin pjesë mbi 80 artiste të tjera, por Elena e vogël u bë menjëherë protagoniste dhe ajo që i siguroi suksesin shoqërisë “Bertoldissimo”.
Turneu që bëri kjo trupë nëpër të gjithë Italinë korri sukses të plotë. Shtypi i rezervoi asaj shumë shkrime të gjata, duke e mbiquajtur “La piccola grande diva”(vogëlushja hyjneshë e madhe). Revistat italiane botonin me shumicë fotografitë e mëdha të Elenës së vogël në të gjitha faqet e para..
Ajo dha shfaqje gati në të gjithë Italinë si në Milano, Bolonjë, Firence etj. Aqë lart ishte ngritur fama e saj sa që në shfaqjen e dhënë në Romë në teatrin “Quirino” mori pjesë edhe familja mbretërore.Ky sukses i kaloi kufijtë e Italisë prandaj u vërsulën drejt saj konkurentë të shoqërive të tjera evropiane. Atë e angazhoi shoqëria “ABC” e Parisit, ku interpretoi përkrah artistes së njohur Maria Dubas përnjë kohë të gjatë.
Suksesi i padiskutushëm i saj edhe në Teatrin “ABC” të Parisit tërhoqi vëmëndjen edhe të “peshkaqenve”, drejtuesve të shoqërive kinematografike që bridhnin nëpër botë për të tërhequr “Yje” për Hollivudin. Kështu ajo u angazhua menjëherë nga shoqëria më e madhe kinematografike amerikane “Metro-Goldwin-Mayer”(MGM). Gazetat evropiane të Romës, Parisit, Londrës, Vienës dhe kudo që ajo dha shfaqje u vlerësuan në apogje.Në Hollivud Elena u xhirua brënda vitit në dyfilma ku interpretonte në rolet kryesore. Atje vazhdoi paralelisht edhe një shkollë të edukatës fizike dhe të kërcimit që ishte brënda stabilimenteve kinematografike të shoqërisë M.G.M. Kjo përgatitje e mëtejshme e bëri atë më të aftë, talentit të saj të lindur iu shtua edhe mjeshtëria e lartë artistike prandaj shtypi amerikan e barazoi me të famshmen balerinë amerikane të kohës Eleanor Powell që ka interpretuar me shumë sukses në shumë filma, një pjesë e të cilëvet janë shfaqur edhe në Shqipëri si p.sh.”Follie di Broduej”(1936). Shtypi e vlerësoi lart Elenën e vogël jo vetëm si balerinë e këngëtare por edhe si akrobate dhe me cilësi të larta aktoreske, si një aktore e lindur.

Elena Qirici, ne vendlindje.

Por Elena dhe prindërit e saj, megjithë suksesin që korrën kudo nëpër botë dhe duke qënë e angazhuar në shoqërinë kinematografike M.G.M.,në kohën e pushimeve, nuk e harroi vendin e lindjes dhe u rikthye në Atdhe në fillim të vitit 1938 për t’i shërbyer edhe popullit të saj me artin e saj të madh. Shfaqjen e parë e dha në vëndin e lindjes, në Korçë, nga ku kishte filluar karierën e saj artistike. Kur shëtiste nëpër Korçë e shihnin ish shoqet e saj që e kishin patur në klasë në fëmijëri, por që tashmë ishte kthyer midis tyre si një artiste e madhe e skenës dhe e kinematografisë, si një perëndeshë e vogël e Hollivudit. Veç një gjë nuk kish ndryshuar, ajo ishte e thjeshtë, e përzëmërt dhe krenare për vendlindjen e saj.
Korça që i dha duartrokitjet e para të nxehta në hapat e para të karierës së saj artistike e pa tashmë të rritur, 13 (10!) vjeçare,si një artiste të madhe. Në mbrëmjen e 25 majit 1938 salla e kinemasë “Majestik” ishte e mbushur plot e përplot dhe priste me padurim fillimin e shfaqjes. Mbas pjesës së parë, ku interpretuan prindërit dhe xhaxhai i saj këngë dhe muzikë të ndryshme, doli në skenë e pritur me padurim Elena.
