Published On: Wed, Dec 13th, 2017

De Martino dhe Fishta

Tonin Çobani – Studjues

 

Disa pikëpyetje të mbetura pezull në Historinë e Letërsisë Shqipe De Martino dhe Fishta, “mësuesi i madh, nxënësi i madh”

Nga Tonin Çobani /
Historia e letërsisë shqiptare, e rishkruar (kurdo që të ndodhë ai rishkrim), do t’i rezervojë me patjetër një vend të merituar poetit Leonardo de Martino (1830-1923) dhe marrëdhënieve të tij me Gjergj Fishtën e të tjerë poetë shkodranë të tre dhjetëvjeçarëve të fundit të shek XIX. Ai vinte nga arbëreshët e Italisë (da Greci di Puglia) dhe së bashku me Pjetër Zarishin nga Blinishti i Zadrimës e shkodranët: Zef Jubani, Pashko Vasa, Filip Shiroka, si dhe me Ndue Bytyqin, “bilbilin e Kosovës”, janë më të parët poetë të letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare. Pavarësisht këtij fakti, ata janë emra kaq pak të dëgjuar sot nga nxënësit e shkollave, studentët e, ndoshta, edhe nga vetë mësuesit e letërsisë. Përse?
Leonardoja ishte prift françeskan (Padre Leonardo De Martino) dhe vinte në Shkodër (edhe në Troshan e Lezhë) si misionar apostolik për të dhënë mësime feje e qytetarie. Duke shfrytëzuar miqësinë me Frano Krispin, aso kohe ministër arësimi i qeverisë italiane, ai kontribuoi në Shkodër për mbarëvajtjen e shkollës popullore të françskanëve për djem (hapur më 1861) dhe për çeljen e shkollës së vajzave (1879), të dyja në italisht deri sa në drejtimin e tyre erdh Gjergj Fishta (1902). Gjatë kohës që sherbeu në Shqipëri (1865-1903) shkroi vargje të frymëzuara në gjuhën letrare shqipe, të cilën e gjet të kultivuar si gjuhë poetike në ato treva qysh nga Budi e Bogdani. Një pjesë të poezive të veta i përmblodhi në librin “Harpa e një italo-arbëreshi” (“L’arpa di un italo-albanese”, Venecie, 1881), më i pari vëllim poetik i një autori të Letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtarë që jeton në troje shqiptare. Dhe është një vëllim voluminoz (442 f.), megjithatë janë të pakët ata studiues që e dinë apo që e konfirmojnë në leksionet apo shkrimet e tyre, shkencore a divulgative qofshin.
Viti 1881 shënon kohën kur Gjergj Fishta fillonte shkollimin e vet për të marrrë edhe ai rrugën e të varfërit të Asizit. Padre Leonardoja ka qenë mësues i Gjergj Fishtës në të dy kuvendet françeskane, të Shkodrës dhe Troshanit, që nuk ishin më shumë se tri-katër orë rrugë (në këmbë) larg nga njëri-tjetri. Në Troshan, gjithashtu, at Leonardoja kishte qenë famullitar, duke mbuluar me shërbesa edhe fshatin Fishtë, prandaj i kishte takuar të pagëzonte poetin e sapolindur aty. Unë nuk e kuptoj përse përgjithësisisht biografë të Gjergj Fishtës përmendin vend e pa vend faktin se at Leonardo de Martino ka pagëzuar poetin e ardhshëm dhe nuk theksojnë, se, përmes kontakteve me poetin shqiptaro-arbëresh dhe me veprën e tij letrare, Poeti ynë Kombëtar u mëkua shëndetshëm me romantizmin italian (edhe europian) ashtu si kishte ndodhur edhe me të tjerë shkrimtarë shqiptarë kur kishin rënë në kontakt me veprën e De Radës, Serembes, Skiroit etj?
