marie Logoreci 95

Për ta kujtuar në 95-vjetorin e lindjes me 5 Tetor 2015 në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar u mbajt një veprimtari mbi jetën dhe aktivitetin e aktores së shpallur nga Presidenti i Republikës “Nderi i kombit”. Miq sollën në kujtesë ndodhi dhe ngjarje të veçanta nga njohja me Marie Logorecin…

…Ishte koha kur kishte dalë në pension dhe unë shkoja në shtëpinë e saj. Një ditë më tha: “Do të pimë një gotë raki, se kuzhinën e kam ende të parregulluar”. Vuri raki, dy kokrra ullinj, pak djathë e më tha se po ziente edhe dy vezë, e ndërkohë më shprehu kënaqësinë që shkoja ta takoja. I thashë se nuk kisha kohë të rrija shumë se isha në tre filma, dhe i thashë se kjo ishte pak e lodhshme. “Lodhesh ti, – tha – që të kanë dhënë gjithë këto role? Dil jashtë, se mua më kanë harruar! Dil, se as rakinë nuk do ta jap!”…Ky është një prej kujtimeve të fundit që Tinka Kurti ruan nga aktorja e madhe Marie Logoreci.

Harresa, të cilën e vuajti pasi doli në pension, kur ende ndjente se kishte shumë për t’i dhënë teatrit dhe kinemasë shqiptare, nuk e kaploi kurrë një figurë si ajo, e cila përkujtohet me nderim edhe sot e kësaj dite.

Për ta kujtuar në 95–vjetorin e lindjes, ditën e djeshme në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar u mbajt një veprimtari mbi jetën dhe aktivitetin e aktores së shpallur nga Presidenti i Republikës “Nderi i Kombit”.

Miq e kolegë, si aktorët Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Yllka Mujo, regjisori Xhelil Aliu, por edhe profesorët Josif Papagjoni e Gjovalin Shkurtaj sollën në kujtesë ndodhi dhe ngjarje të veçanta nga njohja me Marie Logorecin.

Me këtë rast u prezantua edhe libri me titullin “Duke kujtuar artisten Marie Logorecin”, ku emrat e njohur të historisë së teatrit dhe kinemasë shqiptare rrëfejnë njohjen me të dhe vlerësojnë figurën e saj artistike, por edhe atë humane. Ky libër shoqërohej edhe me një e albumi fotografik kushtuar aktivitetit të saj të gjatë.

“Në qoftë se bota do të shohë kush ishte gruaja, sidomos e Shqipërisë së Veriut, me të gjitha karakteristikat, cilësitë dhe virtytet e saj, mjafton të shohë një foto të Lokes së paarritshme të Marie Logorecit dhe bindet plotësisht se kush ishte Marie Logoreci”, – u shpreh regjisori Xhelil Aliu gjatë veprimtarisë, ndërsa profesor Josif Papagjoni vlerësoi guximin e saj dhe të kolegeve, të cilat zgjodhën të bëjnë art në një Shqipëri të pasviteve ’40 ende anakronike.

“Nuk ishte e lehtë në Shqipërinë pas luftës mbushur me anakroni sociale, tejet kufizuese për lirinë e femrës e aq më pak të luaje teatër, të ngjiteshe në skenë ku të gjithë të tjerët të soditnin… Për femrat e asaj kohe që hipën në skenë kam mbresën më të bukur. Ishte akt tejet i guximshëm, sublim, koncept heroik që e kemi parë vetëm te pushkët e flamurët që është militarist, por te kultura e qytetaria është pikërisht sfida që njeriu bën përballë rrethanës refuzuese ku ndodhet. Marie Logoreci bashkë me shoqet e saj përfaqësonin sfidën e një Shqipërie të re europiane në një Shqipëri ende të futur në poture dhe padije e anakronizëm”, –u shpreh Papagjoni, duke shtuar se shtëpia e Logorecit ishte teatri.