Shtypi i kohës shkruante:
“ …Kur doli Elena, një buzëqeshje ëngjëllushje e lehtë, tërheqëse, gjeste harmonike. Ajo këndoi me bukuri të rrallë, salla buçet dhe duartroket me thirrjet “bravo”. Ishte një spetakël që s’e kishte parë ndonjëherë Korça plakë…ajo provoi se Shqipëria mund të mburret me këtë vajzë në botën artistike…
Publiku artdashës dhe shtypi shprehte bindjen se Elena kish për të arritur në sferat më të larta artistike, ajo u la atyre të kuptojnë se do të bëhesh një nga artistet më të mëdha të botës kinematografike për të nderuar prindërit dhe Atdheun e saj…”
Disa ditë më parë se Elena të jepte shfaqje në kryeqytet, shtypi e reklamoi me shkrime të mëdha e të dukëshme, me fotografi të mëdha si dhe me vlerësime të larta. Një nga gazetat në reklamën e saj të madhe
më 15 qershor 1938 shkruante:
…“Të mërkurën ora 9 në kinema “Nacional” debuton “Ylli kinematografik shqiptar”,Elena Qirici, valltare, akrobate, këngëtare… Tërë shtypi evropian dhe amerikan i kanë ngritur lart cilësitë e të voglës Elena Qirici. Ka entusiazmuar publikun e Londrës, Parizit, Vienës, Romës, është artistja kryesore e dy filmave të “M.G.M”. Evenimenti më i madh artistik që është shfaqur deri më sot në Shqipëri është spektakli i 11 vjeçares Elena Qirici…”.
Gazetat njoftonin në krye të faqes së parë, për shfaqjen që do të jepej. Mbas shfaqjes, në një shkrim me titull “Sukses i jashtëzakonëshëm i vogëlushes
Elena” thuhej ndër të tjera:
“…Nga shfaqjet artistike që ka parë deri më sot publiku i Tiranës, ajo që ka tërhequr më shumë interesimin e publikut dhe që quhet me të drejtë një eveniment i
madh artistik për gjithë Shqipërinë ishte shfaqësina e artistes me famë botërore Elena Qirici. Elena e jeton muzikën që kërcen më një harmoni të mbaruar lëvizjesh dhe buzëqeshjesh. Në Amerikë është konsideruar më tepër se një yll. Eshtë një artiste që posedon me të vërtetë diçka që nuk mësohet por vetëm lindet dhe që me të vërtetë nderon gjithë kombin shqiptar në botën e huaj…”.
Para shfaqjes që do të jepte në Vlorë, në kinemanë e qytetit, një gazetar shkruante:
“… E vizitova rastësisht Elenën e vogël. Në tryezën e gjerë të kafenesë, ku qëndronte duke kënduar, më priti me një buzëqeshje karakteristike artisteje…, mbas shumë manifestimesh artistike nëpër Evropë ajo kthehet prap në Shqipëri për të kaluar disa kohë pranë Atdheut të saj të dashur….Kështu është jeta e artit, në heshtjen eterne të vetmisë, artisti kujton racën, vendin e tij…,më tha ajo me tonin e saj të ngadaltë në mes të zhurmës së kafenes ku ndodhej me nënën dhe babain e asj….Kur ika, në sytë e saj pashë të reflektohej drita e vagëlluar E. Qirici Koncert i një artisteje të madhe…”Tiranë 1938
Edhe shfaqja në Vlorë korri një sukses të jashtzakonëshëm. Në një shkrim thuhesh se:
“… duke parë njerëz, talenti i të cilëve nuk ta mbush syrin, duke parë Elenën të qarkullojë nëpër rrugë si një fëmijë tepër i zakonëshëm mendon se reklama që i bëhet është vetëm një teprim. Por ajo ishte një fëmijë i jashtzakonëshëm dhe i zhgënjeu këto paragjykime. Ajo u rrit si një “yll” i cili premtonte shumë dhe e mbuluar me një mister të pabesushëm. Skeptiçizmi dhe thashethemet u përgënjeshtruan paratalentit të saj…”.
