Një bisedë me yllin e futbollit shqiptar, Ali Mema

Nga Adela Kolea /

Nuk jam ndonjë sportive e madhe – aq më pak – ndonjë eksperte futbolli. E pra, për sportin në përgjithësi dhe, për futbollin në veçanti, më pëlqen të flas. Me një saktësim: më tepër sesa për sistemin e tërë të futbollit të sotëm, i referohem karakterisikave dhe tipologjisë së këtij sporti skuadre, ndjesive që ai përcjell, atij koncentrati drithmash, tensionesh, edhe dëshpërimesh, përse jo, asaj doze të tij emocionale – të lidhur në një farë raporti – me çdo çast të jetës së përditshme së gjithsecilit prej nesh. Ndoshta sepse futbolli është një sport popullor dhe unë vlerësoj gjithçka që historikisht, është themeluar nga një popull, nga fantazia e tij, nga tradita apo origjinaliteti i tij. Por, ka edhe diçka tjetër: unë pëlqej letërsinë.
Të ketë vallë ndonjë lidhje ndërmjet letërsisë e futbollit? Ndoshta po – ose të paktën – kjo gjë vihet re vetëm nga kush është në gjendje ta perceptojë këtë shkrirje.
Poeti italian, Umberto Saba, në poezinë e tij ‘Goal’, shkruan:

Publiku – i bashkuar duke bërë tifo – duket sikur po derdhet në fushë.
Fituesit ,( autorit të golit) i hidhen në qafë shokët ( vëllezërit)
të paktë janë momentet e tillë të bukur
që ndeshen tek njerëzit,të cilët tashmë janë si të ‘konsumuar’
nga pasionet e dashurisë e të urrejtjes.

Komisari teknik i një skuadre futbolli i drejtohet lojtarëve të tij – përveçse gjuhës së folur – edhe nëpërmjet gjuhës së gjesteve.Do ta keni vërejtur besoj edhe ju, thjesht duke ndjekur një ndeshje futbolli nga televizori i shtëpisë..
“çfarë do të kishte dashur t’i komunikonte atij lojtari, nëpërmjet atij gjesti?..çfarë do t’i kishte sugjeruar ose përse do ta kishte kritikuar? Arrite t’ja kuptosh të folurën trajnerit që nga mimika e fytyrës apo lëvizja e gojës ?- të vjen të mendosh në ato çaste..
E mirë, kjo është e folura e futbollit: fjalë, lëvizje, veprime, teknikë, gadishmëri, mprehtësi, lodhje, energji..
Fundja,pavarësisht nga përdorimi relativ i secilit prej këtyre ‘përbërësve’ – nga gjithkush nga ne, edhe në të përditshmen e tij – cilido qoftë intensiteti dhe dedikimi që ai investon në ta,nuk të krijon përshtypjen që, këta të fundit, të jenë elemente të përbashkët me vetë jetën?

Kërkojmë disa përshtypje mbi këto e të tjera, zotit Ali Mema, një figurë e rëndësishme dhe me vlerë në botën e futbollit në Shqipëri. Më saktë, një futbollist i shquar dhe më pas, një trajner tejet i aftë, në historinë e njërës nga shoqëritë sportive me prestigjioze të kryeqytetit, “17 Nëntori” i Tiranës.

ali mema-1
Ali Mema, futbollist, trajner, Legjenda e Futbollit Shqiptar

 