Të gjithë shkojmë e vijmë në këtë jetë, pak janë ata që të kthehen në kujtesë dhe nga këta të paktë është Marie Logoreci, e cila troket në dyert e kujtesës sonë kulturore dhe thotë: Ja ku jam midis jush! Shpirti i saj është sot midis nesh, është në mendjen tonë”, –përfundoi Papagjoni.

Aktorja Margarita Xhepa solli në kujtesën e të pranishmëve tre role të Logorecit që asaj, asokohe aktore e re i kishin lënë mbresa të mëdha.

“Maria e nisi me zërin e saj të bukur, kumbues, por skena e teatrit e priti atë me duartrokitje qysh në rolin e parë. Me kujtohet në vitet ’50 e ca në teatër isha shumë e re dhe më ka mbetur figura e saj në sy. Më kanë mbetur në memorie si një ëndërr tre role të bukura shumë “Çështja ruse” “Rrënjët e thella” dhe “ Makar Dubrava” Ishte një rol më i bukur se tjetri. Ajo shquhej për një sharm që kishte në skenë, për bukurinë e saj, për sytë e saj që kishin një dritë do të thosha”- u shpreh Xhepa, duke kujtuar edhe bashkëpunimin me Logorecin te “Hamleti”.

“Me Marien kisha dy dialogë, një me fjalë e një pa fjalë, sepse Ofelia sillej në skenë e çmendur dhe Maria nuk kishte asnjë fjalë, por nuk do i harroj sytë e saj, shikimi i saj fliste më shumë se fjala, mënyra sesi të shihte, dhimbja që kishte për të pafajshmen Ofeli, mënyra sesi e shprehte…pastaj pata fatin ta shoh në role të tjera, siç është një rol madhështor; Bernarda Alba, që nuk duhet harruar ai personazh i fuqishëm e shumë të tjera, por shkëlqimi i saj ka qenë në dramaturgjinë shqiptare, një shkëlqim i paparë sepse ato treva i njihte shumë mirë dhe në të gjitha ato role të veriut ajo dinte të sillte të veçantat e saj.

“Te çatia e të gjithëve” nuk kishte rol kryesor. Hyn Maria dhe nis lëvizjet dhe në karrige ulet këmbëkryq. Mbaje- tha regjisori-ky personazh rri këmbëkryq edhe në karrige. Ajo dinte sesi ta mbushte karakterin edhe nga ana e jashtme, Gjente gjithmonë të veçantën.

Ka qenë një nga kolonat e teatrit popullor, gurthemeli, me autoritet përpara popullit. Bashkë me kolegët e saj. Ishte e koha e të mëdhenjve…Mirënjohja që na dha Marie Logoreci është e paharrueshme, që i dha aq shumë arti shqiptar dhe për të gjithë ne mbetet e pavdekshme dhe e paharruar”.

Aktorja Tinka Kurti e quajti kryefjalë të teatrit, duke kujtuar me humor Marien.

“Unë e kam njohur herët Marien. E dija se ka mbaruar për kanto. Vajzat shkodrane kanë qenë më të emancipuara nuk kanë vuajtur nga opinioni. E kisha parë disa herë. Njëherë në Shkodër, jo në teatrin Migjeni por në një teatër veror, e pashë Marien tek pjesa “Halili dhe Hajria”. Nga gjithë ajo shfaqje e bukur, mua më mbeti në mendje vetëm Maria. Vjen Naimi dhe i thotë:

-Na i iku goja zojës! dhe ajo i thotë batall fort dhe mua më mbeti shprehje: batall fort

Maria kishte një forcë të jashtëzakonshme. Ajo mundohej të më jepte kurajë” – e kujton aktorja.

Marie Logoreci lindi në Shkodër më 23 Shtator të vitit 1920. I ati, Palok Çurçia, ishte zejtar, kurse e ëma, Roza, shtëpiake. Që në vegjëli Marien e thirrën me përkëdheli Tushi. Ajo ndoqi shkollën femërore të “Motrave Stigmatine”, në Shkodër, një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative.