“Kur ajo filloi të kërcente, – shkruhej- … ajo e tregoi se e meriton emrin që e gëzon, ishte një spektakël i bukur, që e bënte njeriun të humbiste përmes iluzionesh, të kërkonte diku në kujtimet e tij ndonjë shëmbëll të metë…. Në çast na u kujtua se ndodheshim para një fenomeni të vërtetë që bënte me trupin e saj çdo gjë…”. Nën këto përshtypje shumë të bukur dhe të ëmbël kaluan minutat e para për shikuesit e shumtë… . Të gjithë po habiteshin, seicili filloi të rrëfente heshtëshëm impresionet e tij….njeriu ishte i rrëmbyer prej një pasioni për të shikuar dhe për të ndier. Pjesa e dytë që përbënte një akt të veçantë dhe të kombinuar lëvizjesh, pati një sukses akomë më të madh. Ishin ushtrimet e zorshme të kërcimit në majë të gishtave (baletklasik-A.H.). Eshtë një nga më të zorshmit dhe qëndron si enigmë para balerinavet të botës, një nga ëndërrat e yjeve të famshëm të Hollivudit dhe një mister edhe i grave Moore të Spanjës… . Ishte një sukses me tërë kuptimin e fjalës,një fenomen i rrallë…”
Elena u vlerësua jo vetëm si balerinë e madhe, por edhe për vetitë e saj aktoreske me shpresa të mëdha për të ardhëshmen. ”Nuk ishte një tip i ngrirë, personash i pafat i shekullit të 17-të, por një mrekulli lëvizëse, një trup plot jetë dhe gjallëri…”
Më 14 qershor 1938 në një shkrim me titullin “Ylli kinematografik shqiptar Elena Qirici” që shoqërohej edhe me një fotografi, thuhej se:
“… disa kohë më parë revista amerikane “The Voice of Lion”, organ i shoqërisë
kinematografike Metro Golduin Majer, botonte në faqen e parë një fotografi të madhe që shoqërohej me njoftimin: “Arriti në Hollivud e vogla Elena Qirici, rivalja kryesore e të famshmes balerinë Eleanor Pauell, e angazhuar nga Metro Golduin Majer:”
Elena Qirici dhe prindërit e saj nuk e harruan kurrë Shqipërinë, ishin krenarë për vendin e tyre dhe donin gjithmonë të ktheheshin e riktheheshin në vëndin e tyre. Këtë dashuri për Atdheun e tyre e vlerësonte publiku dhe shtypi që ishin krenarë gjithashtu për bashkatdhetarët e tyre që po e nderonin Shqipërinë kudo në botë. Elena, megjithëse që në vogëli jetoi një kohë të gjatë jashtë Atdheut, e fliste shumë mirë gjuhën e babës. Shtypi vlerësonte edhe të atin duke shkruar se “…ne përgëzojmë edhe zotin Vasil Qirici i cili ka ditur të nderojë kombësinë e tij shqiptare. Edhe zonja Qirici, që është prej origjine australiane, e fliste lirisht gjuhën shqipe, që ishte bërë gjuha e saj…”.