Kush është Ali Mema?Ali Mema ka lindur në Tiranë, më 01.02.1943.
Në vitin 1957 ka filluar veprimtarinë me ekipin e Pallatit të Pionierëve. Që nga viti 1958 anëtarësuar në ekipin e të rinjve të Tiranës dhe më pas, në vitin 1960 ka kaluar në ekipin e të rriturve të Tiranës.
Që në vitin 1963 ka qenë anëtar i Ekipit Kombëtar si dhe i ekipit të Tiranës, Dinamos, Partizanit, Vllaznisë.
Ka frekuentuar Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”.
Deri në vitin 1972 ka qenë pjesëtar i ekipit të të rriturve të Tiranës.
Nga viti 1972, me lënien e sportit ka kaluar si ndihmës trajner i ekipit të Tiranës deri në vitin 1987.
Gjatë karrierës futbollistike si lojtar në ekipin e Tiranës ka qenë fitues i 4 titujve “Kampionati Kombëtar” dhe i një “Kupe Republike”.
Gjatë kësaj periudhe ka marrë kupa të ndryshme të vendosura nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Pjesëmarrës në mbi 70 takime ndërkombëtare.
Gjatë karrierës futbollistike si trajner në ekipin e Tiranës ka qenë fitues i titujve “Kampionati Kombëtar” dhe “Kupë Republike”.
Pra që nga viti 1958 – 2010, me përjashtim të vitit 1987-1989, ka qenë anëtar i Klubit të Tiranës si lojtar, trajner e inspektor futbolli.
Në vitin 1964 i është dhënë titulli “Mjeshtër Sporti” dhe më vonë titulli “Mjeshtër i Merituar Sporti”.
Dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri”i Klasit të II dhe i Klasit të I.
Me nismën e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, në vitin 1999 i është dhënë titulli “Nderi i Sportit Shqiptar”.
Dekoruar me titullin “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës” nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.
Ndërsa në vitin 2006 nga Federata Shqiptare e Futbollit i është dhënë titulli “Legjenda e Futbollit Shqiptar”.

ali mema-trajner
Ali Mema, trajner

Mirëserdhët zoti Ali, faleminderit që jeni pranë nesh, në Albania News. Do të filloja nga ana ime, bashkëbisedimin tonë, me një pohim të një trajneri tjetër prestigjioz – ai është italian – Giovanni Trapattoni – , që thotë: “Topi është diçka e bukur, por të mos harrojmë që është gjithë ajër” . Ju, si do ta interpretonit këtë citim?

– Në radhë të parë ju falenderoj për këtë intervistë. Giovanni Trapattoni ka qenë një trajner i madh i Italisë dhe njerëzit e mëdhenj thonë edhe shprehje të mençura. Kjo shprehje, për mendimin tim do të komentohej që topin duhet të dish ta përdorësh si duhet, se përndryshe të nxjerr “bllof”.

Ju vini nga një familje që ka qenë e lidhur tradicionalisht me futbollin, nuk është kështu?

– Po është e vërtetë. Familja ime ka nxjerrë futbollistë të talentuar në tre dhe mund të themi edhe katër breza, duke nisur nga vëllai im i madh Haxhiu që nuk jeton më, vëllai i tretë Osmani, unë, nipi im Sulejmani, djali im Ardiani si dhe stërnipi im Klevi (ndjesë pastë që u nda nga jeta në moshën 19 vjeç). Ndërsa vëllai i dytë është marrë me basketboll.

– Ju keni filluar lidhjet me futbollin që në moshë të re. Ky i sotmi, në Shqipëri, është një ndryshim jo vetëm brezash, por rrënjësor do të thoja, për jetën e vendit. Sidoqoftë, ju vëreni elemente të përbashkët, përsa i përket konceptimit të një sporti si futbolli,tek djemtë e sotëm, në krahasim me ata të kohës së mëparshme?