Në gjimnaz filluan të duken prirjet e para; vizatimi dhe kënga. Në arkivin privat ruhen rreth 20 vizatime të asaj kohe.

Brenda një kohe të shkurtër mësoi gjuhët italiane e malazeze, por ajo që ndikoi fuqimisht në shpirtin e saj dhe që la gjurmë përjetë ishte njohja që në vogli me zakonet, traditat dhe eposin e veriut. Njohja dhe më vonë studimi i këtyre zakoneve, mjedisit, folklorit e etnografisë u bë një pasion i ri për Marien.

U largua nga Shkodra në vitin 1937. Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin.

Jeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945 ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20-minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, të Shqipërisë së mesme dhe këngë partizane. Ndërkohë ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit). Filloi të këndojë gjithashtu në koncerte që jepeshin në kryeqytet në raste të ndryshme. Në vitin 1947 bëri pjesë si soliste në korin e përgjithshëm të Shtetit me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit.

Duke parë aftësinë interpretuese të Maries kur këndonte i propozuan të punonte në Teatrin Popullor. Ky kalim ishte i vështirë edhe për Marien, edhe për mjedisin. Por familja e emancipuar dhe i shoqi Kola luajti një rol të madh, duke e ndihmuar që ajo të ecte përpara, të zhvillonte talentin e saj. Kështu në Nëntor të vitit 1947 për Marien u hap perdja e jetës së vërtetë skenike, ajo tashmë ishte aktore e Teatrit Popullor.

Me punën e saj Logoreci ka dhënë një galeri të pasur karakteresh në teatër dhe kinema. Ajo ka lënë gjurmë në rolet e Alisa Lengton, ne “Rrënjët e thella”, Kristina Padera, në “Komploti i të dënuarve”, Gertruda, te “Hamleti”, Fatimja, te “Halili dhe Hajria”.

Bernarda Alba, te : Shtëpia e Bernarda Albës, Lady Milford në “Intrige e dashuri” Gjela te “Përmbytja e madhe”, etj.

Kulmin e pati me interpretimin e Lokes te “Toka jonë”.

“Lokja është një dramë, por sa e sa gra kanë pësuar fatin e saj në jetë. Në turnetë që kemi bërë me dhjetëra gra më kanë thënë me gojën e tyre : “ Unë jam Lokja”. Kjo më rrëqethte, por si aktore më ndihmonte të plotësoja edhe më rolin, të sillja në skenë zërin e fuqishëm të atyre viktimave”- kështu do të shprehej vetë Marie Logoreci.

Ajo ishte edhe pioniere e kinematografisë shqiptare. Interpretoi në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj” dhe në 12 filma të Kinostudios dhe Televizionit. Interpretimi i saj në film ruan deri në një farë mase tiparet e interpretimit skenik. Heroinat e krijuara nga Maria në film, janë figura të individualizuara, çka ruajnë vlerën e tyre në historinë e filmit shqiptar në raport me kohën. Rolet më të suksesshëm të saj sipas kritikes janë: Xhesi te “Çeshtja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, Lokja te “Toka jonë”, Ledi Milford te “Intrigë e dashuri”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Gertruda te “Hamleti”, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Tadrahova te “Morali i zonjës Dulska”, Nëna Xhun te “Muri i madh pakapërcyeshëm”, Mara te “Përkolgjinajt”, Plaka te “Çatia e të gjithëve”, Nëna te “Cuca e maleve”, Gjela te “Përmbytja e madhe” etj. Marie Logoreci është vlerësuar disa herë për punën e saj artistike. E nderuar me titullin “Artiste e Popullit”, pas vdekjes president i Republikës Bujar Nishani e ka vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit”. Në fund të aktivitetit u çel edhe një ekspozitë me fotografi të Maries nga jeta dhe skena.