Nuk e them me siguri, nëse Fishta i ri e dinte më parë se të botohej “Harpa…”, se frati i tij, që fliste një shqipe kaq të bukur, shkruante po kaq hijshëm edhe poezi të frymëzuara për atme e fe. Por do të risjell ndër mend një rast që na bind se Gjergji Fishta e ka mbajtur atë libër gjithnjë të hapur mbi tryezën e vet të punës qysh në rininë e tij të hershme. Madje, kur Zefi i vogël (emri i pagëzimit), u bë poeti i madh Gjergj Fishta (emri si françeskan), tek po kthehej nga Franca (ku kishte përfaqësuar Shqipërinë në Konferencën e Paqës në Paris:1919-1920), bën një ndalesë kortezie në kuvendin françeskan të Sarnos (Itali), thjesht për t’u përshëndetur me mësuesin e vet 90-vjeçar, At Leonardo de Martinon: “një takim vërtet prekës në mes të mësuesit të madh dhe nxënësit të madh” (R. Petrotta).
Edhe për shëmbullin e mësipërm mund të formulohej ndonjë pyetje (e mbetur edhe ajo pezull) më parë se të rishkruhet një histori e merituar e Letërsisë Shqipe. Dhe mua, ndërsa rrekem të ofroj ndonjë përgjigje të pranueshme, më duhet të kthehem pas. Dikur motit, kur bëheshin tekstet e para për Letërsinë Shqipe, nuk studioheshin vetëm Gjergj Fishta e Naim Frashëri, por edhe një poet nismëtar si Leonardo de Martino. Filologu i shquar, Justin Rrota, autor i tekstit “Letratyra shqype për shkollat e mjesme” (1925), shprehet: Leonardo de Martino është “poet prej natyre, shkroi e botoi shumë kangë, sa kje pa ardhë në Shqypni, në gjuhë italishte. Këtu mandej, si e theu dialektin e vet n’atë të Gegnis, ia muer doren e shkroi me aq mjeshtri… (sa) bindemi pernjimend, se mujti me i qitë vjerrshat aq të limueme, aq të rrjedhshme e gjuhen të zgjedhun njiheri e popullore” (nënvijëzimi im – T.Ç). Ndërsa studiuesi i njohur arbëresh, Gaetano Petrotta, në veprën e tij madhore “Popolo, lingua e litteratura albanese” (Palermo 1931), shkruan: “De Martino mund të konsiderohet një ndër poetët kombëtar shqiptar, i birësuar i Shqipërisë…” (nënvijëzimi im – T.Ç).
Dhe pas kësaj, në vend që të formuloj një përgjigje për së mbari, s’më le të qetë sërish pyetja e parë: Kush e hoq “Harpën e një italo-arbëreshi” nga Historia e Letërsisë, nga tekstet e shkollave, pa e zëvendësuar, së paku, me një tjetër çfarëdo? Mos vallë, kur kishin vendosur të hiqnin nxënësin (Gjergj Fishtën), përse u duhej të linin mësuesin (Leonardo de Martinon)? Pra, edhe për të justifikuar ekskomunikimin e veprës madhore të Gjergj Fishtës (dhe të disa autorëve të tjerë që u shpallën të ndaluar pas Luftës së Dytë Botërore), gjë që, si dihet, bëhej për arsyse ideologjike (letërsia aso kohe ishte ideologji ose formë e ideologjisë). Pastaj De Martino kishte bërë edhe “një mëkat klasor”, kishte qenë për pak kohë edhe sekretar i Bibë Dodës (Pashai i Mirditës) dhe kujdestar i të birit, Preng Bibë Dodës (Preng Pashai).
Jashtë këtij filtri shpërfytyrues është një studiues italian i sotëm, Virgilio Iandiorio, i cili, poetit tonë italo-arbëresh, Leonardo de Martinos, i ka kushtuar disa artikuj vlerësues me vështrim interkulturor të gjerë. Në esetë e veta Iandiorio shqyrton vetëm tekstet në italisht (poezitë dhe shënimet historiko-kulturore), duke u mbështetur në ribotimin e “Harpës…” në variantin elektronik (L’arpa d’un Italo-Albanese: poesie varie, by Leonardo de Martino: Book digitized by Google from the library of Oxford University, shih https://archive.org/details/larpadunitaloal00martgoog). Në njërin prej artikujve, në atë me titullin “Interesat kulturore të Leonardo De Martinos”, Iandiorio ndalet edhe te niveli europian i shqiptarit tonë italian, si një arsye më tepër për ta studiuar veprën e tij. Duke u nisur, ndoshta, nga i njëti arsyetim, studiuesi kosovar A.N.Berisha ka vënë në qarkullim vëllimin me poezi të zgjedhura, “Harpa arbnore” (Prishtinë, 2002) të Leonardo de Martinos, të cilit i pelqente ta thërriste veten “shqiptar i Italisë” (Sckjuptaar prej Italies).
