Nga Pjerin Logoreci /

Prej vitesh Qerim Vrioni njihet si një nga studiuesit më pasionuar të fotografisë shqiptare. Kërkues e këmbëngulës, ai e nisi punën me librin e  parë që u botua në 2005 “Fotografianjë grusht diell”, ku përfshiu histori të fotografisë shqiptare që nga Pjetër Marubi e Gjon Mili si dhe nga Fotografia botërore. Por karakteristikë e tij u duk analiza e zbërthimi i momentit të fotografuar si dhe krahasimi i zhvillimit të fotografisë botërore paralelisht, duke na dhënë një panoramë të plotë e duke plotësuar kështu figurat tona e artin e tyre në formë krahasuese.

    Në vitin 2007 Vrioni bashkëpunon në përgatitjen e albumit fotografik “50 Years of the University of Tirana in 100 photos”, botuar me rastin e 50-vjetorit të Universitetit të Tiranës.

   Në vitin 2008, studiuesi me këmbëngulje dhe i vetëm ka organizuar në Tiranë, Vlorë, Prishtinë dhe Grand Rapids (Michigan, SHBA) veprimtarinë “150 vjet fotografi shqiptare”. Një vit më vonë më 2009, Vrioni botoi “150 vjet fotografi shqiptare”, që përbën librin e parë mbi historinë e fotografisë të botuar ndonjëherë në Shqipëri. Po atë vit Qerim Vrioni përfaqësoi, si autor tashmë, si fotograf, Shqipërinë në ekspozitën “Il Lazio, tra Europa e Mediteraneo” të hapur në Romë (Itali) ku merrnin pjesë fotografë nga të gjitha vendet mesdhetarë.

    Pasi ka shkruar shumë analiza e studime mbi fotografinë shqiptare dhe atë të huaj, Qerim Vrioni, në nëntor 2013, nxjerr në botim veprën  “Fjalor i Fotografisë”, ku janë përfshirë terma, gjini e rryma artistike, botime, konkurse, çmime, procese teknologjike, aparatura e pajisje.

qerim_vrioni
Qerim Vrioni, studjues i fotografise

Më poshtë intervista me studiuesin Qerim Vrioni

– Si u krijua kjo lidhja e juaj me fotografinë?

– Unë kam banuar në Ujë të Ftohtë të Vlorës, që është një nga vendet më piktoreske të Shqipërisë. Më tërhiqnin shumë peizazhet. Ndoshta ndikoi edhe fakti se në ato kohë im vëlla së bashku me disa shokë pikturonin. Rreth vitit 1992 mora një aparat fotografik për amatorë dhe fillova të fiksoj atë që më dukej e bukur, peisazhet, por pa pasur njohuri për fotografinë dhe as për aparatet. Këto peisazhe i stampoja në format kartoline dhe  ua tregoja shokëve të cilët i vlerësonin, sidomos për kuadrimin.  Pak vite më vonë i prura në Tiranë dhe ia tregova një fotografi. Si tani më kujtohet, kisha fotografuar një shkëmb brenda detit në kohë të ndryshme, në mëngjes,  në mbrëmje, në diell, në shi. Fotografi i pa dhe për çudinë time më tha:

– Po këtu një fotografi është!?

– Jo i thashë, këtu është një objekt në katër fotografi, – dhe mendova t’ja tregoj dikujt tjetër i bindur se i pari nuk kishte të drejtë. I dyti më tha: – “Janë kuadruar mirë, po janë flu!”, dhe më pyeti për aparatin që përdorja.  Kështu mora vërejtjen e parë për aparatin që përdorja. Atëherë gjeta një aparat më të mirë. Dhe vërtetë fotografitë tanimë ishin më të pastra.

      Ndërkohë, fillova të botoj fotografi në gazetën “Drita” që ato vite vazhdonte të dilte.

Rreth viteve 2000 një shok i imi, Qemal Agaj që nga Amerika, më dërgoi albumin  “The Photo Book” të shtëpisë botuese “Phaidon “ të Londrës, dhe më shkroi, “po ta çoj këtë libër se ka edhe një foto të Marubit nga Shqipëria”.

    Fotografia ishte e Kel Marubit, e vitit 1922 me titull “Kapiteni Mark Raka dhe bajraktari i Shalës”. Botuesit shkruanin se fotografia ka solemnitet, dramaticitet, por nuk dihet se çfarë përfaqësonte. Kjo më tërhoqi shumë dhe fillova të studioj për të gjetur momentin historik dhe të përcaktojë personazhet që ishin pjesë e saj. Sigurisht nuk ishte e lehtë t’i gjeja. Nga Historia e Shqipërisë zbulova se në  foto “bëhej fjalë” për dorëzimin e armëve nga popullsia sipas urdhërit të qeverisë së kohës, ku ministër i brendshëm ishte Ahmet Zogu. Atëherë shkrova një artikull të shkurtër që e botova në shkurt të vitit  2001 në Revistën XXL. Por më pas m’u duk jo i plotë dhe iu ktheva prap asaj fotografie duke kërkuar të mësoj më shumë për kohën dhe personazhet në të. Kështu, gjeta nipin e Kapitenit Mark Raka, Prof. Dr. Ndoc Rakën, i cili më ndihmoi duke më informuar për jetën e Mark Rakës dhe më tregoi të tjera fotografi, pastaj “gërmova” për Bajraktarin e Shalës në vitin 1922, Lush Prela. Gjeta një libër për krahinën e Shalës. Kështu me radhë gjeta se në foto ishte dhe Serafin Mazreku i ati i Anton Mazrekut, Mul Deliu, Gjush Deda, Gaspër Pali etj. Përgatita artikullin dhe e ribotova në Gazeta Shqiptare në vitin 2002, nën titullin: “Dorëzimi i armëve në një fotografi të Marubit”. Tashmë analiza e kësaj fotografie ishte më e plotë, me trajtimin historik, artistik, analizën e personazheve historikë në të, efektin dhe jehonën që kishte pasur çarmatimi i popullsisë civile atëhere dhe vlerën e madhe që ka fotografia ende sot.