Elena Qiricin më vonë, kur u rrit dhe kuptonte më shumë, e shqetësonte edhe fati i Atdheut, ajo ishte e dëshëruar për të parë në Shqipëri një shkollë artistike. Në vitin 1943 kur po bënte një turne nëpër Itali e vizitoi një gazetar shqiptar i cili shkruan:
“…Kështu përballë po flitshim për punët e vëndit tonë dhe ajo ankohej përse nuk ishte trajtuar një shkollë arti… dhe na nuk mund të bëjshim tjetër veçse të aprovojshim ato që thoshte ajo, por e thirrën E. Qirici Korçë 1938 për të lojtur në skenë, të loste një valle dhe të këndonte një këngë për publikun milanez që e priste me padurim. Këndoi një këngë të lehtë, të përmallshme. Ndoshta mendonte për vëndin e saj të largët, ndoshta për artin e varfër të Shqipërisë…. Ne përfituam ta kapim ashtu, para pasqyrës, me buzëqeshjen dhe përzëmërsinë e saj shqiptare…”
Mbas qëndrimit në Amerikë e angazhuar nga shoqëria Metro-Golduin-Majer, Elena dhe prindërit e saj kthehen në Evropë dhe vendosen në Itali ku vajza vazhdoi veprimtarinë e saj artistike.
Gjatë kësaj kohe luan në disa filma si “Gruaja e ditës”/Woman of the Year; R:George Stevens,1942/përkrah aktores së madhe hollivudiane Katharine Hepburn, etj. Në Itali qëndrojnë deri në vitin 1954, pastaj
shpërngulen e vendosen përsëri në Melburn, të Australisë. Në këtë kohë vajza ishte tërhequr nga veprimtaritë artistike e skenës dhe ekranitdhe në Itali e Australi punoi në atelienë e saj kozmetike. Në vitin 1965
martohet në familjen Ford në Amerikë.

Ajo gjatë gjithë karierës së saj artistike, mburrej me origjinën e saj shqiptare, madje në gjithë afishet e theksonte këtë gjë. Ajo gëzohej shumë kur takonte shqiptarë dhe fliste me ta rrjedhshëm gjuhën shqipe.
Ajo porosiste prodhuesit e filmave që ajo luante, që patjetër ata ti dërgonin këto filma në atdheun e saj, në Shqipëri. Elena u bë artistja e parë shqiptare e kinemasë, femra e pare dhe ne pergjithesi artistja e parë me origjinë shqiptare në Hollivud. Por martesa e saj bëri që ajo të shkëputej nga bota e artit dhe u tërhoq në jetën mondane të familjes të pasur amerikane të Fordëve.
Pas martesës së Elenës dhe largimit të saj nga jeta artistike, i ati Vasili dhe nëna Rubi shkuan në Australi, ku jetuan vitet e fundit të jetës së tyre. Pavarësisht largësisë, çifti Qirici nuk i shkëputi lidhjet me Korçën, ku jetonin të afërmit.
Botuar për herë të parë:
A.Hoxha:“Shkëlqim jetëshkurtër i një artisteje të re” (Helena Qirici)
Skena dhe ekrani, 1987, nr.3 dhe Shqiptarja e re, nr.4, 1987
A.Hoxha: “Mbi debutimin e disa aktorëve shqiptarë në kinematografinë
botërore”.-Bashkimi, 1989
A.Hoxha:.- “Elena Qirici-aktorja e parë shqiptare e kinemasë”- Mirësia,
1996, nr.1, f.6, 24 mars
A.Hoxha:“ Elena Qirici-balerinë dhe aktorja e parë shqiptare e
kinemasë”-Arbëria, nr.1, 1999
A.Hoxha.- “Kështu zbulova famën e Elena Qiricit në botë”-Gazeta
Shqiptare ,26 prill, 2000
A.-Hoxha-Enciklopedi e Kinematografisë Shqiptare botim i I,1999-f-
228-230 dhe botim i dytë 2002,f.329,330
A.-Hoxha-100 vjet kinema në trevat shqiptare,botim 2002,f.126
A.Hoxha: “Historia e Kinemasë në Shqipëri”-vëllim i I-1897-1944-
botim 2007,f.293-295
* * * “Shqiptarët në kinematografinë botërore” me titull: Elena Qirici, shqiptarja e parë në Hollivud.