Por, pavarësisht këtyre zhvillimeve, unë përsëris me këmbëngulje se “Harpa…” është vepra e parë poetike e Letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare, që u krijua 135 vjet më parë, në kontakt me lexuesin e vet, brenda trojeve ku gjallonte natyrshëm gjuha shqipe si gjuhë e vetme komunikimi ndërmjet shqiptarëve autoktonë. Duke e hequr (apo shmangur) atë vepër, krijojmë artificialisht një hendek të madh në vijimësinë e letërsisë, sa që, ngado të sillemi për ta kapërcyer, biem brenda (në kuptimin e saktësisë shkencore). Dhe ashtu ka ndodhur. Kemi rënë brenda dhe e kemi humbur pusullën krejtësisht, duke marrë si letërsi kombëtare atë që nuk mund të jetë më tepër se plotësuese: letërsinë e diasporës. Kemi rënë brenda këmbë e krye, duke marrë si letërsi shqiptare, atë që nuk ishte shkruar në gjuhën shqipe (“Tahayyulat”, “Bardha e Temalit”, “Besa”, “Shqipëria. Kopshti shkëmbor i Europës Juglindore” etj), ashtu si nuk duhet të merret si e tillë vepra e shkruar italisht e Leonardo de Martinos (përfshirë edhe “Poesie varie, parte italiana” te “L’arpa…” ), veçse kur ndonjë varg a poezi është përkthyer në shqip prej vetë autorit, si ka ndodhur në disa raste.
Gjithashtu, duhet të pranojmë se letërsi e diasporës është edhe ajo e arbëreshëve. Madje vepra e De Radës ka plotësuar një boshllëk të krijuar objektivisht (jo artificialisht) në letërsinë shqiptare të gjysmës së parë të shek.XIX. Pavarësisht këtij fakti, sa i përket peshës që zënë në zhvillimin e letërsisë shqipe, Jeronim De Rada (dhe vepra e tij) nuk mund të jetë i njëjtë me Leonardo de Martinon (dhe veprën e tij), sado që edhe autori i “Harpës…” arbëresh ishte. Por “arbëresh i shqiptarizuar”, nëse mund ta përdorim këtë mbiemër për të dëshmuar faktin që ai për rreth 40 vjet jetoi në truallin e të parëve të vet të hershëm, gëzoi dhe vuajti së bashku me shqiptarë bashkëkohës, foli e qeshi, meshoi dhe shkroi poezi gjithfarësh në shqipen e tij të përditësuar, të themi, pas 500 vjetësh.
Leonardo de Martino, përveç përmbledhjes poetike “Harpa…”, numron disa vepra të tjera të botuara (italisht), një epistolar të pasur dhe shumë dorëshkrime. Ai ka përkthyer mjeshtërisht (“con risultati eccellenti”- E.Koliqi) nga italishtja në shqip dhe anasjelltas jo vetëm vargje origjinale të vetat, por edhe të poetëve të tillë, si: Tommaso Grossi (“Il lamento della prigioniera”), Alessandro Manzoni (“Il Natale”), Pietro Metastasio (“Via Crucis”) etj. Është mjaft i përfolur përkthimi në italisht i poemthit “Vaji i bylbylit” të Ndre Mjedës dhe publikimi në botimin e dytë të librit me vargje humoristike të shkruara në Shqipëri dhe të botura në Bari (Itali) më 1897, “La questione albanese orientale e la nuova crociata” (Çështja shqiptare lindore dhe kryqëzata e re). Dh.S.Shuteriqi ka shkruar për këtë botim se “De Martinoja e hodhi bombën… autori tallte e sulmonte rëndë sundimin turk, valiun e Shkodrës vetë, si dhe politikën austriake…” Ai edhe “Vajin e bylbylit” e sheh si këngë simbolike që aludon te liria e atdheut.
