Nga Sazan Goliku

sazan goliku
Sazan Goliku – studjues, shkrimtar, redaktor

S’ka zemër shqiptari të mos pikëllohet, s’ka sy shqiptaritë të mos lëshojë lumë lotësh për të ndjerin, por të pavdekurin hero dhe dëshmor i madh i Shqipërisë, At Stath Melani.
Fan S. Noli

 

Nuk janë të pakta rastet kur në vorbullën e problemeve të përditshmërisë sonë, sa rutinore aq dhe dramatike, harrojmë të kujtojmë, madje edhe në ditë përvjetorësh, ato figura të shquara të historisë sonë koplekse, që me penë e pushkë dhanë gjithçka për të fituar lirinë, për të ecur në rrugën e përparimit të pandalshëm krahas kombeve të tjera, për të ruajtur mbi të gjitha vetëdijen kombtare e gjuhën shqipe – shenjën thelbësore të identitetit tonë. Por janë pikërisht këto vlera ekzistenciale që kemi trashëguar dhe i kemi sot e kësaj dite që na kujtojnë ç’valë kemi përballur dhe jemi këta që jemi.
95-vjetori i vrasjes së atdhetarit të zjarrtë përmetar At Stath Melani është një tregues i qartë i asaj vazhde gjaku që popull ynë edhe pas shpalljes së Pavarsisë në Vlorë po derdhte në themelet e kombit.
Pse e vranë dhe masakruan At Stath Melanin, siç vranë e masakruan edhe 12 vjet më parë kësaj tragjedie edhe Papa Kristo Negovanin, të vëllanë e dhjetra bashkëfshatarë të tij, siç vranë e masakruan Petro Nini Luarasin më 1911 e shumë atdhetarë të tjerë?

