Published On: Wed, Sep 13th, 2017

Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist i shquar

Dhimitër Pasko i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec,

I ati, Pandi, i biri i Pasko Kutelit, ishte rrobaqepës që kish jetuar 24 vjet në mërgim, në Rumani. Pas kthimit në Shqipëri, vazhdoi zanatin e rrobaqepësit dhe të bojaxhiut e në të njëjtën kohë bënte dhe punën e ndërlidhësit për të futur dhe shpërndarë librat shqip të shtypura në kolonitë e mërgimtarëve. Ai u burgosur shpesh herë në kohë të Osmanëve. Pas shpalljes së Hyrrijetit Pandi hapi një librari, e para librari shqipe në Pogradec. Dhimitri, Mitrushi me përkëdheli, ishte i vetmi djalë mes dy motrave. Shkollën fillore e kreu në Pogradec, më 1919. Po këtë vit botoi vjershat e tij të para “Mëmës Shqipëri” dhe “Skënderbeu” – në kalendarin “Pogradeci”. Më 1921 Mitrushi shkoi në Selanik, në Shkollën Tregtare Rumune, në degën ekonomike. Më 1926, kur ishte 19 vjeç Kuteli u bë një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së nxënësve shqiptarë të Selanikut, Shoqëria u quajt “Kostandin Kristoforidhi”.
Nga viti 1924 Mitrushi filloi të botonte në shtypin shqiptar “Shqipëria e Re” dhe “Kosova” që dilnin në Kostancë të Rumanisë.
Në këto vite Mitrushi botoi dhe artikujt e parë në fushën e kritikës letrare – vlerësime, përshtypje, analiza, të dhëna për autorë e vepra, por edhe shkrime për problemet ekonomike, për monedhën, e çështjet agrare.
Më 1928 Mitrushi shkoi në Bukuresht dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar e nderkohë ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori, etj. Lexonte frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ai u be anëtar, më pas sekretar dhe në vitet 1931-34 Kryetar i Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë të Rumanisë.
Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”. Duke vazhduar punën e filluar në Selanik për të nxjerrë në pah disa nga vlerat e kulturës sonë sidomos në fushën e letërsisë, Mitrushi shkroi artikuj mbi Naimin, Çajupin, Gramenon, Papa Kristo Negovanin, Asdrenin, Hilë Mosin, Lasgushin, Loni Logorin, Filip Papajanin, etj. Me pseudonime të ndryshme botoi artikuj mbi çështjen e Bjeshkës së Velipojës të Vermoshit dhe mbi Manastirin e Shën Naumit. Në fushën ekonomike – shkruan rreth monedhës dhe kreditit, për problemet ekonomike dhe abuzimet administrative si dhe kundër disa koncensioneve që i ishin dhënë kapitalit italian – Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe Shoqërisë AGIP për të shfrytëzuar tokat vajgurore shqiptare dhe për të mbajtur monopolin e karburanteve në vend.

mitrush-kuteli

Mitrush Kuteli

Mitrushi u diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare

Pasi mori doktoratën në vitin 1934, Mitrushi brenda një kohe të shkurtër arriti të bëhet drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë. Ikën nga Rumania, se kishte nënën të sëmurë në Shqipëri ku arriti në shtator të vitit 1942, por nëna kish ndërruar jetë dy javë më parë. Kështu ai u vendos përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë vitit 1943 punoi pranë shoqërisë SASTEB. Gjatë okupacionit gjerman punoi pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë si konsulent për çështje monetare. Kjo detyrë e çoi përsëri të përballej me Komandën Gjermane për shkak të emetimit të monedhës së re, që kërkonin të nxirrnin gjermanët në Shqipëri. Kur gjermanët shkuan ta arrestojnë në Bankë, ai doli nga një portë anësore dhe më pas shkoi në çetën partizane, në Priskë. Pas luftes Mitrushi punoi pranë Ministrisë së Financave dhe pas hapjes së Bankës së Shtetit, u emërua drejtor në Drejtorinë Qendrore të saj dhe u zgjodh anëtar i Këshillit Administrativ. Në muajin gusht të vitit 1946 , dha dorëheqjen, pasi nuk pranoi barazimin e vleres se monedhës shqiptare me monedhën jugosllave. Pas kësaj e arrestojnë në maj të vitit 1947 dhe e dënojnë me pesë vjet heqje lirie. Ai u dërgua që të punonte për të tharë kënetën e Maliqit. U lirua nga burgu në prill të vitit 1949. Që nga viti 1949, Mitrush Kuteli, punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë.
Zemra e tij pushoi së rrahuri nga një infarkt, më 4 maj të vitit 1967.
Dhimitër Pasko i njohur si Mitrush Kuteli ishte një publicist kritik, autor përrallash dhe përkthyes i mrekullueshëm. Ai përktheu në gjuhën shqipe kryevepra të letërsisë botërore nga Gogoli, Krillovi, Shcedrini, Turgenjevi deri tek tregimet e hershme të Gorkit, Ostrovski etj.
Më 1933 botoi në Rumani broshurën: Tri probleme me Bankën Kombëtare të Shqipërisë. Kjo broshurë u konfiskua në Shqipëri, por hyri dhe qarkulloi fshehtazi dorë më dorë. Në vitet 1943 – 44 botoi në shtypin shqiptar një sërë artikujsh ekonomikë dhe financiarë, të cilët synonin luftën kundër inflacionit monetar.
Në gjuhën rumune, Mitrushi botoi 16 libra dhe broshura të ndryshme sidomos mbi problemet e monedhës dhe të kreditit në Ballkan, mes të cilëve:
Mendime mbi Krizën Agrare në Rumani. (Bukuresht 1932, faqe102). Kjo vepër fitoi çmimin e parë në një konkurs dhe u botua më parë në Buletini i Ministrisë së Bujqësisë të Rumanisë dhe pastaj si libër më vete.
Huarat me forcë mbi qarkullimin e monedhës; (botuar më 1933 nga Instituti Ekonomik Rumun);
Bankat Bujqësore të vendeve të Ballkanit; (viti 1934, broshurë);
Sistemet e Bankave të emisionit të vendeve të Ballkanit, ku përfshihen bankat turke, bullgare, greke, jugosllave, shqiptare, tezë për doktoratë, botuar më 1933, faqe 302;
Banka Kombëtare e Shqipërisë, faqe 122, që u komentua gjerësisht në shtypin rumun e të huaj.
etj.

Tituj të veprave:
Rrjedhin lumenjtë
Vjeshta e Xheladin Beut
Lasgush Poradeci (1937)
Netë Shqipëtare (1938)
Pylli i gështenjave (1958)
Ago Jakupi, e të tjera rrëfime (1943)
Sulm e Lotë (1943)
Shënime letrare (1944)
Havadan më havadan (1944)
Kapllan Aga i Shaban Shpatës (1944)
Dashuria e barbarit Artan për të bukurën Galatea (1946)
Tregime të moçme shqiptare (1965)
Tregime të zgjedhura (1972)
Baltë nga kjo tokë, (1973)
Në një cep të Ilirisë së poshtme (1983)
Këngë e britma nga qyteti i djegur
E madhe është gjëma e mëkatit (1993)
Xinxifilua (1962)

Përkthime:
Kujtimet e një gjahtari – Turgenjev
Tregimet e Petërburgut – Gogol
Shpirtra të vdekura – Gogol
Zotërinj Gollovlinovë – Sllatikov Shçedrin