– Fillimi i karrierës sime si futbollist ka filluar që në moshë të njomë (5 vjeçare)në rrugicat e Tiranës (lagjes), fushat e shkollave si dhe ato të Shallvareve, të Punës etj. Në ato kohë luanim me topa lecke të cilët i bënim vetë. Më vonë gjenim kamerdare, e vishnim me lecka sipër në mënyrë që krijonim efektin e kërcimit të topit. Në këtë kohë shquhesha për xhonglim me topin derisa më lodheshin këmbët e koka e nuk mbanin më. Përdornim vrima ose rrathë duke u stërvitur për të futur topat me gjuajtje me këmbë ose kokë. Gjatë kësaj periudhe, deri në klasën e VII, luaja për rreth 6 orë në ditë, në ndeshje që organizonim me grupe, klasa e lagje të tjera.
Mbas klasës së VII, kur u bëra 15 vjeç, u futa në ekipin e të rinjve të 17 Nëntorit, me trajner z. Xhavit Demneri. Në vitin 1960 (17 vjeçar) më kërkoi ekipi i të rriturve të 17 Nëntorit. Në moshën 18-19 vjeç, përveç ekipit tim më kanë marrë skuadra të tjera si Dinamo, Partizani për përforcim ekipi në ndeshjet ndërkombëtare ballkanike të vitit 1962. Mbas këtyre aktiviteteve bëhem anëtar i ekipi kombëtar dhe ndeshjen e parë e kam luajtur me Danimarkën.
Duke dalë tek pjesa e dytë e pyetjes po ju sqaroj se më parë sporti ka qenë amator, ka qenë dëshirë, pasion, vullnet, shpirt dhe talent. Sot sporti është profesion si gjithë profesionet e tjera, megjithëse edhe sot po nuk i pate cilësitë që përshkruam më lart, është e vështirë të bëhesh futbollist, sado me talent të jesh.

– Sponsor dhe shoqëri futbolli: në Tiranë, në vitet e karrierës suaj, kishte administrues dhe sponsor të ndryshëm për këto shoqëri, si: Partizani ( Ministria e Mbrojtjes), Dinamo ( Ministria e Brendshme), Dajti ( rrethi i Tiranës), 17 Nëntori,- kryeqytetit,etj..
Dallimet në administrimin dhe mbështetjen nga ana e këtyre institucioneve, ndikonin në mbarëvajtjen e shoqërive sportive të kohës?

– 17 Nëntori ka qenë një skuadër të cilën e mbështeste vetëm populli i kryeqytetit, pra thjesht “tironsit”, përveç Komitetit Ekzekutiv të atëhershëm, i cili i jepte fonde simbolike dhe vendoste për drejtuesit e klubit.
Dallimet në atë kohë ishin shumë të dukshme dhe ndikonin shumë në cilësinë dhe ecurinë e sportit. Pse e them këtë? Kështu p.sh. Klubi i Partizanit dhe Dinamos që mbështeteshin respektivisht nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme financoheshin shumë më mirë se 17 Nëntori. Po kështu përkraheshin edhe nga gjyqtarët e ndeshjeve kur ato ishin decizive etj. Pra e thënë ndryshe “bënin ligjin” në sportin në përgjithësi dhe kryesisht në kampionatin e futbollit, që ishte sporti më popullor. P.sh. në kohën që 17 Nëntori ose “Tirona” ishte një ekip shumë i mirë, të dy ministritë e sipërpërmendura e sulmuan duke ia çuar futbollistët për të kryer shërbimin ushtarak nëpër qytetet e tjera pa të drejtë, sepse sipas ligjit, meqë shumica kishte kryer studimet e larta nuk duhet të rrinin më shumë se 6 muaj “zbor”. Unë personalisht kam qëndruar për një vit e gjysmë në Shkodër, ku kam luajtur me Vllazninë.

– Keni praktikuar sporte të tjerë përveç futbollit?

– Përveç futbollit kam praktikuar edhe sporte të tjera ndihmëse si basketbolli, volejbolli, boksi, mundje, sigurisht dhe atletikë.

– Tek ne, në Shqipëri, pak a shumë si nëpër vende të tjerë të Ballkanit, të Evropës Lindore dhe atyre latino-amerikane, futbolli është praktikuar në mënyrë të përhapur, si sport rruge. Juve personalisht, ju ka qëlluar që të vëreni rastësisht ndonjë djalë,- duke luajtur në rrugë që- pajisur me aftësi për futbollin, të mendonit se ja vlente të thelloheshin dhe me tepër me një përgatitje sportive të mirëfilltë?