At Stath Melani
At Stath Melani

Sepse ata dëshironin të meshonin në gjuhën shqipe, sepse ata kërkonin të hapeshin shkolla që fëmijët të mësonin shqip me libra në gjuhën shqipe, sepse kështu do të ndriçonin mendjet e zemrat e shqiptarëve të robëruar, por kurrë të nënshtruar. Dhe për të kryer këtë mision të lartë ata i pengonin pushtuesit osmanë e shovinistët fqinj.
At Stath Melani, si emigrant në Stamboll, në zemër të Perandorisë Osmane, u njoh dhe u lidh ngushtë me atdhetarët shqiptarë që vepronin atje, përqafoi idetë e tyrë rilindase dhe u fut pa ngurrim në rrjedhën iluministe të grumbullimit e të shpërndarjes së librave në gjuhën shqipe. Kur spiunëve të Sulltanit u ranë në erë “punët e ndaluara” të djaloshit nga Përmeti e shokëve të tij, ai munditë fshihet dhe shkoi në SHBA. Atdhetarët shqiptarë të Amerikës e kishin kuptuar se u duhej kundërvënë priftërinjve grekomanë, duke krijuar klerin shqiptarë me ndërgjegje e bindje shqiptare. Duke pasur parasysh këtë imperativ, më 1899 Stathi u shugurua prift dhe u kthye në Shqipëri. Krahas detyrës fetare ai nuk rreshti së përhapuri idetë e Rilindjes Kombtare; deklaronte gjatë meshimit se shqiptari është shqiptar qoftë mysliman, qoftë i krishter, përkundër tezave absurde turke e greke (që në një mënyrë ose tjetrën ngrenë kokën edhe sot e gjithë ditën) se myslimanët shqiptarë janë turq e ortodoksët shqiptarë janë grekë. Ai u ndesh ballëpërballë edhe me ata klerikë renegatë që ishin vënë qençe në shërbim të pushtuesve e të fqinjve shovinistë. Fatkeqësisht hijet e zeza të këtyre njollave të historisë sonë enden edhe sot të mbuluara me petkat e fesë dhe me maskat e “kritikëve modern”. Për luftëtarë të tillë janë të natyrshme shpifjet e intrigat e armiqve. Edhe At Stathin e denoncuan si strehues të një “hajduti” dhe e burgosën në Janinë bashkë me tre bashkëfshatarë. Po asgjë nuk e trembi këtë shqiptar të vërtetë. Ai u bë shok armësh me komandantët e çetave kryengritëse si Sali Butka, Çerçiz Topulli, Riza Velçishti, Qemal Panariti, Mihal Grameno etj. luftëtarë shqiptarë . Që sa ishte gjallë u vlerësua lart largpamësia, burrëria e vendosmëria e tij. Gazeta “Koha” e shqiptarëve të Amerikës shkruante për të më 21 qershor 1915: “Historia kombtare do të zbukurohet me fytyrën dhe veprat kombtare të At Stath Melanit. Prej 10 vjet, që kur e njohim, ka qenë Apostoll i Lëvizjes Kombtare”.
Në dhjetor 1913 ndërkombtarët i kërkuan Qeverisë greke të tërhiqte ushtrine e bandat e saj nga Shqipëria e jugut, por kjo organizoi të ashtuquajturën “lëvizje autonomiste vorioepirote” për ta bërë fakt të kryer pushtimin. Në këto kushte At stathin e arestuan disa herë, e torturuan, e burgosën, i premtuan, por ai qëndroi edhe më i vendosur. Krijoi çetën e tij bashkë me të birin Manthon dhe mori pjesë në luftime kundër forcave greke të maskuar si paraushtarakë (andartë). I dogjën shtëpinë , i arestuan gruan trimëreshë Kostandinën bashkë me fëmijët, por ai e vijoi luftën krahas çetave atdhetare të Kolonjës, Leskovikut, Tepelenës, Korçës. Masakrat e andartëve nuk njihnin kufi. Ata vranë me qindra shqiptarë, plaçitën e dogjën me qindra shtëpi.
Në kishën e Shën Sotirit në Sinjë të Beratit ai doli përpara besimtarëve i armatosur si luftëtar, dhe u tha: “Më shihni prift ortodoks, por nuk u linda kësisoj, u linda shqiptar dhe shqiptar dua të vdes. Prandaj kush është për Shqipërinë, unë përpara dhe ju pas meje, të mbrojmë kombin e tërësinë tokësore të Shqipërisë që armiqtë duan të na coptojnë, dhe të përkrahim Qeverinë e Vlorës.” (gazeta “Albania”, 14 mars 1918)
Urrejtja e shovinistëve grekë dhe e grekomanëve vazhdoi me tërbim kundër këtij atdhetari të shquar. Kërkohej koka e tij për t’u mbyllur ajo gojë që nuk rreshtëte së predikuari shqiptarizmin. Më 24 dhjetor 1917, ndërsa At Stathi po shkonte nga Përmeti për në fshat me dy bashkëfshatarë, për të meshuar me rastin e Krishtlindjeve, agjentët grekë i bënë prit. E vranë, i prenë kokën dhe ia çuan dhespotit të Janinës për ta bindur për vrasjen.
Ky akt barbar u krye, jo pa qëllim, një ditë para Krishtlindjeve, për t’u treguar besimtarëve ortodoksë shqiptarë se kush ngrihet kundër qëllimeve e synimeve të Fanarit e të shovinizmit grek e pëson, qoftë ky dhe një prift, predikues i fjalës së Zotit.
“Vrasja e At Stathit, -shkruan historiani Apostol Kotani, -shkaktoi një valë të madhe hidhërimi e protestash jo vetëm në popullin e krahinave të Përmetit, Leskovikut dhe Kolonjës, por edhe të Gjirokastrës,Tepelenës, Delvinës, Sarandës, Çamërisë e Vlorës, si dhe të shqiptarët jashtë atdheut në SHBA e gjetkë.” Stypi i kohës, brenda dhe jashtë Shqipërisë, shprehu dhimbjen e thellë për vrasjen e këtij njeriu të përkushtuar deri në vdekje ndaj atdheut, lirisë e besimit te Zoti.
Shqiptarët nuk kërkojnë sot hakmarrje të verbër, por as nuk e harrojnë historinë e dhimbshme, pikërisht për të mos u përsëritur edhe më dhimbshëm si në Kosovë, Çamëri e gjetkë.