Nikolin Xhoja (Gioia) u lind më 12 maj 1926 në Brindizi, Itali nga babai Teodor Gioia (italian, pronar kinemash) dhe nëna shqiptare Parashqevi. Por jeta e soli që Parashqevia me Nikolinin të kthehej në Shqipëri, në Durrës. Që në moshë të re, Nikolini rreshtohet në radhët e Brigadës së 3-të Sulmuese dhe merr pjesë aktivisht në krijimin e grupit artistik partizan në Kosovë, i cili dha shfaqje në Gjakovë, Sanxhak, Mitrovicë, Gostivar, Ohër etj.
Pas çlirimit të vendit Nikolini nga viti 1953 ishte pjesë e Teatrit dhe estradës së Durrësit dhe është ndër aktorët e parë të Teatrit “Aleksandër Moisiu”.

nikolin-xhoja
Por në vitet 80-të i arrestojnë të birin për agjitacion e propagandë dhe kjo shkaktoi largimin e tij dhe bashkeshortes, aktores së njohur Meropi Xhoja nga skena. Në një gjendje të keqe shpirtërore ai sëmuret dhe pas një viti në spital ndahet nga jeta në moshën 61-vjeçare, më 27 qershor 1987. Megjithese mbante titullin e lartë “Artisti i Popullit” dhe duhej të përcillej nga salla e komitetit Ekzekutiv, Ai nuk u përcoll as nga Teatri ku punoi 40 vjet dhe as nuk u organizua ceremoni për të. Por populli i Durrësit e mbajti Nikolinin mbi supe dhe kortezhi përshkoi bregdetin, bulevardin kryesor dhe qëndroi pesë minuta heshtje para Teatrit “A.Moisiu”, ku ai interpretoi mbi 40 vjet, pastaj u përcoll në banesën e fundit.

Kanë mbetur të paharruar rolet e tij:

Në Teatër:
Prefekti
Revizori
Martesa
Komisari Memo
I sëmuri për mend
Tregëtarja e antikuarit etj.
Në Film: ,
Horizontet e hapura – 1967
Kapedani – 1970
Çifti i lumtur – 1975
Thirrja – 1976
 Nikolin Xhoja u nderua me titullin “Artist i Merituar”, e më vonë me titullin e lartë “Artist i Popullit”.