– Po në fillimet e veta çdo futbollist, të paktën flas për në Shqipëri, e ka filluar duke luajtur që fëmijë me shokët e lagjes, shkollës etj. Më pas me zbulimin e talentit në këtë drejtim ose dhe pasionin e dëshirën e madhe për t’u bërë futbollistë kanë ecur përpara drejt karrierës.
Po, më ka qëlluar. Në përgjithësi sportistët që kam stërvitur kur kam qenë trajner, shumicën e tyre i kam parë tek luanin nëpër lagje, shkolla ose fusha sporti siç kanë qenë fusha mbas hotel “Dajtit”, fusha “Shallvareve” etj. Ose miq e shokë ose dhe njerëz të panjohur më kërkonin t’i shikoja fëmijët tek luanin, për të parë a kishin të dhëna për t’u bërë futbollistë.

– Ju, futbollist, cilën ndeshje kujtoni, që do të mbetet përgjithnjë në zemrën tuaj, si përsa i përket ndonjë kampionati kombëtar, po ashtu edhe ndeshjeve të luajtura jashtë Shqipërisë?

– Kjo ndeshje është ndeshja me Gjermaninë,e vitit 1967, ku këtë të fundit e eliminuam nga Finalet e Kampionatit Evropian që zhvillohej në Itali, në vend të së cilës shkoi Jugosllavia. Ndërsa një nga ndeshjet kombëtare është ajo e finales së Kupës së Republikës në vitin 1963 ku Tirona fitoi Kupën e Republikës . Portieri ynë u vra e në atë kohë nuk ndërrohej, sepse ne i kishim bërë dy zëvendësimet. Unë me dëshirën time u futa në portë. Loja shkoi me shtesë e më pas me penallti. Prita tre të tilla dhe kështu fituam Kupën e Republikës.

– Ndërmjet jush si shokë skuadre, kishte kompeticion, përsa i përket karakteristikave të veçanta të secilit?

– Patjetër që kishte.

– Trajneri,- sa bashkëndanit përzgjedhjet e vendimet e tij?

– Trajneri kishte shumë komunikim me mua. Ai merrte mendim si për skemat teknike ashtu dhe për lojtarët që futeshin në formacion për përshtatjen me to dhe mbarëvajtjen e ndeshjes.

– Në kampionatin kombëtar, cilën skuadër vlerësonit atëherë me tepër? Po futbollisti më i madh shqiptar apo i huaj, sipas jush, i të gjitha kohërave, cili është?

– Skuadrat që vlerësoja më shumë kanë qenë Partizani dhe Dinamo, por edhe Vllaznia, Flamurtari, Besa etj.
Për mua futbollisti shqiptar më i mirë ka qenë Refik Resmja. Ai shquhej si një golashënues shumë i mirë. Po kështu edhe Panajot Pano.
Ndërsa si lojtar ndërkombëtar kam qenë tifoz personal i Pele-s, që e kam ndjekur që në vitin 1958 në Kampionatin Botëror (në kinema).

– Më pas, ju trajner, cili është, sipas jush, qëndrimi më i drejtë nga ana e një trajneri, në lidhje me skuadrën e tij: ai i të imponuarit apo ai i bashkëpunimit dhe të përshtaturit ndaj grupit që do të drejtojë?

– Ai i bashkëpunimit dhe të përshtaturit ndaj skuadrës. Gjithmonë kam marrë mendime dhe përshtypje të cilat i bashkërendoja me vetitë teknike të secilit lojtar për realizimin me sukses të skemave teknike dhe finalizimit të ndeshjes.

-Deri ku, temperamenti i një të riu, ndikon në të luajturit futboll nga ana e tij dhe e kundërta: sa ndikon futbolli mbi temperamentin e një të riu futbollist?

– Temperamenti i një të riu ndikon shumë në të luajturit futboll nga ana e tij. Po nuk pati temperament, një sportist nuk mund të bëhet një futbollist i mirë, lojtar skuadre dhe finalist veprimesh.
Po kështu futbolli ndikon në temperamentin e një të riu duke e shkathtësuar, kolektivizuar, shoqërizuar, rritur shpirtin e garës si dhe formimin e personalitetit të tij si njeri.

– Ju ka ndodhur,pasi të kishit formuluar, ndoshta edhe me bindje, një skemë loje në letër, të konstatonit që, në fushë,rezultati nuk do të kishte dalë ai i parashikuari?