Kanë thënë për Marie Logorecin

Loni Papa

Një shoku im poet diti ta përcaktojë më mirë madhështinë e artistes Logoreci, duke zbuluar edhe poetikën e saj: “ I thyen rolet ashtu si guri i çmuar i thyen rrezet dhe paçka se janë rreze, përsëri nuk ngjajnë me njëra-tjetrën”.

Revista Nëntori 1988

Yllka Mujo

Ajo është aq e besueshme, saqë të bën të harrosh që je në teatër mbasi emocionet të prekin thellë. Ajo është aq konkrete, saqë mjetet shprehëse aktoriale janë pothuajse të pandjeshme dhe

gjithmonë në shërbim të veprimit ideo-emocional.

Robert Ndrenika

Një teatër quhet kombëtar në kuptimin gjithëpërfshirës të kësaj fjale kur në gjirin e vet ka një artiste si Marie Logoreci.

Gjovalin Shkurtaj

Disa prej cilësive të gjuhës dhe të folurit të Marie Logorecit shin qartësia dhe kuptueshmëria, fryma popullore e timbret krahinore të këndshme, duke ecur nga një pikënisje dialektore shkodrane drejt një gjuhe të përpunuar që shkon drejt një modeli kombëtar, sepse ajo i përpunonte fjalët duke ia përshtatur përmbajtjes gjuhësore të dialogut të personazheve.

Roza Anagnosti

Ajo krijoi një model të shkëlqyer, që sot kemi nevojë ta kemi. Dhe kontributi tjetër i madh që ajo ka dhënë është në emancipimin e gruas të asaj kohe, që e shihte Marien si model dhe jo vetëm në skenë, por edhe në jetë.

Rikard Ljarja

Marie Curçia Logoreci –Tushi, ishte e mbushur me shumë talente; vizatim, këngë, dhe mbi të gjitha aktore me një potencial të jashtëzakonshëm ngarkesash emocionale që shpërthenin herë pas here fuqishëm në skenën e Teatrit Popullor. Ishte një talent i rrallë.

Drita Pelinku

Ajo lexonte dhe studionte shumë, i pëlqente folklori e legjendat dhe ajo dinte të depërtonte, dinte të hynte thellë në mendësinë popullore. Kjo tregon se ajo nuk bënte një lexim të sipërfaqshëm, por një studim. Mendoj se këto e ndihmuan në krijimin e figurave shqiptare. Nëna shqiptare…, Marie Logoreci kishte sekretin e nënës, ishte e besueshme dhe organike, ishte e vërtetë.

Pjerin Logoreci

Megjithëse kanë kaluar mjaft vite që kur ajo u nda prej nesh unë e ndjej me të gjitha qelizat e trupit mungesën për të: për humorin e mënyrën e të shprehurit figurativ aq karakteristik, për ëmbëlsinë e kujdesin e saj të rrallë, për këshillën e mençur, të kujdesshme e largpamëse për masën e saktë në të folur e në të vepruar, për zemërimin e saj të vrullshëm, për praninë e saj, për qenien e saj.

Kolë Jakova

Loken e kam shkruar për Marien. Qëkur po e shkruaj dramën “Toka jonë” mbaj mend se si Loke përfytyroja Marie Logorecin. Vetëm Maria, mendoja, mund ta luante si duhet.

Pirro Mani

Marie Logoreci me rolet që krijoi dha me mjeshtëri figurën e shqiptares, të asaj të Shqipërisë së Veriut. Ajo ishte personifikim i epikës.

Marika Kallamata

Për vetitë që kishte, ishte e respektuar dhe nderuar nga të gjithë, arrinte t’ua impononte këtë me sjelljen e saj. Unë nuk e harroj humorin fin, zërin e saj të bukur dhe të qeshurën e çiltër e kumbuese.

Ndrekë Luca

Ishte partnere e shkëlqyeshme, gjithmonë plot ndjenjë dhe sytë e saj që flisnin, të ndihmonin të hyje në rol me të me një natyrshmëri të pabesueshme e kjo vinte se para teje ishte personazhi i gjallë.