     Fotoja e dytë së cilës i kam bërë analizë ka qënë fotografia e “Pikaso duke vizatuar me dritë” (1949) e fotografit amerikan me origjinë shqiptare, Gjon Mili. Kështu vazhdova të shkruaj deri në vitin 2004, dhe kisha bërë disa artikuj. Një vit më vonë, edhe  pas këmbënguljes së shokëve të mij që më thoshin, “mblidhi në një libër këto që ke shkruar”, lindi libri im i parë në 2005, me titull  “Fotografia një grusht diell”.

Kështu fillova të merrem edhe me analizën e fotografisë.

– Cilat ishin mbresat pas botimit, nga reagimet për këtë libër të parë?

– Përgjithësisht, opinioni e priti mirë librin. Më kujtohet  promovimi i librit në Galerinë e Arteve, ku merrnin pjesë figura të njohura të kulturës shqiptare si Ramadan Sokoli, Piro Nace, Skënder Kamberi, Nestor Jonuzi, Piro Milkani, Thoma Thomai, Sadik Bejko, Kristaq Mitro,Tonin Çobani, Zyhdi Dervishi dhe fotografë si Zamir Marika, Besim Fusha, Nikolin Baba, Roland Tasho,  e miq të tjerë si dhe një grup shokësh të mi të vjetër vjonjatë. Në diskutimet dashamirëse dhe vlerësuese, që po bëheshin përmendej vazhdimisht “pasioni i Qerimit”, derisa një shok i imi, Petraq Truja,  tha: “more po kulturë ka ky Qerimi, se vetëm me pasion nuk bëhen këto gjëra?!”, kishte një farë të drejte, kisha lexuar ndërkohë mjaft libra dhe artikuj shtypi për fotografinë dhe historinë. Ky është libri im i parë, që në konkursin e “Kult” (2006) u zgjodh ndër katër librat më të mirë enciklopedikë të vitit 2005.

– Dhe në librin e dytë u shkëputët nga analizat për fotografinë për të na dhënë një histori të fotografisë? Si lindi libri i dytë?

– Shkruhej në shtyp se fotografia e parë ishte e vitit 1858 dhe personi quhej Hamz Kazazi. Studime të mëparëshme për fotografinë nuk kemi patur. Kështu në 2008 i binte të ishte 150 vjetori i Fotografisë dhe unë u përgatita dhe organizova një aktivitet me këtë rast në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, “150 vjetori i Fotografisë Shqiptare” (ia vlen të kujtohet se në këtë aktivitet nuk mori pjesë as Drejtori i Galerisë së Arteve, ku u zhvillua aktiviteti, jo më të pretendosh pastaj se mund të ishte edhe Ministri i Kulturës…). Në këtë aktivitet bëra një përshkrim të shkurtër të rrugës së Fotografisë Shqiptare shoqëruar edhe me shfaqjen në ekran të rreth 80 fotove të vjetra. Këtu pata ndihmën e pakursyer të studiueses së arteve pamore, Suzana Varvarica Kuka, punonjëse e Galerisë. Më pas, këtë veprimtari e zhvillova në Vlorë, Prishtinë dhe Michigan (ShBA).

– Mëgjithatë pati vemendjen e medias?!

– Po, të shtypit të shkruar, ndërsa televizionet shqiptare filluan të interesohen vetëm pasi u dha një kronikë e plotë e veprimtarisë në GKA, nga “Zëri i Amerikës”.

– Pra libri i dytë që mban edhe të njëjtin titull, lindi si ide nga aktiviteti?

– Po, pasi i punova e pasurova materialet që kisha mbledhur për të bërë aktivitetin, botova në vitin 2009, librin e dytë “150 vjet fotografi shqiptare”. Po këtë vit unë pata nderin të përfaqësoj Shqipërinë me 6 fotografi në ekspozitën “Il Lazio tra Europa e Mediteraneo” të Vendeve të Detit Mesdhe, që u hap në Romë.

– Në librin tuaj të tretë që sapo ka dalë “Fjalori i Fotografisë”, kemi një anë tjetër të fotografisë, anën enciklopedike, nga e kishit këtë ide?

– Libri i tretë ishte një ide e lindur nga një fjalorth i fotografisë i vënë në fund të librit të dytë.

– Shoh se zërat e Fjalorit të Fotografisë, pra librit tuaj të tretë, janë të trajtuar në anën e tyre historike, shkencore dhe artistike duke i dhënë kështu veprës pamjen e një encilkopedie, përse nuk e keni quajtur Enciklopedi?

– Nuk e them dot enciklopedi, se është fjalë e madhe, por është e vërtetë se jam munduar të shkrij organikisht anën historike, shkencore dhe artistike, për të bërë sa më të plotë çdo zë të Fjalorit. Në fund të Fjalorit kam vendosur edhe një kronologji të fotografisë botërore dhe shqiptare..

– Cilat janë projektet e ardhëshme?

– Ç’është e vërteta kam dy tre gjëra në kokë dhe ende nuk kam vendosur… kështu që nuk dua të them gjë përpara…

– Ju faleminderit Z. Qerim, dhe ju uroj suksese!

– Faleminderit!

Tiranë, 3 dhjetor 2013

Më poshtë intervista me  Qerim Vrionin nga “Zëri i Amerikës”