– Ka pasur edhe raste të tilla. Në futboll jo gjithmonë rezultati i fushës është ai i prituri, prandaj thonë që “topi është i rrumbullakët”.

– Cili është trajneri më i madh i kohërave sipas jush, në nivel botëror?

– Trajneri më i madh i kohërave për mendimin tim është Sir Alex Ferguson, i cili shquhet për rezultatet e arritura nga skuadra “Manchester United” nën drejtimin e tij. Më ka pëlqyer edhe trajneri Rinus Michels, ish trajneri i Ajax-it të Hollandës të viteve kur kam luajtur unë.

– Sa rëndësi i jepet sot në Shqipëri edukimit fizik nëpër shkolla?

– Sot në Shqipëri, për mendimin tim nuk i jepet rëndësi nëpër shkolla. Edukimi fizik sot trajtohet thjesht si një lëndë pa rëndësi, që në shumicën e kohës nxënësit luajnë vetëm me top, ose në raste të rralla realizojnë programet.

– Sa përkushtim ka nga ana e administratës lokale të Tiranës, ku ju jetoni,për sa i përket kujdesjes dhe përhapjes së impianteve sportive?

– Nga ana e administratës lokale të Tiranës ka filluar realizimi i ambienteve sportive nëpër lagje (aty ku ka hapësira publike) të minifushave të futbollit, basketbollit etj. Po kjo është në hapat e para. Nga ana e personave privatë janë ndërtuar “kalceto” në disa vende të Tiranës, të cilat jepen me qira për ndeshjet që luajnë të rinjtë.

– Po shoqëritë sportive që merren me përgatitjen futbollistike dhe në përgjithësi edhe sportesh të tjerë, për fëmijë e të rinj?

– Ish klubet e mëparshme, vazhdojnë me skuadra të ndara sipas grup moshave. Janë krijuar edhe disa skuadra private që ushtrojnë aktivitetin e tyre në qytete të ndryshme, por janë pak.

– Futbolli femëror, në Shqipëri, është i praktikuar?

– Pak. Janë krijuar së fundmi disa skuadra (4-5) amatore. Gjithashtu është organizuar edhe Kampionati Kombëtar. Është ngritur edhe ekipi Kombëtar,me trajner ish futbollistin Altin Raklli. Ky ekip ka marrë pjesë në disa kompeticione.

– Ç’mesazh do t’u transmetonit djemve të rinj të sotëm, që kanë ndërmend të fillojnë karrierën e futbollit?

– Mesazhi im për të rinjtë e sotëm që duan të bëhen futbollistë është: “punë, pasion, përkushtim, sakrificë”…

– “Shitblerja e lojtarëve”…Qëndrimi i një futbollisti, para dhe pas përfundimit në favor të tij, të një kontrate në tregun e futbollit?

– Qëndrimi i futbollistit pas realizimit të një kontrate edhe mund të ndryshojë. Kjo varet nga karakteri i tij. Qëndrimi i tij duhet të jetë i tillë që të vejë të gjitha forcat e mundësitë e tij për realizimin me sukses të kësaj kontrate, duke bërë kështu dhe arritjen e pritshmërisë ndaj tij.

– Sport e doping. Një komentim nga ana juaj.

– Sporti është e kundërta e dopingut. Ato janë si dy vektorë me kahe të kundërta. Dopingu nuk duhet të jetë në mënyrë absolute pjesë e çfarëdo lloj sporti.
Së fundmi ju falenderoj që më dhatë mundësinë të shpreh disa mendime në këtë intervistë në lidhje me sportin dhe në veçanti me futbollin, i cili ka qenë një nga dashuritë e jetës sime.

– Kënaqësia ishte veçse e jona, i nderuar zoti Ali, për konkretizimin e këtij bashkëbisedimi nga ana jonë, me një profesionist si ju, një nga protagonistët e Nderit të Futbollit Shqiptar.

– Faleminderit juve.

Marrë nga Albania News