Published On: Sat, May 6th, 2017

Anton Mazreku, komentatori i paharruar i Radio Tiranës

Anton Mazreku u lind në Shkodër më 6 maj 1908. I jati ishte intelektual i njohur kurse e ëma ishte motra e Luigj Gurakuqit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa shkollën e mesme në Austri. Më pas ndoqi Liceun e Korçës dhe filloi punë si mësues po në Korçë. Që kur ishte 17 vjec Antoni filloi të shkruante në mbi 10 organe të tilla si “Brezi i Ri”, “Zani i Popullit “, “Sporti” etj, që botoheshin në Shkodër, e në fillim të viteve 20-të shekullit të kaluar, gjatë viteve të studimit në Liceun e Korcës, ka botuar në “Gazetën e Korçës”, “Besa”, “Shkolla kombëtare”, “Posta e Korçës”, “Drita”, “Kombi” dhe sigurisht, “Sporti Shqiptar”, që edhe e drejtoi nga viti 1935 deri në 1939 etj.

mazreku

Anton Mazreku

Më 1 shtator të vitit 1938 Anton Mazreku transmetoi për herë të parë një veprimtari sportive në mikrofonin e Radio Tiranës, nga fusha sportive e Shallvares ndeshja e parë, midis “Tiranës” dhe “Kavallës” së Greqisë.
Kultura, elokuenca, gjallëria, përdorimi i krahasimeve dhe gjetja e fjalëve gjatë transmetimit direkt e bënë Anton Mazrekun mjeshtrin më të madh të mikrofonit. Ai ka qenë sportist dhe është marrë me disa lloje sporti si: futboll, vrapim, ciklizëm, ski etj. Fliste mirë disa gjuhë si: gjermanisht, frengjisht, italisht, spanjisht, rusisht, serbokroatisht. Kjo e ndihmoi që të përkthentë me pasion vepra të autorëve të mëdhenj botërorë si Kornei, Foscolo, Shiler, Hajne etj.
Megjithese ai nuk u pa me sy të mirë nga regjimi komunist i kohës, iu dhanë disa poste sic ishte një ndër drejtuesit e parë të Federatës Shqiptare të Sporteve, duke vazhduar, edhe disa funksione honorifike, si kryetar i Komitetit Olimpik Shqiptar. Por padyshim mikrofoni i Radio Tiranes ishte pasioni dhe jeta e tij.
Vdiq në Tiranë në gusht të vitit 1969.
Vajza e tij është specialiste e njohur në Spitalin Onkologjik të Tiranës, doktoreshë Adelina Mazreku.
Për figuren e Anton Mazrekut kanë shkruar: Shkrimtari dhe komentatori sportiv Skifter Këllici, gjuhëtari Prof. Dr. Jup Kastrati. dhe kanë folur vazhdimisht komentatori i njohur sportiv Ismet Bellova dhe aktori e komentatori sportiv Veli Rada.