Published On: Wed, Nov 29th, 2017

Andrea Skanjeti, dramaturgu shkodran

Andrea Skanjeti regjisor, dramaturg, Artist i Popullit /
U lind në Shkodër në vitin 1906. Në qytetin e lindjes mori edhe mësimet e para, kurse studimet e larta i ndoqi në Itali
Në moshën 12-vjeçare shkroi dramën e tij të parë “Kusarët”, e cila tërhoqi vëmendjen e specialistëve dhe u vu në skenë nga Luigj Kromiqi me nxënësit e Shkollës së Franceskanëve të Shkodrës. Më pas shkroi drama të tjera si “Ali pashë Tepelena Suljot”, “Endrra e 500 vjetve”, “Nora”, “Drenusha e Drenicës”(Shota), “Rozafa”, “E cmendura”, dhe  “Arta”.

Andrea_Skanjeti

Andrea Skanjeti

Kur u kthye nga Italia qëndroi disa vite në qytetin e Durrësit, kurse në vitin 1946 u emërua regjisor në Shtëpinë e Kulturës, Shkodër. Pas disa muajsh  vuri në skenë shfaqjen me tri akte “Dasma shkodrane”, e para në llojin e vet në Shqipëri. Për këtë shfaqe angazhoi 92 amatore, disa prej të cilëve më vonë u bënë artistë. Shfaqja u dha në vitin 1947 në Shkodër e qytete të tjerë dhe në Tiranë në vitin 1949. Skanjeti, po me këtë ansambël diletant vuri në skenë operën e parë shqiptare “Mrika” të Prenk Jakovës me libret të Llazar Siliqit, e cila pati sukses të jashtëzakonshëm.
Andrea Skanjeti u muar edhe me përkthime të veprave dramatike. Ai njihet si themeluesi i Teatrit të Kukullave dhe ndër nismëtarët kryesorë të krijimit të Estradës së Shkodrës.
I është dhënë titulli “Artist i Popullit” më 28 Nëntor 1992.
Vdiq më 29 nëntor të vitit 1992 në Shkodër.

Krijimtaria

Veprimtaria artistike e Skanjetit ka një shtrirje në kohë gati gjysëm shekullore dhe përmblidhet:

Dramaturg
Shkroi 22 drama, komedi, melodrama, skeçe estrade etj., 27 pjesë teatrale të përkthyera e të adaptuara, 8 pjesë për teatër kukullash.

Regjisure
Vuri në skenë si regjisor rreth 75 pjesë teatrale shqiptare dhe të huaja, nga të cilat 20 me aktorët e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, 30 pjesë teatrale me grupe diletante të klubeve dhe shoqërive të ndryshme, të Shtëpisë së Kulturës Shkodër, qendrat e punës, Shtëpinë e Pionierit, shkollat etj.

Krijimtari ne proze
Shkroi rreth 45 tregime dhe novela, shumica të botuara në revistat e kohës, kryesisht para dhe gjatë luftës. (Tregimi “Një dhurate e papritur” është përkthyer në gjermanisht nga albanologu i shquar Maksimilian Lamberc).
Libri “100 vjet teatër në Shkodër, Kujtime, 1879-1979, botuar në vitin 2002.
Libri “4000 vjet nga urtësia botërore” Anekdota, botuar në vitin 2006.
Fjalori Italisht-Shqip (i pabotuar)