Disa studiues kanë vënë re ndikimin e De Martinos te Mjeda (përveç se te Fishta) dhe përgjithësisht te poetët e gropës së Shkodrës. Ai ka bërë përpjekje që të botojë dorëshkrimin e Pjetër Zarishit (1806-1866), poeti më i hershëm i Rilindjes Kombëtare, vepra e të cilit është konsideruar si urë kalimi nga letërsia e vjetër shqipe në atë moderne; ka krijuar lidhje të vajzave shkodrane (300 nënshkrime) me Dora D’Istrian; ka qenë bashkëkohës me ideologun më të parë të Rilindjes, Zef Jubani (1818-1880) dhe duhet të jetë njohur me Pashko Vasën (1825-1892), autorin e esesë së parë në shqip (“Shqipëria dhe Shqyptarët”, 1879) dhe të poezisë programatike “O moj Shqypni e mjera Shqypni” (1880-81). Nësa me Filip Shirokën (1859–1935), që aso kohe mbante pseudonimin Karolipo Scifip, ka një bashkëpunim më të ngushtë, pasi i ka botuar poezinë luftarake (Canto marziale): “All’ Albania \ All’Arme! All’Arme!”, duke e shoqëruar me një koment të thukët. Tingëllimat e këmbyera me Ndue Bytyqin (1847-1917) prej rrethinave të Shkupit, paralajmërojnë një të ardhme me nder për Shqypninë e ngratë, të cilës “kishte me i ardhë prap nami e rybja e parë”.
Rishkrimi i historisë së letërsisë shqiptare bëhet në mënyrë të vazhdueshme dhe pasi të jenë diskutuar më parë gjerësisht probleme a pikëpyetje të mbetura pezull, si më ka pëlqyer mua t’i cilësoj ato çështje që zvarritën për të zënë vendin e tyre të merituar. Diskutimet i rrafshojnë gjendjet pezull, duke dhënë një farë drejtimi sado të përkohshëm. Prandaj dua të shtroj (tashmë) për diskutim edhe një pyetje të fundit. A mund të vazhdojmë të themi, si kemi bërë deri sot, se teatri shqiptar ka nisur në fshatin Qestorat “me subjekt dasmën e Lunxhërisë, që synonte zgjimin e ndërgjegjes kombëtare” (1874) apo në Shkodër (1879) me farsën e përkthyer (!) me titull “Makka” (FESH II), kur në të njëtin qytet një vit më pas kemi një tekst dramatik origjinal të shkruar në gjuhën shqipe (“Nata e Këshnellave”); kemi një dëshmi me shkrim se ajo dramë baritore (Dramma pastorale) është luajtur disa herë me sukses (duke filluar nga data 24 dhjetor 1880 deri më 6 janar 1881) dhe autori i saj (Leonardo de Martino) është përgëzuar prej kolegëve të vet se ka arritur të prekë shikuesit (publikun) e pamësuar me shfaqje teatrore? Sot kemi edhe tekstin e dramës të botuar në vëllimin poetik “Harpa…”, që i bie të jetë drama e parë shqipe (në Letërsinë e Rilindjes sonë Kombëtare) dhe shfaqja e parë teatrore (e Artit Skenik të Rilindjes sonë Kombëtare) që nis rrugëtimin e vet si lëvizje amatore në qytetin e Shkodrës.
Gjergj Fishta i ri duket se e ka parë këtë shfaqje kur është luajtur në altarin e Kishës së Fretërve dhe/ose në atë të Kishës së Murgeshave Stigmatine. Më vonë Fishta do të merret edhe vetë me teatrin, duke këmbëngulur që të gjitha shfaqjet të luheshin vetëm në gjuhën shqipe (1902) ashtu si kishte bërë me gjuhën e mësimit në shkollat françeskane; duke ngritur sallonin e shfaqjeve me 300 vende të shkollës françeskane (1907) dhe sallonin me 250 vende të shkollës së motrave stigmatine (1914). Ai u angazhua seriozisht me përkthimin e pjesëve teatrore dhe me krijimtari origjinale për skenë, duke i siguruar një vend të nderuar vetës (dhe mësuesit të tij) në historinë e teatrit kombëtar dhe të dramaturgjisë shqiptare. Prandaj shprehim bindjen se në Historinë e Letërsisë Shqipe, të rishkruar, do të zënë vend të merituar Leonardo de Martino dhe marrëdhëniet të tij me Gjergj Fishtën, për të cilin thuhet se në fillimet e tij poetike, kur ishte ende student, edhe imitue e ka (D. Gjeçaj) mësuesin e vet të parë.